ROMË - Nuk është e vërtetë thënia "Në bocën e vogël është vera më e mirë". Nëse për vite me rradhë jeni ngushëlluar, duke e përmenduar sa herë bëhej fjalë për një fizik jo shumë masiv, tashmë edhe shkenca ju kundërshton. Partneri perfekt është i gjatë, i ka shpatullat e gjëra, fizik të lakuar, proporcione të ekuilibruara dhe sjellje joshëse. Sipas studimit të Universitetit Brunel në Londër, i drejtuar nga Dr. William Brown në bashkëpunim me Departamentet e Shkencave Sociale, të Inxhinierisë dhe Design, ajo që e bën një trup njerëzor tërheqës për seksin tjetër janë format karakteristike fizike të harmonizuara dhe të dukshme.
Përsa i përket grave preferohen ato me forma të theksuara dhe të mbushura, ndërsa për meshkujt duhen muskuj të formuar, krah të fuqishëm dhe shpatulla të gjëra. Mjaft më me femra anoreksike dhe modelet kockë e lëkurë, partneri ideal duhet të jetë mjaft i dukshëm dhe i aftë të tërheqë vëmendjen e seksit tjetër me anën e një fiziku të egër.
Këtë e dinin mirë, Monica Bellucci dhe Angelina Jolie, të cilësuar gjithmonë si femrat më seksi të planetit, ashtu si janë edhe meshkujt Brad Pitt dhe Daniel Craig, por tashmë kjo teori konfirmohet edhe shkencërisht me anë të studimit të Universitetit Brunel. Gjatësia dhe muskujt e bëjnë një trup totalisht të parrezistueshëm.
Për të afirmuar se mashkulli është i bukur nëse është muskuloz dhe femra seksi nëse është e mbushur, skuadra e studiuesve britanikë ka ideuar një skaner special optik tredimensional, i aftë të përcaktojë madhësinë natyrale dhe karakteristikat topografike të një trupi njerëzor.
Pra, imagjinoni një makineri shumë të ngjashme me skanerin e përgjithshëm që gjendet në çdo zyrë, por të madh sa një trup njeriu. Në brendësi të tij nuk futen fletë ose dokumenta, por vullnetarë. Me saktësi dyzet meshkuj dhe tridhjetë e shtatë femra, të cilët kanë dhënë hua trupat e tyre për këtë studim. Për të vendosur se sa tërheqës ishin është dashur një ekip prej tetedhjetë e shtatë personash, të cilët kishin për detyrë të shtjellonin imazhet e kapura nga super skaneri, të gjitha të riprodhuara me ngjyra neutrale (në mënyrë që të fshihet çdo lloj ngjyrosjeje të lëkurës) dhe pa prezencën e kokës.
Si rezultat të studimit, shkencëtarët kanë arritur të nxjerrin një formulë të veçantë e cila, duke përcaktuar një "tregues mashkullorësie", përfshin edhe një seri matematike me rreth njëzet e katër parametra: nga gjatësia minimale deri tek gjërësia e shpatullave, nga madhësia minimale e gjoksit deri tek gjatësia e këmbëve për femrat. Pra, sipas vullnetarëve të ekzaminuar, femrat me përmasa trupore më të zhvilluara se sa modelet e ditëve të sotme janë më seksi, ndërsa meshkujt me përmasa sa më të afërta me "treguesin e mashkullorësisë" janë për gratë shumë tërheqës.
Në krahasim me studimet e kryera më parë, ai i Dr. William Brown mund të krenohet, falë super makinerisë, me një mbledhje absolutisht korrekte të të dhënave të matjeve trupore, sidomos përsa i përket përmasave dhe kontureve. "Tashmë është e vërtetuar se qeniet njerëzore janë të tërhequr njëri nga tjetri në bazë të disa të një sërë cilësish genotipike dhe fenotipike - shpjegon William Brown - me fjalë të tjera, njerëzit ashtu si disa specie të tjera kafshësh, zgjedhin si partner të mundshëm atë që mund të garantojë një riprodhim më të mirë".
Në këtë mënyrë është shumë e qartë përse pëlqehen më shumë gjatësia dhe format. Njerëzit, ashtu si kafshët, në momentin e zgjedhjes së partnerit, mendojnë për pasardhësit dhe preferojnë dikë, karakteristikat fizike të së cilit mund të garantojnë një pasardhës të shëndetshëm dhe me trup të formuar. Por jo gjithçka që është e dukshme është tërheqëse. Sipas William Brown, një aspekt tjetër i rëndësishëm i tërheqjes fizike është simetria: "Studimet e mia paraardhëse - shpjegon ai - tregonin se simetria nuk ishte aspekti më i rëndësishëm i tërheqjes fizike. Por tashmë, me këto të dhëna më të sakta, mund të afirmojmë se ka lidhje të ndërsjellta midis formës së trupit dhe tërheqjes seksuale: proporcionet, forma, struktura, janë sinjale të cilat i komunikojnë të tjerëve një zhvillim fizik dhe gjendje të mirë shëndetësore. Në shumë specie, simetria shoqërohet me zhvillim fizik, shëndet dhe sukses në riprodhim. Kjo vlen edhe për qeniet njerëzore".
Por, meqenëse simetria nuk është diçka e perceptueshme me sy të lirë, Willim Brown përmbyll duke thënë se: "Për të deshifruar cilësinë e partnerit, evolimi ka vënë në dispozicion një sistem sinjalesh më të spikatur si: gjërësia e shpatullave, harku i formave, lëvizjet dhe gjërësia e vitheve".
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI





