Diç më shtyn ta krahasoj me agimin e botës




Jean BAUDRILLARD

...Teksa je duke folur për heshtjen e masave e fundin e historisë, një erë fshikulluese vrapon mbi liqen, mu në lindje ku bie nata, dhe ti hedh një sy mbi madhësinë dhe lëbyrjen e liqenit. Avionët, të heshtur si era, kalojnë mbas xhamave të hotelit dhe reklamat e para fillojnë të rrotullohen ngadalë përsipër qytetit. Çfarë mrekullie është Amerika! Krejt përreth është vera indiane, butësia e së cilës është një shenjë e dëborës. Po ku janë të dhjetë mijë liqenet, utopia e një qyteti helenistik në kufinjtë e Maleve Shkëmbore? Minneapolis, Minneapolis! Pas elegancës aristokratike e butësisë femërore të verës indiane në Wiskonsin, Minneapolisi nuk është veçse një konglamerat rural pa dritë, që nuk pret veçse dimrin e të ftohtin, për të cilët është krenar, në mes të drithrave dhe tokave të gjuetisë. Por në zgafellën e kësaj Amerike të thellë është bari i Commodore-ës, art-dekoja më i bukur i botës, aty ku, siç thonë, vinte të pinte çdo mbrëmje Fitzgerald-i. Pi dhe unë. Nesër, përmes avionit, do të jem lidhur me New-York-un, skajin tjetër lëbyrës, sipërfaqësor, racial, estetik e dominues, trashëguesi i të gjithave njëherësh, Athinës, Aleksandrisë, Persepolisit.

NEW YORK

Numri i sirenave rritet, ditën e natën. Veturat janë më të shpejta, reklamat më të dhunshme. Prostitucioni është total, drita elektrike po ashtu. Dhe loja, të gjitha lojrat intensifikohen. Ngjet gjithsesi kësisoj kur i qasesh qendrës së botës. Por njerzit buzëqeshin, buzëqeshin gjithnjë e më shumë, asnjëherë me njeri-tjetrin, gjithmonë vetëm për veten. Larmi e frikshme e fytyrave, tjetërfarësi e tyre, që të gjitha të shtrira drejt një shprehjeje të çuditshme. Ato maska që të japin idenë e pleqërisë e të vdekjes në kulturat arkaike, këtu e kanë të rinjtë njëzet a dymbëdhjetë vjeç. Por është cok si qytet. Atë bukuri, që qytet e tjera e marrin gjatë rrjedhës së shekujve, ky e ka marrë në pesëdhjetë vjet.
Shandanë tymi, si notare që shtrydhin flokët. Floknaja afro ose pararafaelite .Banale, multiraciale. Qytet faraonik, i gjithi në obeliskë, ose kulla. Ndërtesat përreth Cental Park-ut janë si mure mbështetëse – parku i madh, në sajë të tyre, duket me pamjen e një kopshti të varur. Nuk janë re ato që përhirnojnë, por janë tru. Retë notojnë përmbi qytet si hemisfera cerebrale, të dëbuara nga era. Njerzit kanë re puplore në kokë, që u dalin nga sytë, mu si tymrat sfungjerorë që ngrihen nga toka e plasaritur gjatë shirave të ngrohtë. Vetmi seksuale e reve në qiell, vetmi linguistike e njerëzve mbi tokë. Është i pabesueshëm numri i njerëzve që mendojnë vetëm, që këndojnë vetëm, që hanë e flasin vetëm në rrugë. Ndërkaq nuk grupohen. Përkundrazi, i bishtojnë njeri-tjetrit dhe ngjashmëria e tyre është e papërcaktueshme
Por një lloj vetmie nuk shëmbëllen me asnjë tjetër. Është ajo e njeriut që përgatit publikisht ushqimin, mbi një mur, mbi mbulesën e një veture, përgjatë një grile, i vetëm. Kjo shihet kudo këtu dhe është skena më e trishtë në botë, më e trishtë se mjerimi, sepse më i trishtë nga ai që lyp është njeriu që ha vetëm në publik. S’ka asgjë më kontraditore me ligjet njerëzore, ose shtazore sesa kjo, sepse kafshët bëhen gjithmonë të nderuara kur e ndajnë ushqimin, ose kur grinden për të. Ai që ha vetëm është i vekur (por jo ai që pi, përse vallë?).
Përse njerëzit jetojnë në New York? Ata s’kanë asnjë marrëdhënie mes tyre. Por ka një elektricitet të brendshëm, që vjen nga afërsia e tyre e qashtër. Një ndjeshmëri magjike prej afrisë dhe joshje prej një qendërsie artificiale. Kjo e bën atë një univers vetëtërheqës, prej të cilit nuk ka asnjë arsye pse të dalësh. Të qenurit aty nuk ka asnjë arsye njerëzore, përveç ekstazës së afrisë.
Bukuri e zezakeve, e portorikaneve të New Yorkut. Përtej eksitimit seksual që e jep prania raciale, duhet thënë që e zeza, pigment i racave të errëta, është si një nur natyral që galdohet nga nuri artificial, me qëllim që të kompozojë një bukuri (jo seksuale: kafshërore e sublime), e cila u mungon dëshpërimisht fytyrave të zbehta. Bardhësia shëmbëllen si një rraskapitje e nurit fizik, si një neutralitet që ndoshta për këtë mund t’i mbërrijë të gjitha pushtetet ekzoterike të Fjalës, por të cilës, në fund, do t’ i mungojë gjithmonë fuqia ezoterike dhe rituale e artificiales.
Ka një mrekulli të dyfishtë në New York: secili nga billdingjet e mëdhenj mbretëron, ose ka mbretëruar një herë në qytet – secila nga etnitë mbretëron, ose ka mbretëruar një herë në qytet, sipas mënyrës së saj. Afria bën të shpërthejë secili nga përbërësit, teksa gjetiu ajo mëton zhdukjen e ndryshimeve. Në Montreal, p. sh, janë të gjithë elementët, etnitë, billdingjet, hapësira amerikanoveriore, por pa shpërthimin dhe dhunën e qyteteve të ShBA-së. Në Europë qiellin na e prishin retë. Krahasuar me qiejt e pasosur të Amerikës Veriore, me retë e tyre, qiejt tanë të vegjël e të hirnosur, retë tona të vogla e të hirnosura, janë në imazhin e mendimeve tona të hirnosura, asnjëherë mendime të hapësirës... Në Paris qielli nuk shkolitet kurrë, nuk mërgon kurrë, por ngërthehet në dekorin e pallateve shëndetlinj, të cilët mbulojnë me hije njeri-tjetrin, si prona private të vogla – në vend që të jenë fasada pasqyruese marramendëse të njeri-tjetrit, siç janë ato të kryeqytetit të madh New York... kjo shihet në qiej: Europa nuk ka qenë kurrë kontinent. Sapo vendosni këmbën në Amerikën e Veriut, ju ndjeni praninë e një kontinenti të tërë, aty hapësira është mendimi vetë. Ballas downtowns-ve e grupimit të grataçieleve amerikanë, La Defénce e humbet dobinë arkitekturale të vertikalitetit dhe të përmasave të mëdha, duke i shtrënguar billdingjet e saj në një skenë á la italiane, në një teatër të mbyllur që e kufizon një bulevard periferik. Kopësht á la francez, në një farë mënyre: një grumbull billdingjesh me një kordele përreth. Kjo ngjet për ta kundërshtuar mundësinë që këto monstra të krijojnë të tjerë në pafundësi, duke sfiduar njëri-tjetrin në një hapësirë të bërë dramatike prej kësaj gare (New York, Chicago, Houston, Seattle, Toronto). Aty krijohet objekti arketekturor i pastër, ai që u shpëton arkitektëve, që e mohon prerazi qytetin dhe zakonet e tij, mohon interesin e kolektivitetit dhe të individëve, këmbëngul në delirin e vet dhe nuk ka të barazvlefshëm tjetër përveç krenarisë së qyteteve të Rilindjes.

Jo, nuk duhet humanizuar arkitektura. Antiarkitektura, ajo, e vërteta, jo ajo e Arcosantit, në Arizona, që bashkon të gjitha teknologjitë e buta në zemër të shkretëtirës, -jo, ajo, e vërteta, jonjerëzorja, ajo që e kapërcen njeriun, ajo është bërë vetvetiu këtu, në New York, pa respektuar vëllimin, mirëqenien ose ekologjinë ideale. Ajo ka luajtur me teknologjitë e forta, i ka tepruar të gjitha përmasat, ka venë bast mbi qiellin e mbi ferrin... Eko-arkitektura, ashtu si eko-shoqëria, është ferri i ëmbël i Bas Empire. Mrekullia e prishjeve moderne. Është spektakli alltys i hedhjes së një rakete. Billdingu njëzet katësh rrëshqet i tëri vertikalisht drejt tokës. Shembet drejt si një manekin, pa e humbur përmbajtjen vertikale, sikur të zbriste në një kapanxhë, dhe sipërfaqja e tij përthith në tokë rrënojat. Ja një art i mrekullueshëm i modernitetit, i cili mund barabitet me fishekzjarret e fëminisë sonë.
Thonë: në Europë rruga është e gjallë, në Amerikë e vdekur. Gabim. S’ka asgjë më të dendur, më elektrizuese, më vitale e më levarashe, sesa rrugët e New Yorkut. Kallaballëku, trafiku, publiciteti i zotërojnë ato herë me përdhunë, herë me shkujdesje. Miliona njerëz, bredharakë, të plogësht, të dhunshëm, i pushtojnë ato, sikur të mos kishin gjë tjetër për të bërë dhe, pa dyshim, në të vërtetë s’ kanë gjë tjetër për të bërë, veçse të riprodhojnë spektaklin e vazhdueshëm të qytetit. Muzika është kudo, trafiku i dendur, relativisht i shpejtë dhe i heshtur (nuk është si trafiku nervoz e teatral italian). Rrugët, avenytë nuk zbrazen kurrë, por gjeometria e llagartë dhe plot ajër e qytetit e shtëmëng afrinë arteriale të rrugëve europiane. Në Europë rruga nuk jeton veçse përmes aksesit, në çastet historike, gjatë revolucionit, barrikadave. Përndryshe njerëzit nxitojnë, askush nuk vërdalliset me të vërtetë (nuk endet më). Është njëlloj si veturat europiane: në to nuk jetohet më, nuk kanë shumë hapësirë. Edhe qytetet nuk kanë mjaft hapësirë, apo më mirë e tëra ajo shpallet si publike, është e tejmbushur me të gjitha shenjat e skenës publike, ajo të ndalon ta përshkosh, t’i ngjitesh si një shkretëtire ose hapësire indiferente. Ndofta rruga amerikane nuk i njeh çastet historike, por ajo është gjithmonë e zallamahishme, vitale, kinetike e kinematikografike, në pajtim me imazhin e vetë vendit, ku skena thjesht historike dhe politike vihet pak në kandar, po ku rrezikshmëria e ndryshimit, të cilin e kanë mëkuar përmes teknologjisë, ndryshimit të racave, mediave, është i madh: është vetë dhuna e mënyrës së jetesës.
Vërvëllitja e qytetit është kaq e patakshme në New York, fuqia centrifuge e tij kaq e tillë, sa është mbinjerëzore të mendosh të jetosh dyshe, të ndash jetën me dikë. Mund të mbijetojnë vetanakët, tributë, bandat, mafiozët, shoqëritë sekrete ose perverse, ndofarë bashkëfajtorësh, por jo çiftet. Është antiArka, në të cilën kafshët ishin mbartur në çift për të shpëtuar racën prej Kiametit. Këtu, në këtë Arkë fabuloze, secili është mbartur fillikat – i përket atij që çdo mbrëmje të gjejë të mbijetuarit e fundit për mbrëmjen e fundit.
Të çmendurit në New York janë të lirë. Hazatë nëpër qytet, ata nuk dallohen nga punkët, heroinomanët, të alkoolizuarit, mjeranët, që atij nuk i shqiten. S’ka arsye përse një qytet, kaq i çmendur dhe vetë, t’i linte në hije të çmendurit e tij, përse t’ i bishtnonte qarkullimit të specimenëve të një marrëzie, e cila në fakt, në forma të ndryshme, ka kapluar tërë qytetin. Gjimnastika e repit është një lloj kreshnikërie akrobatike, ku, veçse në fund, teksa shuhet në një pozicion ngathalaq, indiferent, mund ta kuptosh se bëhet fjalë për një dans (bërryli në tokë, koka e plogët e mbështetur në grusht, siç e shohim në varret etruske). Ky shtangim i beftë të sjell ndërmend operën kineze. Por ndërsa luftëtari kinez shtangon me një gjest heroik në rezgun e veprimit, repisti shtangon në thellësinë e lëvizjes me një gjest qesharak. Do thoshje se, duke u kutullaçuar e duke u përdredhur kësisoj mbi vetveten, rrafsh me tokën, ata gërmojnë varrin e tyre në brendësi të trupit, duke marrë në fund pozën ironike e përtace të vdekjes.
Nuk do ta kisha besuar kurrë se maratona e New Yorkut mund të shkaktonte lotë. Është një spektakël i fundit të botës. A mund të flitet për vuajtje vullnetare siç flasim për një skllavëri vullnetare? Nën shiun e rrebeshtë, nën helikopterët, nën duartrokitje, të veshur me një kapuç aluminiumi, duke gërdoqur sytë mbi kronometrin apo trupin e lakuriqtë, të gjithë mëtojnë vdekjen përmes rraskapitjes, mu ashtu si maratonomaku para dy mijë viteve, i cili, të mos harrojmë, sillte në Athinë mesazhin e një fitoreje. Ata, gjithashtu, ëndërrojnë të jenë përcjellës të një mesazhi fitoreje, por janë të shumtë në numër dhe mesazhi i tyre nuk ka kuptim: është ai i vetë mbërritjes , pas kaq e kaq orvatje – mesazh zymtak i një mëtimi mbinjerëzor dhe të pafajde. Kolektivisht ata do të sillnin më mirë mesazhin e shkatërrimit të species njerëzore, sepse, gjatë mbërritjes së tyre, ajo shihet tek degradon nga njëra orë në tjetrën, qysh prej të parëve, të cilët janë ende të zhdërvjellët e luftarakë, duke arritur tek të leqendisurit, të cilët i mbajnë nga krahët miqtë, dhe gjer te finishi, ku handikapatët vrapojnë me karrige rrotulluese. Janë 17.000 vrapues dhe të vramendesh për betejën e vërtetë të Maratonës, ku nuk ishin 17.000 luftëtarë. Janë 17.000 dhe akcili vrapon i vetëm, pa patur zaten as shpirtin e fitores, por thjesht për t’u ndier se ekziston. “Fituam”, dihati Greku i Maratonës duke dhënë frymën e fundit. “I did it”, psherëtin maratonomaku i rraskapitur, duke u shembur mbi lëndinën e Central Park.

I DID IT!

Slogani i një forme të re të veprimtarisë publicitare, i performancës së mbylljes në vetvete, formë e pastër dhe e zbrazët, sfidë për vetveten, e cila ka zevëndësuar ekstazën prometeniane të garës, të orvatjes, të suksesit. Maratona e New Yorkut është bërë një lloj simboli ndërkombëtar i kësaj performance fetishiste, i delirit të një fitoreje pa kuptim, i ekzaltimit të një krenarie pa pasoja. Unë kam vrapuar në maratonën e New Yorkut: I did it! Unë kam fituar në Annapurnan: I did it
Zbarkimi mbi hënë ka të njëjtin rregull: We did it! Një ndodhi jo aq e habitshme, sesa e programuar paraprakisht nga trajektorja e progresit e të shkencës. Duhej të bëhej. Dhe u bë. Po kjo ngjarje nuk e ka ardhangur ëndrrën mijravjeçare të hapësirës, në njëfarë mënyre e ka shterruar atë. Ka të njëjtin efekt kotanak si në të gjitha zbatimet e një programi, si në gjithçka që bëhet për të provuar se mund të bëhet: një fëmijë, një ngjitje, një rekord seksual, një vetëvrasje. Maratona është një formë e vetëvrasjes demostrative, e vetëvrasjes publike: është të vrapuarit për të dëftuar se njeriu është i aftë të shkojë gjer në fund të vetvetes për të bërë provën... provën e çfarë gjëje? E asaj që është e mundshme të mbërrihet. Zhgarravinat, gjithashtu, nuk thonë gjë tjetër, veçse: ekzistoj dhe më quajnë Filan! Ato i bëjnë një publicitet badiava ekzistencës. A duhet të japin vazhdimisht provën e jetës së tyre? Shenjë e çuditshme e dobësisë, shenjë pararendëse e një fanatizmi të ri, ajo e performancës pa fytyrë, ajo e një pranie pa fund.

MISTIK TRANSPORTATION INCORPORATED

Një kamion jeshil me kromra vizllues zbret nga avenyja 7 sak pas dëborës, qysh nën rrezet e para të diellit mëngjezor. Në ijet e tij, me shkronja ari të metalizuara, është shkruar: Mystic Transportation. Aty është gjithë New Yorku dhe pikpamja e tij mistike e dekadencës: aty janë të gjitha efektet speciale, nga madhështia vertikale te kalbëzimi i tokës, të gjitha efektet speciale të pranisë së racave e perandorive, është dimension i katërt i qytetit. Më vonë, qytetet do të jenë të zgjatur e të papopulluar (Los Angeles-i), më vonë akoma do të varrosen e s’do të kenë as emra. Gjithçka do të bëhet infrastrukturë, e qetuar nga drita dhe energjia artificiale. Superstruktura vizlluese, vertikaliteti i çmendur do të jenë zhdukur. New Yorku është tepria e mbrame e këtij vertikaliteti barok, e këtij ekscentriciteti centrifug, para shkërrmoqjes horizontale, pastaj rrënimit nëntokësor.
New Yorku, përmes një bashkëfajësie të mrekullueshme të të gjithë popullsisë, të shfaq komedinë e katastrofës së vet dhe ajo nuk është pasojë e dekadencës, por pasojë e fuqisë së tij, e cila nuk kërcënon kërkënd, sepse kërkush nuk e kërcënon. Dendësia e tij, elektriciteti sipërfaqësor e shtëmëngin idenë e luftës. Rifillimi i jetës çdo mëngjes është një lloj mrekullie, ngase ai ka patur energji për t’i shpenzuar gjer në agshol.Voltazhi i tij, si një kube voltaike, e mbron nga të gjitha shkatërrimet e jashtme. Jo nga aksidentet e brendëshme, si black-out-i i 76, por shkallëzimet e gjërave të tilla i bëjnë ato ngjarje botërore dhe ndihmojnë ende në lavdinë e tij. Kjo qendërsi e ky ekscentricitet nuk mund t’i japin veçse delirin e fundit të vet, të cilin “skena” new-yorkeze e ritranskripton estetikisht në marrëzitë e veta, në ekspresionizmin e dhunshëm, por që i gjithë qyteti e edukon kolektivisht, te frenezia teknike e vertikalitetit, në përshpejtimin e banalitetit, në gjallërinë këndellëse a mjerane të fytyrave, në paturpësinë e sakrificës njerëzore, në emër të qarkullimit të pastër.
Kërkush nuk ju vështron, gjithkush është i kapluar nga tensioni i vrujtë i rolit pavetor. Në New York s’ka policë, - gjetiu policët ekzistojnë për t’iu dhënë një pamje urbane e moderne qyteteve që janë ende gjysëm ruralë (Parisi është një shembull i mirë i kësaj). Këtu urbaniteti ka mbërritur një shkallë të atillë, sa s’ka më nevojë ta shprehë ose t’i japë ndonjë karakter politik. Veç kësaj, New Yorku nuk është më një qytet politik, manifestimet e këtij a atij grupi ideologjik janë të rralla dhe kanë gjithmonë karakter qesharak (etnitë shpërfaqen nën formën e festës dhe demonstrimit racial të pranisë së tyre). Dhuna nuk është ajo e marrëdhënieve shoqërore, por ajo e të gjitha marrëdhënieve dhe është eksponenciale. Vetë seksualiteti, si modë shprehjeje, në njëfarë mënyre është kapërcyer dhe anipse është kudo nëpër afishe, nuk ka më kohë për t’u materializuar në marrëdhëniet njerëzore e dashurore, ai avullohet në afrinë e të gjitha çasteve, në mushtullinë e takimeve më efemere. Në New York ekziston një ndjesi lavdie, në kuptimin që ndihesh i aureolizuar nga energjina e të gjithëve, ajo është forma estetike e një mutacioni, dhe jo si në Europë: formë zymtake e ndryshimit.
Në Europë kemi artin e mendimit të gjërave, të analizimit, të reflektimit të tyre. Kërkush nuk mund të na e vërë në dyshim këtë sqimë historike e këtë imagjinatë konceptuale, zaten për të janë xheloze edhe mendjet e përtej Atlantikut. Por të vërtetat lëbyrëse, efektet e skajshme të sotme zhvillohen në kufijtë e Paqësorit dhe në sferën e Manhattan-it. Lypset thonë se New Yorku, Los Angelosi janë në qendër të botës, anipse në këtë pohim diçka edhe na ekzalton, edhe na zhgënjen njëherazi. Jemi dëshpërimisht të vonuar në raport me marrëzinë dhe karakterin mutacional të kësaj shoqërie, teprinë naive dhe ekscentricitetin shoqëror, racial, moral, morfologjik, arkitekturor. Kërkush nuk është në gjendje të analizojë një gjë të tillë, aq më pak intelektualët amerikanë të qetherosur nëpër kampuset, dramatikisht të huaj ndaj kësaj mitologjie konkrete, fabuloze, e cila përpunohet rreth e qark tyre. Këtë univers tërësisht të kalbur të pasurisë, të fuqisë, të pleqërisë, të indiferencës, të puritanizmit e të higjienës mendore, të mjerimit e të havardallëkut, të vanitetit teknologjik e të dhunës së padobishme, diç më shtyn ta krahasoj me agimin e botës. Ka gjasa që të gjithë vazhdojnë të ëndërrojnë për të, teksa ai vetë shpërthen e lulëzon.
Në lartësinë dhjetë mijë metra dhe me shpejtësi një mijë kilometra në orë, kam poshtë vetes akujt e Groenlandës, Indes Galantes në kufje, Catherine Deneuve në ekran, dhe një plak, çifut apo armen, që më fle mbi gjunjë. “Oui, je sens de l’amour toute violence...”, këndon zëri sublim nga njëra zonë orare në tjetrën. Në avion njerëzit flejnë, shpejtësia s’e përfill dhunën e dashurisë. Nga njëra natë në tjetrën, nga ajo prej së cilës u nisëm e gjer tek ajo kur do të ulemi, dita nuk do të zgjasë më shumë se katër orë. Por zëri sublim, zëri i pagjumësisë shkon më shpejt akoma, ai përshkon atmosferën e ngrirë transoqeanike, vrapon mbi qerpikët e gjatë të aktores, mbi horizontin e manushaqtë të agsholit, çalltis në arkivolin e ngrohtë të avionit dhe mbaron duke u shuar në detin e Islandës. E pra, udhëtimi ka përfunduar. (Fragment nga libri “Amerika”)

Përktheu Balil Gjini