Mendimi i tij tani është se Rusia duhet të reformojë veten dhe kritikon zotin Putin për mënyrën që ai zgjedh për të përfaqësuar interesat e Rusisë dhe thotë se, ato do të provojnë se do të jenë kundra-produktive
Me afrimin e përvjetorit të shembjes së Murit të Berlinit është koha që ish-udhëheqësit të reflektojnë për rolin e tyre në një nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit XX, rënies së komunizmit në Evropën Lindore.
Dhe asnjë tjetër nuk është më i përshtatshëm për të folur për këtë, sa udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, konceptet e të cilit për Glasnost-in (Hapje) dhe Perestroika-n (Ristrukturim), bënë aq shumë, megjithëse pa dashje, për t'i rënë këmbanave të vdekjes për sistemin komunist.
Ai mbron politikat e tij që i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe thotë gjithashtu se, udhëheqësit perëndimorë ishin përpjekur që ta bënin atë të bllokonte ribashkimin e Gjermanisë.
Duke folur në një intervistë për BBC-në, zoti Gorbaçov flet për atë se çfarë ka pasur të gabuar në mënyrën se si është udhëhequr Rusia atëhere - dhe tani.
Gorbaçov mbështet ndryshimin
Moska sot është plotë jetë dhe me trafik të bllokuar, e mësuar si me pasurinë ashtu edhe me varfërinë, është një vend krejt i ndryshëm nga qyteti i mërzitshëm dhe i zymtë 20 vjet më parë.
Ashtu si të gjitha vendet e Evropës Lindore edhe Rusia kaloi nëpër një metamorfozë pas fillimit të rrëzimit të komunizmit në vitin 1989.
Megjithatë, shumë vetë kanë frikë se Rusia po rrëshqet mbrapsht në një shtet autokratik, ku kryeministri i tanishëm Vladimir Putin, po lë të kuptohet se ai dëshiron të bëhet president përsëri për 12 vjet të tjera.
BBC-ja i kërkon mendimin personit që filloi revolucionin e vitit 1989, që pati një ndikim po aq të madh në Rusi sa edhe në Evropën Lindore.
Mihail Gorbaçovi ishte udhëheqësi i fundit sovjetik. Politikat e tij shkatërruan perandorinë sovjetike dhe i ndanë hidhur rusët.
- A ka qenë kjo një arritje?
Mendoj se viti 1989 sigurisht që ishte një ndryshim për mirë, nuk ka asnjë dyshim për këtë, asnjë dyshim. Në vendin tonë nuk kishim lirinë e nevojshme, veçanërisht lirinë e fjalës, dhe lirinë në përgjithësi. Një nga vendet më të arsimuara në botë kishte zgjedhje të tilla, që e thënë butë, nuk ishin zgjedhje të vërteta, ishin gjysmë zgjedhje, sepse duhej të zgjidhje vetëm nga një kandidat dhe ishte një shaka dhe jo zgjedhje të vërteta. Prandaj në atë kohë duheshin bërë shumë gjera. Ne kishim nevojë për ndryshim.
- Muri i Berlinit për shumë vite ka qenë simboli më i fuqishëm i ndarjes së Evropës. Pas rënies së Murit, Gjermania u vërsul me shpejtësinë më të madhe drejt bashkimit. Zoti Gorbaçov ishte kundër kësaj, dhe po ashtu ishte, siç mësoi ai, edhe kryeministrja britanike në atë kohë, Margaret Theçer dhe presidenti francez Fransua Miterand.
Ne ishim gjithashtu në kontakt me udhëheqjen e vendit tuaj (Britanisë) dhe me atë të Francës, Miterand, dhe zonjën Theçer në veçanti. Ata thanë me këmbëngulje, se procesi nuk do të shkonte përpara në atë mënyrë dhe se duhej ndalur. Unë pyeta nëse ata kishin ndonjë sugjerim lidhur me ndonjë qasje të ndryshme. Ata nuk kishin asnjë. Ata vetëm donin të arrinin qëllimet e tyre, duke përdorur të tjerët, duke na përdorur ne. Ata donin që Gorbaçovi ta bënte atë.
- Pra, ata donin që ju të bllokonit bashkimin e Gjermanisë?
Ashtu është, po. Ata e kishin gabim. Por, meqë ra fjala, në fazën tjetër, të gjithë ata morën pjesë në përgatitjen e dokumentit dhe traktatit, që u firmosën më vonë.
- Muret e fondacionit Gorbaçov janë të mbushura me çmimet që erdhën nga e gjithë bota, që vlerësojnë kontributin e tij për ndryshimin e saj. Por kjo është në kontrast të thellë me atë që ndodhi në vendin e tij, ku zoti Gorbaçov gati nuk përmendet fare. Por ai po e kalon pensionin e tij me dinjitet. Ai nuk pranon të bëjë kritika të drejtpërdrejta për zotin Putin, por nëse e gërvish sipërfaqen ai sheh shumë gjera që shkojnë keq në Rusinë e tanishme.
Partia Rusia e Bashkuar është një kopje e keqe e Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik.
- Ka shenja se, zoti Putin po shqyrton mundësinë që të kandidojë përsëri për president në zgjedhjet e ardhshme. A mendoni se ai është personi i duhur për ta udhëhequr Rusinë përpara?
Mendoj se e gjitha që po ndodh bazuar në procesin demokratik është diçka që duhet ta pranosh. Tandemi, udhëheqja e dyfishtë është një lloj specifik i demokracisë që ekziston në Rusi sot.
- Por a është gjë e mirë të kesh të njëjtin person në kontroll të vendit për 20 vjet?
Mendoj se është tepër herët të ngrihet kjo gjë dhe mua nuk më pëlqeu shprehja "Do të ulem me Presidentin dhe do të vendosim!". Unë mendoj se kjo gjë duhet vendosur nga votuesit, nga populli dhe unë nuk e dëgjova atë që të përmendte popullin. Mendoj se kjo nuk është në rregull, nuk është një meritë për të. Ne duhet ta transformojmë vendin tonë. Ne duhet ta modernizojmë vendin tonë. Dhe kjo nuk mund të bëhet me presion, duke lëshuar komanda, urdhra dhe komanda administrative. Ato mund të arrihen vetëm nëpërmjet demokracisë, duke krijuar një mjedis të lirë dhe demokratik me pjesëmarrjen e popullit. Pa popullin ne nuk mund të arrijmë sukses.
-Personi që ndodhet tani në Kremlin do t'i kushtojë pak vëmendje sugjerimeve të zotit Gorbaçov.
Ai ka pak mbështetje brenda Rusisë, por në botën e jashtme ai ka ende autoritetin moral të personit që shkatërroi partinë e tij komuniste, sepse ishte gjeja e drejtë që duhej të bëhej. Mendimi i tij tani është se Rusia duhet të reformojë veten dhe kritikon zotin Putin për mënyrën që ai zgjedh për të përfaqësuar interesat e Rusisë dhe thotë se, ato do të provojnë se do të jenë kundra-produktive.





