Krenare ngrihet mbi Bunën e gjerë dhe mbi qytetin e Shkodrës kështjella e lashtë e Rozafatit.

Kur është hedhur guri i parë në themelet e kësaj kështjelle? S'dihet.

Historia e saj humbet në mjegullën e lashtësisë ilire, banorëve të moçëm të kësaj kënge. Një gjë dihet mirë e qartë; atë e kanë pasur dikur Labeatët dhe pastaj Ardianët, që ishin fise të forta ilire.

Në atë kohë tërë bregu i këtejshëm i Adriatikut, gjer në Tergesten e bujshme apo Triesten e ditëve tona, ishte breg ilir. Më vonë u derdhën këtej romakët, pastaj sllavët, normanët, venedikët, turqit e shumë popuj të tjerë të huaj. Gjatë shekujve ata kepa të thatë nën muret e Rozafatit, si dhe vetë muret e kështjellës, janë lagur me përrenj gjaku të atyre që e kanë sulmuar dhe atyre që e kanë mbrojtur. Të huajt erdhën dhe shkuan, kurse populli ynë mbeti ngulur në këtë tokë ilire. Ndërtimi i Rozafatit ka një gojëdhënë të bukur, por dhe të hidhur që ka ardhur nga lashtësia deri në ditët tona. Ja ç'thotë kjo gojëdhënë...

I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tërë. Kjo mjegull mbeti aty tre ditë e tre net. Pas tri ditësh e tri netësh fryu një erë e hollë dhe e lartoi mjegullën.

E lartoi dhe e shpuri gjer në kodrën e Valdanuzit. Aty majë kodrës punonin tre vëllezër. Ndërtonin një kështjellë. Murin që e bënin ditën u prishej natën dhe kështu nuk e lartonin dot. Na shkon aty një plak i mirë.

- Puna e mbarë, o tre vëllezër.

- Të mbarë paç, o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë.

Ditën punojmë, natën prishet. A di të na thuash një fjalë të mirë.

Ç'të bëjmë që të mbajmë muret më këmbë?

- Unë di - u thotë plaku - po e kam për mëkat tua them.

- Atë mëkat hidhe mbi kryet tonë, se ne duam që ta qëndrojmë më këmbë këtë kështjellë.

Plaku i mirë mendohet e pyet:

- A jeni të martuar o trima? A i keni ju të tre vashat tuaja?

- Të martuar jemi - i thonë ata - edhe të tre i kemi vashat tona.

Na thuaj pra ç'të bëjmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë?

- Në doni ta qëndroni, lidhuni me besa-besë: vashave mos u rrëfeni, në shtëpi mos kuvendoni për fjalët që do t'u them unë. Atë nga të tri kunatat që do të vijë nesër t'ju sjellë bukën, ta merrni e ta muroni të gjallë në mur të
kështjellës. Atëherë keni për ta parë se muri do t'u zërë vend e do t'u qëndrojë për jetë e mot.

Tha kështu plaku, pastaj shkoi; tani u pa, pastaj s'u pa.

Vaj !

Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të gjitha vashës së vet kështu e kështu, i tha të mos vinte atje të nesërmen. Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të gjitha vashës së vet. Vetëm i vogli e mbajti besën, fjalën: nuk kuvendoi në shtëpi, nuk i tha gjë vashës së vet.

Në mëngjes ata të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë. Çekanët godasin, gurët copëtohen, zemrat rrahin, muret lartohen...

Në shtëpi nëna e djemve s'di gjë. I thotë së madhes:

- Moj nuse e madhe, mjeshtrit duan bukë e ujë; duan kungullin me verë.

Nusja e madhe ia kthen:

- Besa nënë, sot s'mund të shkoj se jam sëmurë.

Kthehet i thotë së mesmes:

- Moj nuse e mesme, mjeshtrit duan bukë e ujë: duan kungullin me verë.

- Besa nënë, sot s'vete, se do të shkoj tek fisi për të bujtur. - Nëna e djemve i kthehet nuses së vogël. - Moj nuse e vogël...

Nusja e vogël brof në këmbë:

- Urdhëro zonja nënë!

- Mjeshtërit duan bukë e ujë; duan kungullin me verë.

- Besa nënë unë shkoj, po e kam djalin të vogël. Druhem se do gji të pijë e qan.

- Nisu, shko se djalin ta shikojmë ne e s'ta lëmë të qajë - , i thonë të kunatat.

Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me verë, puth djalin e vogël në të dy faqet, niset e bie në Kazenë; që aty ngjit kodrën e Vladanuzit, i afrohet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit: dy të kunetërit dhe i shoqi.

- Puna mbarë, o mjeshtër!

Po ç'është kështu? Çekanët ndalen e s'godasin, po zemrat rrahin fort e fort. Fytyrat zbehen. Kur e sheh i vogli të shoqen, hedh çekanin nga dora, mallkon gurin e murin.

E shoqja i thotë:

- Ç'ke ti imzot? Pse mallkon gurin e murin?

Hidhet kunati i madh:

- Ti paske lindur në ditë të zezë, moj kunata jonë. Ne e kemi bërë me

fjalë të t'murojmë të gjallë në mur të kështjellës.

- Shëndoshë ju, o tim kunetër. Po unë do t'ju lë një porosi: kur të më
muroni në mur, syrin e djathë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, gjirin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të qajë - me njërin sy do ta shikoj, me njërën dorë do ta ledhatoj, me njërën këmbë do t'i tund djepin e njërin gji do t'ia jap të pijë. Gjiri im u muroftë, kështjella qëndroftë, djali im u trimëroftë, u bëftë mbret e mbretëroftë!

Ata e marrin nusen e vogël dhe e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, lartohen nuk shemben më si më parë. Po rreth tyre gurët janë dhe sot të lagur e të myshtë, sepse vazhdojnë të pikojnë lotët e nënës për birin e saj...

Dhe i biri u rrit, luftoi e trimëroi. 


rozafati shqip,rozafa shqip,rozafati,rozafa, rozafa,gojedhena rozafa,legjenda rozafa,rozafati legjenda, legjenda rozafati,rozafati legjende, legjenda rozafati,gojedhena shqip