
Shkrimtari amrikan Philip Roth, kandidat për çmimin "Nobel" për letërsi, vjen në një rrëfim për romanin e tij më të ri "Përulja", ndërsa flet edhe për debatin e nisur mbi veçimin e kulturës amerikane, si edhe mbi Presidentin Obama, të cilin ai e mbështeti
Philip Roth tani gjendet në shtëpinë e tij në Upper West Side. Është një apartament me një elegancë të madhe, i mbushur me aparatura teknologjike, gjë kjo që nuk pritej. Sapo është kthyer nga shtëpia në Connecticut, ku kaloi verën, duke mbushur dhe kompletuar romanin e ri, i cili së shpejti pritet të dalë në Amerikë nën titullin "The Humbling", ("Përulja") duke nisur kështu menjëherë rrugën drejt një romani tjetër të ri, të cilit nuk ia ka vendosur ende emrin. Më parë, pat thënë se e ndjente shumë peshën e pleqërisë dhe se kishte një ndjesi boshe për ëndrrat e tradhtuara dhe për humbjen e njerëzve të dashur. Me këtë prodhim konstant librash duket sikur i përgjigjet para së gjithave një ndjesie gabimi, por kjo prodhimtari është para së gjithash mënyra krenare për të përkufizuar veten dhe të përjetësojë nëpërmjet krijimtarisë konceptin e vet të ekzistencës. Kur i thua se gjatë intervistës do të preket edhe tema e polemikave mbi veçimin e dyshuar të kulturës amerikane, ai reagon me një buzëqeshje plot habi. "Nuk arrij të kuptoj se cili është argumenti i kësaj polemike", më shpjegon duke tundur kokën. "Ndonjëherë të vjen të pyesësh madje edhe se përse diskutohet mbi një gjë të tillë. Por unë parapëlqej të flas për ato që shkruaj dhe do të shikosh që nëse e nisim kështu do ta prekim edhe atë argument". Përulja për të cilën flet titulli i romanit të tij të fundit lind nga një çmagjepsje e hidhur: Roth është një shkrimtar tepër i pastër dhe i qartë për të rënë pre e dobësisë së keqardhjes, por fletët lënë të shfaqet një unazë prekëse që na thotë se jeta është më shumë se vetëm një mister i dhimbshëm. "Shumë më kanë pyetur se si unë kaq papritmas shkrova për një personazh të ri në moshë". Dhe nuk shton gjë tjetër, por çohet prej kolltukut për të treguar një foto ku shfaqet me një uniformë ushtarake, e shkrepur gjatë kohës së luftës në Kore. Është pikërisht periudha në të cilën zhvillohen ngjarjet në roman dhe në foto Roth ka të njëjtën moshë me protagonistin e romanit Marcus Messner. "Gjatë kohëve të fundit kam shkruar vetëm për të moshuar", tregon e sakaq fikson fotografinë, "dhe ja ku të rrëfej se isha pak i lodhur me këto personazhe. Kësaj here doja të tregoja një histori të paeksperiencë dhe dëshpërimi të një periudhe historike që kemi tendencë ta harrojmë. Unë u bëra pjesë e atij konflikti të tmerrshëm, por që për fat të mirë ajo luftë mori fund para se të nisesha".
Si ndodhi që edhe një herë ju zgjodhët të sillnit në vëmendjen e lexuesit një tregim me nisje erotike dhe konflikte me botën akademike?
Më interesonte të tregoja shtypjen seksuale, atë që ndodhte para viteve ‘60. Ngjarjet zhvillohen në një kolegj, ku ofrohen edhe elemente të tjera shtypjeje e konfliktesh, edhe pse më duhet të them se si docent unë kam pasur një eksperiencë interesante.
Dyshoj se ndonjë do të ketë guxuar ndonjëherë t‘ju krijojë probleme.
Mbi këtë pikë nuk do të dëshiroja të komentoja. Them vetëm se më kanë dhënë liri atëherë kur vendosa të nisja një kurs mbi Bellow dhe Kafkën. Dy shkrimtarë që u analizuan për kontrast të njëri-tjetrit. E njëjta gjë ndodhi edhe për sa u përket kurseve mbi autorët francezë, si Mauriac, Celine dhe Gide.
Gjatë përballjes me dekanin e universitetit ju e cilësoni "indinjatën" si fjalën më të bukur të gjuhës angleze.
Nuk është se domosdoshmërisht këtë e mendoj edhe unë, por them se ishte një cilësim i duhur për psikologjinë e protagonistit të romanit tim, gjithaq e duhur edhe për atë moment tensionimi.
Marcus është një hebre konservator që gjendet në një ambient protestantësh dhe dashurohet me një "shiksa", një "të edukuar".
Olivia është para së gjithash një vajzë e bukur, tërheqëse, me një shpirt të lirë. Kur nisa të shkruaj për të nuk e kisha menduar që ajo mund të kishte elemente kaq dramatike. Personazhi është zhvilluar së bashku me romanin deri sa mbërriti në dëshpërimin e vet.
Rritja është gjithnjë një akt shkëputjeje?
Nuk jam edhe kaq kategorik. Varet nga prindërit dhe nga fëmijët.
Ju mendoni se është thelbësore të luftosh dhe të përulesh, por në librat tuaj përvojat shkaktojnë të tjera dhimbje.
Është thelbësore të luftosh për lirinë që ka një vlerë të patjetërsueshme, por si e tillë mbart me vete edhe probleme, plagë dhe dhimbje. Megjithatë, eksperiencat sjellin edhe kënaqësi dhe jeta e përditshme na mëson edhe të kundërtën: shumë njerëz nuk luftojnë aspak dhe duken të lumtur me të mos ndryshuarin.
Marcus "gjen belanë" kur refuzon të frekuentojë shërbesën fetare, duke shpjeguar që zgjedhja nuk lind prej faktit që është një hebre i vëmendshëm, por sepse është një ateist i zjarrtë. Është një përkufizim që ju shkon për shtat edhe juve?
Unë jam ateist, por nuk e ndiej të nevojshme të përdor termin i "zjarrtë". Ndërsa Marcusi i ri me sa duket e ndjen këtë nevojë.
Në "The Humbling", romanin që sapo e keni bërë publik për shtypin, protagonisti është sërish një i moshuar.
Është një aktor teatri, 64 vjeç, që zbulon se nuk di më të aktrojë. Është një histori mbi dramën e të zbuluarit, që papritmas nuk ke më talent.
Një tjetër ngjarje e hidhur, e shënjuar nga një humbje.
Do të të them që unë kështu e shikoj jetën?
Mjaftojnë librat për ta thënë. Por çfarë mendoni për polemikën mbi veçimin e kulturës amerikane?
Është një polemikë kaq qesharake saqë nuk arrij as ta kuptoj. Unë mendoj që letërsia amerikane, nga pas lufta e deri në ditët tona, ka qenë më e rëndësishmja në botë me autorë si Faulkner, Hemingway dhe Bellow. Edhe në ditët tona kemi shkrimtarë të rangut të parë, si Don DeLillo, E. L. Doctorow, Cynthia Ozick, Joyce Carol Oates, apo Toni Morrison. Ndihem i shoqëruar nga kolegë të shkëlqyer.
Ju nuk e keni fshehur asnjëherë një lloj shkëputjeje ndaj filmave që janë ndërtuar mbi romanet tuaja.
Nuk është ndonjë sekret i madh që unë nuk jam entuziast për atë që është bërë me romanet e mi. Por dua të jem i qartë: mendoj se kinemaja është një lloj arti aspak inferior në krahasim me letërsinë dhe mendoj se ekzistojnë filma të mirë dhe të këqij, ashtu si romane të mirë dhe të këqij. Për shembull, kohët e fundit kam parë "L‘heure d‘etè" i Oliver Assayas që mu duk shumë i bukur.
Një vit më parë keni thënë se mbështesnit fitoren e Obamës. Sot ndiheni i kënaqur?
Shumë. Më ka ardhur shumë mirë dhe vlerësoj atë që po bën dhe po tenton të bëjë.
Shkrimtari
Philip Roth është një shkrimtar
amerikan me origjinë hebraike,
i cili ka lindur në mars të
vitit 1933. Është i njohur
mbi të gjitha për romanin e
tij “Portnoy’s Complaint”
i vitit 1969. Është fi tues i
çmimit “Pulitzer”, si edhe
kandidat për çmimin “Nobel”
për letërsinë. Debuton me
“Goodbye, Columbus”: gjashtë
tregime në të cilat ai shpërfaq
stilin e tij ironik, mbushur
me mëri ndaj ndikimeve
kulturore që u është nënshtruar
gjithmonë, duke vënë në dukje
psikanalizën, laicizmin me
formë hebraike dhe satirën
bashkëkohore
Libri
Viti 1951, në një kolegj
studion 18-vjeçari Marcus
Messner, ndërsa në Kore
ka nisur një konfl ikt barbar.
Marcus kërkon të arratiset
nga shtypja e atij babai të
çmendur me duart gjithnjë
me gjak, për faktin se ishte
kasap, nga identiteti hebraik
që e mbyt, e madje edhe nga
vetë ekzistenca e tij. Rritja
është një vrull marramendës
dhe për të mësuar përuljen
duhet të luftosh dhe të ndiesh
dhimbje. Mirë se vjen në ferr
Marcus!





