Filozofi anarkist francez shpiku një mënyrë të re të konceptuari të komunitetit politik, akoma sot me aktualitet të jashtëzakonshëm. Proudhon, njeriu i federalizmit
Filozofi anarkist francez shpiku një mënyrë të re të konceptuari të komunitetit politik, akoma sot me aktualitet të jashtëzakonshëm. Në mos për gjë, pse tërboi fare Karl Marksin. Shteti i centralizuar është ujë i kaluar dhe i helmuar. Shumë më mirë pushteti i decentralizuar, pasi është bashkimi ai që bën fuqinë.
Pierre-Joseph Proudhon (1809-1865) është një eksponent i rëndësishëm i socializmit utopist francez të tetëqindës. I njohur nga publiku i gjerë për esènë e famshme "Çfarë është prona?" (1840), që veç të tjerash përmban përgjigjen po aq të famshme "prona është një vjedhje", është po aq e njohur për aspiratat e zjarrta barazitare. Pati në fakt për zemër fatin e të varfërve dhe të proletariatit, i të cilit, për të gjithë jetën, u ndje pjesë. Në vitin 1846 i shprehu këto bindje në esènë "Sistemi i kontradiktave ekonomike, domethënë filozofia e mjerimit", por vepra hasi mosmiratimin sarkastik të Karl Marksit (1818-1883), i cili e mbyti fare me esènë "Mjerimi i filozofisë" (1847). Qe kjo prishja përfundimtare e një miqësie të lindur vetëm disa vjet më parë. Mbështetës i flaktë i 48-ës europiane, Proudhon u zgjodh në Asamblenë Kombëtare franceze. Një vit më pas arrestohet për kundërshtimin e vendosur ndaj Luigj Napoleonit (1808-1873). I dalë nga burgu në vitin 1852, vazhdoi që të kundërshtojë politikën e Perandorit të ardhshëm Napoleoni III dhe, për pasojë, u detyrua që të arratisej në Belgjikë.
Të rindërtohet, menjëherë
I kthyer në Francë disa vite më vonë, botoi vepra të tjera që megjithatë nuk patën suksesin e librit të parë dhe, nga i zakonshmi Marks, përkufizoheshin si një "grumbull kontradiktash". Vdiq në Paris në vitin 1865. Është e vërtetë, në veprën e përgjithshme të Proudhon kontradiktat nuk mungojnë dhe janë të tilla sa të mos i shpëtojnë dhe lexuesit sipërfaqësor. Shkojnë nga konsiderimi i pronës si vjedhje në atë të pronës si liri. Nga kundërshtimi ndaj çdo forme kolektivizimi në ekzaltimin e bashkëpunimit të lirë të prodhuesve. Nga socializmi libertar në anarkinë pozitive. Megjithatë, nuk mungojnë momente të vyera lineariteti e koherence dhe kjo veçanërisht përsa i përket temës së anarkisë, të cilën filozofi francez e konsideroi gjithmonë palingjenezën e shoqërisë: rigjenerimin universal që realizohet jashtë çdo shtrëngimi. Por filli patjetër më i qartë, edhe pse më pak i njohur, i mendimit proudhonian është ai lidhur me federalizmin, me federalizmin revolucionar. Një kuadër mjaft i plotë i argumentit është i pranishëm në veprën "Parimi federalist dhe nevoja për të rindërtuar partinë e revolucionit" e vitit 1863. Këtu Proudhon trajton dy aspekte thelbësore të federalizmit, atë politik dhe atë ekonomik, ndërsa jo në mënyrë po aq të përshtatshme është zhvilluar një i tretë, themelor, domethënë aspekti juridik. Ndoshta është pikërisht ky limiti i federalizmit proudhonian, që gjithsesi vlerësohet për aktualitetin e jashtëzakonshëm, pavarësisht ekspozimit pak sistematik dhe lidhjes bezdisëse të utopisë. Tani, për Proudhon të rindërtojë "partinë e revolucionit" nënkupton parasëgjithash të promovohet pajtimi midis autoritetit dhe lirisë. Nënkupton që të ekuilibrohen dy parime antagoniste, bashkekzistenca e të cilëve është e nevojshme, pikërisht pse lufta e tyre është në themelin e revolucioneve tradicionale dhe të luftërave. Autoritet dhe liri konsiderohen nga filozofi si dy burime impulsesh nëpërmjet të cilave, me një lojë të vazhdueshme aksionesh dhe reaksionesh, arritjesh dhe lëshimesh, është e mundur të arrihet një stabilitet jetëgjatë. Sipas thënieve të Proudhon, në histori ideja e federalizmit është e lashtë po aq sa ajo e monarkisë dhe e demokracisë. Teza është sugjestionuese, por filozofi nuk e thellon dhe kufizohet që të cekë vetëm shkarazi disa institucione të botës greko-romake. Kërkimet e tij përmendin shpesh shembujt historikë të Konfederatës Helvetike dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe këtu Kushtetutat e këtyre vendeve nuk rezultojnë minimalisht të ilustruara dhe të thelluara. Viti 1789, të paktën një çikë, Proudhon këmbëngul në fakt sidomos mbi tendencat federaliste të disa aspekteve të Revolucionit Francez, duke ekzaltuar domethënë idealet e zhirondinëve atëhere kur reklamojnë, në funksion liberal, një strukturë federale të Francës në vend të regjimit të centralizuar të dëshiruar nga jakobinët: për shembull, kur federalizmi thekson orientimin autonomist dhe kantonalist në brendësi të një shteti kombëtar me traditë fuqimisht unitare dhe të centralizuar ose kur, në vitet e vështira të luftës civile, reagimi bëhet i gjallë në departamente të caktuara dhe federalizmi parisian i kundërvihet një federalizmi provincial të përhapur. Dhe pak i intereson filozofit nëse ky orientim mbytet me shpejtësi dhe statlizmi jakobin triumfon, duke përgatitur centralizmin autoritar të Direktoratit. Duke analizuar shekullin XIX, Proudhon veç të tjerash mund të zbulojë më shumë se një tregues tendencash federaliste apo të paktën decentralizuese, por nuk e bën: në tentativën për të qenë origjinal me çdo kusht, përfundon pra për të qenë krejtësisht abstrakt. Historia i sugjeron më shumë se një argument, por frymëzimi kryesor nuk i vjen nga ai dhe nuk i vjen as nga influencat që ai refuzon t'i pranojë. Domethënë, Proudhon injoron me dashje sa e kanë paraprirë në rrugën e federalizmit, duke deklaruar se ideja e federalizmit revolucionar lind vetëm me të. Në të vërtetë, absolutisht e re tek Proudhon është vetëm metoda. Një metodë që nuk shfaqet tek autorët e mëparshëm dhe që konsiston në thelb në dialektikën e problematicizmit, tek e cila mendimtari kapet vetëm pasi është magjepsur prej disa kohësh nga treshja tezë, antitezë dhe sintezë e përpunuar nga George W.F. Hegel. Ajo proudhoniane është kështu një dialektikë e ekuilibrit dhe e balancimit, e tezës dhe e antitezës, në kundërvënie me atë hegeliane kulmuese në sintezën midis të kundërtave, e cila kish pushtuar pjesën më të madhe të intelektualëve të Tetëqindës.
Asnjë sintezë
Filozofi libertar francez e trajton këtë luftë pothuajse të përjetshme sidomos tek "Lufta dhe paqja", libër i vitit 1861, të cilin ai e përfundon duke pohuar se edhe lufta një ditë mund të eliminohet krejtësisht nga horizonti njerëzor, por kështu nuk do të ndodhë në fakt për ato luftëra të brendshme që luftohen brenda çdo qenieje njerëzore të veçantë, nga ana tjetër pa u lënë aspak të mbytet nga ankthi i kontradiktës. Marksistët e kanë kritikuar Proudhon se nuk e ka arritur sintezën e të kundërtave, gjë që është e vërtetë; por është e vërtetë edhe se Proudhon këtë sintezë nuk e ka kërkuar aspak, bile e ka refuzuar pozitivisht duke u distancuar hapur nga dialektika e markës hegeliane, me të cilën hyri në polemikë. Për Proudhon faktet treshe, të ndeshura si në natyrë, ashtu dhe në histori, janë empirizëm i pastër dhe për të vetë formula hegeliane është një treshe vetëm për arbitrazhin e filozofit gjerman, i cili numëron tri terma, atje ku në realitet nuk janë veçse dy. Domethënë, antinomia nuk është e zgjidhshme, duke qenë e ndjeshme ndaj ekuilibrit. Për Proudhon çifte të kundërtash janë për shembull monopoli dhe konkurrenca, puna dhe konsumi, pronësia dhe shoqëria, aktiviteti individual dhe autoriteti, rendi dhe liria, socializmi dhe shkenca ekonomike. Në fushën sociale, për Proudhon ekuilibri është drejtësia. Kështu, për të, autoriteti dhe liria janë ide të kundërta, të destinuara që të jetojnë në luftë midis tyre ose të vdesin së bashku. Lufta midis autoritetit dhe lirisë do të jetë kështu e përjetshme, pikërisht siç është i përjetshëm konflikti midis natyrës dhe shpirtit. Sipas filozofit francez, parimi i autoritetit financiar, patriarkal, gjyqësor, monarkik dhe teokratik, i cili tenton nga hierarkia dhe nga centralizmi, jepet nga natyra, atje ku parimi i lirisë personale, individuale dhe kritike, i cili tenton ndaj dallimit, i jepet shpirtit. Pason që në një shoqëri, edhe në atë më autoritaren, ka gjithmonë një hapësirë të rezervuar për lirinë dhe se, paralelisht, në një shoqëri, edhe në atë më liberalen, ka një hapësirë të rezervuar për auoritetin.
Kështu, janë këto dy parimet themelore dhe antietike të çdo dhe të çfarëdo regjimi politik dhe historik njerëzor. Nga to burojnë kështu katër forma qeverisjeje, dy për secilin tip regjimi. Regjimin e tipit autoritar e kryesojnë le governemant de tous par un seul, domethënë monarkia, dhe le governement de tous par tous, domethënë anarkia, e quajtur ndryshe komunizëm: karakteri thelbësor i të dyjave qëndron në ndarjen e pushteteve të shtetit. Kurse regjimin e themeluar mbi lirinë e kryesojnë le governement de tous par chacun, domethënë demokracia, dhe le governement de chacun par chacun, domethënë anarkia, e quajtur ndryshe, me shprehje në anglishte, self-governement. Ajo që i karakterizon këto forma qeverisjeje është ndarja e pushteteve të shtetit. Proudhon analizon pastaj format e ndryshme të qeverisjes që shoqëria perëndimore ka eksperimentuar gjatë shekujve: monarkia, demokracia, komunizmi dhe anarkia dhe thekson se asnjëra prej tyre nuk ka mundur të jetojë duke ruajtur pastërtinë e parimit frymëzues pasi të gjithave i është dashur që t'u drejtohen sistemeve të kompromisit. Me fjalë të tjera, monarkia dhe demokracia (për të folur vetëm për format e qeverisjes më të njohura) për Proudhon nuk janë të realizueshme në mënyrë rigoroze, pasi që transformohen thellësisht gjithmonë në kalimin nga teoria në praktikë. Për më tepër, nga transformime të tilla (të gjitha për filozofin janë për më tepër të pashmangshëm) lind çdo formë qeverisjeje. Domethënë, duke ndjekur Proudhon, asnjë optimizëm nga momenti që për të monarkia bëhet në mënyrë të vazhdueshme kushtetuese dhe demokracia bëhet në mënyrë po aq konstante autokratike, duke përcaktuar kështu mbizotërimin tani të njërit dhe tani të tjetrit ekstremizëm. Kjo, thekson filozofi, na vë përballë një situate korrupsioni e skandali në kuptimin e vërtetë të fjalës, që vazhdon ta dominojë shoqërinë europiane. Për të dalë prej saj është e nevojshme të rindërtohet kështu ajo që Proudhon e quan "partia e revolucionit". Kërkimi proudhonian i drejtohet kështu afirmimit të supremacisë së fakteve sociale ndaj formave politike ekzistuese dhe dominuese, por për ta bërë një gjë të tillë, sipas tij, duhet një ndryshim i thellë perspektive, një revolucion që të përmbysë termat e problemit: në vend që të arrihet në shoqërim nëpërmjet qeverisë, të arrihet në qeveri nëpërmjet shoqërimit.
Shteti është shtet
Luftërat moderne kundër rendit social të Antico Regime, vlen për Proudhon që të shprehet kundër logjikës së pabarazisë, përfitojnë nga një seri konceptesh që i referohen sovranitetit të popullit, socializmit dhe sufrazhit universal. Por, thekson filozofi, bëhet fjalë për koncepte që nuk duhen absolutizuar dhe aq më pak mitizuar. Në fakt, kërkohet në mënyrë më konkrete të konsiderohen vlerat e politikës në kompleksitetin e tyre dhe në implikacionet e tyre të shumëfishta për t'ua përshtatur vazhdimisht kushteve reale që ofron përvoja. Tek Proudhon, përvoja sugjeron një vizion të ri të shoqërisë të mbështetur mbi autonominë e grupeve, domethënë një shoqëri e artikuluar në mënyrë që rendi ekonomik të mund të ekuilibrojë rendin më të përshtatshëm politik. Me pak fjalim, ideja e pushtetit të centralizuar ka perënduar. Dikur ky tip pushteti qe i nevojshëm kur mori detyrën, historikisht të rëndësishme, që të nënshtrojë interesa të shpërndarë, por përvoja moderne paraqet probleme të ndryshme, për zgjidhjen e të cilave nuk është më i mjaftueshëm parimi i sovranitetit unitar: përkundrazi, është deri pengesë ndaj progresit dhe emancipimit social të klasës punëtore dhe, kështu, duhet të zëvendësohet. Disa studiues, sidomos marksistë, duke mbajtur mend mendimin negativ e shprehur nga lideri i tyre lidhur me veprën e Proudhon, flasin për rikthim në forma feudale të organizimit politik në kuptimin e vërtetë të fjalës, por gjërat nuk janë tamam kështu. Federalizmi proudhonian bën më shumë të imagjinohet një rend social i ri, gjithsesi i lidhur me komplikimin e realitetit modern. Për të, shteti i centralizuar nuk mund të përmbushë as interesat reale të popullit, as të promovojë mirëkuptimet paqësore midis komuniteteve të ndryshme kombëtare dhe klasave të ndryshme sociale. Absolutizimi dhe, akoma më shumë, mitizimi i unitetit e bëjnë gjithnjë e më shumë të vështirë zgjidhjen e konflikteve sociale dhe ashpërson tensionet politike në brendësi të vetë një vendi. Në një shtet të centralizuar, populli i nënshtrohet një politike autoritare dhe despotike që pengon emancipimin e më pak të kamurve edhe kur bëhet fjalë për një shtet që shpallet në shërbim të masave. Në këtë aspekt, thotë Proudhon, vetë socializmi zbulon lidhje me kapitalizmin dhe kjo në logjikën centralizuese që predisponon regjimi autoritar. Kështu, për mendimtarin francez, vetëm federalizmi mund të përballojë këto rreziqe pasi shpreh një rend social të ri në gjendje që të përballojë gurgullimën e popullit, të kënaqë nevojat dhe të drejtat e punëtorëve, të zgjidhë problemin e marrëveshjes midis kapitalit të punës dhe kështu me radhë. Megjithatë, siç mund të kuptohet mirë, nuk bëhet fjalë për kundërshtim të thjeshtë ndaj centralizimit politik e administrativ, por për diçka më moderne dhe më domethënëse. Federalizmi i Proudhon duket në fakt, si instrumenti në gjendje të individualizojë problemet sociale dhe ekonomike në kompleksitetin e elementëve të tyre dhe që t'u projektojë zgjidhjet. Zgjidhje që një shtet i centralizuar absolutisht nuk mund t'i garantojë përderisa karakteristika e tij është ajo që t'u vendosë problemeve llogari të thjeshta pushteti. Veç kësaj, ndjenja kombëtare është proporcionalisht së prapthi me zgjerimin e shtetit. Një shtet i madh gëzon ndihmën e forcës. Ushtria e përhershme shërben për të mbajtur së bashku shtetin, i cili kërkon gjithmonë të inkorporojë territore të rinj dhe kjo do të jetë një prej shkaqeve të shpërbërjes së tij, pasi shteti unitar kufizon ndjenjat dhe gjeninë, aty ku në fakt federalizmi i amplifikon. Nëqoftëse merren në konsideratë veprat e njerëze relativisht më jetëgjata, domethënë veprat e artit dhe zbulimet shkencore, veçantitë kombëtare e humbasin rëndësinë dhe kjo sepse çdo vend duket i formuar nga të paktën nja 20 kombësi midis tyre të dallueshme, karakteri i të cilave, i vëzhguar në popull, është akoma fuqimisht i përcaktuar, arsye për të cilën një vend i madh nuk mund të mbahet përveçse me forcë. Pastaj, kur forca fillon të mungojë, ato që mbizotërojnë janë ndjeshmëritë lokale. Domethënë, sistemi federativ i kundërvihet hierarkisë, pse jo dhe centralizmit adiministrativ e qeveritar, ashtu si i kundërvihet demokracisë perandorake, monarkisë kushtetuese dhe republikës unitare. Në federatë masa e pushtetit të autoritetit qendror kufizohet në mënyrë graduale, duke ia dobësuar intensitetin dora dorës që konfederate zmadhohet prej aderimit të subjekteve të tjera politike. Sipas çdo gjase, federalizmi mund të realizohet vetëm në komunitete politike me entitet të vogël, pasi shtetet e mëdhenj janë për nga natyra autoritarë. Nevoja që kanë ato për t'u garantuar kundrejt tendencave libertare të shtetasve dhe kundër synimeve ekspansioniste të fqinjëve i detyron në fakt që herë pas here të jenë autoritare dhe luftarake. Në të kundërt, mund të shpresohet që shtetet me madhësi të vogël apo të mesme, të bashkuar në një federatë që ua rrit fuqinë, të jenë liberalë në brendësi dhe paqësorë ndaj vendeve të huaja.
Një hop qytetërues
Kështu, Proudhon është i bindur se nga federalizmi - dhe vetëm nga ai i gjithë qytetërimi do të pësojë një impuls të lumtur përderisa në të ligji, e drejta dhe drejtësia përfaqësojnë vullnetin e të gjithëve dhe kështu që janë arbitra të çdo autoriteti dhe të çdo besimi, të çdo kishe dhe të çdo feje. Konstant dhe deri realist rezulton në fakt lufta që ai kryen kundër parimit të autoritetit. Luftë që përfundon domosdoshmërisht për ta postuar debatin e luftës politike dhe ideologjike midis shteteve në brendësi të njeriut dhe të formave të organizimit të shoqërisë. Do të bëhet fjalë atëhere për të parë nëse i duhet dhënë kredit parimit të nevojës dhe të domosdoshmërisë të pushtetit shtetëror apo nëse duhet më shumë të promovohen aftësitë e vetëqeverisjes së individëve dhe të grupeve, nëse secili të mbahet vetë dhe shoqëria të mbahet nëpërmjet formave të shoqërimit të lirë dhe të reciprokizmit. Nga kjo nevojë e ndjerë në mënyrë intime nga Proudhon buron i gjithë federalizmi i tij si evolucion natyror i idesë së revolucionit ekonomik dhe social që ai ushqen. Është kështu që Proudhon arrin të shprehet në favor të konceptit të revolucionit, edhe pse jo të atij të teorizuar nga Marksi, që paraqitet si i fundit dhe përfundimtar. Domethënia e revolucionit tek Proudhon është në fakt shumë e ndryshme, përderisa përfaqëson vetëm një moment të procesit historik, jo konkluzionin definitiv të tij dhe vetë federalizmi, në mendimin e tij, nuk është formula përfundimtare, por më shumë kërkimi i saj. Në bazë të saj, filozofi vendos në fakt praktikën e kontratës, e cila buron drejtpërsëdrejti nga marrëveshja midis lirive individuale dhe që, pikërisht për këtë, mund të zgjidhet dhe rinovohet gjithmonë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA





