Portret
Gjeniu i palavdishëm
Christof Waltz është aktor i rrallë, i cili vetëm për rolin e tij në filmin “Inglorious Basterds” deri tani i ka fituar 27 çmime, duke filluar nga Grand Prix në Cannes. Ai ishte një aktor i panjohur, i palavdishëm, por tash e tutje do të jetë shkollë për aktorët e rinj e të vjetër
Viti i kaluar ishte vit me plot befasi të mira për kinemanë botërore. Viti 2009 do të mbahet mend për premierën e “Avatar”-it, që theu rekordin e shikueshmërisë; do të mbahet mend edhe për filmin “The Hurt Locker”, regjisorja e të cilit film u bë e para femër që merr “Oskar” për regjinë më të mirë. Por, viti 2009 patjetër se do të mbahet mend edhe për shkak të filmit “Inglorious Basterds”, e sidomos për paraqitjen maestrale të Christof Waltz në këtë film.
Christof Waltz (1956) një aktor i lindur në Vjenë të Austrisë e i shkolluar në Seminarin Max Reinhard në Vjenë dhe në Institutin për teatër “Lee Strasberg” në New York, deri më tani ishte krejtësisht i panjohur në botën e madhe të filmit, por bashkëpunimi i tij me regjisorin amerikan Quentin Tarantino e nxori atë nga anonimiteti ku së pari impresionoi publikun dhe kritikët në Festivalin e Cannes-it, ku u shpërblye me çmimin “Grand Prix” për interpretimin më të mirë aktorial. Rruga e tij vazhdon me shumë suksese dhe si rrallë ose si asnjë aktor tjetër më parë ai vetëm për këtë rol fiton 27 çmime kinematografike, dhe atë që nga çmimi më i lakmuar për aktorët, ai “Oskar”, e duke vazhduar me “Bafta”, “Golden Globe”, çmimin e kritikëve të Londrës, të New York-ut, etj. Walz në këtë film portretizon një kolonel nazist, Hans Landa, një hetues gjenial e i sofistikuar dhe një poliglot. Ai e portretizon karakterin e Landës me pedanteri, në mënyrë të detajuar dhe shumë të studiuar. Figura e Landës nuk është e një nazisti, siç jemi mësuar t’i shohim më parë, të egër e të ftohtë, por e një njeriu ambicioz që punën e tij e bën me shumë përkushtim e dashuri, sepse ka qëllim që të ngrihet në pozitë. Prandaj, edhe pse veprimet e Landës janë veprime që pasohen me humbje të jetëve të njerëzve, Waltz i bën të dukën më të buta, kushtimisht thënë, më njerëzore. Madje Landa shpesh di të shfaqet simpatik, e kjo për shkak të aftësisë së tij për të komunikuar më të tjerët, (ai flet katër gjuhë) për elegancën e veprimeve të tij (edhe atëherë kur ndëshkon ose ndjek viktimat, këtë e bën me një sharm e mirësjellje të mahnitshme; ose në rastin kur mbyt aktoren kolaboracioniste të interpretuar nga Diane Kruger reagimi i tij është shumë i motivuar dhe preciz). Christof Waltz në film luan rol dytësor, por edhe pse roli i tij është i konceptuar si rol dytësor, ai me mjeshtrinë e tij prej aktori arrin që të vihet në qendër të vëmendjes duke i eklipsuar aktorët e tjerë (siç është për shembull Brad Pitt, i cili do të duhej që të mësonte shumë nga kolegu i tij anonim deri tash, sepse derisa Waltz anonim shkëlqen, Pitt i famshëm zhgënjen). Por, lirisht mund të thuhet se edhe vetë filmi “Inglorious basterds” do të mbahet mend pikërisht për shkak të lojës së bukur të Waltz-it. Madje pak a shumë edhe vetë regjisori Tarantino e ka pranuar këtë dhe e ka lavdëruar aktorin që është i vetmi që ka fituar “Oskar” për interpretim në një film të tij, duke u shprehur: “Mendoj se Landa është një nga personazhet më të mirë, që kam shkruar apo që do të shkruaj, dhe Christof e ka luajtur ashtu... Është e vërtetë që nëse nuk do ta kisha gjetur dikë aq të mirë siç është Christof mund të mos e kisha realizuar “Inglorius Basterds”. Rasti i Waltz dëshmon se të gjithë njerëzit i kanë ato “pesë minutat” e tyre në jetë, por se duhet pritur ato “pesë minuta” të gatshëm që kur të vijnë të mos të të gjejnë të papërgatitur dhe të të ikin. Christof Waltz-it këto minuta i erdhën në moshën pesëdhjetë e tre vjeçare dhe ai i shfrytëzoi si është më së miri. Ai kishte qenë i gatshëm, duke i pritur qe një kohë të gjatë. Tani që i zuri dhe është ngjitur në majë, neve na mbetët të presim se çfarë do të jetë mrekullia e radhës që ai do na servojë në pëlhurën e bardhë të kinemasë. (B. Apolloni)
Shkrim nga Ben Apolloni
Ben Apolloni shkrime nga ben apolloni,aktoret e hollivudit,shkrime Ben Apolloni





