Gjaku i keq




Arthur RIMBAUD

Unë i kam stërgjyshërit e mi galë sy blu të bardhë, me trurin të vocërr e ngathtësi në luftë. Unë e mbaj veshjen time po aq primitive sa të tyren. Por s’i lyej kurrë flokët me gjalpë. Galët ishin zhvoshkësh lëkura kafshësh, djegës kullotash më të paaftët e kohës së tyre. Prej tyre unë kam: idhujtarinë e pasionin për përdhosjen;
-Oh! të gjitha veset, zëmrimin, shthurjen, - të madhërishmen, lapërdhinë - sidomos gënjeshtrën e përtacinë. Kam tmerr çdo ustallëk. Mjeshtra e punëtorë, çdo fshatarak, të përçmuar. Dora e penës vlen sa dora e parmendës. - Çfarë shekujsh duarsh! Unë s’kam pasur kurrë dorën time. Më pas, skllavëria të shpie shumë larg. Ndershmëria e lypësisë më pikëllon. Gangsterët të vështirosen si të tredhurit: unë jam i pacënuar, kjo s’më ndryshon asgjë.
Por! cili e bëri gjuhën time aq të pabesë, sa ajo të ketë udhëhequr e mbështetur deri këtu përtacinë time? Pa përdorur për të jetuar as trupit tim dhe më i plogësht se një zhabë, unë kam jetuar gjithandej. S’ka një familje në Europë që mos ta njoh. - Unë dëgjoj familje si e imja që kapen krejtësisht pas deklaratës së Të drejtave të Njeriut.
- Kam njohur çdo fëmijë të familjes!

* * *
Nëse do të kisha paraardhës në një periudhë çfarëdo të historisë së Francës!
Por jo, hiç.
Për mua është shumë e qartë se kam qenë gjithmonë (nga) raca më e ulët. Unë nuk arrij ta kuptoj revoltën. Raca ime nuk u rebelua kurrë veçse për të plaçkitur: Njëlloj si ujqit me kafshën që nuk e kanë vrarë.
Më kujtohet historia e Francës, vajzës së madhe të Kishës. Unë do të kisha bërë, gdhë, udhëtimin në tokën e shenjtë; unë kam në kokë udhë të rrafshinave suabe (rajon historik i Gjermanisë jug-perëndimore), pamje të Bizantit, fortesa të Solimit. - Unë jam ulur, lebros, mbi vazo të thyera e hithëra, rrëzë një muri të gërmitur nga dielli. - Më vonë, mercenar, unë do të fushoja nën netët gjermane.
Ah! akoma: vallëzoj sabatin në një lëndinë të kuqe, me plaka e fëmijë.
Nuk do të kisha të mbaruar duke kujtuar veten në këtë të shkuar. Por gjithmonë vetëm; pa familje, madje, çfarë gjuhe flisja unë?
Çfarë isha unë në shekullin që po mbaron: nuk e rigjej veten veçse në ditët tona. Matanë vagabondëve, matanë luftrave të vagëlluara. Raca e dobët e ka çdo gjë të mbuluar - popullin, siç i thonë, arsyen; kombin dhe shkencën.
Oh! shkenca! Është arrirë çdo gjë. Për trupin e për shpirtin - ushqimi - kanë mjeksinë e filozofinë, - ilaçet për gratë e reja dhe këngët popullore të stilizuara. Dhe argëtimet e princave dhe lojrat që ata mallkonin! Gjeografinë, kozmografinë, mekanikën, kiminë!
Shkenca, fisnikëria e re! Përparimi. Bota marshon! Përse të mos rrotullohej?
Është perspektiva e numrave. Ne shkojmë drejtë Shpirtit. Është shumë e sigurt, është fatthënie, kjo që unë them. Unë e kuptoj dhe, duke mos ditur të shpjegohem pa fjalë pagane, do të doja të heshtja.

* * *
Gjaku pagan rikthehet. Shpirti është pranë, Përse Krishti s’më ndihmon, duke i dhënë shpirtit tim fisnikërinë e lirinë. Mjerisht! Ungjilli ka shkuar! Ungjilli! Ungjilli. Unë pres Zotin me grykësi. Jam racë e dobët qysh nga përjetësia.
Jam mbi plazhin armoriken. Sa ndriçojnë qytetet në mbrëmje, dita ime bëhet e pazakontë; unë lë Europën. Ajri detar do më djegë mushkëritë; klimat e largëta do ta nxijnë lëkurën time. Të notosh, të grish barin, të gjuash, të tymosësh sidomos; të pish liker të fortë si metali i nxehtë, - siç bënin ata të parë të shtrenjtë rreth zjarreve. Un do të kthehem, me elementët e hekurit, lëkurën e errët, syrin e egër: te maska ime, do më çmojnë të një race të fortë. Do kem ar: do jem i ngeshëm e i dhunshëm. Femrat kujdesen për këto sakatë mizorë të kthyer nga viset e nxehta. Do të merrem me politikë. I shpëtuar. Tani unë jam i mallkuar, kam lemeri nga atdheu. Më e mira, është një gjumë rrumbull i dehur, mbi zall.

* * *
S’ka nisje. - Rimarrim rrugët prej këtej, i ngarkuar me vesin tim, ves që ka lëshuar rrënjët e tij të vuajtjeve pranë meje, qysh prej moshës së gjykimit - që ngjitet në qiell, më godet, më përmbys, më tërheq.
Pafajësia e fundit e droja e fundit. U vendos. Mos të mbart në botë neveritë e mia e tradhtitë e mia. Shkojmë! Ecja, ngarkesa, shkretëtira, mërzia e zëmrimi.
Kujt t’i lëvdohesh? Cilën kafshë duhet të adhurosh? Cilën shëmbëlltyrë të shenjtë të godasësh? Cilat zemra do të coptoja? Pas cilës gënjeshtër duhet të kapem? - Në cilën pa ecur?
Më mirë, të ruhesh nga drejtësia. - Jetë e ashpër, budallallepsje e lehtë, - të ngresh, grusht thatë, kapakun e qivurit, të ulesh, të zesh frymën. Kështu pikë pleqërie, as rrezik: llahtara nuk është franceze.
- Ah! Unë jam aq i shkretë, sa i përcjell çfardo shëmbëlltyre të perëndishme hove drejt përsosmërisë. O vetëmohimi im, o bamirësia ime e mrekullueshme! e këtushme, prapseprapë! De profundis Domine, sa lalash që jam!

* * *
Ende fare fëmijë, admiroja kriminelin e pandreqshëm sipër të cilit mbyllej gjithmonë galera; unë vizitoja hotelet e bujtinat e mobiluara që ai do të kishte dhuruar me qëndrimin e tij; shikoja me mendjen e tij qiellin mavi dhe punën e lulëzuar të fshatit; nuhasja fatin e tij në qytete. Ai kishte më shumë forcë e më shumë mend se një udhëtar - dhe ai, ai vetëm! si dëshmi të lavdisë së tij e të motivit të tij. Mbi rrugët, në netët e dimrit, pa shtëpi, pa rroba, pa bukë, një zë shtërngonte zemrën time të akullt: “Dobësia ose fuqia: këtu është forca. Ti nuk di as ku shkon, as përse shkon, futesh kudo, i përgjigjesh cilitdo. Nuk do të vrasin më ty, veç nëse ti do të jesh kufomë.” Në mëngjes e kisha vështrimn aq të ligur e pamjen aq të vdekur, sa ata që kam takuar ndoshta nuk më kanë parë. Në qytete balta më dukej befas e kuqe dhe e zezë, si një pasqyrë kur llampa lëkundet në dhomën fqinje, si një thesar në pyll! Fatmirësi, thërrisja unë, dhe shikoja një det flakësh e tymrash në qiell; dhe, në të majtë, në të djathtë, gjithë thesarët flakërues si një miliard gjëmime. Por orgjia dhe shoqëria e femrave më ishin të ndaluara. As edhe një shoqërues. Unë e shikoja veten përpara një turme të irrituar, përballë togës së ekzekutimit, duke qarë nga fati i keq që ata nuk kishin mundur të kuptonin, e të falnin! - Si Zhan d’Arkën! - “Klerikë, profesorë, mësues, ju gaboheni duke më dorëzuar te drejtësia. Unë s’kam qenë kurrë i këtij populli këtu; unë jam i racës që këndonte në torturë; unë nuk i kuptoj ligjet; nuk kam ndjenjë morale, unë jam një bishë: ju gaboheni...”
Po, unë i kam sytë e mbyllur ndaj dritës suaj. Unë jam një kafshë, një zezak. Por unë mund të shpëtoj. Ju jeni zezakë të rremë, ju maniakë, mizorë, kurnacë. Tregtar, ti je zezak; gjykatës, ti je zezak; gjeneral, ti je zezak; perandor, zgjebe e vjetër, ti je zezak: ti ke pirë prej një likeri kontrabandë të fabrikës së Satanit. - Ky popull frymëzohet nga ethja e malaries dhe kanceri. Sakatë e të moshuar janë aq të respektuar, sa kërkojnë që të vlojnë. - Gjëja më dhelparake është ta lësh këtë kontinent, ku marria futet me dhunë për të furnizuar me pengje këta të mjerë. Unë hyj në mbretërinë e vërtetë të fëmijëve të Kam. E njoh unë ende natyrën? e njoh vetveten? - Boll me llafe. Unë i gropos të vdekurit në barkun tim. Sokëllimë, daulle, vallëzim, vallëzim, vallëzim! Nuk shikoj as orën kur, të bardhët duke zbarkuar, unë do të gremisem në hiç.
Uri, etje, sokëllimë, vallëzim, vallëzim, vallëzim, vallëzim!

* * *
Të bardhët zbarkojnë. Topi! Duhet të nështrohesh, të vishesh, të punosh.
Unë mora në zemër goditjen dërrmuese. Ah! S’e kisha parashikuar këtë! Nuk kam bërë asnjë të keqe. Ditët do të më jenë të lehta, pendimi do të më kursejë. Nuk do të kem pas sfilitje të shpirtit thuajse të vdekur ndaj së mirës, ku ngjitet drita zëmërgur si shandanët funebër. Fati i vogëlushit të familjes, arkivoli i parakoshëm i mbuluar me lot të kulluar. Pa dyshim shthurja është kafshërore, vesi është i pajetë, lipset ta flakësh kalbësirën mënjanë. Por nuk do të ketë ardhur sahati për të mos tingëlluar veç ora e dhimbjes së qëruar! Do të rrëmbehem si një fëmijë, për të luajtur në parajsë në harrim të çdo mjerimi! Shpejt! ka të tjera jetë? - Gjumi në bollëk është i pamundur. Bollëku gjithmonë ka qenë shumë publik. Vetëm dashuria hyjnore ia jep çelsat shkencës. Shikoj se natyra s’është veç një spektakël mirësie. Lamtumirë iluzione, ideale, lajthitje.
Kënga e mençur e engjëjve ngrihet nga anija shpëtimtare: Është dashuria hyjnore. - Dy dashuri! Mund të vdes për dashurinë tokësore, të vdes nga devotshmëria. I kam braktisur shpirtrat, vuajtja e të cilëve do të shtohet me nisjen time. Ju më përzgjidhni midis të mbyturve, ata që mbeten a s’janë miqtë e mi? Shpëtojini - ata! Arsyja ka aguar. Bota është e mirë. Unë do ta bekoj jetën. Do të dua vëllezërit e mi. Këto s’janë më premtime fëminore. As shpresë për t’i shpëtuar pleqërisë e vdekjes. Zoti përmbush forcën time, dhe unë lavdëroj Zotin.

* * *
Mërzia s’është më dashuria ime. Xhindosjet, shthurjet, marria, që unë ua njoh të gjitha vrullet e gjëmat, - gjithë barra ime është hedhur.
Vlerësoni pa krenari shpalosjen e çiltërsisë sime. Unë nuk do të isha më i aftë për të kërkuar komoditetin e një kopanisjeje. Nuk jam më i burgosuri i arsyes sime. Unë kam thënë: Zot. Unë dua lirinë në shpëtim: si ta gjurmosh atë? Shijet mendjelehta më kanë braktisur. S’kam më nevojë për besnikëri as për dashuri hyjnore. S’kam keqardhje për shekullin e zemrave të ndjeshme. Secili ka arsyen e vet, përbuzjen e bamirësinë: Unë mbaj vendin tim në kulmin e kësaj shkalle engjëllore të mendjes. Sa për lumturinë e qëndrueshme, familjare ose jo..., jo, unë nuk mundem. Jam shumë i hallakatur, shumë ngordhalaq. Jeta lulëzon me punë, e vërtetë e vjetër: sa për mua, jeta e ime s’është aq e rëndë, fluturon e pluskon larg sipër veprimit, këtij kuptimi të çmuar të botës. Sa lëneshë jam bërë, me humbë kurajën dhe për të dëshiruar vdekjen! Nëse Zoti më jepte qetësinë qiellore, të epërme, lutjen, - si të shenjtët e lashtë. - Të shenjtët! të fuqishëm! oshënarë!
Farsë e përhershme! Naiviteti im do të më bënte për të qarë. Jeta është farsë për t’u ndjekur nga të gjithë.

***
Mjaft! ja ndëshkimi. – Në lëvizje!
Ah! mushkëritë djegin, tëmthet gjëmojnë! nata rrokulliset në sytë e mi, nga ky diell! zemra...gjëmtyrët...
Ku shkojnë? në betejë? unë jam i dobët! të tjerët përparojnë. Pajimet, armët... koha!... Zjarr! zjarr mbi mua! Atje! ose unë dorëzohem. - Të poshtërit! - Vritem! Flakem në këmbët e kuajve!
Ah!..
- Do të mësohem këtu.
Kjo do të jetë jeta franceze, udha e nderit!

Përktheu Çlirim Kokonozi