Kultura dhe pushteti


Nga Ernest Gellner

Njerëzit gjithmonë kanë qenë të pajisur me kulturë: një mënyrë e përbashkët e të shprehurit me fjalë, shprehje të fytyrës, gjuha trupore, stili i të veshurit, përgatitja dhe konsumimi i ushqimit, e kështu me radhë. Kultura nuk është identike te të gjithë njerëzit: diversiteti kulturor është një nga karakteristikat kryesore të jetës njerëzore.

Rëndësia e kulturës i dallon njerëzit nga speciet e tjera. Kultura ndoshta nuk mungon tërësisht në jetën shtazarake: në grupe kafshësh, herë-herë mund të gjenden tipare që përcillen nga një brez te tjetri, jo gjenetikisht, porse në rrugë sociale. Në të tilla raste, ky lloj tipari mund ta dallojë një grup të dhënë prej një tjetri nga i cili mund të jetë gjenetikisht i padallueshëm. Por ndonëse kultura në këtë kuptim themelor - gjedhet e të sjellurit të përcjella nëpërmjet ndjekjes së shembullit, jo nëpërmjet ndërveprimit të dispozitivit gjenetik me mjedisin - shfaqet në doza të vogla te disa kafshë, rëndësia dhe përhapja e saj as që mund të krahasohen me kulturën gjejmë te qeniet njerëzore.

Fakti që jemi gjithsesi të aftë për “kulturë” padyshim që përmban një predispozitë gjenetike. Ndoshta kjo predispozitë gjenetike është e njëjtë për të gjithë njerëzit. Një ide e tillë është argumentuar nga Noam Shomski në lidhje me aftësinë njerëzore për të mësuar gjuhë dhe, nëse ky argumentim është i vlefshëm, fare mirë mund të zbatohet jo thjesht ndaj gjuhës në kuptimin e ngushtë, por ndaj kulturës në tërësi. Ndërkaq, prania e “kulturës” përfton një mënyrë përcjelljeje të tipareve apo veprimtarive nga një brez te tjetri, gjë që nuk varet më nga kodimi në konstitucionin gjenetik të pjesëtarëve të grupit. Kjo lloj përcjelljeje i ndryshon krejtësisht rregullat e lojës: mundëson një diversitet pakrahasimisht më të madh si dhe një ndryshueshmëri pakrahasimisht më të shpejtë. Vetëm në mënyrë të sipërfaqshme duket paradoksale që ky çlirim nga kufizimet gjenetike ka po ashtu një bazë gjenetike. Që kultura të jetë e mundshme, nevojitet një bazë gjenetike specifike: pasi bëhet e mundshme, u hap rrugë zhvillimeve të pavarura nga rregullat që zakonisht përcaktojnë ndryshimin gjenetik.

Aftësia për të fituar kulturë duhet të ketë gjithsesi një kushtëzim gjenetik, i cili ka mjaft gjasa të jetë identik për krejt njerëzimin. (Kuptohet, nuk ka pse të jetë medoemos identik: ndoshta dy ose më shumë genoma krejt të dallueshme do të mundësonin, që të dyja ose të gjitha, formimin e kulturës. Nuk ka shumë gjasa që kjo mrekulli të ketë ndodhur më se një herë, porse nuk përjashtohet logjikisht). Në të njëjtën kohë, kjo aftësi e jona për të fituar kulturë nuk paravendos çfarë kulture do të jetë ajo. Kulturat variojnë së tepërmi nga një bashkësi në tjetrën dhe gjithashtu mund të ndryshojnë me shpejtësi të madhe brenda një bashkësie të vetme. P.sh., njihen shoqëri që e kanë ndryshuar gjuhën me anë të një vendimi kolektiv, për arsye politike. Një bashkësi tregtare himalajase, duke arritur në përfundimin se të ardhmen e kishte me shtetin hindu të Nepalit dhe jo me kulturën tibetiane budiste dikur prestigjioze, vendosi të kalojë nga gjuha e saj fisnore në nepalisht dhe nga budizmi në hinduizëm. Tiparet themelore, ndonëse shpesh të përjetuara si diçka e dhënë, mund të përcaktohen në mënyrë të vullnetshme. Ligjet e përcjelljes kulturore, cilatdo qofshin, janë padyshim tepër të ndryshme nga ato të përcjelljes gjenetike. Praktikisht për nga vetë përkufizimi, ato mundësojnë ruajtjen dhe zhvendosjen e karakteristikave të fituara: mund të thuhet se kultura është depozita e vazhdimësisë - e herë-herë e shndërrimit dhe e manipulimit - të tipareve të fituara. Rrjedhojat në lidhje me natyrën e jetës sociale janë shumë të rëndësishme: kjo do të thotë që diversiteti të jetë shumë i madh, ndërsa ndryshimi tejet i shpejtë.

Shoqëritë njerëzore nuk karakterizohen thjesht nga zotërimi i kulturës: ato kanë gjithashtu një organizim. Qeniet njerëzore, në çfarëdolloj grupi, janë të diferencuara tekefundit për nga mosha e gjinia, si dhe rëndom në mjaft aspekte të tjera. Një grup njerëzor nuk është asnjëherë thjesht një shumë individësh, ku marrëdhëniet mes individëve nuk luajnë asnjë rol; në të vërtetë, është gjithmonë një bashkim ku pjesëtarët kanë një pozicion social që ngërthen në vetvete sjellje të pritshme, të drejta e detyra të caktuara, privilegje e obligime të caktuara.

Këto dy karakteristika të përgjithshme, kultura dhe organizimi, janë, si të thuash, lënda e parë e gjithë jetës sociale. Ato janë dy elementet themelorë të jetës sociale. Ato nuk mund të jenë krejtësisht të pavarura: në një kulturë mund të mbizotërojë një model i caktuar i organizimit të shoqërisë, ose një formë e dhënë e organizimit mund të kërkojë një kulturë të caktuar. Për shembull, hinduizmi është një kulturë që nënkupton organizimin me kasta; aspektet mbizotëruese të kësaj kulture kërkojnë që njerëzit t’u përkasin kastave dhe që këto kategori sociale të përcaktohen në bazë të pastërtisë. Ose, po kështu, një shoqëri e angazhuar në një organizim barazitar mund t’i ndalojë dallimet kulturore radikale ndërmjet pjesëtarëve të saj. P.sh., disa nga shtetet pasardhëse të Perandorisë Habsburgase faktikisht e ndaluan përdorimin e titujve aristokratikë. Por, ndonëse këto dy karakteristika themelore të jetës së shoqërisë mund të mos jenë krejtësisht të veçuara, është gjithsesi e rëndësishme që t’i veçojmë. Si kultura, ashtu edhe organizimi janë të pranishëm në mënyrë universale në jetën e çdo shoqërie.

Të dyja këto nocione themelore janë posaçërisht të dobishme për të na ndihmuar që të përkufizojmë temën qendrore të këtij libri: nacionalizmin. Nacionalizmi është një parim politik sipas të cilit ngjashmëria kulturore përbën vjegën themelore në shoqëri. Çfarëdo parimesh të autoritetit që mund të ekzistojnë mes njerëzve, legjitimiteti i tyre varet nga fakti se pjesëtarët e grupit në fjalë janë të së njëjtës kulturë (ose, në gjuhën nacionaliste, të të njëjtit “komb”). Në versionin e skajshëm, ngjashmëria kulturore bëhet kushti i domosdoshëm dhe njëherësh i mjaftueshëm që legjitimon përkatësinë e pjesëtarëve: vetëm pjesëtarët e kulturës së duhur mund të bashkohen në këtë njësi dhe të gjithë ata duhet të bashkohen në të. Aspiratat e nacionalistëve ekstremistë digjen për aq sa shteti-komb nuk arrin t’i mbledhë të gjithë pjesëtarët e kombit dhe për aq sa toleron një numër të rëndësishëm jopjesëtarësh brenda kufijve të vet, sidomos nëse ata zënë poste të rëndësishme.

Kjo është ideja thelbësore e nacionalizmit. Në fakt, e kemi përkufizuar kombin përkohësisht në bazë të kulturës së përbashkët, ndërsa ky përkufizim ndoshta ka nevojë për disa saktësime e përcaktime në mënyrë që të mund t’i përshtatet kompleksitetit të botës reale; sidoqoftë, është pothuajse i mjaftueshëm si pikënisje fillestare për të kuptuar fenomenin që po trajtojmë.

Përktheu nga anglishtja: Bashkim Shehu

II.

Shqip me Nacionalizmin e Ernest Gellner

Dhurata Hamzai

Sociologu i fashmëm dhe filozofi Ernest Gellner, vjen i përkthyer nga anglishtja në gjuhën shqipe me veprën “Nacionalizmin” që sapo ka dalë në dritën e botimit nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit. Përkthyesi Bashkim Shehu sjell për lexuesin shqiptar veprën më të spikatur të një prej studiuesve më të njohur të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, sociologut dhe filozofit, Ernest Gellner. “Na duket e vështirë që ndonjë intelektual tjetër në të ardhmen të arrijë të japë një kontribut të tillë kaq të rëndësishëm sa ç’ka dhënë Ernest Gellner në fusha të tilla kaq të ndryshme siç janë antropologjia, historia e filozofia”, shkruan redaktori i Guardian.

Ky është një libër që nxjerr në pah dukurinë e nacionalizmit, duke e gjurmuar që nga lindja e rrënjët e tij kur u krijua shteti-komb modern, deri tek lidhjet e tij me romantizmin, liberalizmin, marksizmin dhe Islamin. Nacionalizmi përbën pa dyshim një ndër forcat më të rëndësishme që kanë ndikuar gjatë historisë së botës moderne. Në këtë libër sa të thellë aq dhe provokues, Ernest Gellner, përmbledh kuintesencën e gjithë veprës së tij. Është një libër brilant, i shkruar e menduar në mënyrë të përkryer. Në 137 faqet e tij ai përfshin më shumë mençuri, mprehtësi e kuptim të zemrës dhe të shprehive njerëzore nga ç’mund të gjesh në një bibliotekë të tërë.”

Kush është Ernest Gellneri

Lindur në vitin 1925, Ernest Gellneri iu bashkua stafit të London School of Economics në vitin 1949. Ai ishte profesor filozofie nga viti 1962 deri në vitin 1984, kur u bë profesor i antropologjisë shoqërore në Universitetin e Kembrixhit. Gjatë viteve të fundit të jetës së tij ai ishte profesor kërkimesh dhe drejtor i Qendrës për Studimet mbi Nacionalizmin në Universitetin e Europës Qendrore në Pragë. Ai vdiq në vitin 1995. Ndër librat e tij të shumtë përfshihen Ëords and Things (1959), Thought and Change (1964), Saints of the Atlas (1969), Nations and Nationalism (1983), The Psychoanalytic Movement (1985), Culture, Identity and Politics (1985), Plough, Sord and Book (1988), Conditions of Liberty (1994), and Language and Solitude (1998).