Kontroll mbi trurin me anë të meditimit

Meditimi krijon një qetësi të këndshme, harmoni shpirtërore, frenon shqetësimet e provokuara nga tensionet e ndryshme, dhe kështu parandalon dhe ndërpret zhvillimin e shumë sëmundjeve


Meditimi në bisedat e përditshme, ka kuptimin e mendimit mbi diçka, pra, të mendosh çfarëdo qoftë. P.sh. nëse një libër për një çast e lëmë anash dhe fillojmë të mendojmë se çfarë do të bëjmë për darkë ne, në fakt, kemi kaluar në meditim. Në disiplinat e ndryshme meditative, nocioni "meditim", ka kuptim më të precizuar, i cili varet drejtpërdrejt me nivelin e caktuar mental. Në disa disiplina arritja e nivelit të caktuar, rezulton me lirimin e trurit nga të gjitha mendimet e vetëdijshme. Kjo gjendje, natyrisht që krijon edhe qetësi të këndshme, harmoni shpirtërore, dhe me ushtrime të gjata arrihet një gjendje e lartë mentale që në rrafshin fizik frenon shqetësimet e provokuara nga tensionet e ndryshme, që sot nuk janë të pakta në përditshmërinë tonë, dhe kështu parandalon dhe ndërpret zhvillimin e shumë sëmundjeve, gjë që e kanë vërtetuar edhe shumë studime shkencore. Megjithatë, Jose Silva, i cili është edhe autori i librit "Metoda Silva" mbi kontrollin mental, mendon se ky është meditim pasiv. Kontrolli mental shkon më larg, pasi i mëson, sidomos fillestarët, ta përdorin këtë nivel për zgjidhjen e shumë problemeve jetësore. Ky është meditim dinamik prandaj forca e tij është me të vërtetë spektakolare.

Meditimi është hapi (ose s'paku konsiderohet si hap) i parë në procesin e kontrollit mental. Ky proces vetvetiu, me trajnime të rregullta, do të shkojë gjithnjë e me shumë drejt lirimit të forcave vetëshëruese, duke i rikthyer trurit atë energji, e cila është harxhuar më parë nën presionin e streseve të ndryshme ditore.

Meditimi, sipas Joses, është një gjë shumë e bukur dhe shumë e dobishme për barazpeshën trup-shpirt, por duhet të kemi, gjithashtu, kujdes që meditimi të mos na përvetësojë tej mase, duke na absorbuar të gjithë energjinë. Nëse ne nuk arrijmë ta kontrollojmë gjendjen tonë mentale gjatë ushtrimeve meditative, atëherë kontrolli kalon diku tjetër, dhe kjo mund të reflektohet me tërheqjen tonë graduale nga bota reale, dhe me kohë, krijimin e një varësie jo të shëndoshë, duke u mbyllur në botën e brendshme, pra në vetvete.

Jose, këtë metodë ("Metodën Silva"), së pari e aplikoi tek fëmijët e tij, të cilët mahnitën të gjithë me rezultate të shkëlqyera në shkollë. Kjo bëri që të shtohet edhe interesimi i fëmijëve të tjerë. Ai për t'i realizuar mendimet dhe për të arritur qëllimet e fëmijëve të tij, përdori hipnozën tek ata dhe zbuloi diçka që shumëkujt iu duk paradoksale. Me këtë, ai vërtetoi se truri është energjetikisht më i fortë kur është më pak aktiv. Në frekuenca të ulëta, truri, pranon dhe përpunon më shumë informacione. Për këtë Jose është më se i bindur, por problemi qëndron në atë, se si të arrijmë që trurin ta mbajmë të zgjuar, pra aktiv, në këto valë frekuencash? Këto valë frekuencash janë më shumë të lidhura me botën e brendshme, me ëndërrimet, se sa me botën e zgjuar, me aktivitetet e përditshme praktike. Se bota e ëndrrave është shumë kreative, kjo nuk do koment. S. Frojdi, që u mor shumë me botën e ëndrrave, thotë se ëndrrat krijojnë kushte tejet të volitshme për veti telepatike. Si shembull konkret për këtë, Jose përmend edhe Elias Hoëe-n, shpikësin e makinës qepëse, të cilën ai e zbuloi falë ëndrrave. Atij në ëndërr i ishte paraqitur një njeri nga Afrika (xhungla), i rrethuar nga një grumbull njerëzish të tjerë, të cilët i afroheshin, duke ngritur dhe ulur shtizat. Kur u zgjua e kuptoi se ëndrra ishte një mesazh, një përgjigje për problemin që e mundonte. Ai arriti që gjilpërën ta vë në lëvizje, duke e ulur dhe ngritur, por pa e zgjidhur problemin e qepjes, derisa iu paraqit përsëri në ëndërr, se shigjetat kishin nga një vrimë në maje.

"Në qoftë se imagjinatën tonë arrijmë ta krijojmë me besim të fuqishëm, me dëshirë dhe vullnet, dhe në qoftë se mësohemi (trajnohemi) që kufijtë e mendjes t'i shohim, dëgjojmë, ndjejmë, shijojmë, prekim, pra t'i përjetojmë me të gjitha shqisat tona si reale, do të arrijmë, padyshim atë që dëshirojmë. Mendimet e përqendruara fuqishëm, bëhen realitet, sepse truri ynë gjenial, ato mendime, i transformon në aksione dhe kështu krijon realitetin", thotë Jose.

Por që të arrihen këto rezultate, natyrisht që, si në çdo fushë tjetër të jetës, edhe këtu, duhet t'u përmbahemi disa rregullave (ligjeve). Për Josen këto janë tri pikat parimore të suksesit:

1 -duhet të dëshirojmë me bindje dhe vullnet që dëshira e caktuar të realizohet;

2 -duhet të besojmë fuqishëm që realizimi i asaj dëshire është i mundur;

3 -duhet t'i lëmë kohë dëshirës që ajo të kaloj nëpër proceset mentale, derisa të realizohet në botën reale (fizike).

Është vërtetuar kohët e fundit se, deri te informacionet arrihet edhe në mënyra të tjera, e jo vetëm me anë të pesë shqisave që ne i njohim. Ato mund të jenë informacione nga e kaluara, e tashmja ose e ardhmja. "As koha, as hapësira si dhe as "kafazi i Faradeit", nuk janë pengesa për cilëndo aftësi jashtë-shqisore, e cila funksionon në rastet e "vërejtjeve jashtë-shqisore". Por ky term mund edhe të mos jetë i përshtatshëm", mendon Jose! "Jashtë-shqisor do të thotë - jashtë, i ndarë nga shqisat e aparatit tonë. Kjo sikur të jep idenë e ekzistencës së një aparati tjetër shqisor - jashtë këtyre pesë shqisave tona ekzistuese, por në fakt ai aparat është i vetmi dhe funksionon. Termi jashtë-shqisor, në të vërtetë nuk ka asgjë jashtë-shqisore, ai ekziston në brendësinë tonë (trurin tonë), është një lloj energjie që funksionon në mënyrë të panjohur, të paktën për ne".

Duke bërë veprime, ndoshta në dukje paksa primitive, kur thyejmë një kërcell kashte, kur e shohim një yll duke "rënë" ose, kur i fryjmë qirinjve mbi tortën e ditëlindjes etj., kemi zakonin që të mos e zbulojmë dëshirën e menduar. Kjo fshehtësi është më shumë se një lojë fëmijësh! Konsiderohet se aty fshihet një mençuri. "Kur dëshirën tonë e mbajmë sekret, parandalojmë shpërndarjen e energjisë, e cila është e domosdoshme si për shërim, si për realizimin e dëshirave dhe qëllimeve të përcaktuara. Ndoshta edhe e rrisim atë energji. Për këtë arsye edhe shumë dijetarë na këshillojnë që njohuritë tona, gjatë shërimit, t'i mbajmë sekret", thotë Jose.

Sot dihet shumë mirë se gjithçka që vepron është energji. Dallimi mes ngjyrës dhe zërit, rrezeve kozmike dhe fotografisë televizive është vetëm në frekuenca. Edhe materia, në fakt, është energji. Siç e dimë, në bazë të formulë së njohur të gjeniut A. Ajnshtajn, E=m x c2, që nënkupton se, energjia e materies është e barabartë me masën, nëse ajo shumëzohet me shpejtësinë e dritës në katror, pra është një energji e cila vepron, qoftë edhe në ndonjë formë tjetër. Për energjinë nuk ekziston ana e kundërt, p.sh. lart - poshtë, zi - bardhë, shpejt - ngadalë etj. Kjo ndodh për atë shkak se nuk ekziston asgjë që nuk është energji, duke përfshirë këtu edhe mendimet tona. Mendimi, është e vërtet se harxhon energji, por edhe akumulon, krijon energji.

"Dhe kjo energjia psikike, të cilën njerëzit e rrezatojnë (emetojnë), është më e fortë kur ekzistenca e kësaj qenie rrezikohet, pra kur është në pikpyetje jeta e saj", konsideron Jose dhe vazhdon: "Për këtë shumë raste spontane të projektimit krijues të shqisave, ndodhin në raste fatkeqësish dhe vdekjeve të papritura".

Kur njerëzit janë fizikisht afër, fushat e tyre energjetike përputhen. Forma e tyre, intensiteti, vibracionet etj., pësojnë ndryshime. Kjo ndodh në grupe të mëdha me njerëz. Sa më i gjatë të jetë kontakti me ta, aq më të gjata do të jenë edhe ndryshimet në aurë. Kur është në pyetje afërsia (kontakti) mes bashkëshortëve, ndryshimet janë të dëshirueshme, sepse aura e tyre bëhet komplementare (plotësuese). Largimi, ndarjet e gjata fizike e kthejnë procesin në drejtim të kundërt dhe, duhet të thuhet, se nuk është e mirë për kompaktësinë bashkëshortore. Afërsia fizike është më se e rëndësishme në përditshmëri, jo vetëm në raport të ngushtë mes dy gjinish, por në përgjithësi mes qënieve të gjalla.

Në rastet e shërimit, përmes "Metodës Silva", duhet të janë të dy palët, edhe pacienti edhe shëruesi (terapeuti) shpirtërisht aktiv dhe të relaksuar. Këto janë dy kushte shumë të rëndësishme që ndihmojnë kurimin. Ajo që duhet të bisedohet, duhet të jetë në lidhje të ngushtë me format e shërimit alternativ (parapsikologjik). Besimi duhet të jetë faktor themelor, sikurse tek feja. Ne, ndërkohë, duhet të përcjellim tek pacienti gjendjen më të mirë fizike, dhe që është tejet e rëndësishme, ne duhet të shprehim ndjenja dashurie ndaj tij. Dashuria është forcë shumë e madhe që arrin të bëjë mrekullira.

Mungesa e besimit, gjendja e zymtë shpirtërore dhe fotografia e deformuar mbi veten është ajo që personin e çon deri te izolimi vetjak, mbyllje në vetvete (burg shpirtëror) dhe e bën, në të shumtën e rasteve, agresiv, brutal, për aq kohë sa noton në ato valë të turbullta. Dihet se personi që mbetet pa punë, përjeton rënie, plakje, trauma, nënçmime ndaj vetënderimit, vetëbesimit, personalitetit të tij, me një fjalë, një lloj depresioni. Këtë gjendje e thellon edhe më tepër, vetëm mendimi për punë, prosperitet etj. Njeriu i papunë e ndjen veten të boshatisur, të vetmuar, të nënçmuar. Kjo situatë rëndohet sidomos kur ai, pas kërkimeve të para, nuk arrin sukses në gjetje e një vendi pune ose has në pengesa të ndryshme. Është gjendja shpirtërore ajo që personin, ose e mban të mbyllur, të izoluar, pra të "vetprangosur" nga gjendja depresive, ose i ofron atij lirinë, duke e bërë të lirë dhe të lumtur.

"Gjenetikisht jemi të programuar që të mësohemi të ecim - kjo është vepër e Perëndisë. Tani që jemi mësuar të ecim, hapat rutinor varen nga ne", përfundon Jose Silva.

Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI