Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.
Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,-
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.
Atje krisi, atje pushoj,-
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.
Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërmeti.-
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.
Se s’tronditej nga tërmeti.-
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.
O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,-
Yll i rall’ i burrërisë.
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,-
Yll i rall’ i burrërisë.
Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,-
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As të zëmr’ e Djalërisë.
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As të zëmr’ e Djalërisë.
As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.-
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
Legjendar Ante po rritesh.-
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë,
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb e Dragobisë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb e Dragobisë.
Komenti
Poezia “Shpell’ e Dragobisë“ e shkrimtarit të letërsisë shqiptare F.S.Noli është një elegji kushtuar trimit kosovar Bajram Curri, i cili luftoi me trimëri të rrallë kundër pushtuesve osmanë, shovinistëve serbë dhe kundër Ahmet Zogut.