1066: Beteja në Hastings

Mjaftoi një ditë e vetme që shtëpia e lashtë dhe e lavdishme saksone të zhdukej si mjegulla përpara Diellit, duke shënuar përgjithmonë fatet e Anglisë. Por gjestet e Haroldit dhe të Vilhelmit rijetojnë akoma sot


Për të ndjekur dhe rindërtuar ngjarjet lidhur me ndërmarrjen që çoi në fronin e Anglisë Dukën Vilhelm të Normandisë (stërnip i Rolonit mitik, themelues i shtëpisë së Normandisë), mesjeta angleze na ka lënë në trashëgimi atë dokument shumë të çmuar, të cilin sot do ta quanim multimedial, të përfaqësuar nga hallia e mrekullueshme e Bajusë, kryevepër e gjatë 70 metra dhe e gjerë 50 centimetra, ka mundësi e porositur nga bashkëshortja e Vilhelmit, Matilda, për të demonstruar legjitimitetin e fronit të burrit të saj tashmë i vendosur në oborr. Ka gjasa që ai është endur rreth vitit 1070 ndoshta në një manifakturë normane, por kjo ka pak rëndësi. Ajo që vërtet habit është fakti se në 70 metrat gjatësi të saj tregohen nëpërmjet pamjesh të mrekullueshme dhe didaskalishë relative ndodhishë, që vërtiten rreth betejës së Hastingsit, nga premti që në vitin 1051 Mbreti Eduard Rrëfyesi (1042-1066), i mbetur pa trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, i bëri Vilhelmit në zhvillimin e betejës, me vdekjen e Haroldit II (në fushën e betejës) dhe fitoren epike pasuese të forcave normane. Haroldi ishte trashëgimtari i fundit i shtëpisë së lashtë saksone. Do të kish qenë normal suksesioni i tij në fron. I pasur dhe influent, kishte nga ana e tij mbështetjen e aristokracisë së vjetër saksone që nuk i duronte ndërhyrjet e Vilhelmit të huaj dhe, siç do ta shikojmë, do ta rivendikojë deri në vdekje suksesionin e tij. Ajo që i ka ashpërsuar më pas mosmarrëveshjet qe fakti që Haroldi u gjend i shtrënguar pikërisht nga Eduardi që t'i bënte homazh varësie vasalore Vilhelmit të urryer. Por për momentin u përpoq që të bënte figurë të mirë. Nga ana tjetër, Eduardi e kish caktuar prej vitesh Vilhelmin, me të cilin kishte raporte të shkëlqyera fisnore të vjetra, përveçse miqësie të sinqertë: në të vërtetë ishte nipi i tij. Hallia, megjithëse i ruajtur mrekullisht mirë, paraqitet i cunguar nga seksioni i fundit (duket se mungojnë 6 apo 7 metra) dhe studiuesit hipotezojnë se skena e fundit, e cila mbyll filmin me fundin e mirë të zakonshëm, do të përfaqësonte kurorëzimin e Vilhelmit në katedralen e re të Uestminsterit, e përuruar pothuajse një vit më parë, më 28 dhjetor 1065, nga Mbreti Eduard, i cili vdiq disa ditë më vonë, në fillimet e janarit 1066. Midis skenave kryesore të hallisë së gjatë paraqiten parasëgjithash episodi në të cilin Eduardi cakton si pasues Vilhelmin. Mbreti i vjetër shfaqet i ulur në fron teksa urdhëron Haroldin që të shkojë në Normandi për t'i bërë homazh Vilhelmit. Në fakt, duket se në vitin 1064, me një udhëtim të rrezikshëm, gënjeshtari Harold kish shkuar në oborrin e Normandisë për të bërë aktin e nënshtrimit ndaj pasuesit të caktuar. Në halli Haroldi paraqitet teksa lutet në kishën e Boshamit për të siguruar një udhëtim të sigurtë. Veç kësaj, Haroldi është i shoqëruar nga fajkoj dhe qenë gjahu, simbole të një ambasade paqësore. Por paqësorë kishte shumë pak. Rasti e deshi që gjatë kalimit të La Manshit djali i Goduinit të mbytej në territore të Kontit Guidon, vasal i Dukës së Normandisë, i cili kishte të gjithë të drejtën ta mbante Haroldin në kontenë e tij, duke pretenduar për lëshimin një shpërblim legjitim. Vilhelmi u bë menjëherë i disponueshëm për pagimin e shpërblimit dhe vetë Guidoni e shoqëroi Haroldin në oborrin e Ruanit. Pas një pelegrinazhi në Mont Saint Michel të dy ranë dakord reciprokisht dhe Vilhelmi i dorëzoi armët simbolike Haroldit. Me këtë homazh u konfirmua vasal i Dukës. Në një episod të hallisë, Vilhelmi vendos një helmetë në kokë dhe Haroldi e vesh me një parzmore. Duke qenë se e kish shpëtuar tashmë Haroldin nga kthetrat e Guidonit, Vilhelmi deshi ta shtojë këtë akt në listën e detyrimeve që i lidhnin të dy pretendentët për të theksuar pandershmërinë e Haroldit. Jo vetëm kaq. Në një pamje të mëtejshme, Haroldi tregohet në aktin e nënshtrimit teksa i beton besnikërinë e tij duke i mbështetur duart mbi dy relike të shenjta, pothuajse për të theksuar pabesinë e betimit dhe tradhtinë e ardhshme të tij. Veç kësaj, si zot dhe mbret i ardhshëm i Anglisë, Vilhelmi i konfirmoit Haroldit posedimin e të gjitha tokave dhe postet e mbajtura prej tij deri më atëhere në mbretëri. Për ta rritur legjitimitetin - për më tepër të dyshimtë - të suksesionit në fronin anglez, Vilhelmi veproi në mënyrë që të fitonte miqësinë e Papës. Qysh në vitin 1059 triumfi i bujshëm i djemve të Takredi d'Altavilas në Italinë jugore e kish rritur në të gjithë kristianizmin prestigjin e popullit norman dhe nga Roma Papa Aleksandri II kishte raporte të mira me Normandinë; anasjelltas, të këqija qenë marrëdhëniet me Kishën e Anglisë. Është fakt se Selia e Shenjtë nuk e kish pranuar kurrë transferimin e Peshkopit të Uinçesterit, Stingand, në Arqipeshkopatën e Kanterberit, duke e zëvendësuar, sipas ligjit kanonik, me njëfarë Roberto Shampart. Për Vilhelmin ishte i nevojshëm bekimi i Papës, gjë të cilën e arriti pa vështirësi të mëdha. Aleksandri II (1061-1073), duke menduar se ngjitja e Vilhelmit në fronin e Anglisë do t'u jepte fund trazirave kontingjente të Kishës angleze, dërgoi Paliumin, "flamurtarin", në oborrin e Normandisë, duke e inkurajuar zyrtarisht mbështetjen e akorduar kauzës normane. Por si të interpretohet qëndrimi i dykuptimtë i Eduard Rrëfyesit që në shtratin e vdekjes iu shmang premtimit të bërë Vilhelmit në favor të Haroldit? Ka pak të ngjarë që Eduardi ta ketë revokuar premtimin, veç të tjerash, asnjëherë të vënë në diskutim, pikërisht në shtratin e vdekjes. Dimë se gruaja e Mbretit, Edit, vajza e Goduinit dhe, për pasojë, motër e Haroldit, konsiderohej në favor të kandidaturës së Dukës së Normandisë dhe "shumë armiqësore ndaj vëllait të saj". Kështu që duket shumë e çuditshme që Eduardi të ketë mohuar përpara saj, duke vënë në pikëpyetje edhe vetë besimin e tij të thellë fetar. Në një skenë të hallisë mund të vërehet Mbreti Eduard në grahmat e fundit teksa ndihmohet për të qëndruar drejt dhe për t'u ulur. Tek këmbët e tij është Mbretëresha dhe në krah të shtratit Haroldi, drejt të cilit Eduardi shtrin dorën. Versionet e ndryshme të kronikës anglosaksone fatkeqësisht luhaten midis një interpretimi dhe tjetrit dhe shumë të pakët janë dëshmitarët që asistuan realisht në skenën në fjalë. Me shumë gjasa Goduini, në atë kohë personazh shumë i fuqishëm dhe jashtëzakonisht me influencë, në pikën se të manovronte Uitenagemontin (Këshillin e Parëve) në favorin e vet, e shpiku nga hiçi lëshimin e Eduardit me pjesëmarrjen e Peshkopit të çkishëruar Stingand, i njëjti që më pas do t'i japë Haroldit kurorën mbretërore. Sido që të jetë, më 5 janar të vitit 1066 Eduardi vdes dhe - pa shiko, pa shiko - të nesërmen Haroldi kurorëzohet Mbret. Është e sigurtë se lajmi i vdekjes së Mbretit dhe i kurorëzimit të Haroldit mbërriti shumë shpejt në oborrin e Normandisë - në mes të janarit - dhe mund të imagjinohet reagimi i Vilhelmit ndaj kësaj gjëje (edhe pse duhej të ishte i përgatitur ndaj eventualitetit, më pas të realizuar, të një tradhtie nga ana e Goduinëve). Fatkeqësitë nuk vijnë kurrë vetëm: Haroldi duhej të bënte hesapet edhe me një kandidat të tretë ndaj fronit, pretendimet e të cilit për suksesion dukeshin akoma më të dobëta. Ishte Mbreti i Norvegjisë, Haraldi "I pamëshirshëm", ish-roje variage pranë Kostandinopojës, që e rivendikonte kurorën në virtyt të marrëveshjes së suksesionit reciprok të ndodhur kohë më parë midis paraardhësit të tij Manjus dhe Mbretit të Danimarkës, Harthaknut, bir i Mbretit të vdekur të Anglisë, Kanutit (1017-1035), i cili kish krijuar një perandori aq të gjerë sa që titulli i plotë i tij përfshinte atë të "Mbret i anglezëve, i danezëve, i norvegjezëve dhe, pjesërisht, i suedezëve". Fakti që zgjedhja e Eduard "ije-hekurit" (1016) i jepte fund unitetit dinastik midis Anglisë dhe Danimarkës nuk i pengoi pasuesit e tij që të pretendonin legjitimizmin e suksesionit të tyre. Kështu Haroldi u gjend i shtrënguar midis dy frontesh. Në jug kërcënonte Vilhelmi, i cili me të mësuar lajmin e vdekjes së Eduardit dhe të uzurpimit të Haroldit qysh në fund të janarit fillonte të organizonte pushtimin përtej La Manshit. Nga ana e tij, Haroldi e dinte se do të mund të ngjitej në fron vetëm me forcën e armëve. Ai po përgatitej prej kohësh dhe do të nisej nga Ishujt Orkade, ku kish krijuar një bazë të shkëlqyer operacionale, për të përshkuar pastaj të gjithë bregun lindor anglez deri sa të penetronte në derdhjen e Tajnit, nga ku do të drejtohej në Jorkun që ndodhej pak larg për t'u ndeshur me forcat e Haroldit dhe të fisnikëve Eduin të Mërçias dhe Morkar të Northumbrisë, mbi të cilët dukej se Haroldi kishte besim të madh. Në hallinë e Bajusë u jepet rëndësi e madhe përgatitjeve të ekspeditës së Vilhelmit I. Përmbajtja enciklopedike e saj na ofron njoftime të shumta lidhur me doket e zakonet e normanëve dhe nxjerr në dritë sistemet e organizimit tipike të vikingëve. Vërehen skuadrat e karpentierëve dhe zdrukthëtarëve të ngarkuara me ndërtimin e flotës, armët e përdorura nga këmbësoria, teknikat e luftimit, transporti i kuajve dhe i mallrave nëpër anije, të ngarkuarit me armaturat dhe shumë veçanti të tjera të endura për të nxjerrë në pah impiantin e madh logjistik që i parapriu zbarkimit norman. Përgjigjja e Vilhelmit nuk ka vonuar gjatë. Në fakt, qysh në mes të janarit i kish mbledhur të gjithë fisnikët e tij për të gjetur mbështetje ndaj ndërmarrjes. Me qëllim që një trupë ekspedicionare të mund të transportohej përtej La Manshit duhej parasëgjithash një numër i duhur anijesh. Babai i tij, Roberti II, i kish lënë Vilhelmit një flotë permanente, por aftësia sulmuese e saj ishte krejtësisht e pamjaftueshme. Kështu që urdhëroi menjëherë ndërtimin e qindra trapeve që do duhej të ishin gati për 6 muaj. Të gjithë kantierët e Normandisë u shfrytëzuan dhe të tjerë u hapën. Duka e rekrutoi jashtë vendit krahun e punës të nevojshëm në veçanti në Flandër dhe në Bretanjë. Pas marrëveshjes midis bastardit dhe baronëve të tij, secili u impenjua që të japë një kontingjent të caktuar varkash. Fisnikët u mblodhën me Vilhelmin për herë të fundit në Kan përpara nisjes në mes të qershorit. U desh të punohej me ritme të çfrenuara, por tashmë rreth 12 gushtit në derdhjen e lumit Div, midis Kanit dhe Lë Havrës, qenë përqendruar rreth 700 anije (një numër absolutisht i pabesueshëm për epokën) të gatshme për t'u nisur. Vetë Matilda, gruaja e bastardit, dha shembullin e mirë duke dhuruar anijen kryesore, Moran, e cila në majën e direkut kryesor të saj shpaloste stemën papnore me kryq. Edhe tek hallia ky grumbullim anijesh jepet me të gjithë madhështinë e tij. Forcat normane mund të mbështeteshin veç të tjerash mbi një efektiv prej rreth 10000 vetësh midis kalorësve e këmbësorëve dhe mbi 2500 kuaj. Pjesa më e madhe e kontingjentit të huaj ishte betone, që do të formojë krahun e majtë gjatë betejës. Milicit u rekrutuan në Mein, në Aquitani, në Flandër dhe në Francë, duke formuar kështu krahun e djathtë të formacionit. Një erë e fortë nga veriu e detyroi Vilhelmin që ta shtyjë nisjen dhe t'i kërkojë Kontit Guiodn (atij që dy vjet më parë kish burgosur Haroldin) që ta spostonte flotën në territorin e tij, nga ku do të mund ta kryente kalimin më me shpejtësi. Më 12 shtator flota spostohet kështu deri në estuarin e Somës, në Sen Valeri, 250 kilometra më në lindje. Megjithëse i bindur se kërcënimi më i rëndë vinte nga Normandia, Haroldi sapo mori lajmin e zbarkimit të Haraldit Hardraadas në bregun afër Jorkut e grumbulloi ushtrinë dhe më 20 shtator marshoi me ushtrinë drejt veriut. Pasi kish plaçkitur bregun lindor të Jorkshirit nga Uithbi në Skarboro, Haraldi u ndesh po atë ditë në lokalitetin Gejt Fullford me forcat e bashkuara të Eduinit dhe Morkarit, duke i shpartalluar dhe duke i vrarë edhe vetë fisnikët. Jorku iu dorëzua pushtuesit dhe Haroldit iu desh që ta shtrëngonte marshimin me rreth 300 kilometra për të penguar avancimin e Haraldit. Pas pesë ditësh (25 shtator) Haroldi arriti me ushtrinë në Jorkshir dhe e befasoi ushtrinë norvegjeze pranë Stemford Brixhit. Beteja mizore përfundoi me masakrimin e norvegjezëve dhe vetë Haraldi ra në fushën e betejës. Kërcënimi norvegjez ishte zhdukur përgjithmonë. Gjashtë ditë më vonë, më 28 shtator, era e fortë që e pengonte kalimin e normanëve u zbut, duke i mundësuar kështu flotës që të nisej drejt Anglisë. Pjesa më e shkurtër nga Sen Valeria ishte drejt gjirit të Pevenseit dhe aty u vendos që të zbarkohej. Nga mesnata Mora u gjend e ndarë nga flota e saj. Sikur Haroldi të kish pasur anije patrullimi, për Vilhelmin ndoshta do të kish qenë fundi i menjëhershëm, por kalimi rezultoi i lehtë. Sapo zbarkoi, Vilhelmi nuk marshoi drejt e në Londër, duke pasur frikë se mos kapej prapa krahëve nga flota e Haroldit dhe të ndodhej kështu me lidhje të këputura me kontinentin. Kështu që e ndërtoi bazën pranë lokalitetit Hastings në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Aty ngriti menjëherë fortifikime, me një bastion të ngritur mbi një fortesë të hershme romake. U deshën të paktën dy javë nga zbarkimi përpara se Haroldi, akoma në Jork, të vihej në dijeni të ardhjes së Vilhelmit. Pavarësisht humbjeve në Stemford Brixh, ishte akoma i fortë me 8000 njerëz. Veç kësaj, kishte në dispozicion një flotë të madhe detare dhe të gjithë kohën për të organizuar kundërsulmin, duke qenë se Vilhelmi nuk kish treguar asnjë synim për të penetruar në territorin sakson. Dhe pikërisht këtu shfaqet e gjithë paqendrueshmëria e sjelljes së Haroldit II. Duke pasur të paktën dy javë në dispozicion, do të lëkundej për të mbledhur forca të reja në pritje të sulmit të madh. Por me sa duket, Haroldi ishte idhtar fushatash të shkurtra; veç kësaj, ishte i tërbuar për plaçkitjet e normanëve rreth kampit të tyre. Është fakt se me një ngut të pakuptimtë e të papërgjegjshëm, Haroldi e shpejtoi marshimin për ta takuar armikun sa më parë që të ishte e mundur. Shpresonte që ta sulmonte natën dhe ta kapte kështu në befasi, duke i prerë kokën dhe duke dërguar flotën e madhe të tij për ta rrethuar. Natën e 13 tetorit arriti në Kaldbek Hill, rreth 10 kilometra nga Hastings. Vilhelmi e priste aty prej të paktën dy javësh. Përplasja tashmë ishte e afërt. Nga lartësia e kodrinës, Haroldi ishte në pozicion të favorshëm. Kurse forcat e Vilhelmit duhet t'i përballonin saksonët në ngjitje. Veç kësaj, dy përrenj të vegjël uji nga krahët e kodrinës do t'i detyronin njerëzit e tij në një rrugë të detyruar drejt armikut me rrezikun, në rast thyerje, që të rrethoheshin dhe të asgjësoheshin. Në orën 6 të mëngjesit të 14 tetorit tingujt e borive të luftës çanë atmosferën ireale që krijohet në një fushë përpara betejës. Vilhelmi i rreshtoi trupat e tij mbi kreshtë duke menduar për një manovër me tri faza: gjuajtjen e harkëtarëve, sulmin e këmbësorisë së rëndë dhe sulmin final të kalorësisë, të cilës i takonte detyra që të krijonte çarje me forcën goditëse të saj. Ishte ora rreth 9 e mëngjesit kur Vilhelmi u dha urdhër harkëtarëve në vijën e parë që të nisnin sulmin. Një shi shumë i dendur shigjetash u derdh mbi pararojën e Haroldit, e cila arriti në pjesën më të madhe t'i shmangë ato, të cilat duke u lëshuar për lart, humbisnin shumë nga shpejtësia e tyre (pjerrësia e kreshtës ishte me rreth 8 gradë dhe anglezët mbroheshin nga mburojat e tyre). Pak më vonë, Vilhelmi e tërhoqi rreshtimin e harkëtarëve dhe urdhëroi sulmin e këmbësorisë, por që duhet të kryhej në ngjitje. Normanët u pritën nga një shkallare e tmerrshme shigjetash dhe nuk arritën të shkaktonin të çarë në vijën angleze, e cila gjeti mënyrë që të shkaktonte shumë humbje falë heshtave të gardistëve. Në këtë pikë krahu i majtë i bretonëve, që veç të tjerash ishte në një pozicion të kodrinës më pak të pjerrët, u tërhoq në mënyrë konfuze dhe të ngutshme drejt luginës, duke e shtrënguar kalorësinë e tyre që t'i ndiqte. Anglezët përfituan për t'i ndjekur dhe normanët, që ndërkohë qenë zbuluar nga e majta, pësuan humbjet e para të rënda. Për Vilhelmin po konturohej rreziku i disfatës. Paniku e mëshonte me tërbim shpirtin e pushtuesve dhe qe pothuajse dëshpërim kur një shigjetë goditi kalin e Vilhelmit, i cili ra përdhe me gjithë peshën e armaturës. Midis terrorit dhe ankthit, në fushë-betejë qarkulloi zëri se Vilhelmi ishte goditur për vdekje. Por ky i fundit, i ngritur, e hoqi menjëherë helmetën për t'u njohur nga trupat, që ndërkohë po i jepeshin tërheqjes. Vilhelmi urdhëroi kështu krahun e djathtë që të rrethonte ndjekësit anglezë që lëshoheshin mbi trupat bretone. Pasoi një masakër që e dobësoi rëndshëm këmbësorinë saksone. Në këtë kohë u vranë edhe dy vëllezërit e Haroldit, Lefvini dhe Girthi. Nga mesdita u vendos për një armëpushim, në mënyrë që të riorganizoheshin rreshtimet, por Vilhelmi kishte ngut dhe njerëzit e Haroldit dukeshin tashmë të sfilitur dhe të dekurajuar. Sulmi i dytë i harkëtarëve normanë kësaj radhe rezultoi fatal. Forcat e përbashkëta të këmbësorisë dhe të kalorësisë bënë kusurin. Anglezët e gjendën të rrethuar dhe radhët e tyre të shthurura. U luftua deri pasdite vonë, kur Haroldi u godit për vdekje. Në halli shikohet Haroldi me mburojën e tij të shpuar nga tri shigjeta teksa kërkon më kot që të nxjerrë shigjetën vdekjeprurëse nga syri (por sot studiuesit mendojnë se Haroldi është njeriu afër, i dergjur përtokë). Sapo mësuan lajmin, trupat e tij i hynë një tërheqjeje të ngutshme drejt pyllit të Andresvealdit, kur arritën dhe u dhjetuan nga normanët. Vilhelmi doli fitimtar. Por fitorja e normanëve është më shumë fryt i ngutjes së Haroldit, që sikur të kish vepruar me më shumë urtësi taktike dhe jo me ngutin e zakonshëm, do të kish mundur t'i shtonte radhët e tij dhe ta planifikonte më mirë mbrojtjen. Beteja e Hastings i shënoi përgjithmonë fatet e Anglisë. Mjaftoi një ditë e vetme që shtëpia e lashtë dhe e lavdishme saksone të zhdukej si mjegulla në diell. Ditën e Krishtlindjeve të po atij viti Vilhelmi u kurorëzua Mbret i Anglisë në Katedralen e re të Uestminsterit dhe, pavarësisht vështirësive të mëdha gjatë rrugës së stabilizimit të zotërimit të ri, e vazhdoi veprën e tij të rinovimit. Ndërtoi qindra kështjella prej guri, deri më atëhere të panjohura në Angli, midis të cilave Kulla e Bardhë e famshme, që do të shërbejë për shekuj të tërë si burg i praruar për disidentët e rangut të larë. Aparatet administrative angleze u zëvendësuan në mënyrë progresive nga njësi normane dhe, mjet jashtëzakonisht i ri, Vilhelmi u deklarua pronar unik i tokave të mbretërisë, duke i anashkaluar pretendimet e pashmangshme të vasalëve. Frëngjishtja zëvendësoi gradualisht anglishten, ashtu si latinishten në shkrimet zyrtare. Por kryevepra e vërtetë e Vilhelmit qe një vepër e pamendueshme në ato kohëra. Sovarni i ri hartoi një libër kadastror madhështor, të quajtur Domesday book (titulli i të cilit do të thotë "Libër i Ditës së Gjykimit"), në të cilin shënoi të gjitha posedimet angleze. Një vepër kolosale që do të garantonte një kontroll të rreptë të resurseve dhe një të ardhur fiskale të saktë dhe të rregullt. Vilhelmi vdiq në vitin 1087 në moshën 60-vjeçare. Pavarësisht nga legjitimiteti i veprës dhe i letraritetit epik të ndërmarrjes së tij, një gjë mund të deklarohet me siguri: Vilhelm Pushtuesi u la njerëzve një trashëgimi të madhe, krijimin e monarkisë së re të Anglisë, nga ai moment e prapa fuqi e dorës së parë e Perëndimit kristian.

P.S. Qysh nga viti 1066 e deri më sot asnjë armik tjetër nuk ka arritur që ta pushtojë ishullin.

Përgatiti

ARMIN TIRANA