Një tragjedi epike që është shkaktuar nga arroganca, mendimi konfuz dhe mungesa e planifikimit
Gjashtëdhjetë e dy vjet më parë, një prej kryengritjeve më të mëdha dhe më të dhunshme të shekullit të njëzetë ndodhi në nënkontinentin indian. Ishte një ngjarje, pasojat e së cilës ishin krejtësisht të paparashikuara dhe kuptimi i të cilës nuk u lexua kurrë apo nuk u kuptua as nga politikanët që morën vendimin, as nga miliona myslimanët, hindutë dhe sikhët që do të bëheshin viktima të tij. Në 1947, të gjendur përballë dallimeve të papajtueshëm në lidhje me kërkesën për një shtet të veçantë të myslimanëve të Indisë, Britania vendosi, me miratimin e një shumice të udhëheqëse politikë të Indisë, që të ndajë vendin dhe t'i japë secilës pjesë pavarësinë. Pas kësaj, erdhi tragjedia.
Ndarja e Perandorisë Indiane të Britanisë solli lëvizjen e afro 12 milion njerëzve, të shpërngulur, të përzënë apo të arratisur nga shtëpitë në kërkim të sigurisë. Qindra mijëra vetë u vranë, mijëra fëmijë u zhdukën, mijëra gra u përdhunuan apo u rrëmbyen, ndërkohë që ndryshimi me dhunë i fesë u bë i zakonshëm. Dhuna polarizoi komunitetet në nënkontinent, si kurrë më parë. Masakrat dhe vrasjet u organizuan nga banda, vigjilues dhe militantë në Indinë veriore, perëndimore dhe lindore. Ata shpesh herë mbështeteshin nga liderë lokalë, politikanë, nga kongresi dhe nga Liga Myslimane, maharaxhenj dhe princër, si dhe u ndihmua nga nëpunës civilë të trembur ose të gatshëm.
Yasmin Khan, një historiane britanike, ka shkruar një libër gozhdues në lidhje me këtë histori të tmerrshme. Ai është shkruar me mjeshtëri dhe ritëm, ndryshe nga ngathtësia akademike që ofron historia moderne indiane. Së dyti, ai e largon vëmendjen nga pallati nënmbretëror britanik dhe grindjet e mirëdokumentuara mes Kongresit dhe Ligës Myslimane. Ai fokusohet në një panoramë më të gjerë, e cila e çon lexuesin përmes konfuzionit, pasigurive, frikës dhe horrorrit me të cilin janë përballur ata që do të bëheshin shumë shpejt nënshtetas të dy shteteve të rinj, Indisë dhe Pakistanit.
Sot, kryengritja në të dy anët e vijës ndarëse do të përshkruhej si spastrim etnik në një shkallë të madhe. Ajo la pas dy vende të traumatizuar e të lënduar - që edhe sot e shohin me dyshime e frikë njëri-tjetrin - atje ku dikur kish qenë një vend me popull të ndërthurur. Udhëheqësi aktual ushtarak i Pakistanit, Pervez Musharraf, ai vetë një fëmijë në kohën e ndarjes, e quan Indinë armikun numër një. Një mënyrë e tillë të menduari është ngulitur tek të dy palët - një rezultat i pamendueshëm për të gjithë ata që u angazhuan në lëvizjen për pavarësi.
Vendimi për të ndarë Indinë në linja fetare u mor me keqardhje, por me shumë pak paralajmërim dhe u ndërmor me një shpejtësi shumë të madhe dhe me gjakftohtësi të rrallë nga ana e qeverisë britanike dhe Lordi Mountbatten. I pyetur nga gazetarët nëse priste ndonjë zhvendosje në masë të popullsisë, ai tha: "Personalisht, nuk e shoh që kjo të ndodhë... Disa transferime do të ndodhin, por në mënyrë të natyrshme... ndoshta qeveritë do të transferojnë popullsinë.
Asnjë lloj përgatitje apo mendim nuk iu rezervua çështjes kryesore, të nënshtetësisë, sigurisë dhe të drejtave të pronës pas ndarjes së vendit. Nga ana tjetër, nëpunësit civilë të Indisë ishin të zënë duke inventarizuar çdo gjë në zyrat e tyre, deri tek kutitë e bojës dhe letrat që do të ndaheshin mes Pakistanit dhe Indisë së re. Mungesa e planifikimit, arroganca, mendimi konfuz dhe një injorim total i pasojave ishin të metat fatale në planin e ndarjes, thotë Khan.
Lajmërimi se India do të ndahej dhe pavarësia do të pasonte këtë jo më shumë se një vit më pas u bë në Dhomën e Ulët në 3 qershor 1947. Deri në 15 gusht, britanikët ishin larguar. Ata nuk pranuan asnjë përgjegjësi për masakrat që po ndodhnin dhe refuzuan që të lejonin trupat britanike që ndodheshin ende në Indi që të ruanin rendin apo të mbronin popullin.
Lëvizja e njerëzve dhe privimet që ata vuajtën ishin të jashtëzakonshme. Myslimanët u nisën për në perëndim, drejt Pakistanit; Sikhët dhe Hindutë shkuan në lindje në Indi në karvanë këmbësorësh me 30-40 mijë njerëz, qerre dhe kafshë të shpërndarë në mbi 70 kilometra. Në një muaj, 849 mijë refugjatë hynë në Indi në këmbë. Trenat të mbushura shumë mbi kapacitetin e lejuar dhe që u bënë shënjestra të vrasësve, shkonin drejt Delhit dhe më pas ktheheshin sapo rifurnizoheshin me karburant dhe ujë. Shumë familje u larguan për arsye sigurie, duke marrë vetëm disa plaçka sepse prisnin të riktheheshin. Askush nuk e imagjinonte që udhëtimi përgjatë vijës ndarëse do të ishte i fundit.
Kur Xhavaharlal Nehru mbajti fjalimin e tij të famshëm në 15 gusht, duke deklaruar se në orën e mesnatës, kur bota do të flitne gjumë, India do të zgjohej në jetë dhe në liri, masakra po ndodhnin pothuajse përditë në të dy anët e vijës ndarëse. Nehru më vonë pyeste veten nëse bashkatdhetarët e tij e dinin se sa pranë shpërthimit kish qenë India. Dhuna ishte thjesht e pakontrollueshme.
Pavarësisht betimeve për barazi mes të gjithë komuniteteve në Indinë e re dhe në Pakistan, forca nxitëse e dhunës ishte eliminimi apo nënshtrimi i komunitetit tjetër, shkruan Khan. U desh tronditja që shkaktoi vrasja e Mahatma Gandit në 30 janar 1948 - nga një ekstremist Hindu që ishte kundër politikës pajtuese të Ghandit kundrejt myslimanëve, si dhe propozimeve të tij të paqes ndaj Pakistanit - që të frenohej dhuna dhe që, sidomos India, t'i thërriste mendjes.
Iluzionet e ndarjes nuk lihen mënjanë, duke përfshirë këtu premisën se një fe e vetme është mjaftueshëm e fuqishme për të mbajtur grupe etnikë të ndryshëm e të shtypur bashkë nën një shtet komb: Bangladeshi, dikur Pakistani lindor, është shembulli i parë se sa e gabuar mund të jetë një ide e tillë. Mbi të gjitha, Khan godet gënjeshtrën e propagandës se transferimi i pushtetit në Indi ishte një shembull i dekolonizimit paqësor, të cilin mund ta ndiqte edhe pjesa tjetër e botës. Fundi i rrëmujshëm i Perandorisë në Azinë Jugore ishte "një tronditje me përmasa epike". Ai u keqplanifikua dhe i shpëtoi vetëm për fije futjes në spiralen që do ta çonte në një luftë civile shkatërrimtare.