Bukuria që vret - nga Migjeni


Hana e zbetë, si fytyra e një të vdekuri, kundron nga kupa e qiellës.

Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollet e kristalizueme të katundit, të cilat as fymë nuk marrin. Të gjitha janë mbësht- jellë në bardhësinë e borës. Dhe të vret kjo bukuri e bardhë. Vret shpirtin e malsorit siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e ftoftë e një gruaje lakuriqe. E në kasollë, e cila gjëmon nën barrën e borës, derdhen dy ngjyra, kuq e zi. I kuq zjarrmi i votrës në fund të kasollës, e zi rrethi. Të zeza, t'errta janë skutat e kasollës, nga dëgjohet blerimë e mekun e ndoj delje ose kumona e lopës. Edhe ata i vret bukuria e bardhë. Nga goja u del avulli i afshavet që ngrihen n'ajr, bie mbi qimet e tyne si brymë dhe kristalizohet. Heshtje. Gjithçkafja e kristalizume.

- Një dorë shtrihet, zen një dru, e shpupurish zjarrmin. Ropos një botë gacash. Flaka lëpin errësirën e njerëzve që dridhen, nëpër kuriz u përshkohet të ftohtit që vjen nga skutat, andej nga errësina.

Brr... uf... andej mbrapa shpinet përpijnë errësina me të ftohtit e saj.

- Po shiko mos ngrini Laroja?

Dhe çohen, i lëshojnë vend rreth zjarrmit Larojës, lopës së shtëpisë. Të nxehet dhe ky pjestar familjeje në kasollën e kristalizueme.

- E Laroja din si duhet m'u shtrimë rreth zjarrmit. Por, me trupin e saj

të madh, gati shtypi dy vocrrakë, të cilët i kish zanë gjumi pranë zjarmit.

E kur andej nga mesnata acarimi arrin dhe kulmin e vet, atëherë ndër bagëtit fillon një lëvizje. Po, një lëvizje. Një nga një u aviten njerëzve e me sytë e vet si me u lutë: "Na lëshoni edhe neve të ngrohemi pak rreth zjarrmit se u ngrimë. Dhe njerëzit kundrejt njerëzve s'kanë mëshirë, po kundrejt shtazëve po. Prandej çohen, ua lëshojnë bagëtisë vendin rreth votrës, e ata vetë shkojnë n' erësinën që përpin.

... Dhe agimi zbardh me bukurinë e bardhë që vret. Çohen njerëzit me trupa të mpirë dhe me kujtim në ndërgjegje se u kalua edhe një natë e vështirë. U çuan, por nuk çohet një vocrrak. Dora e s'amës shtrihet mbi te

dhe m'at çast një britmë e tmershme çpoi zemrat e kasollës. Dhimba e një

nane i shkrin zemrat në vaj, por ç'e do kur nuk shkrin zemrën e ngrime të vocrrakut.

Po, ishte ngrimë lokja e nanës. Gjaku i tij i kuq e i purpurt ish ngri ndër dej dhe në zemër, ish bamë kristal, që të bahet një servis për miljonarin, jo, gjaku ish ba rubis, për gjerdhanet e metresave.

E trupi i vocrrakut, i lokes së nanës, ishte bamë një shtatore e ngurtë e zhgulun nga gjiri i nanës.

- Merrnje dhe çonje në qytet këtë shtatore. Vendosnje në një shesh!

Dhe si permendore kushtonja ndokujt! Kushtonja atij që ka më shumë meri
ta për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputetit o ndokujt tjetër... E në rasë se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonja atij që ka merita ma pak, perendisë klasike. 

Postime të ngjashme:

Migjeni  Biografia

Luli i vocërr

Studenti në shtëpi

Poema e mjerimit - analiza

Poema e mjerimit - vargjet