Mario Vargas Llosa - Scoop-i që vret

Filozofi francez Michel Foucault arrin në konkluzionin ligështues se “njeriu nuk ekziston”, se çdo qenie njerëzore është sall një varg i gjatë figurash ngjyra-ngjyra të bëra, zhbëra dhe ribëra nga rrethanat e ndryshueshme të realitetit në të cilin e çon jetën e vet. Edhe më sypatrembur, e ndoshta edhe më mendjelehtë, Jean Baudrillard shkon edhe më tej dhe arrin në konkluzionin se nuk ekziston as ajo që ne besojmë se është realiteti kur e përqafojmë qenien e dashur apo kur e ngjyejmë penën në kallamar, ngase realiteti i vërtetë në të cilin jeton dykëmbëshi bashkëkohor nuk është bota të cilën ai është i bindur se e shkel, por imazhet që bëhen sikur e pasqyrojnë, të cilat nuk janë tjetër gjë pos versionet e manipuluara dhe përkatëse që japin mediat audiovizive në shërbim të të fuqishmëve të së njëjtës botë. Këto ndërtime intelektuale argëtuese, të shkëlqyeshme dhe iluzore – kësisoj, të paktën, i gjykoja unë – sapo kanë marrë një konfirmim befasues, një ndikim konkret se nëse gjërat nuk janë ende kështu, do të mund të jenë së shpejti. Po e shpjegoj në mënyrën time, që nuk është, sigurisht, ajo e filozofit, por ajo më modestja e rrëfyesit historive.

Le të transferohemi në Manaos, kryeqytet i shtetit brazilian të Amazzonia, i njohur për faktin se ka qenë në fund të shek XIX dhe në fillim të shek XX njëra nga qendrat kryesore të brom-it të caucciù-s, dëshmia e të cilit mbetet në një teatër baroku ku thuhet të ketë kënduar Caruso. Deri pak kohë më parë, mbreti i ekranit të vogël, në Manaos dhe në tërë regjionin e gjerë amazonik, ishte një gazetar dhe producent i quajtur Wallace Souza, i cili drejtonte në TV lokale një program policor të titulluar Kanali i lirë. Në atë transmetim trajtoheshin, me realizëm të ashpër, krimet, agresionet, violencat dhe mizoritë e tjera të përditshme përmes të cilave, në Brazil si edhe në pjesën tjetër të botës, rrjetet TV mundohen ta sigurojnë audiencën e shumëdëshiruar duke i lurtuar instinktet më të këqija të publikut të gjerë. Suksesi i programit ka qenë i tillë saqë Wallace Souza ka vendosur ta shfrytëzojë popullaritetin e tij dhe të kalojë nga gazetaria televizive sensacionaliste dhe e egër në politikë (dy fushat, në fund, nuk janë edhe aq larg njëra-tjetrës). Ia ka dalë mbanë me një shpejtësi marramendëse: në zgjedhjet e fundit është zgjedhur deputeti me numrin më të lartë të votave të tërë shtetit të Ammazonia-s.

Ndërrim i skenës, në të njëjtën Manaos ekzotike dhe mbytëse. Policia lokale arreston një rrufjan të vendit, ish polic dhe vrasës me pagesë, me emrin pompoz Moacir Moa Jorge da Costa, i dyshuar për një seri krimesh dhe të bëmash të përgjakshme, përfshirë vrasjet. I marrë në pyetje dhe i zbutur me metoda që s’është e vështirë të imagjinohen, e pranon. Po, ka vrarë, ama jo nga ligësia e pastër apo nga lakmia e parave, por në mënyrë profesionale, me detyrë nga deputeti i ri i flaktë dhe ylli mediatik i Ammazonia-s: Wallace Souza. Me ta kapërcyer turbullimin pas këtij zbulimi, hetuesit nisin t’i lidhin nyjat që, pak nga pak, sistemohen si në një puzzle. Të gjitha krimet që i ka bërë apo në të cilat ka marrë pjesë Moacuir Moa da Costa ishin rrëfyer në mënyrë të mahnitshme në programet e Kanali i lirë dhe, në të gjitha, telekamerat e kudogjendshme dhe të gjithëdijshme të deputetit kishin shkuar në vendin e krimit në të njëjtën kohë me vrasësit. Hetimet sollën në këtë përfundim habitës: Wallace Souza kryente krime të lemerishme me qëllimin e vetëm që t’i filmonte para konkurrentëve për t’i fabrikuar lajmet që e mbanin të ngulur para videos platenë e gjerë të telepërdoruesve të ushqyer me gjak, brutalitet dhe neveri të tjera me bollëk. Për këtë kishte organizuar një grup të strukturuar prej bashkëpunëtorësh, të zotë në përdorimin e revoles dhe thikës, të zgjedhur në organikën e vetë forcave të policisë. Deri këtu faktet objektive. Tash shqyrtimet, vlerësimet dhe meditimet. Nga pikëpamja etike, si të gjykohet W. Souza? S’mund të mohohet se kishte një vetëdije të hatashme profesionale. Është njollosur me krime, sigurisht, por me qëllimin e fisëm që ta shërbejë publikun e vet duke mos ia hëngër hakun dhe duke vazhduar t’ia japë atë tmerr të përgjakshëm që ishte pjata e tij e preferuar, atë që e shtynte tërë Manaos-in ta ndizte televizorin dhe të sintonizohej në Kanalin e lirë me po atë ankth me të cilin duhanpirësi e hap pakon e cigareve apo alkoolisti e çon gotën te buzët.

A e ka Wallace Souza përgjegjësinë e plotë që ka arritur tek ato teprime të urryera, apo e bën të ngjashëm me turmën e të sëmurëve, nënnormalëve, të prishurve dhe imbecilëve të cilët shikimi i femrave të masakruara, fëmijëve me kokë të prerë, pleqve të prerë në fyt, larjeve të hesapeve mes bandave që përballen dhe vriten, i bën ta kalojnë një natë argëtuese? Nuk është zor, për atë që është mësuar me debatet intelektuale, ta demonstrojë se Wallace Souza është produkt i shek XX, në të cilin kultura mbizotëruese – në një pjesë të madhe shkaku i mjerimit intelektual të gjeneruar nga tv në vrapin e saj frenetik për të fituar audiencë duke rrëmuar në haletë e jetës, duke shkatërruar privacy-në, duke u marrë pa skrupuj me historitë më të padenja dhe degraduese – i ka bërë pluhur e hi të gjitha vlerat duke i përmbysur deri në atë derexhe sa që »argëtimi« dhe »hutimi« janë bërë vlera supreme, prioriteti i prioriteteve edhe pse, për ta arritur, duhet ta vrasësh të afërmin me revole ose kamë. Nga kjo pikëpamje, vrasës sa s’ka ku shkon më tej, drejtori dhe producenti i Kanali i lirë, është hero, apo martir, i kësaj kulture që, me ndihmën e revolucionit audioviziv që të lë pa mend, e kemi ndërtuar për epokën në të cilën jetojmë.

Nga një pikëpamje tjetër, atë të “parimit të realitetit” pascalian, po e bëj një autokritikë dhe e pranoj se ajo që ka bërë vaki në Manaos i shndërron teoritë (që më parë më dukeshin jermuese dhe sofistike) të një Foucault-e dhe të një Baudrillard-i në diçka që fillon të shfaqë konfirmime objektive në botën tonë të jashtëzakonshme.

Po qe se W. Souza i ka bërë ato krime sall për t’i shndërruar në imazhe, është e qartë se, për të dhe për spektatorët e tij – edhe pse ata kanë qenë, natyrisht, më pak të vetëdijshëm se ai – realiteti real ishte më pak i rëndësishëm, ndihmesë e pastër ose pretekst, se sa realiteti i pasqyruar nga telekamerat që, duke e përshtatur në mënyrë të përsosur për shijen e publikut, e rikompononin, e modifikonin dhe e rindërtonin në mënyrë që të bëhej diçka që realiteti real është shumë rrallë: eksitus, të tmerrshëm, argëtues. Wallace Souza është dëshmia e parë e prekshme se njeriu nuk është një plotësi e definuar, por një materie e ngjizshme dhe e ndryshueshme, një brumë apo një mellë, të cilit dimensioni imagjinar i jetës së promovuar nga sistemi edukativ më i përhapur dhe më i fuqishëm i historisë – ai i telekraneve – i jep formë, duke e transfiguruar për hir të tekave të modës. A mos nuk po jua ka ëndja botën në të cilën jetojmë? Aq më keq për ju, ngase gjithçka duket të na e bëjë me dije se, tashmë, nuk mund ta përdorim atë marifetin e moçëm për ta fikur aparatin televiziv. Sot televizioni ka filluar të jetë vetë jeta dhe ne figurantët e tij jo ekzistues.


(El Pais; La Stampa), Përktheu: Arben Idrizi