Nuk kishte për të më shkuar mendja kurrë se një libër, qoftë ky edhe një revistë letrare si Mehr Licht-i, e cila përmban shumë copëza librash brenda dhe është voluminoze, mund të shfaqte një ditë tiparet e një biblioteke dhe të kthehej në një tempull shpirti. Sepse, domosdo, biblioteka është tempulli i shpirtit, por jo siç janë kishat, xhamitë, katedralet, sinagogat, etj, tempujt e religjioneve. E një lloji krejt tjetër. Ajo është tempulli që ruan të kyçur brenda librave ëndrrat, dëshirat, fantazitë, vrumbujt e zemrës dhe djegën tonë që nuk u bënë kurrë realitet, ruan si në freezer një pjesë të shpirtit, mbase atë më të mirën, atë që u ruajt dhe nuk u luajt kurrë në bixhozin e jetës; ndërkohë që vetë lënda e tempullit të shpirtit, jeton nëpërmjet leximit tonë. Siç thotë shkrimtari i madh spanjoll Javier Marias-i, ndoshta librat ndodhin kur ne i lexojmë, dhe sa më shumë i lexojmë, aq më shumë e aq më gjatë librat ndodhin, duke ushqyer atë pjesë të rëndësishme të shpirtit tonë që ndodhet e ndryrë në Tempull.
E pra, përpara disa vjetësh, në librarinë pranë Bankës Kombëtare, ndërsa kisha dalë të vizitoja libraritë për të parë ecurinë e shitjes së revistës në fjalë, të cilën e botoj, "zura gafil" një syresh përmbi banak, të katandisur si mos më keq, të vjetëruar para kohe nga një stërpërdorim i çuditshëm, e me ca fletë pothuaj të shkalafitura... dhe qe numri i fundit i revistës, i dalë që prej tri javësh në treg. Isufi, bibliotekari legjendar, i doli ballazi habisë dhe shqetësimit tim: "Kjo është kopja-bibliotekë", më tha me ndrojtje, dhe më rrefeu me dorë kopje të tjera që vezullonin të reja në rafte; "klientët e mi të rregullt, e marrin vetëm për tri-katër ditë, duke paguar 50 lekë". Ende nuk kuptoja ç‘ngjiste, Mehr Licht-i del në treg me çmimin e kostos, pra është i lirë. "Janë shumë klientët e kësaj biblioteke?", e pyeta. "Janë ca", m‘u përgjigj, "studentë, gjimnazistë, arsimtarë, pensionistë... Nuk i kthej dot mbrapsh, s‘kanë mundësi ta blejnë, dhe këtu e kanë shpirtin, vijnë shumë herë që pyesin për numrin e ri. Kësaj here, ama, e kam bërë vetëm tri ditë për klient, ka patur shumë kërkesa!".
Nuk dija ç‘të mendoja, isha hem e gëzuar, hem e pikëlluar; e gëzuar që e donin aq shumë Mehr Licht-in, e pikëlluar që njerëzit e leximit ishin kaq të varfër. Revista-bibliotekë qe zemreku që i dha hov një vargu të gjatë ndërmendjesh dhe përsiatjesh tek unë mbi ekzistencën e librit-bibliotekë, apo bibliotekës që përfshin të gjithë librat e shkruar, apo të librit të librave, një libri të vetëm, atij që do ishte e Vërteta në univers, dhe gjithë dëshirat dhe përpjekjet e njeriut antik dhe modern për të patur tempullin e tij të shpirtit, që kur krijoi kultin e dijes, që kur të mençurit e të urtët u vunë në krye të punëve të njerëzisë. M‘u ndërmend një nga tempujt e parë të shpirtit që njerëzimi pat krijuar, më të madhin e botës antike, Bibliotekën e Aleksandrisë, dhe një lumë përsiatjesh e shoqëroi kujtimin: gjallimi, lulëzimi dhe shkatërrimi i saj thuhet se ndodhi pikërisht nga mëdyshjet, dilemat apo përleshja e dy besimeve të njeriut: një libër-bibilotekë, apo një bibliotekë-përfshirëse e gjithë librave të dheut. Në vitin 288 përpara Jezu Krishtit, Ptolemeu i I-rë, që e pat trashëguar Egjiptin, ndërtoi një muze, i cili mbante brenda tij një universitet, një akademi dhe Bibliotekën e famshme të Aleksandrisë (e cila numëronte mbi 700 mijë volume në kohën e Cezarit). Më pas, ai u kërkoi të gjitha vendeve të njohura që t‘i dërgonin veprat e çdo lloj autori, të cilat urdhëronte të përktheheshin në greqisht. Meqenëse qyteti ishte port, Ptolemeu u kërkonte anijeve që ankoroheshin në Aleksandri, të lejonin që librat që kishin në bord të kopjoheshin dhe të përktheheshin. Kopja i kthehej anijes, ndërsa origjinali ruhej në bibliotekë. Përkthimi në greqisht i të gjithë veprave qe një punë kolosale, e cila mobilizoi pjesën më të madhe të intelektualëve dhe dijetarëve të çdo vendi; përkthyesit qenë të detyruar të njihnin përsosmërisht gjuhën e tyre dhe atë greke.
Biblioteka mitike dhe e përkryer e Aleksandrisë u drejtua nga eruditët më të shquar të epokës si Zenodoti i Efesit, Aristofani i Bizantit, Aristarku i Samotrakës dhe Apoloniosi i Rodit. Si shenjues i historisë së Bibliotekës mund të përmendet Septante, një grup eruditësh të dalë nga rryma filozofike me të njëjtin emër, që përkthyen Dhjatën e Vjetër. Legjenda e Septante-s thotë se gjashtë përfaqësues të secilës tribu çifute, u mbyllën në ishullin Pharos për të përmbushur këtë përkthim. Ata pra qenë 72 rabinë që e realizuan përkthimin për 72 ditë. Ka shumë legjenda që flasin për shkatërrimin e Bibliotekës së Aleksandrisë; të gjitha piqen në një pikë, që ajo u dogj, u dëmtua dhe u shkatërrua shumë e shumë herë që përpara pushtimit arab, nga jul Qezari që më 47 përpara J.K e gjer nga të krishterët, dhe u rindërtua po aq herë; deri te shkatërrimi i fundit, në vitin 642, i bërë nga gjenerali Amr Ibn- As, që u bindej urdhërave të kalifit Umar, sipas të cilit, nëse librat qenë dakort me Kuranin, atëherë ata qenë të panevojshëm, dhe nëse ata i kundërviheshin Kuranit, qenë të dëmshëm. Gjithsesi, fakti që shumë shkrime të Aristotelit kanë mbërritur gjer në ditët tona, rrëfen se megjithë urdhërat për t‘u shkatërruar gjithçka, ka patur vullnetarë që fshehurazi i kanë shpëtuar këto shkrime; është fakt që shumë vepra të Euklidit, Ptolemeut, Aristotelit u përkthyen dhe u komentuan në botën islamike.
M‘u ndërmend mëpastaj Biblioteka e Babelit, ose më mirë, ideja që ngjizi këtë lloj biblioteke dhe dalja e kësaj ideje në sipërfaqe kur u shpik kompjuteri së bashku me internetin, Googel-in dhe Wikipedia-n. Biblioteka e Babel-it, një nga fiksionet më të njohura të Borges-it, paraqet një bibliotekë gjigante, me salla gjashtëkëndore, librat e së cilës kanë një numër të përcaktuar faqesh, 410 faqe, të vendosura në rafte që mbajnë të njëjtin numër librash ; çdo libër ka po të njëjtin numër faqesh dhe alfabeti i përdorur ka 25 gërma. Biblioteka e Babelit përmban të gjitha veprat që janë shkruar në të gjitha kohërat , - e tëra është një metaforë e letërsisë, e ndikuar shumë, domosdo, nga kabala : njeriu në kërkim të librit të fundmë, të zbulimit të së fshehtës, apo të së Vërtetës, - askush nuk mendonte se realiteti një ditë do t‘i avitej aq shumë dëshirës, fiksionit, fantazisë dhe rremtësisë së një shkrimtari: qe njëlloj si nautiliusi i Zhyl Vernit dhe nëndetësja e vërtetë. Mendova gjatë më pas, për tempujt e tjerë të shpirtit, shumë më modernë se Biblioteka e Aleksandrisë, të cilët i kam vizituar; për bibliotekën e famshme British Library, të Londrës, në reading room-in e së cilës kaloi një pjesë të jetës plaku Marks, për bibliotekat kombëtare të Parisit, Madridit, për Bibliotekën e Kongresit në Uashington, atë të Nju Jorkut, apo për të jashtëzakonshmen Bibliotekë të Harvard-it, dhe gjer për bibliotekën e thjeshtë dhe të vogël, por të shumëçmuar që Bernardo Atxaga, një nga shkrimtarët e mëdhenj të sotëm spanjoll, ka krijuar për fshatin e tij Asteasu, me librat e shkrimtarëve të mëdhenj të botës, që i kanë përkushtuat ato me dorën e tyre për Asteasu-n e vendit Bask....
Dhe zemra më theri kur mendja më shkoi te tempulli ynë i shpirtit i viteve të shkuara: biblioteka e shtëpisë botuese Naim Frashëri, e vetmja që na mbajti gjallë dëshirën për të lexuar, kur nuk kishte ç‘të lexoje, dhe kur librat e vërtetë qenë krejtësisht të ndaluar. Kishte mbi 20 mijë tituj në fondin e saj, një pasuri periodikësh që datonte që nga çlirimi i vendit dhe gjer në vitin 90, veprën e plotë të shkrimtarëve të Kosovës, e cila nuk gjendej as në Bibliotekën Kombëtare dhe një tjetër pasuri të jashtëzakonshme me librat e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë të ndaluar; nuk arrita dot kurrë ta marr vesh se kush dhe për kë porositeshin ato libra të moslejuar dhe ato botime moderne, që veç po t‘u përmendje emrin mund të kishe probleme të rënda asokohe; porse dija mirë se Ëngjëlli ynë i librave, Vjollca, bibliotekarja, me rregjistrin e saj të fshehtë dhe me një mijë mundime, ia dilte të na mëkonte të gjithëve me to. Tani tempulli ynë i dikurshëm nuk është më; shtëpia botuese Naim Frashëri vazhdon të jetë pronë e shtetit, por biblioteka e saj e mrekullueshme nuk është më. Ose më mirë, ekziston në këtë botë, e tjetërsuar krejt dhe nuk njihet asfare: e kanë dhunuar, shkatërruar, vjedhur, plaçkitur... e kanë vrarë. Lëfetrat e saj i gjen thasëve të pluhurosur dhe banakëve ngalakaqë të shitësve harbutë ambulantë të librave të vjetër, që për ironi, i kanë ngritur tezgat e tyre të shpifura përpara ngrehinës së dikurshme të tempullit të shpirtit Naim Frashëri. Porse shenja e tempullit, - pullëza e mrekullueshme me kodin e saj bibliotekor, - qëndron e pashlyeshme përmbi mbetjet e tij, si për të denoncuar krimin e hatashëm...
Njerëzimi ka ecur shumë përpara; duket sikur interneti e ka sfiduar paq librin, bibliotekën dhe vetë mëdyshjen e lashtë njerëzore: një libër-bibliotekë apo një bibliotekë me tërë librat e botës. Është vetëm dukje, pasi sërish njerëzimi pati nevojë për një bibliotekë universale, njëlloj si njerëzimi i lashtë, dhe tamam në vendin ku ngrihej Biblioteka mitike e Aleksandrisë, në kryqëzimin e kontinenteve, ngrihet sot Biblioteka Aleksandrina, ndërtimi i së cilës mori 8 vjet (punimet nisën më 1994); u përurua më 16 tetor të 2002, qe një projekt i përbashkët i Unesco-s dhe Egjiptit, kushtoi 200 milionë euro, punuan dhjetëra arkitektë nga e gjithë bota dhe ka një fond prej 5 milion librash, përveç një fondi shumë të rëndësishëm librash dhe dorëshkrimesh të lashta, me një vlerë të paçmuar. Ka 200 dhoma leximi me një kapacitet prej 2000 lexuesish të njëkohshëm. Me një arkitekturë të mrekullueshme, me një sipërfaqe prej 70 mijë metra katrorë, ajo ngrihet në breg të detit, dhe ka formën e një cilindri shumë të gjerë, me një diametër prej 160 metrash, i prerë së kithi. Pamja e jashtme është ajo e një gjysmë-qerthulli që ngrihet nga toka, homazh ndaj perëndisë Re, Perëndisë-Diell. Pamja që lart, një formë qerthullore, evokon imazhin e diellit, -- hieroglifet e paraqesin në përgjithësi diellin si një disk të thjeshtë. Ky simbolizëm diellor është përdorur, nga njëra anë për të qenë një vazhdimësi e urtësisë së bibliotekës së lashtë, dhe nga ana tjetër për të kontribuar në mirëkuptimin e popujve. Pikërisht këtë ide shprehin muret prej graniti: aty gjenden tërë shkrimet e botës, arabe, sirilike, ebraike, latine… Biblioteka Aleksandrina është sot tempulli i ri i diturisë universale, dhe monumenti i fundit gjigant jo-virtual gjer më sot.
Home »
» Mira Meksi - BIBLIOTEKA SI TEMPULL I SHPIRTIT





