Nga FLORI BRUQI: Në Dodonë para grekëve-Vështrim për librin " Lereni kohen te flase" "
Ne shtator të vitit 2011 publicisti , shkrimtari,poeti dhe gazetari shqiptar nga Detroidi I Amerikës,miku im I mire z.Zef Përgega feston 30 vjetorit e tij si gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare/ATSH-ATA/.
Pergega punoi ne gazetën e pavarur shqiptare "Koha Jonë" kurse në SHBA në gazetën "Illyria" në New-York.
Zef Përgega ështe themelues i Institutit te kulturës Shqiptaro-Amerikane.
Ka shkruar 10 libra .Të botuara janë 9 prej të cilave 3 janë me poezi .
Agjencioni “ Floripress” sot për here të parë sjellë librin me poezi me titull” LERENI KOHEN TE FLASE “.
Ne shtator do të promovohet libri i tij i fundit me një pjesë të publicisteikës shkruar në Amerikë, me titull "Zjarri Shqip Regetin"
****
Me poetin e mirnjohur shqiptar Zef Prgega , njihemi fare rastësisht .E kam thënë edhe më parë, por nuk e kam “zbuluar” unë këtë gjë, se Interneti po i lidhë njerëzit, si asnjë mjet tjetër komunikimi. Aty e ka zanafillën edhe njohja ime me këtë shkrimtar dhe publicist të talentuar. Ai kishte publikuar koh par nj vshtim titull: ZEF PERGEGA : KAH PO NA ÇOJNE JARANAT BACA ADEM!
(http://agim.poeticforum.com/t10297-zef-pergega-kah-po-na-cojne-jaranat-baca-ade m#15545 ) ku në mes tjerash shkruan:
Heronjtë
Vdesin për Dheun e Atit
Gjaku i pastër për liri
Politkanet
Sakrificat edhe famën
Në kupë u pijne për lavdi!
Çoju bacë nuk është kry!
Kështu, pastaj, mesazh pas mesazhi, duke patur në mes dhe të njohurin e përbashkët, publicistin e mirënjohur shqiptar Rush Dragu .Me Zefin nuk jemi pare gjer me tani,pasi ai jeton në Amerikë e unë në Kosovë . Ndërsa “gjurmët” e mëtejshme të lidhjeve tona i kemi edhe nga shumë mesazhe të ngrohta, që ai i kthente popullit të Kosovës qoftë për Ramush Haradinajn,…e shumë të tjerë… Në një letër Zefi,përpos tjerave shkruan:
…”Kur u shpall pavarësia e Kosovës, baca Adem, të gjithë brohoritem edhe ne këndej “Çoju baca Adem se u krye!” Dhe ti heshte. Ishe ngritur lart për të parë ç’farë po ndodhte edhe kur midis Prishtinës e ndamë tortën! Ajo bardhësi mbi tokën dardane nuk ishte majsa e tamlit të zanave të Kosovës! Po krem nga këshilli i Europës!
Një shqiptar në New-York fluturoi në 37 vende të botës të prezantonte lirinë me flamur të ri. Me beso nuk ishte faj i tij se i mungonte shqipja. Ai aeroplanin e ktheu në shqipe, por në bord mungonte ministri i jashtëm i Kosovës, ndërsa ushtarët e Euleksit kishin do punë të vjetra etnike me arrestimin e Albinit prej kullës së baca Kurtit! Bre burrë i fortë asnjë nuk është bash ashtu hapur kundër prezencës ndërkombëtare, por po me duket se Kosova është kthyer në një koloni e UMNIK-ut dhe të Euleks-it!
A mund të quhet shtet i lirë dhe i pavarur Kosova kur vellau me vella komunikon me doganë e duhet të pyes ushtarin e huaj edhe për dasëm! Kur nga portarja e çarë hyjnë e dalin derra e dosa çetnikësh?! A mund të quhet shtet i kosovareve kur ministri i jashtëm nuk mund të lobojë për miqësi e krushqi të reja? A mund të quhet shtet i të drejtës kur të drejtën e gjykon ushtari i Euleks-it?! Ç’farë denojnë dhe ç’farë gjykojnë gjykatat lokale?!
Tash baca Adem kamerat e prodhura jashtë nuk japin lajme po batallje. Kjo ndosh baca Adem se urat që lidhi pushka jote janë dhënë me tendera. S’po duan bre bacë me ngrit një themel, siç e kishin JASHARET, por një pite klline, siç po e ngjeshin dhe po e pjekin serbo-komunitaret!
Tash që po flas me ty nga dritarja e hapur katër kanatash e kalasë së demokracisë Amerikane, po me kujtohet themeli në dritën e flakës së pushkës së ushtarit të lirisë.
“…Unë ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre”
Një shqiptar në New-York fluturoi në 37 vende të botës të prezantonte lirinë me flamur të ri. Me beso nuk ishte faj i tij se i mungonte shqipja. Ai aeroplanin e ktheu në shqipe, por në bord mungonte ministri i jashtëm i Kosovës, ndërsa ushtarët e Euleksit kishin do punë të vjetra etnike me arrestimin e Albinit prej kullës së baca Kurtit! Bre burrë i fortë asnjë nuk është bash ashtu hapur kundër prezencës ndërkombëtare, por po me duket se Kosova është kthyer në një koloni e UMNIK-ut dhe të Euleks-it!
A mund të quhet shtet i lirë dhe i pavarur Kosova kur vellau me vella komunikon me doganë e duhet të pyes ushtarin e huaj edhe për dasëm! Kur nga portarja e çarë hyjnë e dalin derra e dosa çetnikësh?! A mund të quhet shtet i kosovareve kur ministri i jashtëm nuk mund të lobojë për miqësi e krushqi të reja? A mund të quhet shtet i të drejtës kur të drejtën e gjykon ushtari i Euleks-it?! Ç’farë denojnë dhe ç’farë gjykojnë gjykatat lokale?!
Tash baca Adem kamerat e prodhura jashtë nuk japin lajme po batallje. Kjo ndosh baca Adem se urat që lidhi pushka jote janë dhënë me tendera. S’po duan bre bacë me ngrit një themel, siç e kishin JASHARET, por një pite klline, siç po e ngjeshin dhe po e pjekin serbo-komunitaret!
Tash që po flas me ty nga dritarja e hapur katër kanatash e kalasë së demokracisë Amerikane, po me kujtohet themeli në dritën e flakës së pushkës së ushtarit të lirisë.
“…Unë ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre”
Në nje letër tjetër ai më thotë: “Edhe unë të përqafoj, shumë i dashuri Flori . Jam i lumtur dhe krenar, që u njoha me ty, Flori Bruqi, poeten me shpirt të madh e sy të kaltër , si thellësia e detit dhe mjaft ekspresivë, që tregonin se brenda tyre ka jetë e dritë. Suksese e urime! Të përqafon fort: Zef Përgega" .
Ndërsa po i rendis këto radhë, gjithashtu, unë e kam para syve Zefin, me atë pamjen e buzëqeshur e plotë dritë jete. ... që jetën ta përballojnë me guximin, optimizmin dhe mirësinë, që ky Njeri hyjnor rrezaton ndaj të tjerëve.
Ai, që i ka lexuar fjalët e mësipërme për Zef Përgegën , sigurisht, pret që të flasim e të shkruajmë diçka për të edhe si poet, me ndjesi të hollë e frymëzim të bukur. Në dorë kam vëllimin e tij me poezi, i cili mban titullin simbolik, “Lëreni kohën te flasë”
Libri në fjalë fillon me shënimet vlerësuese për Zefin e krijimet e tij .Ky libër me poezi do të le për jetë e mot një gjirmë të madhe në poezinë shqiptare.
Redaktor I librit është Marash Mirashi, Luigj Pepaj,e cila botohët nën përkujdesjen Institutit Shqiptaro –Amerikan.
Në këtë libër të tij , janë përmbledhur një dyzinë me poezi të frymëzuara. Sigurisht, është e pamundur të jepet përmbajtja e tyre dhe as të analizohen ato, në një shkrim të shkurtër. Por dëshiroj të theksoj se tematika e tyre është e larmishme, buron nga ndjenjat e çiltëra të këtij poeti, që jeta e solli tej oqeani...
Natyrshëm, poezitë e tij nuk mund të shpëtonin nga një hijë pesimizmi, si “revoltë” ndaj padrejtësisë së fatit të njerëzve të thjeshtë ... Megjithatë, në radhët e poezive të tij gjen forca shpirtërore, që të ngrihet mbi fatkeqësitë dhe jetën ta jetojë, ashtu si i është paraqitur.
Poeti kërkon mbështetje edhe te vargjet, e poezisë së tij :
Në prehërin e tisit të muzgjeve
Nën jelek të henës
Me kodin e imagjinatës
Terrin e grisa me flakën e qiririt
Në kryeqytetin e kultit
Veten pashë
Shekujt e shalur
Në lekura qengji shkruanin
Netët e pashkundura të mitologjisë
(Poezia “PELLAZG”)
Zefi është e ndjeshem kur thotë:
….Vegimeve ndriste
Bashin e emrit Pellazg
Deteve i kishte rënë…
Me Odisenë lundrave rreth e qark
I ndizte zjarr!
(Poezia “PELLAZG”)
Ai dëshiron që ato të bëjnë strehë në shpirtin e tij:
Atë e gjeta aty
Në Dodonë para grekëve
Thonjtë e baticës s’e tërhoqën zvarrë
Në fron me Zeuzin
Çdo mëngjez genit shqip
(Poezia “Pellazg”)
sikur do të thonë:
Vetëm qesh, përballë stuhisë
E kryet e mban mbi retë
Në Mirditë
Shqipet i ngrehin çerdhet me rrufetë
Tokë e bekuar dimmër-verë
Fara e grurit në korpin e njëbesimit
Pluguar me eshtrat e alfabetit ëngjëllor
Me kryqin e dy Faneve
Hedhur ishullit mirditor.
(Poezia” N Ë MIRDITË”)
Ndërsa në poezinë “BURRAT E KULLES”, ai shkruan:
...
Burrat e kullës dridhnin mustakun
Regetima e prushit të zjarrit
Pikturonte copa dashurie
Toknin gotat e rakisë me mikun
E ndërronin kutinë e duhanit
A ndjeve, loke?!
Zë u lëshonin grave
Hidhuani një kockë
Atyre zagarëve…!
Në fillim të këtij shkrimi fola për cilësi e virtyte të mira të poetit Zef Përgega .
Por edhe ai vetë shkruan, me sinqeritetin e njeriut zemërgjerë:
Kulla stërgjyshnore në Bërzanë
Rrasat e çatisë
Larë me diell e me hanë
Jerevia mbi muskujt e përroit
Dërrasa të lëmuara si gjethe palma
Qiriu i fshehur në shpirtin e nanës
Bekonte afshit e bukës së pjekur
Dhuratë e shenjtorës Barbaba...
(Poezia “LUTJA E NANËS TIME”)
Nëpër vargjet tij ai gjenë pranë Ilirinë,Fishtën,Ded Gjo’ Lulin,Nolin tonë të madh :
....Metafora e vargjeve
Tempujve ilirik
Orkestra e telave të dridhur
Një këmbanë lahute, zë Fishtë
Kur zogu i shqipës
Bëhet një me flamurin
Gjuha i lidh rrokjet
Me Bratilen e Ded Gjo’lulit
Në shtëpinë e zotit
Me e shënjta ikonë
Kryqit të Nolit
Shëndrit një margaritar
(Poezia “GJUHA SHQIPE”)
dhe më tej:
….Trokthi i kalit të Heroit
E shkrep agimin
Gjuha ime i ngjesh armët
Më këngën e kushtrimit
Orën e lutjeve
Thotë Nana Terezë
Bota e humanizmit
Qirinj ndezë..
(Poezia “GJUHA SHQIPE”)
Me shpirt të ndejshëm poeti thellë nga zemra e tij e pastër si loti thotë:
....Stërgjyshi i Lisit
Çetën e proftëve të Shejzave
E ngriti në bebe të Koloseut
Me një dranofille shkodrane
Hynte e dilte Ora e Shqipërisë
Krojeve të kulluar të plisit
Njomnin buzët yje me diell
Mbret drejtësie Ernest Koliqi
Kur shkruate
Për të gjithë, lypte qiell!
( Poezia “STERGJYSHI I LISIT”)
Dhe, si për ta përmbledhur tërë botën e pasur shpirtërore të tij , Zef Përgega shkruan vargjet e bukura e domethënëse:
...E preka me dorë se mos takoj
Rininë në anijen e mbytur
Gjurmët e mia të fshira
Batica i kishte mbushur me jod
Nga Gryka e Bunës deri në Rodon
Mora frymë në kodrën e Nuseve
Agimi me rreze shkruante elegjinë
Me tej në Pyllin e Zanave
Me homelinë e malit të Rencit
U rashë fort këmbanave
(Poezia” SURPRIZA E BINJAKEVE”)
…Tani, kur po i mbylli këto pak radhë, para më del përsëri pamja e buzëqeshur e këtij poeti për nënë Pashakon:
...Nuk ke vdek burrneshë
Lapidar i dritës së syve
Në retinë të birit tënd!
Një tingëllimë teli
Kaltrinë nën det të vajit të delfinëve
Dërgova nga Detroiti
E fryti i duarve të tua me tha:
“Kam një vdekje!”
(Poezia” NANE ZAGORIE”)
. ...Zefi ka virtyte të larta njerëzore, një botë të pastër e të pasur shpirtërore, me dashurinë e respektin për cilindo, që njeh e miqësohet me poezinë e tij:
...Plisin e bardhë të gjyshit
Nana e ruante në petkat e amshimit
Si kujtim që të mos tretem
Ma mbështolli me shaminë e mërgimit
Dheun tim me tokën e butë
I brujta me lotin e kristalit
Vazo luleje e bëra plisin e gjyshit
Në ballkonin tim të shpirtit
Në Detroit mbolla një filiz shqipe
Pashë qumështin që u ka dhënë nana
Ejani e shikojeni
Sa e bukur është rritur!
( Poezia “NE PLISIN E GJYSHIT”).
FLORI BRUQI
***********************************
Nga Rafael Floqi
Shënime kritike për librin më të ri të Zef Përgegës « Lëreni kohën të flasë »
Një shkëmb i shkulur i vendlindjes që mbart me vete sa fatin e mërgimtarit aq sa dhe mallin e përjetimeve, sa kujtesën e ngjizur si tharm i poezive të veta, aq dhe një tufë figurash të nxjerra si nga nektari i luleve të malit, sa dhimbje aq edhe shqetësim burri që të befason në këtë vëllim të ri me poezi. Vëllimi i tretë të Zef Përgegës « Lëreni kohën të flasë » sjell një qerthull poezish që diku- diku rregëtijnë si zjarre malli, e diku si hire shpresash , ku mes prushit e hirit xixëllojnë aty-këtu mes vargjesh perla autentike metaforash që të befasojnë dhe të rrëmbejnë.
Zef Pergega , është një poet që ka krijuar individualitetin krijues, jo vetëm në poezinë e sotme shqipe që krijohet në mërgim, por përmasat e këtij individualiteti maten me nivelin e poezisë së sotme shqipe. Tashmë poezia e tij ka fituar një vlerë dhe peshë të vertetë artistike. Kjo gjë më dukshëm vërehet, sidomos në krijimet poetike të librit të fundit të këtij autori. Poezia e tij, ka marrë vlerë që duhet respektuar, sepse ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, për më tepër të asaj kategorie që leximin e poezisë e bëjnë më kujdesshëm dhe në mënyrë profesionale. Tonaliteti, individualiteti i unit poetic, madje dhe figuracioni eshte i ngjyer, i ngulfatur, në shumatoren e përceptimeve dhe përjetimeve të poezive të tij, me tematikë nga vendlindja, nga raportet me njerëzit e tjerë, dhe vleresimi i kundrimit poetik e bën poezinë e tij shpesh herë mjaft piktografike gjë që reflekton një figuracion e ndienjë shumëplanëshe që e transformon unin e tij poetic, në atë shumatore të krijuesit dhe krijimit artistic, që sa vjen e shpaloset me një sinqeritet krijues në faqet e këtij libri.
Janë këto disa nga arsyet pse themi se Zef Pergega është nga ata poetë që poezinë e ka pasion, dhe atë e krijon jo për të plotësuar ndonjë vakum krijues, por thjesht shkruan për të shprehur ndjenjën dhe përkushtimin e tij letrar. Tash kur përmendim këtë autor, një poet që krijon kujdesshëm i cili si prodhimtar i vlerave letrare duhet respektuar dhe duhet t’ia pranojmë suksesin e gjertanishëm e mjaft prodhimtar.
Zefi pavarësisht trajtimit te gjinive te tjera i ka mbetur besnik krijimit të poezisë duke u dalluar si një krijues që më me përkushtim merret me të. Ai nga libri në libër ka shënuar ngritje, vlera këto të tejdukshme, qoftë në aspektin estetik apo të qasjeve metodike për të sendërtuar vlera që ai i ka synuar. Deri më tani ky poet ka shënuar rritje, duke i dhënë vlerë dhe sharmin e duhur artistic poezisë, që I jep kesaj lloj poetike vlera artistike te qëndrueshme.
Te poezia e Zef Pergeges spikasin tiparet e njëe poezie që ngërthen në vetvete sa modele dhe stilema mirditore të poezise së tij të trevave të Lezhes të kultivuara qysh në kohën e rinisë së hershme dhe të shprehura qysh në librat e parë të tij , me të vetmin ndryshim se melankolia për Atdheun, tani sikur e ka ndryshuar baraspeshën. Tashti kundrimi i fenomeneve bëhet nga larg dhe është bërë obsesion i tij krijues, duke e bërë poezinë më meditative, më të përjetuar dhe shumë më të dhembshme, ngase edhe ato nota lirizmi edhe ato fije gëzimi, sikur i këputen nga një jetë e të qenit larg Atdheut, larg realitetit për të cilin ai jeton dhe krijon. Por të qenit larg vendlindjes i jep atij distancën e duhur nga tabloja poetike për ta bërë poezinë e tij jo vetëm emocionale por edhe racionale.
Poezia e Zeg Pergegës është një kondesat përjetimi. Uni i tij poetik shpreh një njerën anë realitetin në anan tjetër filozofimin për situatën. Realiteti të emigruarit në Amerikë, ai për jetim i parë i jetës të re emigrantëve të rinj të Ameriëks, zor se mund të thuhet më shkurt se sa në këto dy vargje të poezisë « Më përket dhe i përkas », ‘Të ardhurit e ngulin idenë e kthimit, /pa lëshuar çantën e ikjes’. Realiteti i ri, Amerika për autorin që kaloi si shumë prej nesh në kalvarin e emigracionit, është toka e premtuar, është toka e qumështit dhe e mjaltit, ku Perëndia për herë të parë zbriti në këtë tokë/ Në krah Jezusin me zonjën Mari. Tema e kuptimit dhe e nderimit për Amerikën shihet edhe në mjaft poezi të tjera,si : « Marshi i të barabartëve », « Eshtë diçka që duhet të jenë » etj.
Malli për vendlindjen është sa i ndjerë aq dhe dramatik, sa i deklamuar aq dhe i për jetuar, ndaj dhe poeti guflon «Të gjithë dashuritë i mblodha si liqeni plot me kroje / mallin tënd dhe mallin tim për Shqipëri. Malli është tema e mjaft poezive lënda e cilave janë sa përjetime të gjalla, përsiatje e kujtime aq edhe përgjithësime të një filozofije konkrete të ditës që përbën edhe vetë mesazhin e tyre. Babai, nëna, familja,fëmijët janë fytyrat e mallit, si tek poezia « Qelizë e ndarë » ‘ Hallet zgjasin thonjtë / e përfyti na zënë në zyrat e shtetit, aty kujtohemi se në pasaportë i paskemi në listë etërit ‘ .
Një figuracion me veneracion të krishterë, të paparë ndonjëherë në letërsinë shqipe të pas diktaturës, ku të qenit i krishterë katolik për poetin nuk është vetëm çështje konfesioni, por dhe një shqetësim poetik , mjafton këtu të citojmë vargjet nga poezia « Në Mirditë » ‘ Krishtërimi atje rron me pemën, nëntëqind vjecare Uldi, Mali i shenjtë stinët i vesh me xhurdi /plisin në bardhë e zhgunin e Benediktit /Bibla i vallon në sy’, apo poezinë « Lutja e Nanës sime », ‘katolike ajo vatër në prushin e kumteve /trokiste heshtas një puhizë vjollcë, Nana mërmëriste orën e lutjeve’.
Raportet mes feve nevoja e unitetit kombëtar është tema e mjaft poezive, si: « Korpi i njerëzimit », « Një parmendë kemi », Gjakëz,etj., por poeti shkon edhe më tej duke përsiatur mbi kuptimin e krishterë të njerëzimit dhe të botës , si në poezinë «Koha e Gjethes ».
Realiteti i Shqipërisë por edhe realiteti jetës në Amerikë janë tematika kryezore të poezive të Zefit , ndjeshmëria ndaj ngjarjeve të Kosovës e të Shqipërisë përbën grupimin më të madh të poezive , si : « Dikur dhe tani », « Delfinët », « Bjeshka e kuqe », « Reklamë », « Nana përkundi trima » , « Kam me lind, etj ». Por analizës së fakteve nuk i kanë shpëtuar edhe dukuri shoqërore të jetës shqiptare , të politikanëve të përçudnimit të njerëzve dhe të vetë realitetit, si në poezinë : « Reklamë » , ‘kanaçet e shtypura të reklamave shqiptare , të njejtat fytyra me xhaketa të kthyera, të kapura pas një nallaneje’, apo poezi të tilla si « Jetoj », « Hamburger me gjymtyrë », « Hithri dhe Lisi ». Një sarkazmë e lehtë ndihet ndaj dukurive shoqerore të Shqipërisë së pas komunizmit, në disa poezi si ajo e lartpërmenduara që marrin madje edhe formën e fabulës.
Por realiteti i ri që poeti përjeton është i ashpër, nuk ësht ë i lehtë për t’u jetuar , pasi autori nuk e përjeton atë vetëm artistikisht, por edhe fizikisht,si në poezinë “ Letra e njoftimit “ apo “Ndjesi Kapitali” ku shfaqet tek poeti ajo ndjesi dinjiteti që ndjen së pari përçmimit e racizmit të të huajve ndaj çdo shqiptari.
Por le të ndalemi tani tek poezia që i jep edhe titullin vëllimit: « Lëreni kohën të flasë » Në fakt ky është vëllimi i tretë i autorit Zef Përgega që në ndryshim nga dy vëllimet e para « Dheu i Atit » dhe « Kallnuer në Detroit » sjell krahas lirizmit të indit poetik , më tepër pjekuri artistike si në vargëzim , në figuracion apo dhe në imazh.Imazhi poetik buron natyrshëm ai është sa i drejtpërdrejtë aq dhe metaforik .
Vlerat e librit maten edhe më vokabularin shprehës, bagazh ky i ngarkuar me shprehje të traditës mirditore duke hiperbolizuar mendimin artistik me doket dhe zakonet e trevës që i takon, si mjeti më i mirë dhe më i sigurt për t’u kushtuar vëmendje të veçantë mjeteve shprehëse, kulturës shprehëse që duken si një qasje origjinale dhe e mirëfilltë. Zef Përgega edhe në këtë libër, (bile më me ngulm), është përpjekur për të dhënë një figuracion të bollshëm dhe mjaft të pasur, dhe me një gjuhë sa të rrjedhshme, po aq të kuptueshme që e ka spikatur muzikalitetin e vargut dhe të fjalës artistike.
Këto njohje dhe dije janë rezultat i punës dhe përkushtimit ndaj poezisë ose më saktë nga shoshitja e vlerave të traditës popullore, të gjuhës dhe kulturës, të njohjeve të historisë dhe mitologjisë të cilat duke i gërshetuar edhe me njohjet në fushën e poezisë, bën që poezia të marrë një ylberim specifik që e bën atë më të dalluar, tipar ky i poezisë së sotme shqipe që krijohet jo vetëm në mërgim.
Ky vëllim poetik që është libri i tretë me poezi i poetit në një total prej tetë librash të gjinive të tjera, që i jep atij një vend të denjë në poezinë shqipe që prodhohet në diasporë dhe në Shqipëri dhe që është një nder për komunitetin tonë letrar të Michiganit të kemi në gjirin tonë një autor si z. Zef Përgega.
*****************
LERENI KOHEN TE FLASE
Poezi
Redaktor: Marash Mirashi
Luigj Pepaj
Korrektore: Donika Pergega
Botim i Institutit Albanian-American
Kopertina: pikturë Lorenco Pergega
Arti grafik:
Albin,
Tiranë
MEDITIM PER POEZINE
Poezia plotëson më së miri nevojën e njeriut për t’u shprehur. Kërkesën e shpirtit, për të treguar temperaturën e bulzave të dhimbjes në lotin e kripur. Fuqia e saj nuk qëndron në stolitë dhe stringlat e vargut që poeti I vesh me kostumin e rimës, por tek vullkani i brendshëm i mendimeve, figurave të gjalla në fushë të imagjinatës, të cilat derdhin shtatoren e mesazhit të fjalës!
Kur e ndërpres për pak leximin, para syve mburrja më shpallet bajraktare e fisit, kur marr në dorë librin me poezi, në lundrën e fjalës më duket vetja marinari me i thjeshtë e, të tjerët kapitenë të zot, por kur krijoj më vallon misteri e më bëhet sikur zanat ma mbushin kuvertën e shpirtit me dhurata të çmuara. Poezia me dorën e saj engjëllore troket nëpër dyert e kyçura të shpirtërave, për të dalë nga heshtjet mortore të izolimit në dritën ikandeshente të bashkimit.
Poezia është një mit brenda kraharorit të çdo kohe, ajo është ora e çdo zemre në travlimet njerëzore. Ajo e therret ushtarin në luftë, duke e ngritur deri në pishtar flamurin e ngadhënjimit dhe njeriu bëhet shkëmb i ngujuar në kalatë e pamposhtura. Kur zanat përkundin djepin e lindjes nën jestek të klithjes, ajo e uron rritjen me bardhësi. Poezia është qumështi i parë i pragut të vatanit ku thur çerdhen kënga e lirisë së simbolit. Ajo është mjalti i natyrës njerëzore në hojet e luleve, ku pranvera çel prilleve ceremoninë jubilare të sytheve ylberike.
Ajo është flladi i flladit të qiellit të perëndisë dhe melhemi i dritës së vegimeve të malit vetmohues të një kombi. Njerëzit tru shterrur për lavdi futen natën në kopshtin e saj të grabisin nektarin në petale dhe mbjellin farën e pambirë, e në fund poezia u dorëzon çertifikatën e dështimit, hunjëve të ngrirë.
Poezia është bijë e ndjenjës dhe e përfytyrimit, ku ritmi, rima, ngjyra e tingujve dhe muzikaliteti i vargjeve, në kupën e qiellit të metaforave, shpërthen ngjyrat e melodisë që poeti i nxjerr nga testamenti i frymës së parë. Ajo është buka e pjekur e së ardhmës, në arën e biblës së bekuar e lëshon farën mbi krahet e pëllumbave të paqës dhe me krojet e syrit e njom refrenin. Poezia është roja me besnike e fortesës së karakterit, e cila ia lan fytyrën vertebrave të tij nga myshku i vesit.
Poezia përkudet në djepin e valës së detit, të gëzimit dhe hidhërimit, ludron me busullën e diellit e velat e nimfave të bregut. Ajo është turbinë brenda lumit të gjakut tim që çdo mëngjez ma shkrep zjarrin e dashurisë për njerinë. Kur perrënjt e zi, dheun e parë gërryejnë, ajo therret poetët, si kalorës të vargjeve dhe njerëzit që ngrihen në kushtrim, poezinë, si princeshë të lirisë mbajnë për betim. Në qelqin e humanizmit poezia është horizonti i yjeve. Poezia është loti që shpërthen digën e qepallave dhe kryp brazdat e fytyrës, është ari në kupën e kaltërt të fjalës, të cilat mbushin enën e shpirtit.
Ngushullimi shpirtëror i krijuesit s’mund të agojë në glorifikimin e së kaluarës, duke shpikur heronj të rrëmë apo duke u kapur pas degës së thatë herë-herë pa frut të legjëndave e miteve, por duke gërmuar me pishtar në dorë në galeritë e konstatimit, ku struken fenomenet aktuale që këmbët i fshehin si gjarpëri.
Pse të shkoj me larg, poezia në zemrën time, në zemren tënde e në pulmonet e kombit është ritmika e kraharorit tik-tak!
zefpergega434@hotmail.com
MALLI IM MALLI YT
S’mund të mblidhen të gjitha:
ëndërrat në një ëndërr
mendjet në një mendje
shpirtërat në një shpirt
ndjenjat në një ndjenjë
politikat në një qyp
burri i shtetit brënda vetës
sofrat në një lugë
trimeritë në një lavdi
partitë në një kusi
zjarrët në një gur
rrezet në një sy
yjet në një spaletë
bota nën një levë
demostatat në gjoks të patriotit
Të gjitha dashuritë i mblodha
si liqeni plot me kroje
në një Dashuri
mallin tënd
e mallin tim për Shqipëri!
PELLAZG
Në prehërin e tisit të muzgjeve
Nën jelek të henës
Me kodin e imagjinatës
Terrin e grisa me flakën e qiririt
Në kryeqytetin e kultit
Veten pashë
Shekujt e shalur
Në lekura qengji shkruanin
Netët e pashkundura të mitologjisë
Rruga drejt një peme
Shtruar me qylymin e stinëve
Plasja e trungut rridhte vajë
Krahëve të shiut skeleti i një bukurie
Helena e Trojës varur në litar
Elektrikun e dorës ma lëshoi
Një vetëtimë
Vegimeve ndriste
Bashin e emrit Pellazg
Deteve i kishte rënë…
Me Odisenë lundrave rreth e qark
Atë e gjeta aty
Në Dodonë para grekëve
Thonjtë e baticës s’e tërhoqën zvarrë
Në fron me Zeuzin
Çdo mëngjez genit shqip
I ndizte zjarr!
NE MIRDITE
Krishtërimi atje rron me pemën
Nëntëqindvjeçare Uldi
Mali i Shënjtë stinët
I vesh me xhurdi
Plisin e bardhë e zhgunin e benediktit
Bibla i vallon me sy
Vetëm qesh, përballë stuhisë
E kryet e mban mbi retë
Në Mirditë
Shqipet i ngrehin çerdhet me rrufetë
Tokë e bekuar dimmër-verë
Fara e grurit në korpin e njëbesimit
Pluguar me eshtrat e alfabetit ëngjëllor
Me kryqin e dy Faneve
Hedhur ishullit mirditor.
BURRAT E KULLES
Kur lehjet e forta vinin nga jashtë
Në forxhën e tërbimit
I konin ujë kafshimit
Beslidhjen e granitit
Në dysh ta thyenin
Burrat e kullës dridhnin mustakun
Regetima e prushit të zjarrit
Pikturonte copa dashurie
Toknin gotat e rakisë me mikun
E ndërronin kutinë e duhanit
A ndjeve, loke?!
Zë u lëshonin grave
Hidhuani një kockë
Atyre zagarëve…!
LUTJA E NANES TIME
Kulla stërgjyshnore në Bërzanë
Rrasat e çatisë
Larë me diell e me hanë
Jerevia mbi muskujt e përroit
Dërrasa të lëmuara si gjethe palma
Qiriu i fshehur në shpirtin e nanës
Bekonte afshit e bukës së pjekur
Dhuratë e shenjtorës Barbaba
Pelerinë e rreshkur me shkrumb varfëria
Pak miell tragjizmi të verdhë
Përzier me hidhra…
Thyerjen e kryqit në ballë të pragut
Në grusht e mblidhte një kaki
Dritë-hije e gëzim-vaje
Katolike ajo vatër me prushin e kumteve
Trokiste heshtas një puhizë vjollce
Nana mërmëriste orën e lutjeve
Mbi harkun e magjës së Shën Pjetrit
Emri i kullës
Në argjend medaljoni i zonjës Mari
Rruzaret thonin të vjetrit
Xhakonjt, tufa me fëmijë
Fshehtas, fshehtas në qetësi apostolike
Nga përgjimet e djallit të zi
Nana ime ende e ruan atë rit
Nga kthimi i krahëkorbave
Për besë, ka frikë!
KATEDRALJA E SHENKOLLIT
Shpirti i Shenjtë
Liman i kaltërt në këmbanë
Në katedralen e Shënkollit në Lezhë
Ipeshkëvi i Izmirit lutet në Lter
Mozaiket e flamureve të princave
Betohen më dorë në zemër
Mot për mot
Para kokës së pa prerë
Shpata e gjysmëhënës
S’e la varrën në atë derë
ROZAFA
Kodër Rozafa
Si vezë e blertë e Pashkëve
Në zemër të kryqit të dy lumenjëve
Drin e Bunë
Para Zonjës së Shkodrës
Kastrioti merrte forcë
Kur binte në gjunjë
2539 gjyle masive 110 murtaja
Ziftuar ranë mbi arkitrarët
Qumështin e gjirit të murimit
E mblidhin në kupë pishtarët
LUMENJT
Faltoreve të lugjeve
Krojet mekojnë kungimin
Mbi pasqyrat e flladit të lumenjëve
Fytyra e rodit të shqiptarit
Shkulmat, si kapronj të lazdruar
Hovshëm nga shpirti i tokës
Herë të përbaltura
Herë me ndrotje
Si orteku
Të kapin pa fjetur
Detin e madh të mendimit
Fjala e amshuar e blerimit të stinëve
Për gryke i rrok kësulat e zanit
Sa një oste me fali pak Dhe
Shtegu i karvanit të Matit
Si more asnjëherë nuk u lava
Në lumin tim të fatit?!
GJUHA SHQIPE
Gunës së dekadave
E hapin që rend
Germat i shtien krahun alfabetit
Të nderojnë një Prend
Metafora e vargjeve
Tempujve ilirik
Orkestra e telave të dridhur
Një këmbanë lahute, zë Fishtë
Kur zogu i shqipës
Bëhet një me flamurin
Gjuha i lidh rrokjet
Me Bratilen e Ded Gjo’lulit
Në shtëpinë e zotit
Me e shënjta ikonë
Kryqit të Nolit
Shëndrit një margaritar
Mbi guackë të Jonit
Trokthi i kalit të Heroit
E shkrep agimin
Gjuha ime i ngjesh armët
Më këngën e kushtrimit
Orën e lutjeve
Thotë Nana Terezë
Bota e humanizmit
Qirinj ndezë
Blegërimin e qëngjave
Me ty e thuri Naimi
Notave të marshit të kohës
Asdreni e këndoi hymnin
Gjuha ime
Zjarr mbi salvime
Bukë e mbrujtur
Kurrë s’shkërrmoqet në thërrime!
ATY TROKIT
Si mbeta kështu duar thatë
Endacak i mëshirës pa gjë në trastë
Kalendarit të zverdhur numërova vitet
Si parmak i thyer në dërrasë të kalbtë
Ç’përrua i zi e ka erroduar
Truallin tim të lashtë
Qiellza e skifterëve
Të drejtet i nxori jashtë?!
Aty trokit, aty godit
Fshini sklepat, o të mjerë!
Se në bebe të lirisë
Gjithë jetën na kanë përmjerrë!
DY KORBA
Si mund të pijnë sisë
Pa tamël të rriten bija e bijë
Kur shtriga
Dy korba ka për gjinjë?!
REGETIJNE CA ZJARRE
Shtëgtimet shkëmbinj pa krye
Rreketë hedhin baltë
Mes therjeve të muskujve të dalë
Të kohës pa Dhe
Kushtrimet e eksodeve grusht me ciklone
Erës shkrumb, regetijnë diku ca zjarre
Nuk e di në ç’brigje në ç’oqeane!
Nata shtron për fjetje
Një rrogoz me lagështirë
Fantazirat e mykura
Çirrën nën brinjë
Ftohtë në gusht, ftohtë s’di
Copat e akullit brenda prillit
S’po shkrijnë
Strukjet nën arnat e dridhjeve
Mbuluar me kompresot e vlimit
Diku regetijnë
Ca zjarre
Nën urë të mallit pa lum
Regetijnë…!
RRAPI
Uji i Ftohtë në Vlorë
Amfiteater magjik i qytetit jugor
Rrapi numëron rrudhat
Nën lekurë të trungut shekullor
Pranvera çel në Kaninë
Guackat e Bregut koncert me mandolinë
Si rruzaret e shtrira gjerë e gjatë
Në Karaburun, Radhimë e Nartë
Në Guzbaba e pi dollinë
Me Qemalin, Kaçorrin e Gurakuqin
Iso me lahutë
Gotat i mbushin
Me gjilpëren e vitëve
Degët e rrapit
Qepur janë
Në fustanellën e labit
ESHTE DICKA QE DUAN TE JENE
Amerikani një skulpturë
Për vendin e tij i lidhur
Si 50 yjet në flamur!
Tokë e qumështit dhe e mjaltit
Amerika shans për të provuar
Rrugët e arta sfidojnë dështimin
Vetminë dhe ashpërsinë
Liri e përpjekje për sukses
Ka vend për të gjithë
Shpirtzez…!
Gatuar me ëndërra që ankorojnë horizontet
Pjekur me indet e flijimit për madhështi
Hapin koha krenarisht ia ndjek pas
Thjeshtësia e paqja thyejnë urrejtjen
Pa rënë ngihen e bëhen zota
Para plumbit dhe litarit
Nga qerpiku u këputet frika
Vetëm një gjë i bën të ndjehen keq
Për ta dhënë për Ameriken
Kanë një jetë
Me vajin e salvimit e përjetojnë fenë
Eshtë diçka që duan të jenë!
OR TI MIK
Mushkës të pa shalur të fatit
Me miza kali i ke hyp
Për pak pasuri
E më shumë politikë
Në se
Në arën e mëndafshtë Amerikë
Nuk di ti shijosh korrjet
E djersës tënde
Mes drizave lozanjare
Ndër cica të mjelura
Thithjeve me dollarë
Sikur të mos ishe hiçi
Rrufitet me një gllënkë
Endërra edhe mishi!
ATA
Ata…nën Dhe
Arkëvorrit hije pezull
Regetimë mbi drutë
E zjarrit të kockave
Ora e hirit i mban ndezur
Këngë që zgjon veshin e zotave
Ata…mbi tokë
Në pasqyra të huaja
E ndërrojnë bojën e flokëve
Shkelin e shtypin
Shpirtëra të lirë përtypin!
STERGJYSHI I LISIT
Stërgjyshi i Lisit
Çetën e proftëve të Shejzave
E ngriti në bebe të Koloseut
Me një dranofille shkodrane
Hynte e dilte Ora e Shqipërisë
Krojeve të kulluar të plisit
Njomnin buzët yje me diell
Mbret drejtësie Ernest Koliqi
Kur shkruate
Për të gjithë, lypte qiell!
MITI I ZANIT
Sorkadhe në pejsazhin e borës së Dukagjinit
Mit në botën e zanit
Nartin Camaj rendi me kumtin e vet
Palimsesteve të lashtësisë
Ku lidhet gërsheti i vatanit
Me stafetën e vrapit të orëve
Si një tufë shkëndijash
Ndezi kureshtjen në dituri
Për ta farkëtuar latimin e themelit
Në vargje të lira
Aty ku i ke rrënjët Shqipëri!
BESE ME NJE BURRE
Përtej liqenit të syrit
Anës Bunës
Taraboshi si një plis me thinja
Brinjë Drinit
Lidhur për fundi një thesar
Buzë kaltrimeve të Matit
Ora ngec gurëve të strallit
Në Rodon rrëzohet një yll
Brenda gjoksit të kalasë
Ulerima ujqërish mbjellin një pyll
Midis detit të pakripë
Ujët shterr e ne tu u mbytë
Në këmbë ec bregut
Mbi lëkura gjarpëri të rëna
Adresë e shtegut…
Vizatuar me rrema
S’po shoh asgjë kundi Ura
Si të lidhim besë me Burra?!
TUFEZIMI NJERI
Dy tre breza dhe…
Olimpi 2 mijë vjeçar relike hi
E jo më kurrë, hiri mal
Se lëngun e kuq ndër deje
Kohët e zeza e pinë në një sahan!
Dy tre breza dhe…
Lisit të tamlit dhe Lisit të zjarrit
Si po ju kojnë helm
Me kupën e djallit?!
Dy tre breza dhe…
Njeriu i thyer kryqesh
S’ban më brezi në mes brez
Shtrigani u ngulet në qiellzë
Krimbur dëmbët e dhëmballët
Tradita breshër me kristalet
Dy tri breza dhe…
Dheu pa Dhe
Kërminjë e urithë vrimur në fole
Kopeja e tufëzuar
Epshohet mrizit të ndërzimit
Thundrakë që shkelin
Visaret e bazilikës së njerëzimit!
***
Nga “Popjeda në “Benz Mercedes”
Drita e Krishtit s’ka si ndez!
***
TE NDJEJ
E ndiej vlugun e plorit
Si ethet e forta
Në bulëza mbytur
Me përvëlim
E ndiej thellë
Thellë more thellë..
Në faltoren e uruar të shpirtit tim
S’kërkova kurrë miradinë
Asnjë përfitim
Me vullnet të perëndisë
Malli mal
Ylberit ta hidhte shallin si dedikim
Betohem për atë hir
Të ndiej si At
Më ndiej si bir!
PARADOKS NE PRISHTINE
Dy gishtat hemisferën e ngritën peshë
Një piskamë deri në Amrikë
Ku toka flet me urtinë
Më dëgjo zoti ynë
Blu e lypim drejtësinë
Për Kosovë e Dardani
Stërgjyshi e baca Adem
Ranë fli…
Ja ç’ka duam
Liri, pavarësi e shtet
Bashkim vatan
Kokën e prerë të gjarpërit serb
Shka u ba jaran
Një rrugë në Prishtinë
Mban emrin Sulltan?!
DHJAME
Fund vitet i matnim me pëllëmbë
Sa gishta trashë
U dilte lëkura me dhjamë…
Kohës prapa diellit
Dita zhytet me krye në thesin e interesit
Lugët mbushur me yndyrë
Gjuha jonë
Me të huajat përzier
Pishtarët e udhës së shkronjave
S’po bëjnë dritë
Na i zuri dhjami
Veshët edhe sytë!
VIRUS
Virusi i sundimit
Në plasën e kullës së bajrakut
Rrënjët i ndau nga dheu
Reja e shiut të marsit
Barkas nën karrike për pusht-et
Kalaruar mbi votë të sovranit
Zbret katrapuz nga mali
Si vullkan çlirimtari me llavë
Në bankat jashtë shetit
Vuri ca trasta me dollarë
Gropat e tenderit
Mbushën me tru të zgjuar
Me buldozerin e firmave të huja
Rrugët drejt Europës
Pa viza i kemi të shtruara!
SURPRIZA E BINJAKEVE
Delta zbriti me fletë xixëllonjash
Bora e priti me qylymin e bardhë në Detrotit
Mario e Lorenco me foto vendlidjen në dorë
“Babi, ja Lezha jonë malli yt!”
Aparati i një vetëtime shkrepte blic
Legjëndat nën jestek të kumbimit
Në mahnitjen e kolonëve
Mu shfaq Gjiri i Shëngjinit
E preka me dorë se mos takoj
Rininë në anijen e mbytur
Gjurmët e mia të fshira
Batica i kishte mbushur me jod
Nga Gryka e Bunës deri në Rodon
Mora frymë në kodrën e Nuseve
Agimi me rreze shkruante elegjinë
Me tej në Pyllin e Zanave
Me homelinë e malit të Rencit
U rashë fort këmbanave
Zhytjeve me dehje pranverore
Me polumbarin e lumit plak
Fytyrë zhumbrosur mbi valë
Mu bë vetja si zog i zënë në çark
Udhës së Shën Françeskut
Shporta-shporta në degë ullinj
Urrejtja shprazte mina
Mbi urat e lumit Drin
Mollëzat e gishtave
Si gusha mjelme në acar
U ankoruan në liqeni Knalla
Ku lashë varkën e mbushur
Një kuvertë me ëndërralla
Vallja e tërbimit të ujqërve
Trastën e farës shqyente
Truallin ma kishin shit
Tek zoti i pazotshëm
Emrin në shqim të kullës
Me të shtëna shkalazit
Oh, për ato thesare!
Sa qese florinj kushton
Ta kem pronë edhe një herë
Dheun e Atit të të parëve!
MREKULLI
Dielli lind e perëndon
Si gjigand i madh i kryezjarrëve
Nën sqetull
Qiellin dhe tokën e mbeshtjell
Me pelena rritje
Bebeve ua fshin vajin me ringjallje
Hëna del e zhduket
Yjet e kallaisin me ar
Kur rritet e zvoglohet
Muajve në kalendar
Për njerëzit, ditët edhe netët
Bëhet urë me margaritarë
NANE ZAGORIE
Djepin e kohës
E përkunde me krah mjelme
Drurin e tij e latove me kallëza
Në jestekun e shqyer nga rrebeshet
Klithja mbështeti kokën nën qepalla
Në oxhakun e kullës së fisit
Pjekur trungu i virtytit Nënë Pashako
Me kripën e gurit të bardhë
Yjeve të netëve të gjata Zagorie
Dimrave që stinëve u zinin pusi
Ti çele sythe dashurie
Nuk ke vdek burrneshë
Lapidar i dritës së syve
Në retinë të birit tënd!
Një tingëllimë teli
Kaltrinë nën det të vajit të delfinëve
Dërgova nga Detroiti
E fryti i duarve të tua me tha:
“Kam një vdekje!”
Loti i burrit mjekrrën dridhi
Hidhte grushtin e fundit të dheut
Shkulur malit me thinja
Kraharorin s’ia grreu dhimbja
Nuk u shua, po ndrinë
Mik i largët zemërfqinjë
Vorbullimet e kohëve
Flakëkallje
Jo, jo s’të përthyen…
Nanat s’i mbërthen arkivoli
Vozo gonxhe zambaku
Rilindje filizi
Shenjtëri themeli e pragu
E mirë me të mirat njerkë
Spiro të thirri:
Nanë, moj nanë e zemrës time
Me një zë për 70 vjet
Sakrifica e parë njerëzore
Në shami balli brazda pikëllimi
Nana jote
Asht bre bujar jugu
Edhe lokja ime
Tingëllofshin qelqet
Veç në ditëlindje.
KTHIMI I ZANAVE
Djellimit të zanave
Limani i mjelmave mbeti pa krah
Valsin e përbotshëm delfinët
Në sallonin e detit
E kërcenin me stërkalat
Braktisjet prapa na lanë një kometë
Pritja e kthimit të zanave
E ngriu lutjen shpresë
U plak rrapi i durimit
I balsamit për të qeshë!
Litarëve të shiut
U ngjita përpjetë
Plagët palosnin flamurët e betejave
Të pyes një emër
Zanë e moteve të shurdhuara
Pse po na e vonon pranverën?!
Ç’U BE NJEREZIA
Lotët e qiririt nën flakë
Rrjeshin gushës stalaktite
Si shembjet e tempujve të lashtë
Ku e çuat njerëzinë
Furrën ku shkrihej ari i shpirtit
E veshët më kashtë!
Porta e turbinës së vitit të ri
Kopsitur me zinxhirë
Sa pak dritë shoh
Buzë lumit të skuqur sysh
Si kalë i ngordh!
UNI
Thëgjilli vuri kujën
Tribunave europiane
Unë more unë jam zjarri
Ç’dritë mund të bëjë
Para meje pishtari?!
NE PLISIN E GJYSHIT
Shpresës delikate si petalet
Ditët ia shkoqte trishtimi
Goja e shkrumbit rridhte djegur
Endër të frikshme pashë
Këmbët nën lave si mish i pjekur
Një engjëll i çoi letër qiellit
E ndoqa vrapeve këmbëzbath
Frymën ma zunë rob gjembat
Gjunjësh u theva shpirtëzbraz
Plisin e bardhë të gjyshit
Nana e ruante në petkat e amshimit
Si kujtim që të mos tretem
Ma mbështolli me shaminë e mërgimit
Dheun tim me tokën e butë
I brujta me lotin e kristalit
Vazo luleje e bëra plisin e gjyshit
Në ballkonin tim të shpirtit
Në Detroit mbolla një filiz shqipe
Pashë qumështin që u ka dhënë nana
Ejani e shikojeni
Sa e bukur është rritur!
TRADHETARET
Tradhëtaret jetojnë ëndrrën
Me të ndukur flokësh
Sesi do të flasë njerëzia
Pasi ta kenë hedhur
Trastën e viteve boshe
Grykëlidhur kërrabave të skeletit
Kur të vdesin
Gjeneratat në vend të nevojtorës
Në varr do tu dhjesin!
LETRA E NJOFTIMIT
Një shpend i lirë i huaj
I fali krah zemrës
Guximi i plakur
U bë me gjunjë
Në radhë me emrin, mbiemri ngjitet
Me pullë zami ditëlindja e vendlindja
Tek kjo e fundit e lidh kalin paragjykimi
Letra e njoftimit e panjoftuar
Kurriz dalë nacionaliteti
Si gungë deveje para sportelit
Që plumbi nuk e shpon xhamin e trashë
S’isha në ëndërr kur shfryu
Shkumë nënçmimi
Shpikësi i vulës në konsullatë
Tek mendimi tjetër
Se nga vijmë e kush jemi
Kemi mbetur
Bisht qeni se bisht qeni!
NA ZURI DETI
Dielli para agimit qe ulur në tezgjah
Të endte pëlhurat e miteve
Në radën tonë ia befën kolonët grek
Mahnitur nga kori i zanave
Dorën e çudisë e vunë mbi sy
Spirancën e fluturuan në breg
Sa nuk u shkrimë si gen
Erdhën perandorët me romakët
Për pak u romanizuam
Shkelën osmanët me huq
Ndërruam fe e karakter
Gati krejt u kthyem në turq
Triumfoi pa fanar diktatura
Drapër e çekan i pullosëm në flamur
Mëngjeset i përshëndetëm me grusht
Me shishen e tamlit thatë
Me hap ushtarak si rus
Kapluam oqeanin
Tre vëllezërit e mbretërisë së kaltërt
Supesh valëmirën sjellin
Në bregun e lirë na zuri deti
Për njeri-tjetrin
Veç vrerë vjellim!
NJEREZIT FLUTUROJNE
Amerika tokë e re e rrafshtë
Fle e zgjohet në psallmat e virgjerisë
Njerëzit kanë pulmonet e saj
Në blerimin e çudirave
Çelin kontribute e ide me pajë
Avancimi i viteve s’e ka thinjur
Si kartolinë ditëlindje
Në vitrinën e perëndisë
Baballarët që ngulën shenjën
Ende muskujt e tyre vozisin
Nëpër minierat e thella të diturisë
Kampione e maratonës botërore
Epoka e një sfide
Këmbanë e derdhur në kupën e artë
Në shtatoren e lirisë
Burimet njerëzore dedikime gurgullojnë
Mbi fytyrën e një ishulli
Njerëzit si bilbilat
Veç në Amerikë janë të lirë të fluturojnë
LERENI KOHEN TE FLASE
Zotat u t’kurrën
Kupa e pamatshme
U bë sa një lëvozhgë
Ungjillit ia mbyllën gojën
Loti i qiririt u zbeh në flakë
Grigjat e shenjta u shthurën
Bota materiale i hodhi ganxhat
Mbi direk të portës së karakterit
Misteret pa krye si patkonj në pluhur
Kalaronin në shënj përçarjen
Zgjedha ia nguli cfurkun agut
Shkumës së parmendës e kalbi farën
Guri i bë deshmitar i lutjës
Oxhakui këndoi rruzaret nën gjoks
Vobëktësia e skamnoreve
Bekoi sofren e Pashkëve me lot
Që prej asaj kohë e sot
Pëllumbi pa strehë pret pranveren
Në kallnorin e muzgut të vllaznisë
Vitet si hunj të kalbur
Mbi lekurë të shekujve
Të shkepur në rrathë
Koha i gjykon kohët
Lereni të lirë të flasë!
LIRIA
Rrënjet i ka të thella
Zgafellave ngjallen krimbat
Të hanë krena!
FJALA E WASHINGTONIT
Vargonjtë në baltën e kolonive
Mpinin zjarrin e dëshirave
Litari i lagur mbi kuverta
Trenonte mbi vertebra
Vlimeve të gjakut
Netët ia thyenin qafën perëndimit
Si rreke guresh rrokullisej cikli
Liri a vdekje e skllavit
Ndrojta si një rrobë e mykur në hambarë
Erë e rëndë balleve të ngrira
Thellësive të muranave
Shpërthente mbi pasqyera
Shtëpia e Bardhë
Ia shtërngon dorën Zotit
Biri i saj Washintoni
E tha një kryefjalë
“Të zgjidhën
të lidhurit në çengela”
Prangat u shkrinë në sirena
PERQIDJE
Kapur pas diskut fluturues
U krodha në astronomi
Ç’mendonin Ufot
Për përplasjet e shekullit të ri
Parashutova në aerodromin e gravitetit
Një ortek ufosh me gazetarë
“Sa përqind e politikës tuaj
ka taban shqiptar!”
Pyesni fqinjët, grekët, serbët, turqit
Italianët, malazezët, maqedonasit
Gjithë sllavët
Liro shtrëngo na i tërheqin litarët
Mos harroni ndërkombëtarët
Hidhni një sy atij Rapit të Moçëm
Me ngricat e dimrit i ndez zjarrët
Mbani vesh
Një filliz zambaku
Qesh ore qesh!
SHEMBJA E IDHUJVE
Dëgjoi korin e dymbëdhjetë
Zërin solo të apostujve
Shaminë e zezë të idhullit
Në llozhën e paqes
Flakën ia vuri
Drita e Dhjatës!
MUSINE KOKALARI
Kush iu dha
Me energjitë e moteve
Apologjinë ia bëri Shqipërisë
E varrosën thellë e më thellë
Për së gjalli
Mistria e mohimit
Baltonte arkivole
Vonë sa vonë
Nderimi del nga varri
Si tek Musinë Kokalari
Në fushën e druve në Rrëshen
Trokiti ndrojtja ime me 1977
Guri veshur me këmishën e myshkut
Në derën e saj hartat çirreshin
Çelikun e mijra prangave të izolimit
Fjala e lirëe poetes
Me dritë i këputi, pas vdekjes
MAL ME HIJE
Margaritari i Botës
E shqeu në dysh
Perden e metaltë të zotave
Kripës së dheut i dha shije
Mes njeri-tjetrit ka mbetur
Një mal i mbjellë me hije!
NGAZELLEU RINI
Ngazëlleu rini ngazëlleu
Liri demokraci
Si mez i pashaluar
Bota është e jotja
Koha vjetër
E fshiu vulën në tapi
Krushqit nën duvak të nusës
Para kalit kanë shkrirë
Ngjitu rini ngjitu
Mbi gradaçelat e reve
Kapur pas kacurrelave të epshit
S’ka nëvojë për dorëdhënje
Defreni pra defreni
Tallazëve të çmendura
Llokaqitur si krapi pa ujë
Mes gjinjëve të mjelura
Harroi rini harroi
Magjitë lakuriqe
Ngazëlleu rini ngazëlleu
Bota don punë, dituri e çifliqe!
ME PERKET DHE I PERKAS
Të ardhurit e ngulin idenë e kthimit
Pa leshuar çantën e ikjes
Koha ecën e vrapon duke thirrur
Ti shkulë prej kunjit të pritjes
Këtë mrekulli s’mund ta gjesh kudo
Sa të pish një gotë ujë
Sa të prekesh një lule
Sa të dëgjosh një çerdhe zogu
Sa të lidhesh ëndrrën me ëndrrën
Mos u ndal, po jeto
Me dashurinë e vendit të ri
San-Françiskon merr për çati
Tokë e çmuar
Që të përket e i përket
Marinarët, skllevërit e pelegrinët
Kaubojt dhe emigrantët
E kërkuan këtë ngrehinë
Si i humburi shtëpinë
Mrekullia e Amerikës mbështetet
Tek liria e individit
Që leviz si një lum i pafjetë
Mbi kolonën e famës shkencore
Humanizmin e mekon me jetë
Perëndia për të parën herë
Zbriti në këtë tokë
Në krah Jezusin me zonjën Mari
E bekuan të tre krijesën e re
Në besë të Kolombit atë ditë
Emrin e lumnueshëm Amerikë
Vendi im vendi yt
Ku ankorohet zemra e globit
Edhe për shqiptarë
I përbashkët simboli i lirisë
Shqipe e zeze në cohe të kuqe
50 yje blu në sytë e shqipes së bardhë
Nga katedralja solemne lutem
Zoti e bekoftë begatinë e saj!
JUG-VERI
Rrjedhjet e Ibrit e të Vjosës
Kafshuar me dhëmbë ulkonjash
Pse kemi dy Shqipëri
Dy princa kapedanë
Një në Prishtinë
E tjetri në Tiranë?!
Dy flamurë me një shtizë
Zogun e shqipes me dy kokë
Njeri kuq e zi
Tjetri me gjashtë yje rrëzuar përtokë
Dy emra të pagëzuar
Nana Tereze e Goxhe Bojaxhi
Gjergj Kastrioti e Skenderbeu
Në kullë të unit dy bajraktarë
Dy frone të shëmbura në pishtarë
Mbi dheun e dheut tënd
Një gjuhë një nacion
Shekujt shosh me plumba
Toskë e gegë sypëllumba
Një trandofile çel prille
Në kopshtin e mushtit të njësimit
Shqipëri-Kosovë
Dielli i afrimit, pse i rrudh buzët…?!
DRITE-RROJSHMI
Dritë-roi
Agu tharmit poezi
Skulpturë e gjymtyrëve
Shqipëri
Dritë-roi
Kalldremeve dhe sokakëve
Të ringjalljës
Pena e nektarit të fjalës
Arën e shkronjave
Rreth e qark
Deri në piramidën ilirike
Si bostuni i shenjtë i Shën Palit
Me farën e shpirtit e mbolli
Dritë rrojshmi fisnik bujar
Dritëro Agolli.
NUNESHA TE NGRIRA
Brezi dyzet e lart
Qinari i dhimbjës së fundit
Për kodikun e vlugut shqiptar
Për fletët e bardha të Dhjatës
E duetin e këngës së krojeve
Për shallin e borës së ylberit
Që rreshqet
Mbi boljera të shtërrura nusesh
Mrizeve të korbave
Ka renë hija e armëve
Për gjarpërin nën gur
Rojen besnike të kullave të braktisura
Për parmendën e qetë e kularit
Për dorën e bjeshkës që e hidhte farën
Flakureshë e shekullit që vjen
Aty na gjen e aty na len
Qelqe të thyera
Na shprazët mbi fytyra
Qëndrojmë si buste
Nuneshash të ngrira
PAJA
Deti grusht plot me thesarë
Arbërisë një lundër me kripë
I fali për pajë
Me barutin e zi të tradhëtarit
Manteli i shovenit
Në cep të vetullës së shqipes vrimon
Një zë nga paja e dheut të flijimit
Shqip, gjëmon ore gjëmon!
RIT NE FSHAT
Vazo e dheut
Si gëzof me qerpikë
Çel në mesin e shkurtit
Në gjokse të lazdruar
Nën bluzë lagunash
Të qeshurat e virgjëra
Valle fluturash hedhin
Krojet e fshatit para vjeshtës
Për vashat salikone mbledhin
AS ME THONI
Gjarpëri nën rrasë gushti
S’bëhet dot poet
Pendë mushti!
As me thoni burrat e truallit
Në cilën gurrë burim e krua
Në cilën zanë apo mjelmë
Në cilin yl shqipe a diell
Në cilën lule, nektar e bletë
Në cilën lendinë a kështjellë?!
O njeri, që hijen e mat me rrezen e palindur
Në cilën mbretëri
Krimi është poezi?!
Poeti është poet
Kur shpirtit
I përulet si mbret!
MARTIN LUTER KING
Kokën kthej parapa
Majtas, djathtas…
Gjithësisë e hesh veshtrimin
Mbi pllajat malet e lumenjt
Shpendët me fluturim i ndjek
Pemët, degët deri tek përrenjt
Zgjatet e zgjatet në majë të gishtave
Ta prek lirinë
Fryma e saj avullon
Në xhama të rrejshëm shlyer
Si një sondë ia ngul sytë cohës blu
Qiellza e korbave gëlltit foshnja
Mbarsjeve të pabesive
Liria, iluzioneve të humbura
Diku një rrugë
E zverdhur nga kallnori i gjatë
Gjunj që heshtin
Nga t’ia mbajnë?
Fundi i një meridiani
Unë kam një ëndërr
Tornedo e një shpërthimi
Martin Luter Kingu!
QORTIMET PRIDERORE
Fjala e hojeve të prindërve
Aty në plagë ku dhëmb
Në qerpikët e fëmijëve
Sot rrit një gjëmb
HITHRI DHE LISI
Hithri jeshiluar u lëpihet gjetheve
Kapur pas kërcyellit të lavdit
Në grykë i hidhet lisit
Se rrënjët i kam prej plisit!
Kur rrufetë qëllojnë
Me shigjeta zjarri
Hithri digjen si flakë kashte
Lisi mbret mbetet i pari
KOHA E GJETHES
Ç’do të ishte hapësira e pakufishme
Pa engjëjt dhe pëllumbat e bardhë
Pa retë, shiun e gjithësinë
Pa flurudhën e gacave të shkreptimave
Pa Jezu Krishtin që rri në të djathtë
Bashkë me Atin në një anë
Pa kryq kishë dhe këmbanë?!
Një eklips i zi në masë të hirtë
Që me tmerre e zgjon globin
Çdo të ishte pra bota
Pa lutjet e ditës së diel
Zoti i plotfuqishem
Këtë katraure do ta ribënte qiell
Çdo të ishte një gropë e madhe
Falur për gjallesat nga tapia i malit
Mbi valë të veronin rrezet diell
Nëse liqeni nuk do të kishte mjelmë?!
Mbi ëndrrat bien mijra predha
Kush u shpall hero
Se qëlloi mbi ëndrrat?!
S’ka kuptim lumi i patrubulluar
Nata e akujve ia vjedh minutat
Orës së kombit
Si politikanët lavdinë heronjëve
Përrenjt e furishëm me rreketë
Pemëve nën këmbë ua gërryjnë dhenë
Çdo të ishte bota pa të gjitha këto?!
Pa të ligat dhe njerinë
Koha e gjethës
Përsëritjen do të lindë!
JETOJ
Jetoj ore jetoj
Në lëvozhgën e plasur
Të botës se interesit
Që s’ka grup gjaku
Macet edhe qentë
Me rrethojnë
Me shpallje të humbura
Fati i tyre i mirë
Si flakët që lëpijnë
Trarët në errësirë
Ndezur mbajnë një dëshirë
Mbi strehë teë vetullës
S’shkulet
Shfrenimi i vallës së dreqollit
Ta tund shaminë e Napoleonit
E zgjas frymën deri në këputje
Bash kam mall
Ta prek ëndrrën jetë
Bën sikur s’me njeh
Ca tendera
I ka fituar me një pleh!
HAMBURGER ME GJYMTYRE
Në marternitetin kopil
Pas gardhit të shekullit
Po lind një shëmbëlltyrë
Njeriu statujë e derdhur
Profilit të kohës
Hamburgër me gjymtyrë!
JETA
Nga dita e parë gjërë në fund
Në gropën e varrit pa shenjë
Me vitët e thyer si gur
Lindje-vdekja
Pellg i mbushur me vaj
Mbi mendafshe të shqyera
Lundrimet pa molo ankorimi
Luajnë pokër mbi pelhurat e reve
Peshkaqenët e pasur dredhin zingjirin
Mbi kuvertë…
Gjithësesi
Jeta është e bukur
Ta jetosh
Nese di!
KALARUAR
Kur hypim në poltronin e perandorit
Na perëndon cipa
Eklipsi i sundimit në pushtet
Thyqafjeve e rrëzojmë edhe atë pak shtet
Secili mbi sixhaden e njëmijënetëve
Defren nudos së vet
Kur biem nga kali
I mizave të huaja
Kacavaremi mbi shtiza mitingjesh
Shpërthejmë si brraka se jemi dikushi
Shkelim mbi krena si bërsi rrushi!
Ti servirësh karrjerizmit
Gjithë pasurinë e botës dhe karriken
Vritemi kush ta kapë të dytën!
SA JAM GJALLE
S’bëhem ushqim për krimbat
Mishin le ta hanë, kur të vdes
Dhau i Atit tim kockat s’mi tret
Në fyt do tu mbes…
Kur shpirti të me dalë
Se me mua s’e shijoi lirinë
E ta të gatuhet diku tjetër
Jam sërish gjak i gjallë
Në arteriet e fjalës shqipe
DIKUR DHE TANI
Mëngjeseve me zgjonte me përkëdhelje
Sinfonia e stërkalave të detit
Refreni i papërseritshëm i Asdrenit
Sa i ëmbël ëmbëltor
Gjiri i Shëngjinit
Mijra shekullor
Atje
Ushqeja me lugën e mjaltit
Muzën e poezinë
Këtu në mëgrim
Pllajë e tharë
S’po mbyllen plasaritjet në shpirti im
Atje, eh atje!
Dielli ma bënte me sy
Para se të flinte
Këtu, eh këtu!
Dremitjet të therin
Si hosteni nën pambuk
Brinjët e thyera
Ta e mbushin barkun me bukë!
DELFINET
Dallgët e tërbuara me krye
U binin shkëmbinjëve
Peshkarexha si pelë e hazdisur
Mes gjakut të egërsirave
Spiranca thëllë kujisur
Atë natë
Ankthi…
Zgjati cimat e vdekjes
Vajin e delfinëve
Guacka e priti si frymë e jetës
Dashuria e delfinëve për njerinë
Nuancë rrezatimesh mbi luspa
Gjithësisë mbi kaltrinë
Mirënjohja e peshkatarit
Rri me diellin mbi suprinë.
TOKA
Rruazulli është krijesë e Zotit
Kush tha e rrumbullakët
Në theh të briskut i kaloi koka
Njeriu erdhi në këtë botë
Për ta ndarë copa-copa?
Mos bre burrë
Se do të mbesim pa varr!
MARTIRET
E japin jetën si me le
Për nacion e për atdhe
Se bien thirren heronj
Gjaku i pastër i martirit
Një grusht Dhe-Gjak për liri
Politikanët
Sublimin edhe famën
Në kupë ua pijnë për lavdi!
PUPLA E ZOGUT
Me puplën e krahut të zogut
Çërrnjerës së universit
Me grabitqarë
Fjalën ilirike si zë foshnje
E shkruan të gjallë
Butësisht i mjekuan plagët
Që kohët e liga na i prisnin damarët
Në copëzën Shqipëri
Na mekonin me oste kungimi
Udhën e shkronjave dhe njëbesimi
Fiongos kuq e zi të altarit
Pupla, si llampa magjike
Ku u përkund djepi i shqiptarit
KAM NJE DESHIRE
Ah, sikur të kisha një kala
E lartë sa drita e syve
Kokën ta mbështes
Në traun e saj të sheshtë
Ndezur në dorë të mbajë
Një heshtë
Me satelitin e një meteori
I përkulur të flas me zotin
Syshë ta çjerrë urdinë e korbit
Shqipja ta vazlojë
Rrezet ta bëjnë një sy gjumë
Mbi vetull të borës së maleve
Tisi gri i mjegullës të shkrijë
Si vesa e petaleve
Krahëhapur gjithë nur
T’i ulem në gjunjë
I lirë
Ta puth në ballë atë flamur
E të thërras me të madhe
Mos me thoni i shkretë
Rroj more rroj diçka të them
I gjunjëzuari
Vetëm para kryqit në këtë jetë
REKLAME
Kanaçët e shtypyra
Të reklamave shqiptare
E njejta fytyrë
Xhaketa të kthyera
Kapur pas një nallane
Varur si llape qeni
Një kollë e thatë në kollare…!
BJESHKA E KUQE
Qafa e Tomës në piramidën tetë
Bjeshkës Kuqe në një brinjë
Kufiri vorr mes shqiptarëve
Bajoneta e doganës mbi 16 arkivole
Të ndarë burra gra e femijë
Tetë malësore në Shqipëri
Po tetë vermoshas
Ua grijnë eshtrat
Çizmet e shovenit të Malit Zi
Varrëzë nën lëkurën e lashtësisë
Kryqe të thyera mbi vetull të karafilit
Përmes e prenë
Në teh të vijës së kufirit
Prillët e Vermoshit
Çelin në gurin e kujtimit
Emrat në mermer u ndrijnë
Ata nën thundrën malazias
Hithrat i kanë mbirë
O shënjtorja e Vermoshit!
Bardh si bora e Kelmendit
Bekoi, bekoi…
Varr-piramidat nën Dhe të vendit!
QIELLZA E KORBIT
Vargonjtë i lidhnin me hallka yjet
Në lakun e regjur i ideologjizmit
Elbin digjin e pinim kafe
Endërrat i ushqente me bar
Luga e floririt
Të qepura me intriga bunkeri
Shkarpat e babzitura
Po thonë jemi lundra
Në botën e lirë
Çorbë e vjellë
Nën lekurë të hirtë
Qiellza e korbit në mërgatë
Det i zi me lëngatë…
O mërgimtar!
Mos e kujto për plis
Mbi strehë mali
Se të le qorr pa sy balli!
GJAKEZ
Dheu i plasur i një zakoni
Lidhur për brezi me shekujt
E pagëzoi me shaminë e zezë
Lagjen e një fshati në Mirditë
Mbi supet e një bjeshknaje
Guri t’kurrej në kandilin e trishtimit
Në ballë të oxhakut
Shqipja në flamur e kryqi në kanun
Njëra nuneshë e tjetri nun
Rrotull tokë e pluguar
Me rrjedhën e Fanit
Gjelbërim oh, sa pakëz
Me një emër troditës Gjakëz!
Prerë nga dy lumenj gjaku
Gojëdhëna
Kulçedra që kafshonte jetë
Lekundja e shkembit e plasi brënda
Në Gjakëz
Shija e kuptimit
Fundit e rrokullisi
Gurin e ngujimit
DASHURI HYJNORE
Princesha hënë
Në gisht vuri unazë
Në shtratin e mbretit diell
Adhrueshem mollëzohet
Digjet e përgjysmohet
Gjinjte e muajit të mjaltit me okë
Lazdrushëm zjarrplotë
Salloneve të universit
Hyjnishëm dashurohen
Yjet numrojnë puthjet
Në ishujt përrallor
Mblesësit tempullarë
Gotat i mbushin
Me qiej të bardhë!
NANA PERKUNDNI TRIMA
Dita e tetë 1997
Pulla gjaku të ngrira në buzë
Marsi e mbërtheu kapotën e zezë
Bash në kadetrale Heroi i priti
Krye për krye yjet në Lezhë
Ç’bën Shqipëria e vogël?!
Azmave të perëndimit
I është marrë fryma
Brigjet ia pati lidhur
Lashtësia me cima
Si dikur me pishtarë
Mal e kala
Kastriot e Alipashë
Kushtrimin thirr kapidan
Nanave ua bëni me dije
Ti përkundin djepat
Me xhamadan trimërie
Se po na e shkoqin grekët e serbët
Atë copë Shqipërie!
POETET E LEZHES
Një tis smogu mbi ballkon të Drinit
U bë dëshmitar
Grekët në Lezhë
I ndërruan unazat me sllavë!
Fillin e lëmshit na e lidhën nyje
Dejeve të lumit rridhte gjak
Nga inicialet e shumë partive
S’merrej vesh në trubullirë
Kush ishte shejt e kush djall
Shkrirë në një pllakë gramafoni
Zëri i skiles dhe i hiles
Dielli thërmohej
Mbi qeleshen e bardhë
S’po dukej bleta në ngjyra të blerta
Mijra gëzhoja duvak mbi sythe
Çmenduria zdrukthonte arkivole
Në ballin tonë të vrarë
Rrugët në vig me kalldrëme
Pranverë veç në kalendar
Poetët e Lezhës
Në tryezen e baladave e miteve
Me altarin e shpirtit
Fjalës së rrëzuar nga dielli
I dhanë ngjitje
MARSHI I TE BARABARTEVE
Në varkën e kurajos dhe fantazisë
U derdh pjedestali i Statujës së Lirisë
Shkrirë në profil shqisat e nënës
Virtyti e patriotizmi në mënçuri
Përgjakjet e kombit i mjekuan betejat
Në zjarrin e luftës Jug-Veri
Me fuqinë e trurit
Kalorës të lirisë së vertetë
Përqafur galunit të bashit
Historia me qëndresë
Dora e majtë shtrëngon
Deklaratën e Pavarësisë
Në të djathtin krah
Marinarët e Kolombit ulin velat
Kurora e artë me shtatë rreze
Skllevërve ua këputi prangat
Tiranët sulltanët e diktatorët
Ranë nga froni
Tek këmbët e saj si robër i lëshuan armët
Aty nisi marshi i të barabartëve
ENIGMA
Botës festja
Po i vinte vërdallë-vërdallë
Ende s’qe zbuluar me se matëshin
Endërrat flutrake për prijetar
Të një urithziu
Ufo me disk zbriti në tokë
E deklaroi: me mutimet e një miu!
TORINO
Bazilika e Shën Marisë në Superga
Mbi një kodër me eshtra
Gjumin e përjetshëm Emanuelet
Piomonteze Saraja
Me 11princesha e 66 mbretëra
Torino qyteti i esmeraldeve
Xixëllonja sokakesh me llamburitje
Këndi i parë i trekëndëshit
Të mëndjendriturve
Medaljone të fshehura në statuja
Nën tavane pemësh me gjelbërime
Gjurmët masonike ndezur rrinin
Nga dashuria e konteshave
Rrjedha e lumit Po
Shpërndante mbi kupën e qytetit
Përkëdhelje apostolike
SALI MANI
Supeve të legjëndes
Shuhet
Ylberi i këngës
Kësulën e bardhë e heq mali
T’i përkulet kantautorit Sali Mani
Gurra e folklorit
Humbi shkulmin shpërthyes
E loti ngriu
Dy telave të çiftelisë
Mbi digë të ujvarëve
Sali Mani në kaltrinë të Cemit
Mbeti një ninulle
Kënga e tij
Inde lidhi në flamur
Nuni i zanit me dy tela
Me nuneshën çifteli
Sali Mani
Kroj i këngës Shqipëri!
Porsi flokthi i borës
Në Detroit
Pranvera epizmi
Çeli shpirti yt
Detroit 3 janar 2010
NJE PARMENDE KEMI
Shpata gjysëm teh doli nga sunduku
Vringëllima e metalit e zhdredhi çallmën
Jo, Jo në Prishtinë katedralen!
Trashëguam një parmendë
Bibla është e imja
Kuranin e don vëllau
Pse po shtyhemi si qetë
Se lumi na përlau!
Ta punjojmë bashkë arën
Ardhmerisë me dy duar
Arbërisht t’ia hedhim farën!
MONTEKARLO
Mes gjinjëve të qumështit kaltërosh
Mistike baroneshë Montekarlo
Limani i mbante në prehër
Ylberet e gjalla
Kopështi i përbotshëm i zanave
Thurur mrekullia me mahnitje
Në hymnin e Ave Marisë
Si në Shëngjinin e Nuseve
Dy pika uji në shëmbëllim
Në shtator 2009 ndoqa
Koncertin e korit mitologjik
Mes tyre në kala princi Albert
Çeta e zanave
Zgjedhur e kishin si mbret!
KORPI I NJEREZIMIT
Veshin ua vura kalldrëmeve me piaca
Rëfimet i ndanin me Koloseun
Aty ku shkrepi syri i gurit të dinastisë
Jul Qezari mori një pusullë fati
Caktuar prej miqve
Në vendin e thikave gjakatare
Pa mbërritur të mësonte
Emrin e këshillit të tradhëtarëve
Roma korpi i njerëzimit
Nen qiejt e fshehur
Të bibliotekës së Vatikanit
Një minare e larë me ar
Hostia e Romës, dashuri për fetë
Pse nuk ngrihet një katedrale
Në Mekë?!
QELIZE E NDARE
Në degë të ullirit fryti i paqes
Rreth kurorës së malit
Stinët i qëndisin me vjeshtë
Shpërgajt e lindjës së djalit
Vreshtave të mbjella me musht
Me parmendën e vetullës së hënës
Ra kulla e fisit
Thelbi e dashurisë
Me kallëzat e gushtit mori flakë
Koha e shkuli rrënjësh kohën
Me epshet e nëndheut që mbijnë
Copa copa si cifla granate
Ndjësia e njeriut për të lindur njerinë
Hallet zgjasin thonjtë
E përfyti na zënë në zyrat e shtetit
Aty kujtohemi së në pasaportë
I paskemi në listë etërit!
***
Kur hedh baltë
Thundra e të gjallit
Eshtë më e rëndë
Se shqelmi i kalit
****
VALLJA E SHEKUJVE
Vallja e shekujve të palindur
Në mitrën e shtërrur të viteve
E përgjakur lakuriqe…
Në skenën e dhjamit të trashë
Dritës së nxirë të globalizmit
Shaminë e beqarit e djegin
Në skeletin e njeriut…!
TE GJITHE
Të gjithë ore të gjithë
E këndojnë nga një këngë
Veglave po ua dridhin telat
Shkudur brinjësh tastjerat
Të gjithë or lum miku
Shkrujanë libra dhe poezi
U bë kryeqyteti me katërmijë
Që njerëzia bozën e talentit
Në kupë t’ua pijë
Mbushën me lopatë dhjetra torba
Nëpër kopertina
Llustër këpucësh të vjetra
Si gardhe vorri emrin e ngulin
Nallbançe me thumba
Edhe korbat po thonë
Fluturojmë si pëllumba
Të gjithë ore sojnik
Si përrenj të babzitur
Thyejnë digën e qepallave
Të quhen lumë
Varka jotë të mbytet
Veç të prijë unë
O jaran, të gjithë po thonë
Unë jam lisi
Themeli, kombi e historia
Parmenda, fara e parë dhe plisi
Pasha bukën, të gjithë
Mbështjellë trutë e lavdit
Në batanien e smogut me trishtime
As për zogj
S’ka më trasta thërrime
Të paduruar si shekujt
Qe s’ngopen me vitet
Ashtin ua gërryejnë me muzgun e epokave
Në luftën e brrylave
Dhimbja me gërrhanë i nduk flokët
Kori pa dirigjent
Këngës ia nis kalle-kalle
O zot
Mend na i mbaj në celefone
S’na duhen gjë
Veç na jep pushtet e pare!
KAM ME LIND
Unë i palinduri
Kam me lind
Zëre se tash erdha në jetë
Si krah feniksi
Në këtë planet
Dhëmbin e parë të qumështit
Me hymnin e Niketë Dardanit
Ta ngul me qiejt
Për jetë e mot
Ta ndajë tokën nga shkietë
A e dëgjoni klithjen?
Këmbana u mbush me tingujt
E formulës së pagëzimit
Ja erdha
Gëzhoja e plumbit
S’do të jetë me arkëvdekja!
Ta zgjidh lirinë nga maskat
Mëngjezit të kohës së re
Lumenjt të mos rrjedhin me eshtra
Kam me lind bacë
Prej gurrimit
Krojët e lisit
Tu kojnë gji
Bekimit shqip
Me alelunë e të rënëve fli
Kam me lind
Për ty orëmira Kosovë
Me fjalëdritën e qiririt…
NDJESI KAPITALI
Në Detroit në supërmerkatë
Kallep akulli me gjymtyrë
Mësova se ç’ishte pushtimi osman
Kur punova me arabë
Bosi plak, si re e rrushur
Në brez e poshtë e në brez e lart
Dy thëllënza të reja
I kishin rënë në qark
Ua firmoste çekun për jetesë
Dhe makinat benx
Për pak masazh me pikmez
Kishte vënë dollarë
Thes mbi thes
Dy vëllezërit e tij
Lypnin kocka për supë
Rrugëve si homless!
PERVEÇ
Çdo gjë në këtë botë
Që bishtin po e tund
Si gjarpëri nën rrotë
Mund ti marresh
Për ndryshe
Përvec jetës së diktatorëve
Pa me ndyshje!
zefpergea434@hotmail.com
.





