"Shën Berisha" si Shën Kozmai


Arben Llalla (18 Janar 2007 )
Ish-kryetar i Forumit të Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, dega Selanik


Deklaratat e fundit të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për
gazetën "TO VIMA", për çështjen çame si problem teknik ligjor dhe jo
problem kombëtar, zgjidhjen e problemit çam midis Greqisë dhe
Shqipërisë pa ndihmën e Europës dhe SHBA-ve, si dhe emërtimin i
minoritetit grek si "vorioepiriot" , ka hutuar politikanët shqiptarë
dhe i ka dhënë një goditje të rëndë çështjes çame. Me këtë deklaratë,
Berisha mund të quhet një Shën Kozma Berisha. Por kush është Shën
Kozmai që kryeministri Berisha po e imiton në kohën tonë?
Shën Kozmai është për grekët babai i përhapjes së greqizimit në Greqi
për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) dhe për asimilimin e
shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente
historike, njëri në to është shkrimtari grek, Thoma Paskidhus, i cili
në vitin 1879 boton një libër për bullgarët, vllahët dhe shqiptarët.
Autori grek shkruan se "këtë vepër ia kushtoj veprës së Shën
Kozmait". Duke e quajtur "BABAI I GREQIZIMIT". Studiuesi i nderuar,
prof. Sherif Delvia, pak muaj më parë botoi një studim për figurën
antishqiptare të Shën Kozmait në gazetën "Shqip". Shën Kozmai përhapi
gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujën e Skënderbeut. Në
gazetën "Shqip" 7 tetor 2006, prof. Delvina solli dokumente për Shën
Kozmanë, ku thuhej:
"Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë
është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të
kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë
greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i
krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do
flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t`i
marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së
tij deri sot, do t`i porosis të gjithë të krishterët që t`i flasin
dhe do t`i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast
sikur të jepte para me mijëra". (Predikimi 7 drejtuar shqiptarëve të
Epirit).
Një dokument tjetër për greqizimin e fshatrave shqiptare të bërë nga
propaganda e Shën Kozmait janë dhe fshatrat Frashtani dhe Lugari në
Dropull. Frashtani dhe Lugari banohet nga shqiptarë ortodoksë dhe kur
kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duhen të asimilohen
dhe të greqizohen.
Për greqizimin e fshatrave Frashtan dhe Lugar në Dropull kemi edhe
dokumentet historike të kohës së mbretit Ahmet Zogu, kur fshatarët e
Frashtanit edhe të Lugarit i shkruanin mbretit të shqiptarëve, Zogut:
Ahmet Zog, o madhëri. Kjo punë qish bëri vaki, të mësojmë grekçen në
skoli (shkolël)? Frashtani dhe Lugari s'kanë punë me Greqinë se janë
me Shqipërinë. Duam gjuhën që flet ti dhe flamurin kuqezi, duam
shkollë si në Muzinë, si fshatrat që kemi fqinjë, Labova me
Lunxhërinë. Dhe gjithë bregdeti ynë.
Ahmet Zogu, Mbreti i shqiptarëve, u përgjigjet fshatarëve të
Frashtanit dhe të Lugarit: "Vllazën të gjakut dhe të gjuhës! Duke
përgëzuar për dëshirat tuaja të zjarrta, ju uroj t'i gëzoni shkollat
shqipe".
Këto janë vetëm disa vështrime historike për propagandën e Shën
Kozmait për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Por sot, në ditën me
diell, po na del një Shën Kozma Berisha i shekullit XXI, më i
rrezikshëm se Shën Kozmai i shekullit XVIII.

Sali Berisha dhe grekët

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i njohur për ndjenjat e tij
kombëtare në vitet 1992-1999, ka filluar që në fillim të vitit 2002
të braktisë çështjet madhore kombëtare dhe të bëhet një vasal i
Greqisë. Në qoftë se do t'i rikthehemi ngjarjeve nga vitit 2002-2007,
Sali Berisha ka bërë mjaft për çështjen greke për aneksimin e Jugut
të Shqipërisë, duke dëmtuar rëndë çështjet kombëtare shqiptare.
Mbas triumfit të Partisë Socialiste në Athinë, në mitingun e vitit
1997, ku për herë të parë një parti shqiptare organizonte miting
parazgjedhor edhe Partia Demokratike mendoi të themelonte degët e saj
të partisë në Greqi.
Kështu, në vitin 2000, në Athinë dhe Selanik u themeluan degët e PD-
së e në këto degë të PD-së u anëtarësuan shumë nacionalistë
shqiptarë, me shpresën se PD-ja përfaqëson të djathtën e vërtetë
shqiptare. Por koha po tregon se kryetari i PD-së qenka bërë vasal
politik i grekëve. Më kujtohet shumë mirë vizita e Sali Berishës më
19 qershor të vitin 2003, ku mori pjesë në Kongresin e Partive
Popullore Demokratike Europiane. Ishte vizita e parë zyrtare e
Berishës në Greqi dhe ai qëndroi nga 19-21 qershor (ose korrik) në
hotel "Sani Beach", rreth 80 km larg nga Selaniku. Siç duket, aty, në
hotel "Sani Beach" Berisha ka mundësi të ketë bërë marrëveshje
politike për ngjitjen e tij në pushtet me ndihmën e grekëve dhe
përhapjen e greqizimit në Shqipëri nga ana e tij.
Në gazetën "Shekulli", Diouardi do të shprehej për takimin e Berishës
me kryetarin e Lobit për Vorioepirin, Nikolas Geixh: "Berisha ka
tradhtuar interesat e shqiptarëve të Amerikës dhe ato të Shqipërisë
që është takuar me armikun e shqiptarëve, Nikolas Geixh".
Për atë takim Berisha u kritikua nga të gjithë personalitetet
kombëtare shqiptare në mbarë botën. Ky është vetëm fillimi i
historisë së krushqisë politike të Berishës me grekët. Berisha, në
fillim të vitit 2006 do të hapte zyrtarisht shkollën e parë greke
shtetërore në Himarë. Atje ku historikisht nuk njihet si vendbanim i
minoritetit grek.
Të hapësh sot një shkollë private greke, turke, italiane, serbe etj.,
nuk është problem kombëtar. Por kur hapen nga shteti shqiptar shkolla
greke aty ku nuk njihet si vend i minoritetit grek, kjo gjë është e
rrezikshme për të ardhmen.
Më tej vazhdon me skandalin e varreve rë ushtarëve të vdekur grekë në
Luftën italo-greke në Shqipëri. Për t'i shpërblyer grekët për ndihmën
që i dhanë në zgjedhjet e 2005-s deklaron se problemi çam është një
problem ligjor dhe jo kombëtar.
Por le të kthehemi edhe një herë në deklaratën e Berishës për gazetën
greke "TO VIMA", të cilën e botuan edhe në mediat shqiptare, ku
thuhet: "I pyetur për minoritetin grek në Shqipëri, Berisha u
përgjigj se "vorioepiriotë t" janë integruar në shoqërinë shqiptare,
sikurse shumë shqiptarë i janë bashkuar shoqërisë greke".
Berisha duhet ta dijë se termi "vorioepiriot" në gjuhë diplomatike
midis dy vendeve është i ndaluar. Politikanët grekë zyrtarisht
asnjëherë në Tiranë nuk e kanë përmendur fjalën "vorioepiriot" ,
ndërsa kryeministri ynë në prag zgjedhjesh bën gafën më të madhe
diplomatike, duke i quajtur minoritarët grekë "vorioepiriotë ", ashtu
siç i quajnë qarqet shoviniste greke. Sali Berisha bën mirë të
kërkojë falje publike për këtë, sepse po nuk e bëri, historia do ta
dënojë si Shën Kozma Berisha.
Zoti Kryeministër! Unë nga mëma jam nga Gjirokastra, ndërsa gjyshin e
babait e kam me origjinë nga Suli i Janinës. A mund të më thoni: A
ndihem grek? A jam unë "vorioepiriot" ?!