Del Piero synon skudeton dhe Botërorin

Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero tashmë e ka të qartë se çfarë dëshiron këtë sezon, të fitojë skudeton me biankonerët dhe të jetë pjesë e Kupës Botërore me kombëtaren italiane.

“Entuziazmi dhe pasioni është bazë e punës time. Ëndërrova të bëhem një futbollist i madh dhe u bëra”, ka thënë Del Piero.

“Kampionati dhe Kupa Botërore janë dy qëllime të cilat shkojnë dorë pas dore, së bashku me përzgjedhjen e Lippit. Sigurisht se mund të arrijë në kombëtare përmes Juventusit dhe duhet të përqendrohemi. Kemi një ekip të shkëlqyeshëm dhe dëshirojmë të fitojmë”, ka shtuar italiani.

Sulmuesi 34-vjeçar ka shënuar 27 gola në 91 paraqitje që nga debutimi i tij në vitin 1995 me kombëtaren azure. Nëse përfshihet në Botërorin Afrika e Jugut 2010, kjo do të ishte pjesëmarrja e katërt e tij në një kampionat botëror, pas atyre në vitet 1998, 2002 dhe 2006.