Gota që të bën "të lumtur"

Fillojnë në muzg e vazhdojnë deri natën vonë. Të reja, të diplomuara, me një stil jete stresant, pijnë për t'u ndjer më mirë

Fillojnë në muzg e vazhdojnë deri natën vonë. Të reja, të diplomuara, me një stil jete stresant, pijnë (në shoqëri) për t'u ndjerë më mirë dhe për të zhdukur ankthin. Pa e kuptuar se ku po i çon alkooli i njeh, sepse kanë gjithmonë gotën në dorë. E në vend që të hanë, pinë. Preferojnë kokteil të ëmbël, mojito, por edhe gin tonic, Negroni, Bellini, verë të bardhë ose birrë. Janë alkoolistët e happy hour, ato që nisin të pijnë kur dalin nga puna e vazhdojnë deri në netët e vona e s'kënaqen me një. Shpesh u ndodh të ulen për të pirë diçka të lehtë, pastaj gota e parë tërheq të dytën, e dyta të tretën e kështu me radhë. Më të prekurat nga kjo sindromë janë femrat e plotësuara nga ana profesionale, por jo nga ajo personale. Duan të duken sa më të pavaruara, sa më shumë të kënaqura nga vetja dhe nga jeta dhe pa e kuptuar bëhen të varura pas alkoolit. Gjendja e rënduar psikologjike, vetmia dhe stresi duken sikur zhduken shumë lehtë me një gotë para.

Alkooliste "happy hour"

Janë gjithmonë e më shumë në numër. Shumica e tyre janë shumë të reja në moshë. Aq e vërtetë sa studimet në Evropë thonë: "Numri i vajzave që konsumojnë rregullisht alkool, është rritur 113 përqind vitet e fundit dhe femrat përbëjnë gjysmën e pacientëve të alkolizuar".

Shpesh të diplomuara (sipas të dhënave të studimeve, konsumi i alkoolit ndërmjet femrave është përpjestimor me statusin profesional të tyre) dhe me një stil jete stresant, "e përdorin pijen si vetëmjekim", thonë psikologët. "Në kuptimin që përpiqen të mbushin boshllëkun, vetminë. Zakonisht fillojnë të pijnë në perëndim të diellit, kur shkëputen nga angazhimet profesionale e duhet të përballen me jetën personale. Në atë kohë, ankthi nis të rritet e të kërkojë të zhduket nga kokteil-et, vera, alkooliket e forta". Një etilizëm i lidhur me depresionin që, në vend që ta kurojë, e rëndon: ndërkohë që alkooli është helm për sistemin qendror nervor, shkakton depresion dhe krijon ankth, duke rigjeneruar një rreth vicioz, që të bën të pish më shumë", shpjegojnë psikologët. Përveç kësaj, femrave iu duhet më pak se meshkujve për t'u dehur, sepse "kanë një sasi më të vogël alkoldehidrogjeni (një enzimë tretëse). Prandaj filtri i parë për në stomak është më pak i efektshëm dhe alkooli hyn në procesin e tretjes thuajse i plotë".

Gra gjithmonë e më "mashkullore"

Sipas psikologëve, "pija modifikon ekuilibrat hormonalë femërorë, ndikon mbi ciklin e të bën më mashkullore. Gjatë shtatzanisë, shkakton keqformime të frikshme të fetusit, ndërsa gjatë ushqyerjes me gji mund të shkaktojë vonesë në zhvillimin mendor të foshnjës". Asnjë pikë alkool pra, nuk duhet të konsumoht nga gratë shtatzëna. Ndërsa normalisht, nevojitet të kufizohesh në "një gotë e gjysmë verë në ditë ose një shishe birrë apo një kokteil alkoolik, duke ndjekur këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetit", thonë specialistët. "Shumë femra i kalojnë dozat që organizmi mund t'i metabolizojë. Kanë një problem abuzimi, që mund të dëmtojë shëndetin e tyre, pa e vënë re fare, sepse pinë në orare dhe situata shoqërisht të pranueshme, pa u ndjerë skllave të alkoolit. Varësia që shkakton sindromën e abstinencës ngulitet pas disa vitesh. Por është konsumi i tepërt që shkakton simptoma psikofizike, për llogari të vetën. Femra që pi shumë, nuk ndjehet në formë, mund të vuajë nga gastriti, irritohet lehtë, është agresive, e depresionuar, me ankth. I duhet shumë të përqendrohet në punën e saj", shpjegojnë psikologët. Hapi i parë është "të pranojnë problemin". Nëse nuk ia dalin vetë, duhet të konsultohen me mjekun. T'i drejtohen pastaj një psikologu/psikiatri, ose deri një alkologu, për të përshtatur një trajtim dizintoksikimi e mbështetje psikoterapeutike". Problemi qëndron në faktin se këto femra, shpesh shumë të reja në moshë, ndihen shumë mirë kur pijne alkool dhe shumica e tyre nuk arrijnë të kënaqen dhe të defrehen pa të. Janë në një farë mënyre të varura nga pija, por nuk e kuptojnë, pasi nuk u duket problem të pijnë me shoqërinë.

Rrugë për të shpëtuar nga varësia

Le të flasim qartë: askush nuk bëhet e varur nga zbardhuesi i rrobave, por pija nuk krahasohet me asnjë dëfrim tjetër, ajo të pëlqen dhe çuditërisht të duket jo e rrezikshme. Je gjithnjë e bindur se mund ta mbash nën kontroll veten dhe se mund ta lësh kur të duash. Alkoli modifikon mendimet, ndjenjat, heq emocionet, të qetëson. Nis të pihet për këto qëllime. Pastaj, marrja e alkoolit vlerësohet në rrafshin e trurit nga lëshimi i dopaminës. Në disa njerëz, barra bie te sistemet e kontrollit dhe nis varësia. Rreziku është më i madh për ata që kanë një prirje gjenetike: pra, një variant të kromozomit 11 e në veçanti të gjenit që kodifikon receptorët e dopaminës", shpjegojnë mjekët. Për atë që do të shpëtojë nga ky rreth vicioz, ka zgjidhje: të kontaktojë me qendrat e specializuara, të cilat nuk janë aq të frikshme sa duken. Shumë specialistë dinë të japin zgjidhjet e duhura. Në këto raste të vjen në ndihmë zëri esëll i specialistit, jo gota.

Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI