LK: Arsenali me një këmbë në fazën e grupeve

Topçinjtë e Arsenalit kanë shënuar fitore me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë kualifikues për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, në udhëtim te ekipi skocez Celtic.

Nga një gol në secilën pjesë ndaj Celticut, i kanë mjaftuar Arsenalit të kthehet më i qetë në Londër, në përgatitje për sfidat e radhës.

Ish-kapiteni William Gallas ishte autor i golit të parë në fund të pjesës së parë të ndeshjes (43’), pasi devijoi një goditje të kapiteni të tashëm Cesc Fabregas nga gjuajtja e lirë.

Goli i dytë ishte dhuratë nga mbrojtësi vendas Gary Caldwell, i cili devijoi drejt golit një harkim të Gael Clichy, në minutën e 71-të të lojës.

Nga ndeshjet tjera të Ligës së Kampionëve, Copenhageni ka shënuar fitore minimale ndaj Apoel, para tifozëve të vet, derisa fitore në udhëtim kanë shënuar Olimpiakos përballë Sheriff dhe Suttgarti përballë Timisoara, që të dyja me rezultat 2-0. Fitorentina ka barazuar në fushë të Sporting Lisbonës.