Skenare: Rikthimi i fuqive të mëdha demografike
Ka qenë në janarin e 2005 që raporti "Mapping the Global Future" i National Intelligence Council, institut studimor i lidhur me CIA-n, ka parashikuar për vitin 2020 "daljen e mundëshme të Kinës dhe Indisë si aktorë të rinj të mëdhenj globalë, të ngjashme me daljen e Gjermanisë në shekullin XIX dhe të Shteteve të Bashkuara në fillimin e shekullit XX": një ngjarje që "do të transformojë peizazhin gjeopolitik të botës. Ashtu siç komentatorët i referohen shekullit XX si "shekulli amerikan", ashtu dhe shekulli XXI mund të shikohet si era në të cilën bota në rrugën e zhvillimit, e drejtuar nga Kina dhe India, do të shfaqet në skenën botërore". Për shumë ky skenar është shpresëdhënës. Në veçanti, mendohet për premtimin e një dyfishimi të shtresës së mesme kineze, me krijimin e një tregu prej gjysëm miliardi personash. Për të tjerë, është ankthplotë: boll të kujtosh polemikën lidhur me barrierat doganore për t'ua kundërvënë "pushtimit" të mallrave aziatike. Nëqoftëse vihemi në kohërat e largëta të historisë, kjo nuk është një situatë e re, por rivendosja e një normaliteti, të cilin kish përkeqësuar bumi i jashtëzakonshëm i Perëndimit. Kina dhe India praktikisht kanë qenë fuqitë kryesore demografike botërore dhe, për pasojë, tregjet më të mëdha dhe serbatorët më të mëdha të krahut të punës.
Kështu, deri në shekullin XVIII kanë qenë ato fuqitë më të mëdha industriale të planetit. Citojmë nga "Historia e Indisë" e Michelguglielmo Torri: "Teza e superioritetit të Kinës dhe të Indisë ndaj Europës është aq në kontrast me historiografinë mbizotëruese sa të duket, me vështrimin e parë, mjaft e vështirë për t'u pranuar. Megjithatë, ajo bazohet mbi një fakt që është i mirëqenë për studiuesit e Azisë (edhe pse nga ata rrallë e vendosur në perspektivën e duhur). Kjo e dhënë e thjeshtë faktike është se, qysh nga Katërqinda deri në fundin e Shtatëqindës dhe, në rastin e Kinës, deri në dhjetëvjeçarët e parë të Tetëqindës, Europa praktikisht nuk qe në gjendje të prodhonte asgjë që të gjente treg në Azi. Anasjelltas, në Europë (dhe në Botën e Re) pati një kërkesë të vazhdueshme dhe, deri në gjysmën e dytë të Shtatëqindës, në rritje produktesh të përpunuar dhe gjysëm të përpunuar në Azi. Këtu është e nevojshme të nënvizohet se produktet aziatike të kërkuara nga europianët qenë larg së reduktuari tek speciet dhe, në një kohë të dytë, tek çaji. Në fakt, ato përfshinin porcelanet kineze dhe copërat e linosë e të mëndafshit të përzier me lino të prodhuar në Indi. Domethënë, bëhej fjalë për mallra, prodhimi i të cilëve kërkonte përdorimin e kapitalit financiar, një organizim të punës të tipit industrial dhe, në rastin e porcelaneve kineze, sasi të mëdha kapitali fiks. Sigurisht, përdorimi i makinerive ishte i kufizuar dhe përpjekja e rinovimit teknologjik munguese, për arsyen e thjeshtë se krahu i punës, mjaft i kualifikuar, ishte i bollshëm dhe me çmim të mirë (gjë që e bënte të kotë rinovimin teknologjik)".
Qysh nga kohërat e monarkive helenike dhe të Perandorisë Romake, ky fluks mallrash orientale ishte kompensuar nga Perëndimi thjesht me sasi të mëdha ari e argjendi. Domethënë, me një dalje valute. Teknikisht, zbulimi i Amerikës revolucionarizoi tregtinë midis Lindjes dhe Perëndimit në kuptimin që vuri në dispozicion të Europës një burim të ri instrumentesh pagimi me përmasa të pazakonta. Por hemorragjia vazhdoi dhe qe në veçanti lumi i metalit të çmuar i ardhur nëpërmjet Spanjës nga minierat e Potosi, në Bolivinë aktuale, që i mundësuan Perandorit Akbar në fund të shekullit XVI jo vetëm që ta vazhdojë qarkullimin monetar të Dominëve Mogulë mbi një rupie argjendi me nivel të lartë pastërtie, por edhe të rifusë grumbullimin e taksës tokësore në vetë rupiet e argjendit. Ekspansioni perëndimor në fillim nuk u bazua mbi superioritetin ekonomik dhe as adoptimi në vetvete i barutit nuk qe një avantazh përtej Amerikave parakolombiane, duke parë që edhe në Azi e përdornin. Qenë kushtet e vështira të lundrimit të Oqeanit Atlantik ato që u imponuan europianëve të pajiseshin me një teknologji detare pararojë. Qe kjo teknologji, së bashku me hartën gjeografike që mundësuan atë pushtim të Amerikave që do t'i jepnin Perëndimit thellësinë e nevojshme strategjike për t'u lëshuar në pushtimin edhe të Orientit. Pastaj qe në fundin e Pesëqindës gjetja e hollandezit Maurizio di Nassau për t'i riaplikuar luftimit me armë zjarri teknikat e vjetra të manovrës për masa kompakte tashmë të shpikura nga spartanët, maqedonasit e romakët, që i bëri këmbësoritë europiane praktikisht të pamposhtura.
Superioriteti ushtarak u mundësoi kështu anglezëve, francezëve, holandezëve dhe portugezëve të fillonin garën për Indinë, e fituar së fundi nga anglezët. Me kontrollin e Indisë, anglezët çmontuan industrinë tekstile vendase, duke e katandisur nënkontinentin në një burim të thjeshtë lëndësh të para dhe treg çfryrës për një industri tekstile angleze, në të cilën fillojnë të aplikohen teknologjitë e Revolucionit Industrial. Pastaj qe në plantacionet e opiumit indian që u gjet më së fundi një produkt që mund të zëvendësonte argjendin për të paguar eksportin kinez: falë, edhe aty, përdorimit të armëve në të ashtuquajturat "lufta të opiumit", për të mundur rezistencat që qeveria perandorake kineze kish kërkuar t'i vendoste narkotrafikut. Por për t'i kuptuar më mirë këto zhvillime mund t'u drejtohemi tabelave që Samuel Huntington ka vendosur në bestsellerin e tij "Përplasja e qytetërimeve dhe rendi i ri botëror". Në 1750, në mënyrë të veçantë, Perëndimi përfaqësonte pothuajse 18.2 përqind të prodhimit manifakturist botëror, kundrejt 38.2 të Kinës dhe 24.5 të atyre që sot përkufizohen së bashku si India dhe Pakistani.
Pastaj ishte një 5 përqindësh i Rusisë, një 3.8 përqindësh i Japonisë dhe një 15.7 përqindësh i të gjitha zonave të tjera të mbetura gjeografike së bashku. Në 1800, Revolucioni Industrial dhe pushtimi anglez i Indisë kanë provokuar pothuajse një kalim të parë: 23.3 përqind e Perëndimit kundrejt 33.3 përqind të Kinës dhe 19.7 përqind të Indi-Pakistanit. Rusia është në 5.6 përqind, Japonia në 3.5 përqind, të tjerët në 14.6 përqind. Vetëm më 1830, Perëndimi arrin vendin e parë: 31.1 kundër 29.8 të Kinës, inditë vërtiten në 17.6. Rusia është e qendrueshme në 5.6, Japonia zbret në 2.8 dhe të tjerët në 13.1. Kurse në vitin 1860, Perëndimi e ka tejkaluar gjysmën e prodhimit botëror: 53.7 kundrejt 19.7 të Kinës, 8.6 të Indive, 7 të Rusisë, 2.6 të Japonisë, 0.8 të të ardhurëve të rinj Brazil e Meksikë, 7.6 të të tjerëve. Pesha e Perëndimit vazhdon të rritet: 68.8 më 1880, 77.4 më 1900, 81.6 më 1913 dhe deri në 84.2 e 1928. Njëkohësisht, më 1880 kemi ngjitjen e Rusisë mbi Inditë: 7.6 me 2.8, kundër 12.5 të Kinës, 2.4 të Japonisë, 0.6 të Brazilit e Meksikës, 5.3 të të tjerëve.
Në 1900, Rusia i zë vendin edhe Kinës në vendin e dytë: 8.8 kundër 6.2, ndërsa 1.7 përqindëshi i Indisë zbret nën 2.4 e qendrueshëm të Japonisë, Brazili e Meksika janë tek 0.7 dhe të tjerët tek 2.8. Por në 1913 Rusia ka zbritur tek 8.2, Kina tek 3.6, India tek 1.7, të tjerët tek 1.7. Zonat e vetme në ekspansion të vogël, por domethënës janë Japonia, me 2.7, dhe Brazil-Meksika me 0.8. Në 1928, në kulmin e fuqisë perëndimore, Japonia pothuajse ka barazuar Kinën, me 3.3 kundrejt 3.4. Rusia, tashmë e transformuar në BRSS, qëndron tek 5.3, India tek 1.9, Brazil-Meksika tek 0.8, të tjerët tek 0.9. Është kriza e madhe e 1929 pika e kthesës. Qysh atëhere, Perëndimi ka rënë në 76.8 e 1938, 74.6 e 1953, 65.4 e 1963, 61.2 e 1973, 57.8 e 1980. BRSS-ja ngjitet në 9 përqind më 1938 dhe më pas, e marrë në konsideratë së bashku me vendet komuniste të hequra bllokut perëndimor, në 16 e 1953, 20.9 e 1963, 20.1 e 1973, 21.1 e 1980. Japonia, e rënë tek 2.9 në 1953 pas disfatës ushtarake, ngjitet pastaj në 5.1, 8.8 e 9.1. Kina, nga ana e saj e rënë tek 2.3 më 1953, ngjitet në 3.5, 3.9 dhe 5. Inditë shkojnë nga 1.7, 1.8, 2.1 e 2.3. Brazil - Meksika kalojnë tek 0.9, 1.2, 1.6 dhe 2.2. Të tjerët nga 1.6 në 2.1, 2.3 e 2.5. Qysh në vitin 1991, katër nga shtatë fuqitë e mëdha ekonomike të botës qenë joperëndimore: Japonia e dyta, Kina e treta, Rusia e gjashta dhe India e shtata. Vlerësimi për 2020 është që ndër dhjetë të parat do të ketë vetëm tre perëndimore. E ardhmja kthehet në të shkuarën.
Strategji: Drejt një ekuilibri të ri aziatik
Kina shumë njerëzve u shkakton frikë. Megjithatë, nuk duhet. Është vendi që rritet me ritme marramendëse, por duket akoma larg nga nivelet e mirëqenies së përhapur për frymë të ndeshura në brendësi të zonës OCSE. Përfaqëson superfuqinë emergjente ekonomike që përmbyt dhunshëm tregjet ndërkombëtare me produkte hiperkonkuruese dhe mban kuota në rritje T-Bond-esh, por pikërisht për shkak të kësaj është e detyruar më shumë të bashkëpunojë sesa të rivalizojë, më shumë t'u përmbahet interesave të përbashkëta sesa atyre ekskluzive. Është Janusi Dykokësh komunist e liberist: e aftë të shtypë ashpër kundërshtimin e brendshëm politik, gjithsesi di të garantojë lirinë ekonomike në mënyrë të spikatur free-marketer. Kina është bashing, ashtu si Japonia njëzet vjet më parë, por, ndryshe nga xhuxhi ushtarak japonez, gëzon një peshë gjeopolitike me projeksion botëror dhe rrit në mënyrë eksponenciale shpenzimet e armatimeve. Pekini alarmon strategët ushtarakë të Pentagonit, por, po të dëgjosh ekonomistët e doktrinës liberale, përbën një mundësi historike.
Regjimi zemëron për dreq aktivistët e të drejtave të njeriut në Perëndim, por është i aftë të endë në heshtje një rrjetë të dendur diplomatiko-kulturore në Afrikë, Azi, Amerikë Latine dhe bile deri në zemrën e Perëndimit humanist, Europën plakë. Për të përhapur aksiomën e pamundësisë morale dhe politike ndaj bashkëpunimit me gjigantin aziatik, disa vëzhgues amerikane të shkollës wilsoniane kanë hedhur një paralel kurioz: Kina e sotme do të përballte një proces të rrezikshëm politik të ngjashëm me atë që përfshiu Perandorinë Gjermanike pas 1890, vit i dorëheqjes së Otto von Bismarck. Ashtu si Franca, Britania e Rusia cariste toleruan shumë aktivizimin ekonomik, diplomatik e ushtarak e Weltpolitik - politikën globale - të lançuar nga Kajzeri Wilhelm II, veçse për t'u gjendur më pas në një kreshendo rosiniane të vetëushqimit të ambicieve nacionaliste e të fuqisë së Deutches Reich dhe duke përfunduar të ngecur në një konflikt - ai i shpërthyer në gusht të 1914 - jashtëzakonisht i shmangshëm, kështu superfuqia e vetme botërore, që megjithëse gjatë viteve të fundit e ka vënë me vendosmëri të rinovuar ekuivalencën midis përhapjes së demokracisë e sigurisë ndërkombëtare.
Do të ishte sot qorrazi e prirur të kërkonte forma bashkëpunimi parandalimi, duke u privuar unilateralisht nga etika e paragjykuar - demokraci e të drejta njeriu - kundrejt regjimit të Pekinit. Formula i referohet bindjes tejet të përhapur dhe ndoshta në ditët e sotme mazhoritare, sipas së cilës Kina është e destinuar në mënyrë të pashmangshme ta përmbysë sistemin aktual ndërkombëtar në dy faza: fillimisht, me modernizimin e fuqishëm ekonomiko - industrial dhe, për pasojë, me armatimin, duke sfiduar ushtarakisht Washington për lidershipin global. Por paraleli, së bashku me formulën e sapoekspozuar që përbën deduksionin, nuk qëndron. Siç ka kujtuar kohët e fundit nga kolonat e "The National Interest" ish-Sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger, objektivi ushtarak i Gjermanisë perandorake, konsistonte në kapjen e superioritetit në sektorin detar, në të cilin udhëhiqte Londra dhe strategjia diplomatike e saj materializohej në prishjen e tentativave franceze fillimisht për të vendosur e më pas për të konsoliduar aleancën me Shën Petërsburgun. Rezultati qe krijimi i Aleancës së Trifishtë në funksion antigjerman midis këtyre tri shteteve, në rast të kundërt rivalë. Perandoria gjermanike ishte bërë shumë e fortë, por Kina e sotme nuk është Gjermania e 1898, vit i fillimit të projektit teutonik të forcimit detar dhe i shfaqjes së rivalitetit anglo-gjerman.
Pekini ka një buxhet ushtarak në rritje, por gjithçka sot sigurisht nuk është e krahasueshme me atë amerikan. Nacionalizmi kinez është i perceptueshëm, por pozicioni gjeopolitik i Dragoit kufizon, në vend që t'i nxisë, premisat e fuqisë, në dritën e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të fqinjëve të saj. Domethënë, Kina nuk është shumë e fortë dhe nuk mund të konkurojë ushtarakisht me Washington. Mund të influencojë politikisht në zonën e Azi - Paqësorit, por domosdoshmërisht duhet të mbajë parasysh shumën e kapaciteteve ushtarake të shteteve limitrofe - Rusi, Indi, Koretë, Japoni - dhe të aksionit amerikan. Ndoshta do të jetë e aftë të krijojë një ekuilibër të ri në kontinentin aziatik në një hark kohor arsyetueshmërisht të shkurtër, por është interesi jetik i Shteteve të Bashkuara ai që kontribuon në këtë ekuilibër, në vend që të harxhojë resurse në rast të kundërt të dobishme për konsolidimin e bashkëpunimit me Kinën.
Nëqoftëse interesi amerikan është ai që të vazhdojë të ruajë influencën e vet në rajon, pavarësisht se ribalancimi i pashmangshëm i forcave që do të sigurojë në shfaqjen përfundimtare të fuqisë kineze, atëhere do të jetë e dobishme që të shmanget që shtetet - kyçe të skakierës orientale të mos dobësohen keqas nga një strategji e murit kundër murit. Kjo do të thotë se interesi kombëtar i Washington është ai i bashkëjetesës me Kinën në një klimë jo si prej Lufte të Ftohtë - reflekset ideologjike të së cilës në prizmin e rinovuar demokraci - totalitarizëm do t'u dukeshin funksionale përkrahësve të formulës së sipërpërmendur - por bashkëpunimi, duke shmangur që aktorët rajonalë të përfundojnë për t'u vënë përballë një zgjedhjeje të pakthyeshme midis dy fronteve, në rast të kundërt të përputhshëm. Një skenar i kësaj natyre do të prodhonte paqendrueshmëri ekonomiko - tregtare dhe politiko - ushtarake me pasoja të paparashikueshme në shkallë planetare. Në një artikull të famshëm të vitit 2000 për revistën "Foreign Affairs", ish-Docentja e atëherëshme e Stanford University, Condoleezza Rice, hodhi në treg strategjinë republikane kundrejt Kinës: të quajtur congagement.
Congagement konsiston në një sintezë frenimi dhe angazhimi. Megjithëse 11 shtatori i ka trazuar përkohësisht prioritetet e axhendës qeveritare amerikane, dilema strategjike në raportet kino - amerikane ka vazhduar të gjejë përgjigje të besueshme vetëm në këtë skemë. Lidershimi vetmitar i tipit global i Shteteve të Bashkuara është një kusht i detyruar pashmangshmërisht që të zhduket. Amerika do të jetë akoma më gjatë fuqia më e madhe botërore, por është një e mirë edhe për të që herët a vonë të mos mbesë e vetme. Nga ana e saj, qeveria e Pekinit është sot më shumë se kurrë e vetëdijshme për hendekun e fuqisë që e ndan nga ajo e Washington dhe është pandryshueshmërisht e thirrur që, në periudhë afatmesme, të zgjidhë kontradiktat e rënda politike të brendshme. Idetë e demokracisë dhe të drejtave të njeriut realizohen gjatë një procesi historik dhe kjo nuk ka sesi të mos thithë resurse të brendshme: klasa e re industriale, bijë e suksesit kinez në botën e globalizuar, herët a vonë do të reklamojë një integrim në mekanizmat vendimmarrjet politike kombëtare.
E nëqoftëse është e vërtetë që Kina synon të modifikojë ekuilibrin politik në Azi, është njëlloj e vërtetë se ajo rezulton tejet e ndërvarur respektivisht interesave financiare dhe aksioneve politike amerikane sa të mund të ketë ambicje për unipolaritet rajonal. Interesi kombëtar kinez në shkallë rajonale e globale paraqet më shumë pika kontakti sesa fërkimi me atë amerikan. Pekini synon të integrohet më tej në sistemin ekonomik ndërkombëtar dhe ka për zemër stabilitetin rajonal, në mos për gjë tjetër për faktin sepse të dyja i vijnë për shtat transformimit të saj nga shtet ideologjik në shtet teknokratik. Ajo që Pekini patjetër mund të arrijë është ripërkufizimi i raporteve të forcës në rajon. Por çdo rend i ri, që të jetë i tillë, domosdoshmërisht duhet të modifikojë një ekuilibër fizik dhe një etik, një bilancim të fuqisë dhe një konsensusi. Në kundërshtim nga Gjermania wilhelmiane, Kina nuk do të ishte e aftë të vendoste një lidership ushtarak, pa dashur për këtë të shtyjë forcat e tjera rajonale të bashkohen me kundrapeshën amerikane.
Në mënyrë të ngjashme, në mungesë reformash peokale të brendshme nga pikëpamja politiko - institucionale, ajo kurrë nuk mund të konsolidojë një konsensus etik të përgjithësuar. Për të arritur një rol drejtues midis vendeve aziatike lidhur me këtë pikë të fundit, ajo duhet të transformohet në demokraci apo në diçka që t'i ngjajë mjaft asaj, duke përfunduar për të zbrazur domethënien e ankesave dhe frikërave që aseti aktual institucional i saj provokon në Perëndim. Këto konsiderata janë të pranishme në brendësi të klasës drejtuese politike kineze. Gjatë viteve të fundit, refleksionet e analistëve të rëndësishëm si Zhao Hua Shen e Vang Ji Si, dëshmojnë vullnetin për të konsoliduar një profil ndërkombëtar që të dijë ta bëjë Kinën një fuqi të besueshme. Bashkëpunimi diplomatik në rritje që qeveria e Pekinit zhvillon në një seri çështjesh globale dhe rajonale - lufta kundër proliferimit të armëve të shkatërrimit në masë, ndryshim i ndjeshëm i pozicionit tradicional armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara në brendësi të Këshillit të Sigurimit, karakter miqësor në një seri kundërshtish territoriale me Rusinë, Laosin, Vietnamin, Kazakistanin, Taxhikistanin dhe Kirgizistanin - përbëjnë një shembull të qartë të tentativës së regjimit për t'u akredituar në sytë e botës si bashkëbisedues më shumë sesa destabilizues agresiv.
Fatmirësisht, strategët kinezë në periudhën midis shekullit XX dhe XXI duket se demonstrojnë një qartësi analitike, nga e cila qenë tragjikisht të privuar kolegët e tyre gjermanë në periudhën midis shekullit XIX dhe XX.
Energji: Nga konkurrimi në bashkëpunim
Në lojën e madhe globale të energjisë, Kina dhe India janë fuqitë me dinamike dhe destabilizuese. Me koeficentë rritjeje të lartë e konstantë dhe një nevojë pasuese në rritje të resurseve energjetike, të dy gjigantët aziatikë kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e çmimeve të naftës dhe të gazit natyror. Kina është importuesi i dytë botëror i naftës, me një kërkesë që në vitin 2004 ishte prej 6.5 milion fuçish në ditë dhe që sipas disa vlerësimeve do të arrijë në 10.9 milion në ditë (konsumi total do të jetë prej 14.2 milion fuçish); India ka nivele konsumi dhe importimi më të ulëta, me rreth gjysmën: por për shkak të resurseve dhe të kapaciteteve prodhuese të pakta, totali i importimeve do të rritet shpejt në nivele të ngjashme me ato kineze. Por gazin natyror, Kina dhe India e përdorin në prodhimin e energjisë në mënyrë akoma të kufizuar: por brenda vitit 2010 nivelet aktuale të konsumit do të dyfishohen dhe do të vazhdojnë të ngrihen në dhjetëvjeçarët në vazhdim.
Atëhere nuk duhet të çudisë që politika energjetike e Kinës dhe e Indisë është e orientuar fuqimisht në blerjen e burimeve të furnizimit jashtë vendit dhe në ndërtimin e linjave për transportin e tyre (por të dyja tashmë kanë investuar me bindje në sektorin e gazit natyror të lëngëzuar, i cili udhëton me rrugë detare), në virtyt të strategjive të diversifikimit që kanë kërkuar dhe realizuar mundësi paksa kudo: në Azinë Qendrore, në Gjirin Persik, në Afrikë, në Amerikën Latine. Por në garën për arin e zi dhe arin e hirtë, në virtyt të një qëndrimi politik më depërtues dhe të resurseve ekonomike më të mëdha në dispozicion, Kina ka qenë patjetër më fitimtare dhe bile shpesh ka ndodhur që sipërmarrje shtetërore kineze dhe indiane është dashur të ndeshen për nënshkrimin e kontratave të shfrytëzimit apo blerjen e kompanive të huaja.
Është rasti i Kazakistanit, ku kinezja China National Petroleum Corporation (CNPC) ka marrë tetorin e kaluar kontrollin e kanadezes PetroKazakhstan Inc., duke mundur konkurencën e indianes Oil and Natural Gas Corp (ONGC); apo i Nigerisë, ku China National Offshore Oil Corporation (CNOOC) ka mbizotëruar gjithmonë ndaj kompanisë shtetërore indiane dhe ka siguruar një kontratë të shkëlqyer nafte (në realitet, ajo që ia ka dalë në krye ka qenë ONGC-ja, por qeveria ka vendosur që të heqë dorë dhe t'i hapë dritën jeshile kinezëve për të një çmimi të gjykuar të tepruar); ose si, akoma në 2005, në Ekuador dhe në Angola. Megjithëse duke e humbur sistematikisht sfidën me kinezët, kompanitë indiane kanë regjistruar rezultate të shkëlqyera pothuajse kudo (si për naftën, ashtu dhe për gazin natyror). Gjithsesi, gjatë muajve të fundit, strategjitë energjetike të Kinës dhe të Indisë - gjithmonë agresive dhe penetruese - kanë njohur një proces konvergjence progresive dhe konkurenca midis shteteve dhe kompanive shtetërore po zëvendësohet progresivisht me bashkëpunimin.
Për shembull, dhjetorin e kaluar, CNPC-ja dhe ONGC-ja kanë fituar së bashku kuotën e PetroCanada-së në shfrytëzimin e fushave naftëmbajtëse siriane. Nga ana tjetër, kompani kineze janë partnere tashmë prej tri vjetësh në Sudan në projektin "Greater Nile" dhe do të punojnë së bashku në fushën naftëmbajtëse iraniane të Yadavaran-it. Përtej këtyre episodeve konkrete bashkëpunimi, është në kontekstin politik që partneriteti energjetik kino-indian duket se konsolidohet: me nënshkrimin e marrëveshjeve-kuadër të bashkëpunimit në janar 2005 në Pekin, me pjesëmarrjen e ministrit indian të Naftës, Shri Deora, në samitin e kohëve të fundit të Shangai Cooperation Organization (SCO) (më 15 qershor në Shangai; India ka statusin e vëzhguesit): në të cilin Putin ka hedhur idenë e një grupimi, të një "klubi energjetik" tashmë i pagëzuar nga disa analistë strategjikë "OPEC me bomba" (edhe Irani ka marrë pjesë, gjithmonë si vëzhgues).
Efektivisht, paraardhësi i Deora, Mani Shankar Aiyar, e kish mbështetur politikën e tij energjetike mbi kërkimin e një mirëkuptimi rajonal, panaziatik, që duhet të synonte në realizimin e një rrjeti naftësjellësash, në institucionalizimin e formave të bashkëpunimit rajonal në menaxhimin dhe në komercializimin e resurseve energjetike të zonës, në krijimin e një banke aziatike për energjinë, me objektiv financimin e këtyre projekteve të mëdha me karakter rajonal - projekte mbi baza rajonale për të cilat "klubi energjetik" i SCO-së mund të përbëjë bërthamën themeluese dhe shtytëse. I këtij rrjeti të paralajmëruar duhet të jetë edhe kontradiktori "gazsjellës i paqes": një rrjet 2670 kilometrash nga Asaluyeh në Iran (në brigjet e Gjirit Persik) deri në New Delhi, duke kaluar me 707 kilometra territorin pakistanez, me zgjerim deri në Kinë nëpërmjet Myanmar. Shtetet e Bashkuara i kundërvihen prej pranisë së Iranit. Gjigantët emergjentë të Azisë nuk duket se duan të heqin dorë.
"Chindia", Kina (China në anglisht) plus Indinë: të kombinuar, emrat e tyre duken si të krijuara apostafat për një lojë fjalësh, kurse tundimi për të parë tek njëri pasqyrën e tjetrit është i papërmbajtshëm dhe ndoshta i pashmangshëm, por mund të jetë mashtrues. India dhe Kina, gjithmonë dy qytetërime shumë të ndryshme, kanë ndjekur rrugë shumë të ndryshme drejt zhvillimit. Sidomos e kanë filluar rrugën e tyre të jashtëzakonshme drejt zhvillimit e modernizmit në kohëra shumë të ndryshme. Ndoshta qëndron pikërisht këtu - në fillimin e paraprirë - një prej arësyeve kryesore të hendekut aktual në favor të Kinës. Regjimi i Pekinit i nisi reformat e tij në vitin 1978, pas fundit të ankthit të "Revolucionit Kulturor" dhe vdekjes së Maos. Pas krizës së Tien An Menit të vitit 1989, kur deri u vu në diskutim hapja e viteve të mëparshme, procesi reformator pati një impuls të ri e më të fuqishëm në fillimet e 1992, nën drejtimin e Ten Hsiao Pinit.
Kurse India, nën drejtimin e ndriçuar të ministrit të atëhershëm të Financave dhe të kryeministrit aktual Manmohan Singh, e fillonte pikërisht atëhere, më 1991. Qe një zgjedhje e detyruar: pas rënies së Perandorisë Sovjetike - partneri i saj kryesor ekonomik dhe politik - qeveria e New Delhi e gjend e mënjanuar dhe e izoluar në skenën botërore, ku ishte venitur krejtësisht ëndrra e saj e lidershipit të vendeve të "paangazhuara" dhe me një ngarkesë katastrofike borxhesh që rrezikonte ta shtypte vendin. Por, në atë pikë, e kish humbur tashmë avantazhin që kishin fqinjët e saj. Më 1960, India kishte një të ardhur për frymë më të lartë se ajo e Kinës. Sot është sa gjysma e asaj kineze. Atë vit kishte të njëjtën të ardhur për frymë të Koresë së Jugut. Sot ajo e Koresë është 13 herë më e lartë. Megjithatë, nisja në periudhën menjëherë pas lufte linte të parashikoheshin zhvillime të tjera. Pas përfundimit të dominimit të huaj (15 gusht 1947), u krijua një republikë laike, e bashkuar dhe demokratike me një shpejtësi të jashtëzakonshme, as nuk u kursyen momente dramatike dhe mizore prej ndarjes së ish-dominionit midis Indisë (me mazhorancë hindù) dhe Pakistanit (mysliman).
Por ekonomia, e dëshiruar socialiste dhe e planifikuar, mbeti tek litarët, duke vuajtur atë që ka përfunduar për t'u quajtur "koeficent rritjeje hindù". Në vitet 1950 e 1960, India tentoi rrugën e modernizimit, duke krijuar një model ekonomie "mikse", midis kapitalizmit dhe komunizmit. Kjo ka nënkuptuar një sektor privat të prangosur e tejrregullim dhe një sektor publik masivisht joefikas dhe i korruptuar. Rezultatet qenë të dobta dhe në vitet '70, dora-dorës që India bëhej më socialiste, u bënë katastrofike. Kuota e Indisë në tregtinë botërore zbriti në zero. Sipërmarrësit dhe familjet e mëdha të botës së biznesit iknin jashtë vendit që të mund të fitonin para dhe t'i shpëtonin vulgatës sovjetike që pretendonte të fiksohej deri numri i bullonave që mund të përdorte një fabrikë. Tani, duhet thënë se pikërisht indianët e diasporës jashtë vendit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen e atdheut: janë kthyer në Indi me para, ide investimesh, standarde globale dhe, mbi të gjitha, një ndjenjë se po të duash mund të arrish çdo objektiv. Suksesi i tyre - në të gjithë botën, por sidomos në dy metropolet e mëdha të kapitalizmit, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe - është një shembull i gjallë, gjithmonë i pranishëm, stimulues sidomos për të rinjtë indianë që janë forca e vërtetë, numerike dhe intelektuale e Indisë së re. Gjysma e popullsisë indiane është më pak se 25 vjeç.
India, a mix of brain power and large scale: India, një kombinim i fuqisë trunore dhe i përmasave të mëdha. Demografia është arma absolute e Indisë për sot dhe nesër. Është njëherazi një rezervë konsumatorësh dhe një levë për të kryer ndryshime të nevojshme. Së bashku, Kina dhe India kanë sot një popullsi të barabartë me 2/5 e të gjithë njerëzimit. Numrat janë mbresëlënës: më shumë se 1.3 miliard banorë në Kinë dhe pothuajse 1.1 miliard në Indi. Por raporti pritet të ndryshojë: më 2025 do të jetojnë në Indi 1.395 miliard persona dhe 1.593 miliard më 2050; kinezët do të jenë 1.441 miliard më 2025, por do të zbresin në 1.392 miliard më 2050 për shkak të koeficentit të tyre të ulët të lindshmërisë. Kështu, resursi më premtues i vendit është një rezervë e madhe dhe e re njerëzore, e pajisur me një arsimim në rritje dhe me avantazhin e një njohjeje të përgjithshme dhe pothuajse të natyrshme të anglishtes (India në vitin 2010 do të ketë numrin më të madh të anglishtfolësve të botës). Qysh sot, falë këtij faktori, India është bërë "zyra e botës" në kundërvënie të drejtpërdrejtë me Kinën, e cila quhet "fabrika e botës". Basti është ai i një zhvillimi më të ekuilibruar. Për shembull, modeli aktual për të cilin bota admiron Indinë dhe për të cilën vendi është sot krenar në perspektivë mund të rezultojë i papërshtatshëm ose, të paktën, i pamjaftueshëm. Është mirë të jesh në pararojë në teknologjitë e informatikës dhe të telekomunikacioneve apo në bioteknologji, është po aq mirë të jeshë qendra botërore e call-center dhe e outsourcing, por nga pikëpamja e numrave - aq më shumë kur bëhet fjalë, si në rastin e Indisë, për shifra me tetë dhe nëntë zero - punësimi që mund të vijë nga një rritje e kufizuar apo të paktën shumë e theksuar në sektorin e shërbimeve nuk është i mjaftueshëm që të thithë një eksod të pashmangshëm nga fshatrat ku akoma jetojnë 700 milion indianë, pothuajse të gjithë në nivele mizerjeje të pashoqe.
Duhet të shikohet edhe nga bujqësia dhe, sidomos, nga industria dhe nga sektori manifakturist. Për të krijuar më shumë punësim duhet pranuar t'i bëhet të paktën një çikë më shumë konkurencë Kinës, që sot është objektivi i preferuar i lokalizimit të fabrikave nga vende më të pjekur (SHBA, Europë e Japoni). Dikush, në mënyrë mizore, ka zbuluar se India ndoshta ka shumë Silicon Valley, por ka edhe tri Nigeri brenda vetes, me më shumë se 300 milion njerëz që jetojnë - ose, më mirë, kërkojnë të mbijetojnë - me më pak se 1 dollar në ditë. 800 milion fitojnë më pak se 2 dollarë në ditë. India ka 40 përqind të të varfërve të botës dhe popullsinë e dytë më të madhe të infektuar nga AIDS në botë. Në vendet në rrugën e zhvillimit, shumë sistematikisht kanë premtuar shumë dhe mbajtur pak. Tendenca është të shtyhen reformat në periudha vështirësie dhe të harxhohen resurse kur presioni ulet. Edhe në Indi, nga fillimi i reformave më 1991 deri më sot, periudha entuziazmi dhe euforie janë alternuar me të tjera zhgënjimi dhe pakënaqësie. India ka një thembër Akili të dukshme, që mund t'i djegë të gjitha shpresat dhe premisat e zhvillimit: gjendjen katastrofike të infrastrukturave që u kërkon kosto shtesë kompanive, duke ulur avantazhin e një kostoje më të ulët të punës.
Vetëm telekomunikacionet kanë pasur një përmirësim të ndjeshëm, ndërsa është larg modernizimi i aeroporteve, hekurudhave dhe porteve. Është këtu që bëhet i dukshëm niveli i ulët i qeverisjes. Një prej aspekteve për të cilat shumë sot duken të prirur për ta preferuar ndaj Kinës së totalitarizmit pak a shumë të ndriçuar është fakti që India është demokracia më e madhe e botës, sigurisht, me limitet dhe me kontradiktat e saj. Pothuajse një mrekulli në historinë e Azisë, por ama një mrekulli me shumë anë të errëta: një korrupsion endemik, në të gjitha nivelet, klientelizëm dhe lokalizëm asfiksues, tundime integralizmi, që kanë provokuar në kohëra pak a shumë të largëta shpërthime urrejtjesh fetare dhe etnike (kujtohen masakrat e sikhëve në New Delhi në vitin 1983 dhe ajo e myslimanëve në Gujarat më 2002). Demokracia është forca e Indisë, por mund t'i bëjë gjërat e vështira, sidomos kur asistohet në një copëzim të rreshtimeve dhe bëhen të pashmangshme qeveri me koalicione të gjëra e laramane (ky i sotmi përmbledh 20 parti!) të afta për të vendosur veto dhe për të bllokuar që të merren vendime, të cilat janë themelore për ecjen në rrugën e reformave dhe të hapjes ekonomike.





