Pas ofertës së Manchester Cityt prej 107 milionë funtesh për yllin e Milanit, Leite Kaka, menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson ka paralajmëruar rivalët e qytetit, por edhe klubet tjera, se Cristiano Ronaldo nuk është në shitje për asnjë çmim.Ditë më parë filluan të qarkullojnë spekulime se Real Madrid është i gatshëm të ofrojë 115 milionë euro për transferimin e yllit portugez. Mirëpo, Ferguson është i vendosur të mbajë 23 vjeçarin në Old Trafford. “Nëse Kaka vlen 100 milionë funte, atëherë Ronaldo dhe Lionel Messi vlejnë po aq.Por, Cristiano sapo është zgjedhur futbollisti më i mirë në botë para atyre dy, andaj mund të themi se vlen më tepër – 120 milionë funte.Megjithatë, nuk ka shans për ndonjë marrëveshje dhe ky është qëndrimi i pronarëve dhe i imi. Cristiano ndihet shumë mirë me ne”, deklaroi Ferguson të hënën për tabloidin anglez Daily Star.“Kemi punuar shumë për të arritur sukses dhe mendoj se edhe Ronaldo e kupton se ka fituar çmimet individuale, pasi është futbollist i Manchester Unitedit”, përfundoi ai.





