Nga Vivien A. Schmidt (Foreign Affairs)
Ekonomitë janë duke u lëkundur, sepse liderët europianë kanë ofruar ca gjysmë-masa për ta zgjidhur krizën. Derisa Brukseli, Parisi dhe Berlin ta kuptojnë plasaritjen rrënjësore në rrugën e tyre – të kuptojnë mungesën e integrimit real politik dhe ekonomik në eurozonë – atëherë do i gjendet fundi problemit.
Si ekonomia më e madhe e eurozonës, i takonte Gjermanisë ta stabilizonte sistemin, kur u shfaqën shenjat e para të trazirave financiare.
Në vend të kësaj, reagoi duke vepruar në drejtim të kundërt. Mbijeton apo jo euro, kjo varet nga Frankfurti, që më fund do të rimarrë rolin si lider.
Bashkimi Europian është përpjekur në mënyrë të përsëritur dhe ka dështuar vazhdimisht për të qetësuar disi tregun. Kjo nuk vjen nga mungesa e zgjidhjeve.
Le të marrim parasysh 3 zgjidhje: të bëhet Banka Qendrore Europiane huadhënëse, si një shpëtim i fundit; të rritet pasivisht Aftësia e Stabilitetit Financiar Europian dhe të nisë nxjerrja nga balta e ekonomive të dobëta.
Ndonjë nga këto zgjidhje mund ta rikthejë në pozitën e mëparshme besimin dhe mund të çojë drejt stabilitetit, por secila prej tyre është më e lehtë të thuhet, sesa të realizohet.
Zgjidhja më e mirë dhe më e arsyeshme është e diskutueshme legalisht në traktatin e BE-së; Berlini nuk e pranon këtë ide, duke përmendur mandatin e kufizuar në bankë.
Krijimi i eurobondeve është një veprim i dështuar politik për shtetet veriore evropiane.
Marketet janë duke u lëkundur, sepse liderët europianë kanë ofruar ca gjysmë-masa për të zgjidhur krizën. Sa më shumë vonohen për të marrë në konsideratë njërën nga këto zgjidhje, aq më shumë i afrohen rrënimit.
Ja ku qëndron vështirësia: nëse mbijeton eurozona, pasojat mund të jenë shkatërruese.
Shto këtu edhe rritjen e papunësisë, pabarazinë dhe varfërinë, kontinenti ka përgatitur një mjet për rritjen e ankthit social dhe për polarizimin e ekstremeve politike.
Liderët europianë i kanë ndërprerë debatet politike, që mund të sigurojnë politika më të mira me legjitimitet më të madh publik. Si pasojë, në vend që ta ruajnë euron, bashkë me të edhe Europën, kanë për t’i vrarë të dyja.
Së pari, euro duhet të konsiderohet si një dështim. Europa do të pësojë një ndryshim të madh dhe të dhimbshëm njëkohësisht.
Se si mund të ndodhë saktësisht, mbetet e paqartë, por ka pak dyshime se ka për të qenë e pakëndshme.
Mendoni këtu për spanjollët dhe italianët. Franca, ndërkohë, patjetër që do të ndjekë Gjermaninë. Bashkimi Evropian megjithatë do të mbijetojë, por pikërisht këtu përfundon siguria.
Një nga 2 skenarët post-euro mund të shfaqet. Në fillim, një grup i vogël i vendeve veriore evropiane po vërtitet rreth Gjermanisë për të krijuar një monedhë të re jashtë eurozonës dhe në mënyrë të arsyeshme, edhe Bashkimi Europian. Problemi është se monedha e re mund të ngrihet në qiell me një vlerë të madhe, sepse dobësimi që mund të vijë nga vendet më pak konkurruese në jug, mund të sjellë forcimin e saj, në mënyrë që të mbështesë ekonomitë e fuqishme.
E dyta është që zona europiane jugore do të largohet nga eurozona në shkëmbim të Planit Marshall, për zonat më të pasura.
Këto të fundit mund të rifitojnë konkurrencë përmes zhvlerësimit të monedhave të tyre. Ata do të duhet më pas t’i kthehen monedhës kombëtare, me një likuiditet afër zeros dhe ka shumë të ngjarë, edhe me një sistem bankar të rrënuar.
Në përputhje me rrethanat, asnjë vendi nuk i shkon ndërmend të dalë nga BE.
Në minutën e fundit dhe me një kosto të madhe, euro patjetër duhet shpëtuar.
Banka Qendore Europiane më në fund duhet të vendosë, sepse stabiliteti financiar i euros dhe ekzistenca e saj është në rrezik; ajo mund të blejë borxhin e shteteve anëtare dhe ende mund të mbetet brenda kushteve të traktatit.
Në të njëjtën kohë, shtetet anëtare kanë për të rritur aftësitë financiare me më shumë mbështetje nga FMN.
Edhe nëse Europa e shpëton monedhën e saj, ajo nuk ka për t’i zgjidhur problemet më të mëdha të kontinentit.
Fshehja pas krizës së borxhit është edhe një krizë në rritje, edhe një krizë konkurruese. Njëherazi është rezultat i politikave të ashpra që liderët europianë nënshkruan në maj, në shkëmbim të marrëveshjes për Gjermaninë që të nxirrte nga balta Greqinë.
Ulja e deficitit radikal dhe konsolidimi fiskal ishte përgjigjia.
Ashpërsia tashmë e ka një tarifë. Në Europë, ka pasur një rritje të shpejtë të varfërisë, pabarazisë dhe papunësisë.
Shumë pak është bërë në nivel evropian për ta pakësuar këtë dhimbje.
Pyesim veten se ku është Europa Sociale. Fondet strukturore të projektuara për të promovuar zhvillimin ekonomik në rajonet në nevojë janë të pashfrytëzuara në rajonet jugore evropiane në pjesën më të madhe, sepse atyre u mungon kapaciteti administrativ për të kapërcyer rrathët burokratikë.
Gjithashtu, fondi për globalizimin evropian i vendosur që më 2007, që u adresohet problemeve të papunësisë që vijnë nga globalizimi, nuk ka paguar askënd më 2010, edhe pse papunësia vazhdon të rritet.
Teksa shkurtimet në bord të mandatuara prej autoriteteve të BE-së për Europën jugore nuk kursejnë asgjë – duke përfshirë edhe investimet në zonat, të cilave u kërkohet rritje ekonomike në të ardhmen, si në kualifikim dhe edukim, përkrahje për punë dhe biznes, si dhe modernizim ekonomik – këto vende nuk do të jenë të afta të dalin nga borxhet ku janë futur, për të lënë mënjanë këtu stabilizimin e gjendjes.
Masat e planifikuara nga modeli i ashtuquajtur gjerman mund të funksionojnë për ekonominë e Gjermanisë, sidomos për eksportin e lëndës djegëse.
Krizat e vendeve të BE-së nuk janë vetëm ekonomike dhe shoqërore. Janë edhe politike. Politikat në Europë po bëhen më kombëtare.
Euroskepticizmi është në rritje edhe në Europën jugore, ku qytetarët shohin se si BE po imponon një lloj ashpërsie të panevojshme për të fashitur Europën veriore dhe në veri, qytetarët shohin se si BE po imponon në mënyrë të panevojshme kosto të larta, për të nxjerrë nga balta jugun.
Liderët europianë kanë bërë pak për t’i kundërshtuar këto perceptime.
Në Gjermani, për shembull, nga fjalimi i kancelares Merkel në muajt para se të binin dakord për dhënien e ndihmës për Greqinë, nuk u bë asgjë për të përgatitur publikun lidhur me këtë vendim. Duket se u ra dakord për ndëshkimin e grekëve dembelë.
Në raste të tilla “shpëtimi” i euros duket i vështirë. i njëjti problem është dhe sot.
Edhe pse ajo tashmë bën thirrje për më shumë integrim politik dhe ekonomik, Merkel mbetet huadhënësja kryesore dhe më e rëndësishmja.
Në përputhje me rrethanat, ekstremet politike po shtohen në kryeqytetet e Europës. Partitë popullore janë bërë më të zhurmshme.
Kundërshtitë antieuropiane janë shtuar jashtë eurozonës, sidomos në Britani.
Për demokracitë kombëtare, dorëheqjet e kryeministrave të zgjedhur, si p.sh. Berluskonit në Itali apo Papandreut në Greqi, kanë ngritur probleme të drejtpërdrejta lidhur me legjitimitetin demokratik të zyrtarëve të pavotuar, që zunë vendet e qeveritarëve të votuar.
Por, duke pasur parasysh që spostimi i Italisë në një qeveri teknokrate mund të ishte një shans për demokracinë, kjo është shumë më pak e qartë në rastin e Greqisë, që nën urdhrat e trojkës së teknokratëve (FMN, Banka Qendrore Europiane dhe Komisioni Europian) ka injektuar më shumë ankth në një publik, që nuk ka të drejtën e votës.
Në këtë aspekt, thirrja e Papandreut për një referendum mund të shihej si një dëshirë e sinqertë për të kthyer sërish demokracinë, duke lejuar elektoratin të votojë, nëse duhet të pranojë paketën e daljes nga kriza dhe nëse duhet të rrijë apo të largohet nga eurozona.
Vonesat dhe hezitimi për këto zgjidhje, kanë bërë që të dështohet vazhdimisht.
Parlamenti Europian, organi i vetëm i votuar në BE, mezi është përfshirë, kështu që nuk ka pasur asnjë debat politik për të ndryshuar bisedën lidhur me efikasitetin e ashpërsisë.
Liderët e BE-së nuk duket se e konsiderojnë si problem teknokracinë apo të drejtën e mbështetjes së rregullave automatike.
BE ka nevojë më shumë për integrim më të thellë ekonomik.
Gjithashtu ka nevojë për më shumë integrim politik. Edhe pse kjo është lëvizja e duhur për të bindur Bankën Qendrore Europiane që të bëhet huadhënëse e shpresës së fundit, kjo nuk do t’i hapë derën rrezikut moral, duke qenë se pakti është që të angazhohen të gjitha vendet për ndershmërinë fiskale, por politikat e ashpra që nguliten në të, kanë shumë të ngjarë që të përforcojnë krizat në rritje.
Për më tepër, duke minuar një nga parimet kryesore të demokracisë parlamentare – përgjegjshmërinë buxhetore – kjo veçse ka për ta rritur deficitin demokratik të eurozonës.
Liderët e BE-së duhet të gjejnë iniciativat e duhura ekonomike, që mund të zgjidhin problemin e krizës. Njësoj problematike, ato kanë ndërprerë debatet politike që duhet të sigurojnë strategji politike më të mira, me legjitimitet më të madh publik. Si pasojë, liderët e BE, në vend që ta shpëtojnë euron dhe bashkë me të edhe Europën, kanë për t’i asgjësuar të dyja.





