LUMO SKENDO - Asaj


Si kombet me vetija e me mendime të thjeshtë q’i falen një fytyre gdhendur në gur a në dru; si kombet më të qytetëruara që rrinë me orë dhe luten përpara një fytyre bërë me ngjyrë vaji a dy copëra drurë të bashkuar; si ata kombe që marrën me muaj udhë që të venë t’i falen gurit të zi; si ata të moçmit q’i falen diellit, zjarrit, shikonin me adhurim të thellë yjtë, dhe bëheshin therorë për perëndit’ e për perëndeshat, a si ata që dhe sot shtriten e shtypen nën qere të Budës; ashtu dhe unë, o e bukura ime, dua t’u falem dy yjeve që janë më të bukura e të gjith yjt’ e qiellit, dy yjve që janë syt’ e shkruar të tu, dhe të bëhen hi, o e dashura ime, nën këmbët vogëloshe tënde!

Vjeshtë 1905



II

Në është vërtet se zemra jote s’rreh kurrë për mua- ashtu si ke dashur të më duash,- në është vërtetë se fytyra ime nuk zë asnjë vend në ëndërrimet e tu, pse, o e bukura ime, kur më sheh ngadalëson çapni, pse më lëshon vështrimn e atij syri të shkruar tënt?

Nuk’ e di ti si më buçet dhe më zjen gjaknë ay vështrimi yt kaq i qetë dhe i ftohtë? Nuk e di ti si më çpon zemrën ay vështrimi ngjyrë qielli? Vështrimi yt është si një shtizë në dorë të një djali që lot me një zok; vuajtjet e shpesit i heq dhe zemra ime. Të lutem pusho, pusho këtë lodër të gjakime. Po ç’them unë! Shtjemë, shtjemë syt’ e tu, se vështrimi yt, o e bukura ime, m’i fjeshtë se frymë e Johavajt, i ep gjëllim shpirtit tim

Prill 1906



III

Pse ikën ashtu nga unë? Nuk e di ti që dashuria është me krahë dhe m’e shpejtë se vrapi yt? Dashuria ime të është qepur si hieja. Kudo që të vesh të ka për të rënë pas, kudo që të jesh do të të dalë përpara, dhe kur të na ndajë një mërgim i madh, hieja ime prapë të ka për të ardhur pranë. Malet, fushat, as njerëzit, s’na kanë për të ndarë, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënt, se trupi im të ka për të kërkuar gjithnjë.

Edhe vdekja kur të më marrë nga kjo botë, edhe athere hieja ime- e dashur’a e tmerruar- ka për t’ardhur të të gjejë në të mugëtit e në t’errëtë.

Edhe kur për ty- ah, dua që të jetë shumë e largme- do vij’ora që të shuhen ata sy q’i dua kaq, dhe të bëhet hi ay trup i bukur, edhe athere, o zemërkeqe, mos pandeh se do të shpëtosh nga ndjekja ime; shpirti im të ka për t’ardhur gjer në varr, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd, dhe trupi im ka për të kërkuar gjithnjë; athere, brenda në varr t’errët e të ftohtë, eshtrat do të dridhen, se në dashuri do të jem gjithnjë besnik!

Shënëdre 1906



IV

Më pyet sa ësht’ e thellë dhe a është e përjetshme dashuria ime. Athere syt’ e tu, ata sy të zez q’i dua kaq, marrën një shkëlqim, një vështrim të ri, edhe buza jote ka një të qeshur të hidhur. Pse, o e dashura ime, pse letë hyjnë të tillë mendime të hidhur n’atë kokë të bukur? Nuk’ e di ti që çdo gjë në këtë jet’ është e vdirshme? Nuk e di ti që çdo gjë mi këtë dhe ka një funt? Prapsi, prapsi, këto mendime. Mos i përsërit këto pyetje.

Të dua me gjithë shpirt, me dashuri të thellë; sot të dua sa për një jetë të tërë. Mos prish gaz’ sotme duke mestuar nesërmen e errët. Mos më pyet më sa ësht’ e thellë dhe as ësht’ e përjetshme dashuria ime!



V

Më pyete pse të dua, dhe qesha. Qesha, ma tani po mejtohem dhe them: Pse të dua? Të dua për atë të qeshur të bukur, kur të çkëlqen syr’ i kthjelltë nën ballë të qëruar; të dua për ato leshëra ku është pshtjellë gjithë thellësi e natës, dhe për atë vështrimi ku këndohet gjith gaz’ i ditës, për atë vështrim q’është si një yll i lumturisë; të dua, se kur flet, ay zë më zgjon në zemërt time gjithë zëret e fshehtë të shpirtit; të dua se pranë teje, e ndjej vethen time të madh dhe të fortë, se në dashurit tënde shoh zbardhëllimin e jetës. Po të dua se, tekdo, me gëzimt e fatbardhësisë, a në t’errët të helmit, se në qeshje të mëngjesit, në tym të të mugtit, se në ngjyrë të lules, a në përkedhelje të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh; të dua se edhe kur zbres në thellësi të shpirtit dhe në fund të zemrës, edhe atje thellë të gjej.