Dr. Zef Mirdita, Profesor Universiteti
Zagreb, Kroaci
GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU MBROJTËS I QYTETËRIMIT EUROPIAN (1405 – 2005)
Milan Schufflay-i, albanologu i shquar kroat dhe njëheras edhe themeluesi i historiografisë mesjetare shqiptare, duke vlerësuar lart personalitetin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ndër të tjera thotë: “Nën udhëheqjen e Skënderbeut e tërë bujaria shqiptare u bashkua tok në luftë kundër turqve. U krijua shteti i parë shqiptar, pas rënies së Konstantinopolit, Serbisë dhe Bosnjes, shteti i fundit i madh kristian në Ballkan”. Ndërsa, historiani më i madh kroat i gjysmës së parë të shekullit XX, Ferdo Šišić, në një punim që ka mbetur në dorëshkrim dhe i cili ruhet në Arkivin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Zagreb, me titull “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe koha e tij”, shkruan që në fillim: “Ç`është në mesin e poetëve Shekspiri, ç’është në mesin e oratorëve Çarls Xhejms Foksi (1749-1806), burrë shteti dhe orator britanik, ç’është në mesin e udhëheqësve ushtarak Napoleoni, Skënderbeu në mesin e trimave është trim i vërtetë”- dhe vazhdon “përderisa kalorësit europian frigoheshin nga fytyrat e mërdhezura jeniçere, Skënderbeu me dorën e djathtë të vetën ka pre deri dymijë turq dhe derisa mbretërit dhe perandorët që sulmoheshin nga sulltanët, të dëshpëruar dhe të frikësuar kërkonin ndihmë nëpër tërë botën kristiane, Skënderbeu trim me një grusht shqiptar trima luftoi kundër ushtrisë tejet të madhe të armikut dhe korri fitore”.
E fillova këtë punim me mendime dhe konstatime të dy shkencëtarëve të mëdhenj kroatë jo për tjetër, por se vetëm të tregoj dhe dëshmoj se madhëria e Skënderbeut nuk qëndron vetëm në atë se ka qenë burim frymëzues dhe shembëlltyrë e burrërisë së popullit shqiptar, por edhe i gjithë atyre popujve që lëngonin nën zgjedhën osmano-turke të cilët luftonin për çlirimin shpirtëroro-kombëtar nga nënshtrimi aziatik. Skënderbeu në të vërtetë, jo vetëm në kohën e tij, por edhe pas vdekjes ka qenë krenaria e popujve të lirë dhe ua ka zgjatur jetën të gjithë atyre të cilët në rrugët e gjata historike i drejtoheshin trashëgimisë së gjeniut të tij. Pikërisht në dritën e këtij fakti duhet kuptuar dhe mund të kuptohet krijimi i panumërt i veprave shkencore historike, të studimeve, romaneve, dramave, operave dhe epikës popullore.
Ndonëse nuk kam ndërmend që të ndalem në paraqitjen e fitoreve të tija të shkëlqyeshme të cilat i korri në luftë kundër ushtrive osmano-turke, megjithatë mendoj se nuk është e tepërt po qe se theksohet roli i tij i pakontestueshëm dhe i paharruar në mbrojtjen e qytetërimit europian të kohës së tij, konkretisht të shekullit XV.
Për ta kuptuar më mirë këtë rol dhe për ta shiquar sa më saktë, është më se e nevojshme që personaliteti i Skënderbeut të trajtohet në kuadër të kohës kur ka vepruar, të ambientit shpirtëroro-kulturor të Shqipërisë së asaj kohe dhe të rregullimit shpirtëroro-politik të Europës së kohës së tij.
ÇFARË ISHTE AMBIENTI SHPIRTËRORO-KULTUROR E POLITIK I SHQIPËRISË NË KOHËN E SKËNDERBEUT?
Shqipëria, atdheu i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në shekullin XV ka qenë trashëgimtare e fuqive të ndryshme kulturoro-shpirtërore siç janë: latine e bizantine, kurse politikisht nën patronatin e Republikës së Venedikut. Shqipëria e asaj kohe për nga mënyra e jetës së dinastive- apo shtëpive të mëdha vendase-, madje dhe të qyteteve me statutet e tyre që ishin imitim i atyre italiane, por edhe të qyteteve tjera të Europës Perëndimore, aspak nuk dalloheshin prej atyre europiane. Qytetet bregdetare të Shqipërisë, përveç Vlorës, i takonin kulturës dhe qytetërimit latin.
Mirëpo, në ndërkohë, përkundrejt mbështetjes venedikase, për dallim nga strukturat e qyteteve, dinastitë e moçme në sferën politike ishin në rënie e sipër. Arsyen për këtë duhet kërkuar në faktin se këto dinasti, e posaçërisht ato me origjinë bizantine, ishin të luhatshme në konfliktin në mes Romës dhe Stambollit. Një luhatje e tillë u shpreh edhe në paaftësinë e tyre që t`u kundërvihen sulmeve ushtarake osmano-turke; kurse Europa dridhej nga frika dhe rreziku që po i kanosej. Kjo frikë u bë edhe më e madhe kur Stambolli-Konstantinopoli-Roma e dytë dhe qendra e Perandorisë lindore romake, por edhe e krishtenizmit të ritit oriental, të premten më 29.05.1453, ra në duart e osmanlinjëve. Kjo katastrofë jehoi tmerrshëm në tërë botën e atëherëshme kristiane dhe shkaktoi përçarje në mesin e tyre.
Bizantinët i akuzuan latinët sepse më tepër merreshin me problemin e dy kishave simotra - asaj Romake dhe Ortodokse, kurse latinët i akuzonin bizantinët për shkak të dyftyrësisë së tyre ndaj perëndimorëve sepse më parë ishin të gatshëm t`i nënshtroheshin turbanit sulltan se sa të pranonin bashkimin e kishave dhe primatin e papës.
Që të jem më i qartë, duhet të ndalem pak në këtë problem.Këtu kemi të bëjmë me Koncilin Kishtar që mbahej në Firencë që nga viti 1438 deri më 1442. Në këtë koncil morrën pjesë si prelatët e lartë të Kishës së Lindjes apo ortodokse, ashtu edhe ata të Kishës së Romës. Njëra prej konkluzave të këtij koncili ishte edhe bashkimi kishtar, gjegjësisht uniatizmi. Lidhur me këtë klauzulë u vendos që të organizohet ndihma Bizantit që të ndalen sulmet e ushtrisë osmano-turke. Mirëpo, duke iu falënderuar popullit, klerit të ulët e sidomos të murgjve të Malit Atos, vendimet e sjellura në këtë Koncil mbetën vetëm shkronja mbi letër. Tek e fundit, edhe vetë patriku i Konstantinopojës, Genadiu, në mënyrë të hapur ishte në lidhje të ngushtë me udhëheqësit e rrezistencës kundër bashkimit me Kishën e Romës. Njëri prej udhëheqësve të rrezistencës me të cilin ishte ngusht i lidhur edhe patriku Genadiu, ishte duka i madh Lukë Notari, admiral i njohur i flotës bizantine dhe kryekomandant i ushtrisë bizantine. Është interesant se pikërisht ky komandant në vigjilen e rënies së Konstantinopojës i i pat thënë fjalët e njohura: më mirë vlen turbani i sullatnit se tiara e papës. Dëshira e tij u realizua: Haia Sofia-Kisha e Madhe në Stamboll u shndërrua në Xhami dhe nga maja e kupolës së madhe u hoq kryqi dhe u vendos gjysmëhëna.
Shqipëria e asaj kohe në pjesën veriore i takonte arealit kulturoro-shpirtëror latin, kurse në jug, atij greko-bizantin. Mirëpo, për nga aspekti kishtar e tëra i takonte Romës. Fundja duhet theksuar se Kisha e krishterë ndër shqiptarë, si ajo e ritit latin ashtu edhe ajo e ritit greko-bizantin, përherë është mbajtur anash konflikteve që zhvilloheshin në mes Romës dhe Konstantinopojës. Përkundrejt disa luhatjeve të përkohshme, i tërë kleri i të dy riteve i ka mbetur besnik Kishës së Romës.
Njësoj është situata edhe me dinastitë dhe strukturat tjera laike shqiptare. Sadoqë disa dinasti, e sidomos ato që i takonin ritit greko-bizantin, ishin në luhatje e sipër në mes Konstantinopojës dhe Romës, me siguri mund të thuhet se në kohën e Skënderbeut të gjithë ishin në anën e Romës. Ky konstatim vlen, sidomos, për shtëpinë e Kastriotëve, domeni i së cilës shtrihej që nga Mati e deri në Prizren. Në të vërtetë, kjo shtëpi, me gjenerata të tëra ka qenë e lidhur me ipeshkvijtë latin, gjegjësisht, të ritit romak dhe atë jo vetëm në shek. XIV dhe XV, por edhe më parë. Por, nga ana tjetër, duhet theksuar se në Shqipërinë e shekullit XV, pra në kohën e Skënderbeut, asnjëri nuk është ndier as grek e as latin, por kristian perëndimor. Këtë më së miri e ka shprehur Fan Noli në librin e tij mbi Skënderbeun, i cili është edhe doktorati i tij, kur thotë: “Katholikizma nga njëra anë - i jipte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet, edhe nga ana tjetër, e lidhte me botën e krishterë europiane”, gjegjësisht, “Katholikizma”, vazhdon Noli, “në Shqipëri ishte “si një protestë kundër zotërimit bizantin dhe serp”. Ja, pra, në këtë rrezatim shpirtëror e kulturor madje edhe politik, lindi Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.
Data e saktë se kur është lindur ende nuk është dëshmuar. Mendohet sa ka lindur më 1405. I ati i tij, Gjoni, i mundur nga turqit qe i detyruar që birin e tij Gjergjin, së bashku me vëllezërit e tjerë t`ia jep peng sulltan Muratit II. Falë natyrës së zgjuar Gjergji shpejt përparon dhe bën një karierë magjepëse ushtarake. Mbi rininë e tij deri në kthimin e tij në Shqipëri shumë pak dihet. Dihet vetëm se në nëntor të vitit 1443, pas fitores mbi Turqit në betejën e Nish*t, me dinakëri kthehet në Krujë ku e shpallë pavarësinë e vet nga sullatni dhe publikisht deklarohet si i krishterë. Më 1444, në Lezhë e konvokon Kuvendin në të cilin marrin pjesë të gjithë krerët e Shqipërisë, dhe e themelon Lidhjen e parë Shqiptare, të njohur si Lidhja e Lezhës, qëllimi i së cilës ishte lufta e përbashkët kundër turqve. Në këtë Kuvend Skënderbeu njëzërit zgjedhet për kryekomandant të ushtrisë shqipatre që përbëhej nga njësi të ndryshme të dinastëve shqiptarë. Që nga viti 1444 e deri më 17 janar 1468, kur vdes në Lezhë nga ethet, pasi kungohet, dhe varroset në kishën e Shën Kollit në Lezhë, të cilën turqit e kthejnë në xhami, kurse, siç thotë Marin Barleti, prej eshtrave të tij turqit bëjnë hajmali për ushtarët e tyre, Skënderbeu i zhvillon 22 beteja ngadhënjyese. Ka luftuar kundër dy sulltanëve më të fuqishëm të asaj kohe- kundër sulltan Muratit II dhe sulltan Mehmet-pushtuesit.
Pas la djalin e vogël Gjonin dhe bashkëshorten Donikën. Nënë e djalë u strehuan në Napol te Ferdinandi Aragonas, i biri i Alfonsit. Me ta së bashku, për shak të terrorit që e bënin turqit dhe për ta ruajtur etnoidentitetin e vet kulturor e fetar, fillon egzodi apo braktisja e vendlindjes së shqiptarëve, të cilët u strehuan në Jug të Italisë dhe në Sicili si dhe në vendet tjera evropiane kristiane.
GJERGJ KASTRIOTI- SKËNDERBEU MBROJTËS I QYTETËRIMIT KRISTIAN EVROPIAN
Papa Kalisti III (1455-1458), me origjinë spanjolle, në letrën dërguar Skënderbeut më 11 shator 1457 ndër të tjera shkruan: “Nuk ka njeri që i ka të njohura veprat e tua e që nuk i ngritë në qiell me lavdatat më të larta dhe të mos flet për trimërinë tënde si për një ushtar të vërtetë, për një mbrojtës të emrit të krishterë”. I njëjti papë në një letër tjetër të vitit 1458, ndër të tjera thotë:” Me të vërtetë shohim se ai është pothuajse i vetmi i cili i është kundërvyer invadimit të egër turk, e nuk ka lejuar afrimin e tyre (Europës)”.
Nga këto konstatime shihet qartë se si njihet dhe dëshmohet roli i Gjergj Kastriotit në mbrojtjen e qytetërimit europian kristian.
Kuptohet se për ata të cilët, duke iu falënderuar ligështisë së paraardhësve të tyre, e braktisin fenë e krishterë dhe me këtë kuptohet edhe identitetin shpirtëror kristian, një konstatim i lartëpërmendur vështirë kuptohet, madje edhe vështirë pranohet. Për ata Skënderbeu edhe në kohën e botës shpirtërore bipolare kur popujt luftonin në emër të krishtenizmit dhe islamizmit, është hero kombëtar. Megjithatë duhet thënë të vërtetën. Skënderbeu në atë kohë ka luftuar në emër të kristianizmit dhe për krishtenizëm, në mbrojtjen e qytetërimit kristian europian i cili rrezikohej gjithnjë e më tepër nga sulmet aziatike, osmano-turke. Se është kështu e thotë edhe vetë Skënderbeu me rastin e drejtimit të tij pushtetmbajtësve perëndimor për ndihmë.
Hero kombëtar Skënderbeu do të bëhet në kohën e Rilindjes kombëtare, në shekullin e XIX. Por lidhur me këtë çështje do të flas pak më vonë.
Për ta kuptuar më mirë rolin e tij në mbrojtjen e kristianitetit europian duhet pasur parasysh ç`është kuptuar me nocionin Europë në shekullin XV.
Shikuar politikisht, Europa e shek. XV është dhe nuk është Europë. Para shek. XV emri Europë ka qenë vetëm një nocion gjeografik. Ndërkaq në antikë, kur ajo paraqiste vetëm një krahinë të vogël në pjesën “europiane” të ngushticës së detit të Stambollit, idea e tërësisë së saj kontinentale, politikisht paraqitej në suazat e Perandorisë Romake, kurse në aspektin kulturor, në traditën greko-romake. Kurse në mesjetë kjo tërësi kuptohej dhe shprehej si kristianitet – latinisht christianitas, gjegjësisht bashkësia politike kristiane. Mirëpo, me shfaqjen e humanizmit si drejtim letraro-filozofik, fillon ringjallja e gjuhëve kombëtare dhe me këtë edhe theksimi i veçantive kombëtare me kërkesë të të drejtave vetanake. Me një fjalë Europa e shek. XIV dhe XV politikisht ishte e përçarë me lëvizje populliste, të përshkuara me mësime fetare sektashe dhe heretike siç ishin galikanizmi në Francë, germanizmi antiromak në Gjermani, pastaj huzitizmi në Çeki. Kurse në planin politik kjo Europë ishte e ngarkuar me kundërthënie në mes shteteve dhe luftës civile. Kuptohet se një Europë e tillë, e përçarë, nuk ishte në gjendje t`i kundërvihej fuqisë aziatike e cila tashmë ishte, si të thuash, para dyerve të Europës. Uniteti politik i Europës ishte vetëm ideal apo më mirë të thuhet, ishte vetëm një ëndërr. Së këndejmi në gjirin e Kishës perëndimore apo latine shpërtheu plasaritja dhe përçarja. Kuptohet, Kisha katolike ishte e vetmja fuqi e cila ishte në gjendje të merrte rolin udhëheqës në organizimin e mbrojtjes së qytetërimit kristian kundër furisë destruktive bartëse e së cilës ishte ushtria osmanoturke. Pikërisht në këtë kontekst dhe në këtë frymë duhet kuptuar sintagmën “Perëndimi kristian” gjegjësisht “Europa kristiane”.
Është më se e qartë se për njeriun e sotëm me mentalitet të laicizuar sintagma e përmendur vështirë mund të kuptohet. Madje edhe për shumicën është edhe e papranueshme. Mirëpo, për papët e asaj kohe një Gjergj Kastrioti ishte person në të cilin pa kurrëfar hamendje kanë mundur të mbështeten. Për këtë ka qenë i vetëdijshëm edhe vetë Skënderbeu siç mund të kuptohet nga letra e tij, dërguar më 31.10.1460 Gjon Anton Orsinit, në të cilën shprehimisht thotë: ”sikur të isha shkelur unë me siguri se këtë do ta kishte ndier e para Italia”. S`do mend se një shprehje e tillë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nuk ishte vetëm një gjest diplomatik i diktuar nga vija e parë luftarake - ballë për ballë me armikun. Kjo ishte, në të vëretetë, shprehje e besimit të thellë dhe të sinçertë. Për këtë besim e kushtoi edhe tërë jetën e vet, shkathtësinë ushtarake dhe atë diplomatike. Kjo shihet edhe nga fakti se për relacione dhe komunikime diplomatike me pushtetmbajtësit europian të kohës i zgjedh njerëzit nga strukturat e larta kishtare, siç ishin prifti dhe humanisti Gjon Gazulli, abati dhe protonotari apostolik Gjergj Pelinji, Pal Engjëll-Dushi arqipeshkëv i Krujës, Pal Engjëlli, arqipeshkëv i Durrësit.
Tek e fundit edhe vetë papët ishin të vetëdijshëm për bindshmërinë e tij të thellë ndaj kristianitetit europian dhe ndaj besimit të krishterë. Për këtë gjë flasin qartë dokumentet e papëve të Romës, që kanë të bëjnë me Skënderbeun. Atë papët e quajnë Athleta Christi (ushtar i krishtit), defensor fidei (mbrojtës i fesë) etj.. Pikërisht këto emërtime, qartë dëshmojnë se bindja e tij kristiane nuk ishte e karakterit formal. Si të kuptohen ndryshe fjalët e papës Kalistit III kur thotë: “Nuk është e nevojshme të ma rekomandoni sepse unë me të jam ngusht i lidhur shpirtërisht”. Skënderbeu, në të vërtetë, në momentin më kritik për kristianitetin europian bëhet dhe mbetet i vetmi aleat i papëve të cilët me mish e me shpirt kanë vepruar për shpëtimin e kësaj Europe. Për këtë na dëshmojnë dokumentet e papëve që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Skënderbeut. Nga ato qartë shihet se Skënderbeun nuk e kanë quajtur kot me titujt e përmendur, por edhe e kanë ndihmuar, përveç finansiarisht edhe në mënyra të ndryshme. Kështu papa Kalisti III përveç ndihmës finansiare e dërgon Giovani Navaron, njërin prej këshilltarëve të vetë më të njohur ushtarak me qëllim të përpilimit të planeve strategjike ushtarake për luftë kundër turqve. Më vonë e dërgon edhe nipin e vetë, Michele Borgian me një flotilë e cila, për fat të keq, nuk arriti në cak. Ky papë ishte i vetëdijshëm për meritat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, për gjithçka që bëri në ruajtjen e krishtenitetit europian përkundër premtimeve boshe të sovranëve të tjerë laikë. Këtë e vërteton edhe me fjalët : “Meritat e tij janë më të mëdha se të të gjithë princërve të tjerë të krishterë”.
Pasardhësi i Kalistit III, i njohuri Enio Silvio Picolomini, i njohur si papa Piu II (1464-1473), diplomat i njohur, ishte i tëri i përshkuar me shpirtin e zjarrit të kryqatorëve. Me këtë qëllim e organizoi një kongres paneuropian. Por, përveç fjalëve boshe, në këtë kongres nuk është marrë asnjë vendim i prerë. Pasi morri vesh se Bosnja kishte ra nën pushtetin turk më 1463 vendosi të ndërmerr edhe një akcion luftarak duke besuar se edhe pushtetmbajtësit laikë do ta ndjekin pas. Përveç venedikasve të cilët ia dërguan një flotilë, papa Piu II në muajin qershor të vitit 1464 niset për në Shqipëri me qëllim që ta kurorzojë mbret Skënderbeun. Sepse për të Skënderbeu ishte: “Christi propugnator acerrimus” (Mbrojtësi më i ashpër i Krishtit). Mirëpo, në udhëtim e sipër, në Anconë , më 15 gusht të vitit 1464, papritmas vdes.
Nga e gjithë kjo që u tha më sipër shihet qartë se, Europa si e tillë, duke iu falënderuar përçarjeve, intrigave të ndërsjellta të sundimtarëve, pastaj ambicieve personale, nuk ishte në gjendje që në mënyrë serioze dhe efektive të mbrohet nga rreziku osmano-turk. E vetmja fuqi kohezive që ka mundur ta bashkojë Europën ishte Kisha katolike dhe papati. Dhe jo vetëm kaq. Papët ishin organizatorë kryesorë të koalicionit antiturk në mbrojtjen e kristianitetit të Europës së përçarë. Prandaj për osmano-turqtë, të krishterët katolikë ishin armiq të shenjuar. Sepse i takonin papatit.
Venediku dhe Napoli për dallim nga papët, ndihmën ia kushtëzonin Skënderbeut. Ndërkaq edhe kjo ndihmë ishte më tepër në fjalë se në vepra. Megjithatë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu plot 25 vjet qëndroi në ballë të betejës kundër osmano-turqve dhe siç thotë Fan Noli “ e shpëtoi Romën dhe Europën nga katastrofa e tmerrshme që u kanosej nga invadimi turk, që do të kishte qenë rrënimi i plotë i jetës ekonomike dhe qytetërimit europian. Pjesa që i takon Skenderbeut në këtë shërbim jashtëzakonisht të rëndësishëm është zor të çmohet më tepër nga ç`duhet”. Kështu e përfundon Noli veprën e tij mbi Skënderbeun. Dhe me vdekjen e Skënderbeut, më 17 janar të vitit 1468 Europa do të humbë mbrojtësin e vetë më të rëndësishëm.
SKËNDERBEU HERO I SHQIPTARËVE
Me rënien e Shkodrës më 1479 dhe me dorëzimin e Durrësit nga ana e Venedikasve turqve, me një marrëveshje paqësore të 25 prillit të vitit 1479, Shqipëria praktikisht, ekonomikisht dhe shpirtërisht bëhet pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane. Që nga kjo kohë në dokumentet historike quhet Albania Turcica (Shqipëria Turke). Me kalimin në islamizëm, pa marrë parasysh me vullnet apo me dhunë, jo vetëm të strukturave të pasura nëpër qendrat urbane, por edhe të atyre fshatare, fillon për fat të keq, shndërrimi i identitetit shpirtëror të shqiptarëve në dëm të atij europian. Pastaj “me islamizimin masiv”, siç thotë profesor Aleks Buda, “që përfshinë pothuaj dy të tretat e popullit shqiptar, u krijua një faktor ndryshueshmërie, që pati pasoja fatkeqe për Ballkanin dhe veçanërisht për Shqipërinë, sepse krijoi një varg elementesh grindjeje në gjirin e familjes së popujve ballkanikë dhe në gjirin e popullit shqiptar”. Me qëllim të ruajtjes së identitetit etnokulturor dhe shpirtëror, por edhe nga dhuna e paskrupullt turke mbi popullatën e krishterë, fillon egzodusi apo largimi i popullatës shqiptare të krishterë nga Shqipëria. Kuptohet se kjo popullatë, përveç dokeve e zakoneve, me vete e merr edhe kujtesën mbi Gjergj Kastriotin- Skënderbeun. Duke e shfrytëzuar emrin e Skënderbeut, Jeronim de Rada (1814-1903), poeti i madh italo-arbëresh, e vën në pah çështjen e popullit shqiptar para pushtetmbajtësve europian, duke kërkuar prej kësaj Europe, për lirinë e së cilës pat luftuar Skënderbeu, që ta heqë velin e heshtjes dhe të ndërmerr në mënyrë konkrete akcione për kauzën shqiptare dhe për çlirimin e popullit shqiptar nga zgjedha turke. Emri i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në kohën e Rilindjes kombëtare, për shqiptarët u bë fuqi mobilizuese në luftë kundër turqve. Përveç Jeronim de Radës në nxitjen e ndërgjegjes kombëtare lidhur me emrin e Skënderbeut, rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Naim Frashëri (1846-1900), që i takonte rendit të bektashinjëve. Ky shkruan veprën “Istori e Skenderbeut”. Për ta kuptuar këtë sa më mirë duhet të kuptojmë rrethanat e shek. XIX. Ishte ky shekull i romantizmit, por edhe i lëvizjeve çlirimtare të popujve të Ballkanit. Të krishterët e Ballkanit në luftë kundër turqve, për çlirimin kombëtar, shkonin me klithjen: ”Për kryqin e ndershëm dhe lirinë e artë”. Mirëpo, një klithje e tillë ndër shqiptarët muslimanë ishte e pamundshme dhe e kotë. Sepse siç thotë Ismail Kadareja : “Turqizimi i qindra mijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjese tjetër, ngatërrrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmonte se ndjenja patriotike e një pjese të shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej”. Prandaj rilindasit për ta zgjuar ndjenjën kombëtare ndër gjithë shqiptarët, pra edhe të atyre të besimit musliman, mbështeteshin në personalitetin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, duke krijuar prej tij një shembëlltyrë mitike. Duhet cekur se në krijimin e këtij miti kombëtar në luftë kundër turqve ka kontribuar Naim Frashëri i cili konsideronte se bektashizmi duhet të jetë besimi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, pasiqë ai bazohet si në Bibël ashtu edhe në Kuran. Në këtë frymë duhet kuptuar edhe nocioni “hero kombëtar” lidhur me Skënderbeun.
Si qendron ceshtja e shpateve te Skenderbeut?
marr nga Gazeta Korrieri 11 Mars, 2005
Nga Prof. Kristo Frasheri
Tashme dihet se nga objektet personale te Skenderbeut ne ditet tona kane arritur vetem dy shpata, nje perkrenare dhe nje liber uratash. Tre te parat ndodhen ne Muzeun Historik te Artit (Kunschistorisches Muzeum), ne Vjene kurse libri i uratave ne fondet e Shtepise Botuese "Shelley House" ne Celsi, Londer. Nder objektet e Vjenes perkrenarja eshte e njohur nga te gjithe. Eshte punuar me metal te bardhe me nje rrip (ruban) te lare ne ar. Ne maje te saj eshte vendosur nje koke dhie me brire punuar ne bronx, e lare gjithashtu ne ar. Ne pjesen e poshtme te saj, ka rreth e rrotull nje rrip bakri me nje mbishkrim prej gjashte rrokjesh, te ndare midis tyre me rozeta: IN * PE * RA * TO * RE * BT, qe do te thote: Jhezus Nazarenus * Principi Emathiae * Regi Albaniae * Terrori Osmanorum * Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit te bekon ty Skenderbej, princ i Matit, Mbret i Shqiperise, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit). Qe kjo perkre nare i takon Heroit, deri sot askush nuk e ka vene ne dyshim, me perjashtim te rripit prej bakri me gjashte monogramet, i cili duket se eshte vene me vone nga pasardhesit e Heroit, ndoshta duke menduar se me shtimin e titujve do t'ia rritnin atij vleren. Ne te vertete Skenderbeu nuk ka mbajtur asnje nga keto tituj (as princ i Matit, as Mbret i Shqiperise, as Mbret i Epirit), por vetem ne fillim Zot i Dibres dhe i Matit, me pas Zot i Krujes dhe me ne fund, zot i Shqiperise (Dominus Albaniae).
Dy shpatat qe ndodhen ne Vjene jane te ndryshme nga pikepamja tipologjike. Njera, e gjate (121 cm) me trup pjeserisht te harkuar, peshon 3.2 kg, tjetra e shkurter (85 cm) dhe me trup te drejte, peshon 1.3 kg.
Deri disa kohe me pare askush nuk kishte shfaqur dyshime se armet qe ndodhen ne Muzeun e Vjenes nuk jane te Skenderbeut. Por ja, qe tani doli nje historian i ri, me emrin Dritan Egro, i diplomuar ne Turqi si historian i Perandorise Osmane, te cilin Ins tituti i Historise, Tirane, e dergoi ne Vjene per te zgjeruar njohurite tona mbi keto objekte te vetme, qe kemi trasheguar nga Heroi. Ne perfundim te kesaj "ekspedite" ne prisnim qe ai te na sillte si "dhurate" per jubileun e 600 vjetorit te lindjes se Heroit nje punim me njoftime me te plota rreth ketyre tre objekteve, te cilat cdo shqiptar i nderon dhe i adhuron si relike te shenjta. Por, ai na fton te heqim dore nga dy shpatat e Heroit, pasi as njera, as tjetra, nuk qenkan armet e mirefillta te Skenderbeut. Nuk ka dyshim se ky njoftim e ka cuditur opinionin publik shqiptar, i cili pret nga dita ne dite te vijne nga Vjena objektet e Heroit- qe te qendrojne ketu disa jave ose muaj per t'i pare nga afer me sy, per t'i nderuar dhe per t'u perulur para tyre. Sigurisht qe e verteta historike duhet te triumfoje ndaj legjendave, kur ato nuk kane fare baze dokumentare dhe kur ato prishin pune, ndonese mund te mbyllet nje sy kur ato nuk jane plotesisht te dokumentuara dhe kane nje permbajtj e te thelle simbolike. Perkundrazi, per dy shpatat e Skenderbeut, sikurse do te shihet me poshte, nuk mungojne burimet dokumentare qe deshmojne se ato i perkasin Heroit.
Fill pas vdekjes se Skenderbeut, e shoqja Donika dhe i biri Gjoni, kur merguan ne Itali moren me vete, midis te tjerave edhe dy shpatat, sebashku me perkrenaren e Heroit. Pas vdekjes se tyre ato kaluan ne duart e trashegimtareve. Sic dihet Gjoni pati kater djem, por prej tyre vetem djali i trete, Ferdinandi pati trashegimtare, kurse tre te tjeret (Gjergji, Kostandini, Frederiku), nuk paten femije . Ferdinandi, i cili vdiq me 1561 gjithe pasurine e tij ia la se bijes, Irenes, e vetmja femije legjitime e tij (femijet e tjere qene jashtemartesore). Irena Kastrioti, e cila pervec pasurise trashegoi dhe titullin dukeshe, u martua me 1564 me princin Pier Antonio di Sanseverino, por i shoqi, sic thone historianet italiane ishte nje plengprishes. Me shpenzimet e te hollave me vend e pa vend, brenda nje kohe te shkurter e beri pasurine e tij rrush e kumbulla. Kur vdiq, ai i la se shoqes, Irenes nje pasuri te shkaterruar dhe 700.000 dukate ari borxhe, nje shume kjo jashtezakonisht e madhe. Per te kapercyer gjendjen e shkaterruar ku e katandisi i shoqi, Irena ne bashkepunim me nje vella te saj jashtemartesor, Akili, u detyrua te shiste pasurine. Duket, se kjo situate financiare kritike, Irena Kastrioti vete, ose sebashku me vellane e saj u detyrua te shiste edhe objektet e Skenderbeut, te cilat kaluan ne duart jo te nje, por te dy bleresve. Ne vitet '70 perkrenarja dhe shpata e s hkurter ndodheshin ne duart e Dukes se Urbinos, kurse shpata tjeter ne ato te dukes se Areskotit. Por te dy pronaret e rinj, objektet e Skenderbeut ua kaluan pronareve te tjere. Perkrenaren dhe shpaten e shkurter e bleu nga duka i Urbinos, Konti Eolfang i Sturbenbengut, kurse shpaten tjeter qe zoteronte Duka i Areskotit e bleu arkiduka i Stirise, Karli biri i dyte i perandorit te Austrise, per muzeun e vet, qe kishte ngritur ne qytetin e Gratzit. Kjo vertetohet nga shenimi qe permban inventari i Muzeut te Gratzit, i mbajtur me 1 nentor 1590, ku thuhet: "Me 30 tetor (pra dy dite me pare - K.F.), shpata e Skenderbeut prej Bossega e lyer me argjend hyri ne koleksionin e armeve". Ai qe i bashkoi te dy shpatat ishte biri tjeter i perandorit gjerman (vellai i Karlit) arkiduka Ferdinand i Tirolit. kancelari i tij, J. Shrenke (Jacob Schrenk von Götzing), pasuroi me to muzeun qe Ferdinandi kishte ngritur ne keshtjellen e Ambrasit, prane Innsbrukut ne Tirol, me pvepra arti dhe pajime luftarak e te njerezve te shquar te shek. XV-XVI. Prania e tyre ne kete muze vertetohet nga inventari i hartuar me 1593 ku jane shenuar te dy shpatat sebashku me perkrenaren e Heroit. Aty thuhet: "Gjergj Skenderbeu. Nje perkrenare ne metal te bardhe me nje rrip te lare ne ar, me ne maje nje koke dhie te lare ne ar, sebashku me briret esaj; dy shpata, njera me nje mehill lekure, qe besohet qe eshte e vertete per nga pesha dhe sepse ne te shikohen ende njolla gjaku, tjetra me nje mehill prej kadifeje; edhe kjo ka qene njesoj e nderuar si shpata qe i takonte Skenderbeut".
Ne albumin me titull Augustissimorum imperatorum, regum, ataque archiducum illustrissimorum principum, etj, botuar ne Innsbruk, 1601 (varianti gjermanisht botuar me 1603), nga Jacob Schrenke von Gotzing, kancelari i Grandukes Ferdinand, sebashku me portretet e grumbulluara ne pallatin-muze te Ambrasit, ka perfshire edhe nje gravure te Skenderbeut, veper e piktorit Italian (nga Verona), Giovanni Battista Fontana dhe e gravuristit gjerman me nenshtetesi hollandeze Dominicus Custos. Gravura eshte teper interesante, pervec te tjerave edhe per problemin tone. Sebashku me Skenderbeun, paraqitur ne kembe, jane vizatuar dy objekte te tij, shpata me trup te shkurter, te cilen Heroi e mban ne dore dhe perkrenarja, e cila eshte vizatuar prane kembes se tij te majte. Te dy objektet kane ngjasmeri me shpaten me trup te shkurter dhe perkrenaren qe ndodhen ne Muzeun e Vjenes. Kjo tregon se te pakten per kancelarin Schrenke shpata me trup te shkurter, e cila ka dhe mbishkrimin turqisht, eshte konsideruar pa dyshim, si palla e Heroit, ndoshta ngase ajo u ble njeherazi sebashku me perkrenaren.
Qe ketej, dy shekuj e ca me vone, ne vitin 1806, sebashku me inventarin e Muzeut te Ambrasi, edhe tre objektet e Skenderbeut, u transferuan ne Muzeun Perandorak te Vjenes, por per arsye qe nuk i dime u vendosen perseri te vecuara, vecse me pozicione te ndryshme: perkrenarja me shpaten e harkuar ne sallen e Maksimilianit (Salla XXV, nr 71 dhe Nr. 92), kurse palla me trup te shkurter ne ambjentin e quajtur salla eKarlit V (Salla XXVII, Nr. 345). Ajo qe thote D. Egro se ne muze te dy shpatat u bashkuan ne gjysmen e dyte te shek. XIX, nuk eshte e vertete. Ne vitin 1897 nje qytetar shqiptar (I cili duket se ishte shkodran), gjate udhetimit te tij per ne France qendroi dy dite ne Vjene dhe sipas asaj qe shkruan vete- u ndal vetem per te pare armet e Skenderbeut ne Muzeun Perandorak. Ne letren e nenshkruar pa emer, por me siglen X qe i drejtoi nga Vjena me 15 tetor 1897 Faik Konices, i cili kete leter e botoi dy muaj me vone ne "Albania", Bruksel nr. 8, 30 dhjetor 1897. Ne leter thuhet: " Mesoni se kam pa ne Muze t'madh te Vienes pallen edhe ksulen (perkrenaren - K.F.) e t'naltit tone trim Skenderbegut Fortit. Trupi im u drodh tu e pa kete pallen e shentme (mete cilen Skenderbegu I dha dermen Turqis 30 vjet. Palla asht teper e gjat dhe gjene e ne maj pak e kthyeme, ene aq e rande sa mendohesha qish mundet me e perdor njeriu me udobisht, pse randesia e saj eshte afro tre oke me kan diftue (3 kg ene 200 gr). Presja (tehja - K.F.) asht e shkrunum me ar ene e bukur sa ma nuk banet". Me poshte shkruan: "Me qindra njerez vijne me cudit (sodit - K.F.) k'tu ne Viene armet e Skenderbeut edhe mue mu mushen syte me lot, tue menu sa nevoje ka Shqipnia e mjere me u pru n'kohrat e shkumuna". Nga kjo kuptohet se shpata me trup te harkuar ishte prane perkrenares, por e vecuar nga shpata tjeter, te cilen vizitori shkodran nuk e pa, ndoshta dhe nuk e dinte, pasi ndodhej ne nje tjeter salle.
Por pallen tjeter e diktoi Faik Konica, i cili vizitoi kater vjet me vone Muzeun e Vjenes. Ai na sqaron se ne Muzeun Perandorak (keshtu quhej ne ate kohe muzeu qe sot mban emrin Muzeu Historik i Artit) perkrenarja me shpaten e harkuar ndodheshin ende te vecuara nga shpata me trup te drejte ne sallat e permendura.
Nje tjeter deshmi qe tregon se te dy shpatat ndodheshin ende te vecuara njera nga tjetra, e ndeshim ne vitin 1907. Nje njohese e artit mesjetar, Anneta von Vivenot, mbesa e mikeshes se shquar te shqiptareve, baronesha J. Knorr, i dergoi redaksise se gazetes arbereshe "La nazione Albanese", fotografine e perkrenares dhe ate te shpates se gjate me trup te harkuar te Skenderbeut, qe ndodhej prane saj ne Muzeumin e Vjenes. Ne letren percjellese ajo njoftonte se te dy objektet e Skenderbeut vinin nga keshtjella e Ambrasit dhe sipas dokumenteve autentike ne shek. XVI ato ishin ne zoterim te princit Ferdinand te Tirolit. Forma e shpates eshte e ngjashme me ate te shpatave venedikase sic paraqiten ne katallogun e armeve te shek. XV. Ajo teja e shpates pak e harkuar, por mjaft e gjate, eshte e zbukuruarme ornamente shume interesante qe na kujtojne stilin roman (La Nazione Albanese, Pallagorie, Catanzaro, nr. 1, 15 janar 1907, f. 1). Tridhjete vjet me vone, ne kohen kur motrat e mbretit Zog kaluan neper Vjene dhe vizituan Muzeun e saj Historik, ne vitrine ishte ekspozuar, sikurse e tregon fotografia, vetem perkrenarja me shpaten e harkuar, mbasi per shpaten e shkurter ekzistonin ende dyshime, nese i perkiste ose jo Heroit. Por, pas Luftes se Dyte Boterore, dyshimet per shpaten e dyte, u davariten. Si rrjedhim, ne pragun e 500-vjetorit te vdekjes se Heroit, ato u bashkuan ne te njejten salle, madje ne te njejten vitrine, te "Muzeut te Historise se Artit", sic e tregon pamja e fotografuar ne vitin 1968.
Perfundimisht eshte me vend te thuhet se orvatja e D. Egros per te na bindur se dy shpatat qe ndodhen ne Muzeun e Vjenes, nuk jane perdorur nga Heroi dhe si rrjedhim, ne duhet te heqim mendjen prej tyre, eshte nje deshtim i plote. Por edhe sugjerimet qe shfaqen aty-ketu se problemin do ta ndricoje tipologjia e shpates dhe natyra e mbishkrimit nuk na nxjerrin dot ne krye. Deshmite e shkruara qe u parashtruan, besoj se jane me tefuqishme se dyshimet dhe hamendesimet. Ato na bindin se kemi te bejme me dy shpata, te cilat qe nga cereku i fundit te shek. XVI jane konsideruar vazhdimisht nga historianet dhe muzeologet si armet e Skenderbeut. Si perfundim, shqiptaret para perkrenares dhe dy shpatave do te perulen me respekt dhe ndoshta sic i ndodhi dhe vizitorit anonim shkodran te vitit 1897, " kur te jene para tyre do te kene dridhje trupi dhe lot nga syte". Sa per D. Egron e keshillojme qe te kete kujdes se eshte ende i ri dhe te mos marre vrap kaq te madh sa te kujtoje se eshte historian aq i larte dhe njohes aq i formuar i shkrimit osmanisht sa te hedhe poshte me kurajen qe karakterizon nje fillestar, shenimet e inventareve shekullore te Vjenes dhe pohimet e nje mjeshtri te tille si Faik Konica. Le te studioje kokeulur vitet qe vijne historine e Shqiperise dhe te na binde se e njeh osmanishten, pasi ne kemi patur rastin te dyshojme se ai nuk eshte ende ne gjendje te kuptoje osmanishten e shekujve XV-XVI. Edhe per Drejtorine e Institutit te Historise kemi nje sugjerim: kuadrot e reja qe i merr si punonjes shkencore ne Institut, perpara se t'i emeroje, le t'i provoje nese e zoterojne specialitetin qe pretendojne.
Home »
» GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU MBROJTËS I QYTETËRIMIT EUROPIAN (1405 – 2005)





