
Roger Federer ka bërë hapin e parë drejt arritjes së rekordit për titullin e katërmbëdhjetë Grand Slam me një fitore kundër italianit Andreas Seppi në raundin e parë të Australian Open në Melbourne.Federer dëshmoi se është në formë të mirë duke fituar të tria setet ndaj Seppit. Zvicerani 27-vjeçar e filloi turneun e sivjetmë me një fitore bindëse të setit të parë (6-1). Seppi bëri një performancë më të mirë në setin e dytë dhe të tretin, megjithatë në fund Federer doli fitues (7-6 dhe 7-5). Ish-tenisti numër një në botë, në raundin e radhës do të ndeshet me rusin Evgeny Korolev, i cili e mposhti spanjollin Carlos Moya (6-3, 6-1 dhe 7-6).