ME RASTIN E BOTIMIT  TË LEKSIKONIT TË ARTEVE                                          DRAMATIKE


Literatura nga fusha e arteve dramatike në gjuhën shqipe është modeste dhe e pa sistemuar. Botimet e gjertanishme nga kjo fushë kanë mbetur relativisht të shkapërderdhura për shkaqe objektive dhe subjektive. Shumë kohë nën ndikimin  e faktorit jashtë letrar fusha e arteve dramatike, jashtë kufijve politik të Shqipërisë është zhvilluar në kushte tjera. Mungesa e komunikimit reciprok  deri në fund të shek.XX, krijimtarinë dramatike  në pjesët e tjera etnike e ka margjinalizuar duke e lënë në masë të madhe  të panjohur. Me zhvillimin intensiv të kulturës, të teatrit, rrjetit institucional të arsimit e kulturës  dhe segmenteve tjera të jetës shpirtërore, që formojnë hallkën kompozicionale në relacionin logos-skenë, ka shtruar domosdoshmërinë  që puna për përpilimin e teksteve të kësaj natyre të intensifikohet, me qëllim që opinionit kulturor në përgjithësi dhe në veçanti studentëve si dhe të gjithë atyre që merren me studimin e arteve dramatike, t’u ofrohen  njohuri më komplementare mbi bazat e kritereve shkencore për zhvillimet brenda hapësirës shqiptare si dhe raportet e tyre me zhvillimet e përgjithshme botërore. Për këtë qëllim në vitin 2002 me iniciativën e Akademisë së Arteve dhe shkencave të Republikës së Shqipërisë (ASHASH) dhe me pëlqimin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës (ASHAK), me  Vendim të përbashkët,  është formuar Redaksia për krijimin e Fjalorit Enciklopedik të Arteve dramatike, figurative dhe muzikore. Për Kosovë dhe Maqedoni janë caktuar redaktorët prof. dr. Nebi Islami, për zërat nga  Republika së Kosovës, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, prof dr. Luljeta Isaku, për zërat nga Republika e Maqedonisë, prof dr. Josif Papagjoni për zërat nga Republika e Shqipërisë.  
Ndonëse qe bërë një pune e madhe sistematike disavjeçare në hartimin e Fjalorit Enciklopedik nga Redaksia e përbashkët për artet dramatike, ASHASH  dhe ASHAK, të cilat patën iniciuar punën duke formuar kriteret dhe redaksitë, pikërisht ato janë sjellë tejet të papërgjegjshme dhe në mënyrë arbitrare, në fund të vitit 2011, pas dorëzimit të materialeve në disa versione,  kanë hequr dorë nga botimi me arsyetimin se puna shtyhet për më vonë. As ASHASH nuk është sjellë më mirë me redaktorin për artet dramatike nga Shqipëria prof. dr. Josif Papagjonin i cili më vonë  vet, ka botuar një version të emërtuar “Enciklopedi teatri & kinematografia shqiptare” në të cilin ka përfshirë edhe zëra nga Kosova dhe Maqedonia, me të dhëna jo adekuate dhe të gjymtuara.
Të gjendur para një situate të këtillë, pas punës dhjetëvjeçare,  duke mos pasur pretendime megalomane për hartimin e Fjalorit enciklopedik të arteve dramatike, të konceptuar paraprakisht nga të dy akademitë përkatëse, autorët e këtij libri kanë ndryshuar konceptin dhe kanë intensifikuar punën për hartimin e një vepre gjithëpërfshirëse që po i ofrohet opinionit.   
Nisur nga këto premisa libri  “LEKSIKON I ARTEVE DRAMATIKE ” i autorëve  Prof. dr. Luljeta Isaku dhe Prof. dr. Nebi Islami, për  objekt të studimit përfshinë një materie relativisht të gjerë nga këndvështrimi i zhvillimit historik dhe aktual  i arteve dramatike. Theksat e veçanta janë vënë në dramaturgji, regji teatrore, regji filmike, aktrim. Janë përfshirë zërat e krijuesve më të spikatur, kuptimet themelore nga këto fusha që nga tragjedia antike e deri në zhvillimet bashkëkohore, me shtrirje diakronike dhe sinkronike.  
Me që zhvillimet e arteve dramatike në  hapësirën shqiptare nuk mund të vështroheshin jashtë kontekstit të zhvillimeve botërore, në këtë leksikon pasqyrohen edhe kushtëzimet reciproke.  Zhvillimi i arteve dramatike në hapësirat etnike jashtë kufijve të Shqipërisë politike, ngërthen në vete veçanti kuantitative dhe kualitative. Prandaj, ky leksikon sjellë njohuri dhe informata të reja më të gjëra, dhe të pathëna gjer më tani. Në punën sistematike  dhjetëvjeçare autorët kanë aplikuar metodën selektive dhe reprezentative në përzgjedhjen e zërave, të kuptimeve në shpjegimin e poetikave,  përkatësisht të formacioneve stilistike, rrymave e drejtimeve përkatëse.
Autorët vlerësojnë dhe gjykojnë se koncepti i  tekstit më tepër i përgjigjet emërtimit  LEKSIKON I ARTEVE DRAMATIKE. Lënda është mbarështuar sipas rendit alfabetik (a-zh).
Duke pasur qëllim të sillen informata dhe njohuri mbi zhvillimet, gjendjen dhe rezultatet e arritura në artet dramatike kombëtare, numri më i madh i zërave të mëdhenj e të mesëm i krijuesve shqiptarë, zë hapësirë më të madhe se i zërave nga artet dramatike botërore, të cilët kryesisht janë dhënë të ngjeshur e të shkurtuar si zëra të vegjël dhe informativ, me qëllimin që lexuesi ta ketë një pasqyrë bazike e të domosdoshme mbi zhvillimet botërore dhe reflekset e tyre në zhvillimet brenda nesh. Në këtë libër, theksat janë vënë më tepër tek autorët këtej kufirit të Shqipërisë administrative, ndërsa janë përfshirë ata zëra nga Shqipëria për të cilët autorët gjykojnë se janë më meritorët.
Ndonëse është bërë punë shumëvjeçare për përpilimin e këtij teksti, autorët janë të vetëdijshëm për vështirësitë jashtëzakonisht të mëdha të këtij lloji të punës, për shkak të heterogjenitetit të materies dhe  mënyrës së valorizimit, e cila nxjerrë në syprinë subjektivitetin për selektimin dhe reprezentimin e lëndës e hapësirës që duhej dhënë zërave përkatës. Me gjithë rigorozitetin, përgjegjësinë profesionale dhe ndjenjën e korrektësisë morale, materiali i këtij lloji, si dhe te popujt që kanë traditë të madhe kulturore, nuk mund të jetë pa dobësi. Autorët janë të vetëdijshëm për mangësitë dhe dobësitë objektive e subjektive, sepse mund të mungojnë, shpjegime, kuptime, zëra tjerë meritor dhe nocione që kanë mbetur pa u përfshirë .
Megjithatë, autorët janë të bindur se ky Leksikon do të jetë ndihmesë për veprimtarët e kulturës, për studentët, për studiuesit të cilët mund ta shfrytëzojnë si bazë për t’i thelluar hulumtimet në fushën përkatëse, sepse mundëson që relativisht shpejtë, thjeshtë dhe lehtë  të orientohen dhe t’i marrin informatat e domosdoshme.
Leksikoni lehtëson punën për të sqaruar termin e panjohur dhe definicionin e ngjeshur të nocionit përkatës,  të dhënat dhe vitet e caktuara, periudhat e zhvillimeve përkatëse, drejtimet apo formacionet stilistike, njohuritë lidhur me rrymat ideore, me konceptet letrare, sociale, filozofike dhe përfaqësuesit karakteristik të kohës.
Lënda e selektuar dhe e paraqitur përbëhet nga zëra enciklopedik mbi 80 rreshta, zëra të mëdhenj prej 70-80 rreshta, zëra të mesëm me 35-40 rreshta, zëra të vegjël  me  12-18 rreshta dhe  zëra informativ me  4-8 rreshta.
Autorët i shprehin mirënjohje të veçantë redaktorit, lektorëve dhe korrektorëve të tekstit të cilët kanë dhënë kontribut të çmueshëm për përmirësimin e cilësisë së këtij libri.


                                                                         Autorët:
                                                                Prof.dr. Luljeta Isaku
                                                                 Prof. dr. Nebi Islami