Si e ndryshoi botën Deklarata e Pavarësisë


Heather Whipps

Me gojët të mbushura me hot-dog-ë dhe sallatë patatesh, amerikanët në këtë 4 Korrik me sigur do të vrasin mendjen për ata fraza të famshme në krye të Deklaratës së Pavarësisë: "Ne u përmbahemi këtyre të vërtetave të qarta, se të gjithë njerëzit janë të barabartë, se atyre u ka dhënë Krijuesi i tyre të drejta të patjetërsueshme, se mes këtyre janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë".

Kur hartoi Deklaratën në vitin 1776, Tomas Xheferson kishte vetëm një ide të vagët për pasojat që ajo do të kishte për 13 kolonitë, të cilat po shpallnin synimin e tyre për t'u shkëputur nga vargonjtë e sundimit britanik. Megjithatë, ato cfarë ai mund të mos ketë parashikuar, janë efektet e përhapur gjithandej, që fjalët e tij të fuqishme do të kishin gjithashtu anembanë botës.

Deklarata e Pavarësisë nuk ndryshoi vetëm kursin e historisë së Amerikës, por ajo krijoi një efekt valë që prek një sërë kombesh të tjerë duke i shtyrë drejt pavarësisë, duke e bërë në ndërkohë Xhefersonin një "poster boy" revolucionar.

Iluminimi

Ushtria e madhe e Anglisë ishte tashmë rrugës për në Portin e Nju Jorkut kur Xheferson u ul për të hartuar Deklaratën në qershor të vitit 1776, duke filluar:

"Kur, në kursin e ngjarjeve njerëzore, bëhet e domosdoshme për një popull që të shkëpusë lidhjet politike që i kanë mbajtur bashkë njerëzit e tij, dhe të marrë mes fuqive të Tokës vendin e vecantë dhe të barabartë, që i ka dhënë Natyra dhe Perëndia e Natyrës, në respekt të opinioneve të njerëzimit kërkohet që ata të deklarojnë arsyet që i detyrojnë të ndahen".

Idetë që shprehu Xheferson, të cilat justifikonin arsyet për revoltë me një listë akuzash kundër mbretit anglez nuk ishin origjinale. Një numër tekstesh globalë që ishin shkruajtur gjatë viteve të ngarkuar të Iluminimit në shekujt 17 dhe 18 përfshinin ideale të ngjashëm për lirinë dhe të drejtën e vetëvendosjes, dhe amerikanët në të gjithë kolonitë kishin nisur tashmë të promovonin këndvështrimin progresist për botën në gazeta dhe libra shkollorë.

Ishte klima e nxehtë politike në të cilën lindi Deklarata që i bënte kaë të rëndësishme fjalët e Xhefersonit. Kur drafti i tij final u redaktua dhe firmos nga Kongresi në 4 Korrik, deklarata nënkuptonte pavarësinë, por ajo gjithashtu përcaktonte rrugën drejt luftës totale, dhe jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të sapokrijuara.

Liria marshon

Menjëherë pasi u printua, Deklarata shkaktoi debate mbarë-botërorë në lidhje me ligjshmërinë e sundimit kolonial. Shumë shtete e përdorën dokumentin si një fener ndricues në betejat e tyre për pavarësi dhe përshtatën Xhefersonin si figurën e tyre "të gdhendur në bashin e anijes". Vetë Xheferson parashikoi se pavarësia e Amerikës do të ishte një forcë katalizatore - një top i lirisë" e quajti ai - e cila shumë shpejt do të rendte në të gjithë globin.

E para erdhi Franca, revolucioni i së cilës në vitet 1780 dhe 1790 kishte përvojën amerikane dhe letërsinë për frymëzim. Xheferson ndodhi që të ishte ministër (përfaqësues i SHBA) në Francë në atë kohë dhe ai u bë një mbështetës i flaktë i revolucionarëve, duke ndihmuar madje në hartimin e një dokumenti themelor të të drejtave në mbështetje të një republike të re, shumë e ngjashme me atë që ai kish hartuar vetëm një dekadë më herët.

Me vendin mëmë, Francën të pushtuar nga trazirat, një tjetër koloni e frymëzuar nga Revolucioni amerikan kërkoi pavarësinë në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. Haiti kish qenë një koloni fitimprurëse sheqeri dhe kafeje në shekuj, i njohur si një prej ishujve më të egër të plantacioneve në Karaibe.

Udhëhequr nga skllavi i lirë Tusan L'uvertur i cili citonte deklaratat e Amerikës dhe Francës për t'i dhënë zjarr revoltës, Haiti e fitoi lirinë e vet në 1804. Ironikisht, ish skllevër në Haiti e kishin përdorur Deklaratën e Pavarësisë si model në luftën e tyre për liri, ndërkohë që ky dokument nuk jepte të drejta të tilla për skllevërit në Shtetet e Bashkuara.

Në vitet e mëvonshëm, pjesë nga deklarata u cituan dhe riinterpretuan për lëvizje të tjera pavarësie në Greqi, Poloni, Rusi dhe në të gjithë Amerikën e Jugut. Një botë perandorish po kthehej gradualisht në një botë shtetesh sovranë.