Përse jemi këta që jemi?


Pasuria, sipas H.L.Menken, një satirist amerikan i shekullit të kaluar, "është një e ardhur, e cila është të paktën 100 dollarë më shumë në vit se sa të ardhurat e bashkëshortit të motrës së gruas". I përshtatur me inflacionin që nga viti 1949, ky nuk është një përcaktim i keq. Po përse ata që janë mirë ekonomikisht ndiejnë nevojën të fitojnë më shumë se të tjerët? Dhe përse është shumë e vështirë të zhduket varfëria?

Amerika, vendlindja e Menkenit, ekzekuton afro 40 vjet në vit për vrasje. Megjithatë, ka ende një numër të lartë vrasjesh. Përse njerëzit vrasin njëri-tjetrin kur ata pothuajse gjithmonë kapen dhe, të paktën në Amerikë, si pasojë edhe ekzekutohen shpesh herë?

Përse ndodh që, pas 80 vitesh që gratë kanë të drejtë vote dhe pas 40 vitesh nga revolucioni feminist, burrat vazhdojnë të fitojnë më shumë se gratë? Dhe përse shumë njerëz urrejnë të tjerët, thjesht sepse kanë një ngjyrë lëkure tjetër?

Tradicionalisht, përgjigjet ndaj pyetjeve të tilla dhe shumë të tjerave mbi jetën moderne, janë kërkuar në filozofi, sociologji e madje edhe në besimin fetar. Por, përgjigjet kanë qenë përgjithësisht jo të kënaqshme. Ato përshkruajnë, në vend që të shpjegojnë. Nuk i hyjnë në thelb se çfarë do të thotë me të vërtetë të jesh qenie njerëzore. Politika e bazuar mbi to nuk funksionon. Kjo ka ndodhur sepse ato injorojnë forcat që i bëjnë njerëzit këta që janë: forcat e evolucionit.

Arsyet që shkaktojnë këtë injorancë janë komplekse. Filozofët kanë predikuar se ekziston një dallim i paafrueshëm mes njerëzve dhe kafshëve. Sociologët janë joshur nga idetë marksiste mbi përsosmërinë e njerëzimit. Teologët janë trembur se vetë mendimi i evolucionit rrezikon shpjegimet hyjnore mbi botën. Edhe vetë pjesëtarët e iluminimit, njerëz që për asnjë moment nuk do të vinin në dyshim paraardhësin e njeriut, që është majmuni, shpesh herë shprehen skeptikë. Ata besojnë, siç shprehet me elegancë An Kempbëll, një psikologe në Universiteti Durham në Angli, se evolucioni ndalet tek qafa: pra që anatomia njerëzore është zhvilluar, por sjellja njerëzore përcaktohet prej kulturës.

Konkluzion i kësaj është ideja që me një arsim të përshtatshëm, me indoktrinim, kushte sociale, njerëzit mund të bëhen të veprojnë në pothuajse çdo mënyrë që mund të imagjinohet. Megjithatë, provat janë që ata nuk munden. Hapësira për t'i dhënë formë sjelljes së tyre është në fakt e kufizuar. Nëse nuk kuptohet kjo, bashkë me biologjinë e sjelljes që ndikon veprimet tona, çdo përpjekje për të manipuluar atë do të dështojë. Fatkeqësisht, edhe në një kohë kur po afrohet 150-vjetori i kryeveprës së Darvinit, "Origjina e specieve", ky fakt nuk është pranuar asnjëherë tërësisht. Atëherë, ka ardhur koha për të parë se çfarë ka për t'i ofruar analiza darviniane një politikëbërësi dhe nëse ajo mund të bëjë një dallim praktik për rezultatin.

Vëzhgimi i Menken shpjegon qartë dy aspekte të jetës moderne. Njëra është mendjehapësia e rritjes ekonomike. Tjetra është se, pavarësisht sa i pasur bëhet vendi yt, të varfërit do t'i kesh gjithmonë aty. Po si shpjegohet vëzhgimi i Menken?

Për një darvinist, jeta është për dy gjëra: mbijetesë dhe riprodhim. Nga të dyja, e dyta është më e rëndësishme. Thënë më troc, e vetmja pikë darviniste mbijetese është riprodhimi. Si pasojë, pjesa më e madhe e jetës së përditshme është përpjekje për t'u dukur, në mënyra që tërheqin seksin e kundërt dhe trembin ata të të njëjtit seks. Tek qeniet njerëzore, janë të dy gjinitë që e bëjnë këtë. Burrat e bëjnë më shumë se gratë. Statusi dhe hierarkia kanë rëndësi. Dhe në shoqërinë moderne, statusi arrihet nëpërmjet parasë.

Vajzave u ka pëlqyer gjithmonë një njeri i pasur. Darvinistët më parë mendonin se kjo vinte për shkak të aftësisë së tij për të siguruar anën materiale për fëmijët. Nuk ka asnjë dyshim që edhe kjo ka një vend. Por, biologët evolucionarë mendojnë pikësëpari se ajo që ndodh është një konkurencë për gene dhe jo për mallra. Individë të sërës së lartë ka më shumë gjasa të zotërojnë gene që nxisin shëndetin dhe inteligjencën dhe ata të seksit të kundërt janë grishur nga evolucioni për të vepruar në përputhje me këtë. Një burrë i sërës së lartë do të ketë më shumë shanse për t'u çiftuar. Një grua e sërës së lartë mund të ketë më shumë zgjedhje për partnerin.

Për burrat, të paktën, kjo është e tregueshme. Biologët evolucionarë janë të prirur të përmendin shembuj ekstremë për të vërtetuar hipotezën e tyre, ku shembulli më i famshëm është Moulay Ismail Gjakpirësi, një sundues maroken, i cili u bë baba i mbi 1000 fëmijëve. Por mbretërit kanë fuqi shtrënguese. Disa shembuj më të mirë ofrohen nga Xho Staduell, në librin e tij "Kumbarë aziatikë", në të cilin shqyrton me imtësi jetët e biznesmenëve. Stenli Ho, një operator veteran në Hong Kong dhe Makau ka 17 fëmijë, që i ka lindur me gra të ndryshme. Oei Tiong Ham, një manjat që vdiq në vitin 1924, kishte 18 mantenuta dhe 42 fëmijë. Marrëdhënia ka shembuj edhe më poshtë në shkallën shoqërore. Denil Netëll dhe Tomas Polet të Universitetit të Njukasëllit treguan kohët e fundit se në Britani, numri i fëmijëve që ka një burrë lidhet zakonisht me të ardhurat e tij, pavarësisht përhapjes së kontraceptivëve.

Por statusi është gjithmonë relativ: lidhet me paratë sepse ai nxit dëshirën për të fituar më shumë me qëllim eleminimin e konkurencës. Ky është motorri bazë i rritjes ekonomike. Përderisa statusi është një shënjestër në lëvizje, nuk ekziston koncepti i "parasë së mjaftueshme".

Natyra relative e statusit shpjegon paradoksin e vërejtur në vitin 1974 nga një ekonomist i quajtur Ricard Istërlin që, ndërsa njerëzit e pasur janë më të lumtur se njerëzit e varfër brenda një shteti, lumturia mesatare nuk rritet ndërkohë që ky shtet pasurohet më tej. Kohët e fundit është vënë në diskutim kjo ide. Por, nëse ajo i reziston kësaj këqyrje të imtësishme, atëherë nënkupton se argumenti i tregut të lirë - pra që, përderisa rritja ekonomike bën gjithkënd të jetë më mirë, nuk ka rëndësi që disa janë më mirë se të tjerët - nuk qëndron, të paktën nëse ajo shprehja "më mirë" matet sipas lumturisë. Ajo që në fakt ka rëndësi, sugjeron darvinizmi, është se një shoqëri e lirë i lejon njerëzit të ngjiten në hierarki përmes përpjekjeve të tyre: thënë ndryshe, ëndrra amerikane.

Në anën tjetër, shpjegimi darvinist i mbështetjes së vazhdueshme për kapitalizmin është se, ndonëse të varfërosh të pasurit nuk do të thotë që ke pasuruar të varfërit në terma financiarë, kjo gjë do të ndryshonte hierarkinë ashtu si do të dëshironin ata që janë më poshtë në shkallë.

Kur ata që merren me kërkime pyesin njerëzit nëse do të donin të ishin relativisht më të pasur se sa shokët e tyre, edhe nëse kjo do të thotë se janë më keq në terma absolutë, përgjigja është po. (A do të donit më mirë të fitoni 100000 dollarë kur shokët tuaj fitojnë 50000, apo 150000 kur gjithë të tjerët fitojnë 300000?) Arsyeja pse socializmi nuk funksionon në praktikë është se kjo nuk është pyetje që shumica i bëjnë vetes. Të gjithë pyesin si të fitojnë 300000 kur të gjithë njerëzit përreth tyre fitojnë 50000.

Një analizë darviniste mbështet një argument që shpesh herë bëhet nga e majta dhe që hidhet poshtë me përçmim (dhe me të drejtë) nga e djathta. Pra që varfëria është relative. Demonstrimi më i spikatur i kësaj, i zbuluar nga Riçard Uilkinson i Universitetit të Notingamit në Angli, është se sapo rritja ekonomike ka nxjerrë një vend nga mjerimi, banorët e tij ka më shumë gjasa të jetojnë jetë më të gjata e më të shëndetshme, nëse nuk ka diferenca të mëdha mes të ardhurave të tyre. Kjo nënkupton se vende më të varfëra me ndryshime më të vogla në të ardhura mund të ecin më mirë se sa vendet e pasura me të ardhura më të larta. Eshtë gjithashtu e vërtetë, siç është demonstruar nga Majkëll Marmot, i Kolegjit Universitar në Londër, se ata që janë në fund të hierarkive sociale kanë shëndet më të keq se sa ata në majë - edhe kur të gjithë variablat e tjera eleminohen statistikisht, duke përfshirë edhe faktin se ata që janë më të shëndetshëm kanë më shumë gjasa të ngjiten në majë.

Në vitet shtatëdhjetë, kur Dr. Marmot bëri këtë vëzhgim, opinioni i ekspertëve parashikoi të kundërtën. Drejtuesit përjetonin më shumë stres se sa punëtorët e thjeshtë dhe kjo pritej të shfaqej në formën e atakeve në zemër e kështu me radhë. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Eshtë dështimi darvinist i të qënit në fund të stivës që shkakton vërtet stres dhe që bën dëm për shëndetin. Kjo ndoshta shpjegon modelet e vdekshmërisë së shumë vendeve.

Kështu që, në këtë rast, konkluzioni darvinist është se nuk ka përgjigje të drejtë - ose të paktën nuk ka përgjigje utopiste. Sigurisht, nuk ka nevojë të jesh darvinist për të zbuluar se çdo kompeticion ka humbës. Pika iluminuese këtu është se humbja ka një kosto reale, jo thjeshtë mungesën e fitimit. Me kostot kaq të larta - vdekje të hershme për dështimet dhe vazhdueshmëri genetike për sukseset - nuk është aspak befasues fakti që ata që ndodhen në fund të pirgut ndonjëherë kërkojnë status, ose të paktën "respekt" në rrugë të tjera. Eshtë një pikë që duhet të merret seriozisht nga politikëbërësit. Sepse ato "rrugë të tjera" janë gjithashtu të shpjegueshme nga darvinizmi.

Që krimi është shprehje egoizmi, kjo zor se përbën lajm. Por ideja që sjellja kriminale është një reagim i zhvilluar ndaj rrethanave tingëllon tronditëse. Kjo vë në dyshim shpjegimin moral se krimi kryhet "nga njerëz të këqinj". Megjithatë, ky shpjegim është në vetvete i dyshimtë edhe në një analizë darviniste: evolucioni shpjegon ndoshta përse disa sjellje konsiderohen se vlen të ndëshkohen.

Studimi i rrënjëve evolucionare të krimit nisi me veprat e Martin Dali dhe Margo Uilson, një çift të martuarish që punojnë bashkë në Universitetin Mekmaster në Kanada. Ata shqyrtuan atë që zakonisht shihet si krimi më i rëndë nga të gjithë, vrasja.

Që vrasësit janë zakonisht të rinj, kjo dihet, por Dali dhe Uilson gërmuan pak më thellë. Ata zbuluan se ndonëse normat e vrasjeve ndryshojnë nga një vend në tjetrin, modeli nuk ndryshon. Hidh në një diagramë normën e vrasjeve kundrejt moshës së keqbërësve dhe piku do të jetë i njëjtë. Veç kësaj, edhe modeli i viktimave është i ngjashëm. Edhe ata janë kryesisht të rinj. Në studimin origjinal, 86% e viktimave të vrasësve meshkuj mes moshave 15 dhe 19 vjeç ishin gjithashtu meshkuj. Ky është një tregues i asaj që ndodh. Pjesa më e madhe e dhunës (domethënë edhe vrasjes, që është shprehja më ekstreme e dhunës) është pasojë e konkurencës mes burrave të rinj, të papunë, të pamartuar. Në këndvështrimin e darvinistëve, këta meshkuj ose konkurojnë drejtpërdrejtë për gra ("Mos po shihje gjë të dashurën time, Xhimi?"), ose konkurojnë për status ('Po tallesh gjë me mua ti?")

Kjo nuk do të thotë se krime të dhunshme nuk janë shpesh krime prej varfërisë. Por kjo është pikërisht ajo çfarë parashikon darvinizmi. Nuk ka nevojë të nxjerrësh në pah idenë se njerëzit "lindin kriminelë". Gjithë sa kërkohet është evolucioni i një fleksibiliteti të mjaftueshëm të sjelljes, që ndihmon për të reaguar ashtu si duhet atëherë kur dhuna është reagimi më i duhur.

Krim…

Një analizë evolucionare shpjegon shumë gjëra mbi krimin (jo thjesht vrasjen) - sidomos përse shumica e kriminelëve janë meshkuj me një status të ulët. Një grua rrallë ka vështirësi të gjejë një partner, edhe kur ai nuk përmbush idealet e saj. Në botën e Mulai Ismail Gjakpirësit, një burrë me status të ulët shoqëror duhet të hidhet në pirgun e mbeturinave, pasi për të nuk ka aspak gra të disponueshme. Ndonëse bota në të cilën u zhvillua njerëzimi nuk ka qenë aspak aq poligame sa ajo e Mulai Ismailit, ajo nga ana tjetër as nuk i ngjante botës moderne të monogamisë. Në ato rrethana, nëse alternativa do të ishte dështimi i riprodhimit, riskimi me pasojat e dhunës do të jetë menduar si një bast që ia vlen ta vësh - dhe instiktet janë zhvilluar në përputhje me këtë.

Për arsye të ngjashme, nuk është habi për darvinistët që ata që përdhunojnë të huaj janë gjithashtu njerëz me status të ulët shoqëror. Çuditërisht, duke e konsideruar si akt që mund të sjellë një fëmijë, ideja që përdhunimi është një sjellje e zhvilluar është edhe më kontroverse se sa shpjegimi darvinist për vrasjen. Rendi Tornhill i Universitetit të Nju Meksikos, i cili e propozi këtë ide mbi bazën e të dhënave kriminale dhe duke krahasuar njeriun me specie të tjera, u kritikua ashpër nga feministët që ndienin se ai në një farë mënyre po justifikonte këtë krim. Nga ana tjetër, është shndërruar si një formulë mes disa feministëve, që të gjithë burrat janë përdhunues, gjë që tingëllon shumë si këndvështrimi i kundërt: determinizmi biologjik.

Vrasja e fëmijëve, gjithashtu mund të shpjegohet në mënyrë evolucionare. Nuk ka kuptim që të vrasësh bartësit e geneve të tua drejt brezave të ardhshëm. Dhe në të vërtetë, zakonisht nuk ndodh kështu. Por sociologët nuk kanë arritur ta vërejnë këtë gjë. Vetëm kur Dali dhe Uilson nisën të bëjnë kërkime në këtë fushë, ata zbuluan se një fëmijë nën moshën 5 vjeç ka më shumë gjasa të vuajë një vdekje jonatyrore në një shtëpi me një njerk të pranishëm, se sa kur aty janë të pranishëm prindërit biologjikë.

Këtu, qeniet njerëzore ndjekin një model që është shumë i përhapur mes gjitarëve: armiqësia e mashkullit ndaj pjellës së një femre me partnerë të mëhershëm. Tek disa specie si luanët, kjo çon në vrasje të të vegjëlve. Tek njerezit, gjërat nuk janë gjithmonë kaq brutale dhe eksplicite. Porneglizhimi, si dhe një prag i ulët irritimi përballë kërkesave të një njeriu jo të afërm, mund të kenë të njëjtin efekt.

Eshtë intrigues fakti që, nëse një prind genetik është vrasës, ndodh shpesh që kjo është nëna. Nënat fëmijëvrasëse janë zakonisht të reja. Një nënë e re në moshë ka shumë vite riprodhimi potencial përpara saj. Nëse rrethanat nuk janë të favorshme për të, kostoja e rezultatit të saj total riprodhues të rritjes së një fëmije mund të kalojë riskun e vrasjes së foshnjës. Nuk është habi që vrasjet e foshnjave prej nënave janë krime që ndodhin kryesisht nga gra të varfra dhe pa partnerë.

Shumë njerëz mund të ndiejnë keqardhje për ata që shtyhen të kryejnë këtë formë vrasjeje. Por në përgjithësi, krimet si vrasja dhe përdhunimi provokojnë një dëshirë për të ndëshkuar fajtorët dhe jo për t'i falur ata. Edhe ky është ndoshta një reagim evolucionar - dhe mund të jetë unik tek qeniet njerëzore. Asnjë gjykatë nuk gjykon çështjen e një rosaku që ka përdhunuar një rosë. Një luaneshë mund të përpiqet të mbrojë të vegjëlit e saj nga luani që kërkon t'i vrasë, por nëse nuk arrin ajo nuk planifikon hakmarrje kundër luanit që kreu vrasjen; përkundrazi, ajo zakonisht bën seks me të. Idetë për hakmarrje dhe ndëshkim i kanë rrënjët thellë në psikikën njerëzore.

…dhe ndëshkim

Ekonomistët janë mëdyshur për një kohë të gjata nga rezultati rutinë i një loje, në të cilën një lojtar ndan një shumë parash mes vetes së tij dhe një konkurenti, i cili më pas vendos nëse ndarja është e drejtë. Nëse lojtari i dytë vendos që ndarja nuk është e drejtë, asnjëri prej të dyve nuk merr asgjë.

E çuditshmja në këtë lojë është se, me qëllim që të ndëshkojë lojtarin e parë për egoizmin e tij, lojtari i dytë duhet që me vetëdije të heqë dorë nga gjithçka duke refuzuar ofertën. Shumë biologë evolucionarë ndiejnë se ideja se drejtësisë që ilustron kjo lojë, si dhe gatishmëria e njërit lojtar për të ndëshkuar tjetrin, qoftë edhe me një kosto ndaj vetes së tij, janë mes gjërave që kanë lejuar qeniet njerëzore të bëhen specie kaq të suksesshme dhe bashkëpunuese. Në botën e vogël sociale në të cilën kanë evoluar qeniet njerëzore, njerëzit kanë patur të bëjnë herë pas here me të njëjtët fqinjë. Ndëshkimi i një hileqari ka pasoja të dëshirueshme afatgjata për personin që kryen ndëshkimin, si dhe për grupin në tërësi. Në të ardhmen, hileqari ose nuk do të merret me të, ose do ta bëjë këtë ndershmërisht. Evolucioni do të favorizojë zhvillimin e emocioneve që i bëjnë automatikë reagime të tillë.

Ashtu si për hilenë, kjo vlen edhe për sjelljet e tjera të këqia, deri tek vrasja e të afërmve dhe miqve. Veç kësaj, nëse kryhet publikisht, ndëshkimi dërgon të njëjtin mesazh tek ata që mund të mendojnë të ecin në të njëjtën rrugë.

Kështu që, është një prej mrekullive të qytetërimit që ndëshkimi dhe hakmarrja, në pjesën më të madhe janë institucionalizuar. Por që të jetë i suksesshëm, ndëshkimi i institucionalizuar duhet të shihet si një rezultat i duhur nga individët që janë dëmtuar. Përndryshe, ata mund të kërkojnë hakmarrjen e tyre. Kjo mund të shqetësojë ata që mendojnë se reformimi i një krimineli duhet të jetë qëllimi kryesor i një dënimi. Nëse njerëzit nuk besojnë më se ndëshkimi i shkon për shtat krimit, atëherë një darvinist do të parashikonte se njerëzit do të pushonin së mbështeturi sistemin e drejtësisë.

Edhe përmbajtja nuk funksionon gjithmonë. Normalisht, ndëshkimi kapital duhet të jetë frenuesi më efektiv. Por nuk duket të jetë. Satoshi Kanazava, një psikolog i evolucionit në Shkollën e Ekonomisë së Londrës, sugjeron se kjo është një tjetër provë e natyrës së lidhur me riprodhimin që ka vrasja. Përderisa dështimi për t'u riprodhuar është gjithsesi një qorrsokak darvinist, riskimi i vdekjes për të shmangur atë fat nuk është gjë aq e marrë sa duket.

Vendi i një gruaje

Krimi është një fushë ku shumica e grave janë të pabarabarta me burrat. Kjo nuk i shqetëson feministët, por ndoshta duhet. Sepse mund të reflektojë një të vërtetë më të gjerë, e cila mund t'u shkaktojë parehati atyre që besojnë se sekset jo vetëm duhet të kenë të drejta të barabarta, por edhe të kenë rezultate të barabartë. Kur rezultatet janë të pabarabartë në fusha të sjelljes të pranueshme shoqërisht si punësimi, shpesh herë kjo interpretohet si shenjë diskriminimi. Por njerëzit që nxjerrin këtë konkluzion rrallëherë konsiderojnë se diskriminimi në fjalë shpesh mund të jetë duke u ushtruar nga vetë gratë e disavantazhuara.

Një shembull klasik janë të ardhurat. Gratë fitojnë më pak se burrat. Apo jo? Një raport i kohëve të fundit i Institutit të Çështjeve Ekonomike, një "think tank" britanik, zbuloi se gratë britanike të moshave nga 22 në 29 vjeç në punësim të plotë fitonin vetëm 1% më pak se meshkujt. Kjo grupmoshë korrespondon me shumë gra në periudhën kur janë pa partnerë. Pasi gjejnë partnerin më të mirë në dispozicion, përllogaritjet ndryshojnë: një grua nuk ka më nevojë të duket.

Në këtë kontekst, nuk është habi që gratë më të moshuara fitojnë më pak se meshkujt. Një arsye është se tashmë e vrasin më pak mendjen për fitimet.

Ndonëse ka një argument të fuqishëm për përmirësimin e kushteve të punës për të dy gjinitë, e vërteta është se shumë gra nuk e vrasin aq shumë mendjen për të luftuar për karrierë sa burrat. Burrat, sipas raportit, janë më të motivuar nga paga dhe më pak të motivuar nga kënaqësia në punë se sa gratë. Nëse janë drejtues, ata janë më të prirur të punojnë me orë të zgjatura. Ata ndërmarin gjithashtu më shumë risqe.

Pasoja, siç thotë Len Shekëllton, autori kryesor i raportit, është se: "Besimi i përhapur se hendeku i pagesës mes gjinive është reflektim i diskriminimit të punëdhënësve është keqinformues dhe një kontribut i padobishëm për debatin. Hendeku i pagave po ngushtohet, por ai është reflektim i preferencave të individëve për stilin e tyre të jetesës. Qeveritë nuk mund të rregullojnë këto dhe nuk duhet". Megjithatë, ai nuk ka shtuar se këto preferenca janë shpesh rezultat i dallimeve biologjike mes sekseve.

Ajo që thuhet për pagën mund të vlejë edhe për zgjedhjen e karrierës. Në njërin ekstrem, thotë Kingslej Braun i Universitetit të Uejn Steit në Miçigan, është marrëzi të presësh rezultate të njëjta në organizata si Forcat e Armatosura. Jo vetëm që burrat janë më të fuqishëm dhe më agresivë, por siç thotë Braun, psikologjia e të dy sekseve ka evoluuar për të besuar burrat në luftim, pikërisht për shkak të këtij agresioni dhe kësaj force. Në anën tjetër të shkallës, është ndoshta një përzierje e kundërt e aftësive të zhvilluara që shkakton dominimin prej femrave të profesioneve të tillë si infermieria.

Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë ushtare të mira apo infermierë të mirë. E qartë që mund të ketë. Por fakti se janë më të rrallë se ata të seksit të kundërt nuk është shenjë diskriminimi. Një analizë darviniste nuk mund të thotë se ku do të qëndronte ekuilibri në një botë pa diskriminim. Por mund të thotë me jo pak besim se ky ekuilibër shpesh nuk do të jetë 50/50.

Shumëkush mund të shprehet me siguri për një interpretim të tillë darvinist të feminizmit dhe mund të thotë se është një rrugë rrethore drejt një destinacioni tradicional. Nuk është.

Gara drejt finishit

Dallimi racor është një terren ku darvinistët modernë janë trembur që të ecin, deri së fundmi. Nuk është habi, po të kesh parasysh historinë e kësaj teme. Shumë biologë evolucionarë të hershëm mendonin që, ashtu si njeriu është një majmun i lartësuar, ashtu edhe njeriu i bardhë evropian është zeniti i njerëzimit dhe njerëzit në pjesë të tjera të botës janë domosdoshmërisht inferiorë.

Pasojat e kësaj kanë qenë të tmerrshme. Sepse u dha një lloj respektueshmërie intelektuale tmerreve eugjenikë që e patën kulmin me kampet nazistë të vdekjes. Në fakt, ky është një prej burimeve të këndvështrimit që evolucioni është "ndalur tek qafa". Por biologjia evolucionare është duke bërë ndryshime. Duke përmbysur kuptimin se çfarë është në të vërtetë raca, ajo mund të ofrojë mjetet për të lejuar njerëz të bekgraundeve të ndryshëm që të jetojnë në harmoni.

Vëzhgimi i vet i parë është shumë i zymtë. Domethënë që racizmi, ose të paktën ksenofobia, është një tipar njerëzor i ngulitur thellë. Por vëzhgimi i dytë është se, definicioni tradicional i racës - tendenca e njerëzve që jetojnë në pjesë të ndryshme të botës për të patur ngjyrë të ndryshme lëkure, flokësh dhe fizionomi të ndryshme - nuk ka shtrirje më të gjerë në fusha të tilla si inteligjenca. Kështu që, paragjykimi racor është vetëm kaq: paragjykim.

Ajo që propozohet nga një tjetër çift bashkëshortësh darvinistë, Leda Kozmides dhe Xhon Tubi, të Universitetit të Kalifornias, Santa Barbara, është një teori etnie e cila shpjegon mishmashin e kategorive që antropologët janë përpjekur të fusin në klasën e përgjithshme të "racës". A janë raca hebrenjtë dhe sikhët? A janë serbët dhe kroatët, që ndajnë fenë e tyre me të tjerë, por jo me njëri-tjetrin, por që asnjë geneticist nuk mund t'i veçojë. Këta shembuj dhe të tjerë të ngjashëm, argumentojnë se raca nuk ka kuptim biologjik. Por ajo ka. Thjeshtë nuk është kuptimi tradicional.

Psikologët socialë kanë vëzhguar prej kohësh se, në takimin e parë, njerëzit automatikisht e klasifikojnë njëri-tjetrin në tri mënyra: sipas seksit, moshës dhe racës. Por Dr. Kozmides dhe Dr. Tubi thonë se që përpara se të ekzistonte transporti afatgjatë, vetëm dy prej këtyre do të kishin patur lidhje. Njerëz të moshave dhe sekseve të ndryshme takoheshin; njerëz të racave të ndryshme nuk takoheshin.

Dy studiuesit argumentojnë se diskriminimi racial modern është një reagim i tepruar i atij që mund të quhet një "detektor" aleancash në trurin e njeriut. Në një botë ku njësia më e madhe sociale është tribuja, klani apo çdo njësi tjetër me njëqind vetë, fqinjët dhe aleatët e tu me shumë gjasa do të të ngjajnë dhe të veprojnë njësoj si ty. Megjithatë, siç dihet nga historia moderne dhe nga provat arkeologjike, tributë fqinje janë shpesh herë armiqësore ndaj njëra-tjetrës.

Ndonëse një individ mund të pritet që të njohë personalisht shumë pjesëtarë të tribusë së tij, ai ndoshta nuk do t'i njohë të gjithë. Kështu që, duhet të ketë një avantazh biologjik në shenjat tribale. Aleatë të mundshëm do të identifikonin shumë shpejt se çfarë i dallon nga të tjerët dhe çfarë i dallon të tjerët nga ata - dhe duke qenë se këto dallime me shumë gjasa do të ishin të vegjël, detektori ka nevojë të jetë shumë i ndjeshëm.

Në të kaluarën, shenjues të tillë kanë qenë shpesh kulturorë, përderisa dallimet fizikë do të kishin qenë minimale. Një shembull domethënës ndodhet në Bibël:

"Ata i thanë: tani thuaj Shiboleth dhe ai tha Siboleth, sepse ai nuk mund ta shqiptonte si duhej. Më pas, ata e morën dhe e therën". Ata që e pyesnin ishin Gileatidët. Viktima, një Eframit. Tributë nuk kishin dallime fizike, kështu që spastruesit etnikë Gileaditë bazoheshin në tiket linguistikë.

Në një botë ku edhe një zanore mund të të vrasë, një ngjyrë e ndryshme lëkure është shenjë e fortë identiteti. Megjithatë, nuk është sinjal unik. Eksperimentet që Dr. Kozmides, dr. Tubi dhe studentët e tyre kanë kryer në Amerikë dhe në Brazil (një tjetër vend me raca të përziera) tregojnë se është e lehtë të rishenjosh edhe njerëz me ngjyra të ndryshme lëkure, duke nxjerrë në pah simbole të tjerë besnikërie - siç ndodh kur sportistët vishen me fanela me ngjyra. Veç kësaj, Endrju Pener i Universitetit të Kalifornisë dhe Alija Saperstein i Universitetit të Oregonit, kanë treguar se perceptimi i racës së një personi mund të ndryshojë në botën reale. Shumë njerëz mund të zhvendosen nga të qënit "të bardhë" në të "zinj", si në sytë e tyre, ashtu edhe në sytë e të tjerëve, si reagim ndaj papunësisë, varfërimit apo burgosjes.

Eshtë një kujtesë e sikletshme e mënyrës se si funksionon solidariteti në Amerikë. Megjithatë, kjo analizë sjell me vete shpresën se nuk ka asgjë të veçantë në shenja të veçanta biologjike si ngjyra e lëkurës. Nëse shenjat e tjera të anëtarësisë në grupe mund të përforcohen, ato tradicionalet mund të zbehen edhe pse nuk zhduken tërësisht. Nëse kjo teori e racës është e saktë, ajo ofron një recetë të fortë: politikat që nxisin grupet të ruajnë identitetin e tyre brenda një shoqërie do të shkaktojnë telashe, por ato që inkurajojnë integrimin kulturor do t'i zbusin gjërat.

Në praktikë, historia e vendit me raca më të përziera në botë e mbështet këtë ide. Atëherë kur është nxitur integrimi, siç ka ndodhur me pasardhësit e imigrantëve evropianë në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, dallimet etnike janë zhdukur. Kur integrimi është dekurajuar, siç ka ndodhur me pasardhësit e skllevërve të çliruar pak para mbërritjes së atyre evropianëve, dallimet janë përforcuar. Edhe në Britani, politika zyrtare duket se po zhvendoset nga multikulturalizmi, që lartësonte diversitetin dhe si rrjedhim inkurajonte dallimet, në një përpjekje për të krijuar një konsensus kulturor.

Siç shihet, një analizë darviniste hedh dritë në një numër çështjesh të rëndësishme. Ka edhe të tjera. Rritja e sindromës metaboliste për darvinistët është pasojë e njerëzve që përpiqen të shuajnë oreksin për sheqer dhe yndyrna, mbi të cilat evolucioni nuk vë frena, sepse kanë qenë kaq të rrallë në botën reale. Dhe refuzimi i njerëzve për të zbatuar modele sjelljeje të këshilluar prej ekonomisë klasike ka nxitur tashmë krijimin e një fushe të quajtur ekonomia e sjelljes që ka shpesh herë darvinizmin në origjinën e saj.

Askush nuk thotë se darvinizmi ka të gjithë përgjigjet ndaj çështjeve sociale. Në të vërtetë, me disa, si për shembull rolin e hierarkive, ai sugjeron se nuk ka aspak përgjigje përfundimtare - edhe ky në vetvete një konkluzion i rëndësishëm. Megjithatë, ajo që të habit është se sa rrallë një analizë darviniste është pjesë e politikëbërjes. Për të bërë një analogji, është njësoj si të përpiqesh të ndreqësh një makinë pa e ditur se si punon ajo: jo e pamundur, por gjasat që të prishet janë po aq sa ato që të ndreqet. Ndoshta, pas një shekulli e gjysmë është koha që të pranojmë, por edhe të kuptojmë se qeniet njerëzore janë krijesa të evoluara. Në fund të fundit, të njohësh vetveten është edhe fillimi i dijes.