Kompleksi i seksualitetit të hershëm
Fëmija fillon dhe aludon duke studiuar rreth seksualitetit, të hershëm siç na e mirëpërcakton prof. Arshi Pipa. Veçse termi që përdor Pipa “seksi “është paksa vulgar. Për mendimin tim, ai ka nuanca banalizuese në këtë formë, sesa me shumë se shkencore psikanalitike siç ka pretenduar ai tek studimi i tij “Subversion ndaj konformizmit”sikur të bëhej fjalë për një marrëdhënie të rëndomtë dhe jo për një vepër arti.
Për më tepër që Pipa tenton të bëjë vetëm një evidencë në dukje frojdiane dhe nuk e argumenton fare linjën e seksualitetit.
Frojdi na vjen në shërbesë menjëherë: “A ekziston një gjë e tillë si seksualiteti fëminor do të pyesni ju?
Një fëmijë i ka instiktet dhe veprimet seksuale qysh në fillim: ai vjen në jetë me to dhe pas një kursi të rëndësishëm zhvillimi, si seksualiteti normal i të rriturit.
Po cilido prej jush që nuk dëshiron të besojë në seksualitetin fëminor, do të habitej edhe më shumë po të dëgjonte se jo pak prej këtyre fëmijëve, të cilët kanë rënë kaq herët në dashuri, janë në moshë të njomë prej tre, katër apo pesë vjeçësh”. [1] Ai supozon dhe imagjinon se si Kako Pino do t’i zbukurojë nusen e tij të ardhshme me mendimin në shpirtin e tij për idenë e vizatimit të një ylberi në fytyrën e saj. Frojd për imitimin e një burri të vogël thotë : “Me kalimin e kohës dëshira për të qenë të martuar mund të zgjedhë një formë fëminore shprehje, duke u shfaqur në pamjen e një fobie mbi të gjitha të pakuptueshme dhe në formën e siptomave të ndryshme”.[2]
Është interesante, dëshira është ylberi në faqen e vajzës, pra siptoma për të cilën e ka fjalën Frojd, pasi vetë ylberi ka domethënien e një pushimi të një shtrëngate dhe ardhjen e diellit menjëherë pas shiut, pra pranverë pas zymtësisë. Meqënëse ai del gjithmonë pas shiut është diçka mëse paqësore dhe e mrekullueshme, diçka e magjishme në vetvete me të bukurën me ngjyrat e tij laryshe natyrale, të cilat përthyhen dhe bashkëjetojnë ashtu në simbiozë.
Ndoshta kjo lidhet thjeshtësisht me idenë se vetë nusja e ëndërruar, e dëshiruar nga fëmija është e tillë, e paqshme, e bukur më shumë se kurrë, së cilës bukurinë ia shton akoma më shumë edhe përfytyrimi i ylberit në faqet e saj, që të sjell ndër mend tatuazhet e sotshme të bëra nga të rinjtë për të zbukuruar trupin e tyre. Në letërsinë gojore apo edhe në të shkruarën, fytyra e femrës zakonisht krahasohet me hënën dhe tani i mbishtohet bukuria e ylberit, një tjetër element kozmogonik.
Vazhdon trajtimi i seksualitetit të hershëm tek fëmija, që do ta cilësojmë një si seksualitet të zhvilluar. Përpjekjet për ta parë nusen e Nazos, qenësia e kësaj gruaje të re, ndjesitë erotike për bukurinë e saj (patjetër kjo grua duhet të ketë qenë e bukur), shërbejnë si motivim ngacmues për fantazinë e fëmijës. Ai arrin të çlirojë këtë dëshirë me anë të imagjinatës përreth saj dhe ndjesitë e kënaqësisë së të ëndërruarit për të.
Për ta arritur këtë duke kuptuar njëkohësisht se kjo grua ka në krah një mashkull të rritur, ai dhe shokët e tij shtireshin me siguri përpara portës së verandës së saj për t’i tërhequr vëmendjen duke imituar rolin e një burri.
Është tipari i moshës, dëshira për të hyrë në konkurencë me meshkujt e pjekur seksualisht për t’u barazuar me to apo për t’i imituar, sepse fëmija është koshient se të qenit i rritur mund të arrinte të kishte një nuse të tillë të bukur afër, të qëndronte me të, ta kundronte, të prekte bukuritë e saj.
Në lojën e tij me fëmijët e tjerë, fëmija duhet të ketë bërë lëvizje dhe herë pas here ka kthyer sytë nga ballkoni apo veranda ku ajo rrinte me të vjehrrën, derisa vinte i shoqi, Maksuti dhe futeshin brenda. Fëmija në këtë moshë ndihet inferior dhe për më tepër xheloz që është i vogël në trup në krahasim me të tjerët, duke ëndërruar për nusen e Nazos ishte një mënyrë për të kaluar ndjesinë e inferioritetit dhe për të hyrë tek të rriturit, për të qenë si ata.
Po pse vallë fëmija duhet të imagjinonte për një vajzë jo në moshë të tij bashkëmoshatare ?
Shpjegimi ynë për perceptim dhe kuptim është i përgjegjshëm. Arësyetimit të mësipërm për imitimin e një burri të vogël në sy të nuses së bukur i shtohet edhe fakti se në atë kohë, biles edhe më vonë ishte absurde dhe jo e zakonshme që djemtë të luanin me vajzat bashkëmoshatare. Kjo deri vonë edhe disa dekada të tjera ka qenë tabu deri-diku, domethënë turp dhe shumë e guximshme për mentalitetin e kohës.
“Neve na vinte keq për nusen e bukur, që futej çdo mbrëmje prapa asaj porte të mërzitshme. Tani udha na dukej e boshatisur dhe dëshira për të luajtur na pakësohej menjëherë”.
Burimi seksual, (gruaja) ishte një motivim edhe për lojën e tyre përpara portës apo në rrugë, si shtysë loje për mbarëvajtjen e pjesës tjetër të ditës. Frojdi e shpreh tek psikoanaliza e tij se, seksualiteti është një lloj qetësuesi për mbarëvajtjen e planeve të tjera jetësore, kjo është shpjeguar edhe tek argumentimi i instiktit seksual të Gjonit tek “Qyteti pa reklama”siç do të lexohet më poshtë. “Gjatë kohës kur fëmija sundohet nga kompleksi bërthamor ende i pashtypur, një pjesë e aktivitetit intelektual vihet në shërbim të interesave seksuale.” Së dyti, theksojmë se ne pranojmë dhe se shkojmë deri në pikën që fëmija në vepër nuk është në gjendje mendore, psikike të zhvilluar të zakonshme dhe kjo shërbën si një farë energjie për të ëndërruar nusen e bukur.
E kemi thënë dhe e përsërisim edhe një herë se nuk mundemi dhe është realisht e pamundur të dihet pa referentë biografikë të saktë se deri në ç’pikë shkon e vërteta në fillin e ligjërimit dhe deri në ç’pikë shkon trilli (fiksioni). Pra deri ku shkon inteligjenca e moshës biologjike, që për mendimin tonë është në një raport shumë herë me atë të vogël në krahasim me masën e trillimit, të rolit të fëmijës kukull pra, të komanduar(si kukullat e teatrit që komandohen me fijet në skenë për të lëvizur duart dhe këmbët, krahasimi është metaforik kuptohet) nga vetë autori për qëllimet e tij ideoartistike sic e kemi thënë edhe më sipër. Vetë Kadareja flet për dymoshësinë: atë fizike dhe e kujtimeve të tij tek “Ftesë në studio” ku i komenton : “një famë gjysmë të shuar”.
Të dhënat biografike që posedojmë janë të pakta për fëmijërinë duke i pikasur dhe i koleksionuar me sa kemi pasur mundësinë. Në fakt, këtu burimi biografik për procedim të lehtësishëm, duket se has vështirësi dhe intuitës sonë i nevojitet ta mprehë mirë shqisën në hetime e sipër për të dalë në konkluzone relativisht të kënaqshme, duke u munduar që të mos lëmë mendime dhe ide në rangje hipotetike.
Seksualiteti i fëmijës është deri diku i dyzuar në marrëdhënie me moshat e femrave me të cilat “flirton” dhe deri diku jo normal. Po dyzimi ku konsiston ? Flirti me shoqen e tij pothuaj bashkëmoshatare, Suzanën. Fëmija e anashkalon temën erotike në bisedë me të me kritikën e egos prej të rrituri:
1 Ti di fjalë turpe? (Suzana)
2 E marroke e dreqit? (fëmija Kadare)
Duket se s’ka ndonjë kërshëri të dëgjojë sekrete të gjinisë së kundërt. Ai i a mbyll derën me të parën kësaj teme bisede me shoqen e tij të fëmijërisë së hershme duke mos qenë e preferueshme dhe duke i vënë sipër kapakun e tabusë.
Këtu dalim në një të vërtetë dhe lidhje shumë të rëndësishme shkak-pasojë për studimin tonë duke konkluduar lehtësisht se motivet e Kadaresë të veprës së tij në përgjithësi nuk kanë qenë kurrë të mirëfillta erotike, që t’i përkushtohen dashurisë, historive sentimentale. Kjo do të thotë se nuk kanë qenë ato ngacmuese, më të rëndësishmet në ndërgjegjen e psikikën e tij për t’u bërë tema të veprave të misionit të tij prej shkrimtari, por të tjera burime, vatra tematike dhe motivore. Pra kemi një çlirim të impulsve të mekanizmave krijues nga të tjerë katalizatorë, pasi duket se vetë intelekti, talenti kanë qenë të prera për më shumë se romane rozë. Pastaj të mos harrojmë se vetë temat erotike duheshin trilluar dhe shkruar në letërsi sipas laboratorit së realizmit socialist me shumë kujdes dhe sipas imazhit të sistemit. Gruaja dhe fenomeni femër kanë qenë prezent në veprën e tij për aq sa i është dashur dhe nevojitur autorit në marrëdhënie me personazhet e tjerë dhe linjat e veprës. Femra, bota, vuajtjet, tema e preferuar që e pështjellon zakonisht seksin e brishtë s’kanë qenë në epiqendër të romaneve të tij me përjashtim të pak rasteve. Siç na thotë edhe tek parathënia Eric Faye: “Në të gjithë veprën gruaja mbetet megjithatë personazh anësor dhe nuk bëhet fjalë për Emma Bovari ose Therese Raquin.
Ndërkaq një gjë është e sigurtë: personazhi femëror tip i Kadaresë nuk ka dhe as që ka për të pasur ndonjëherë vëllimin, pasurinë dhe ndërlikimin e barasvlerësit të vet mashkullor.”[3] Personazhi i dytë që i mbishtohet atij të parit (meqë thamë se e ka një ambiguitet) vjen Margarita e bukur, që çuditërisht krijon hutim tek vogëlushi, ndoshta me shumë se nusja e Nazos. Margarita turbullon sërishmi imagjinatën e fëmijës me bukurinë dhe kolshmërinë e saj. (Për nga mosha Margarita është afërsisht e njëjtë me Nusen e Nazos).
“Ajo rrinte pranë saksive me lule, krejt e huaj, e huaj dhe në mrekulli, e huaj dhe e befasishme si ai trëndafili i bukur që çel papritur një mëngjes mbi degën plot me gjemba.. “[4] Hutimi apo turbullimi i ëmbël dhe joshës, miklues në kuptimin e parë të fjalës, pra ai turbullim erotik:
“Ndjeva që m’u nxehën veshët dhe dola me vrap nga oborri”.
“Në të vërtetë këputja e një ylli tani nuk më bënte më përshtypje sa këputja e një kopse, sepse flokët e rënë të Margaritës më binin në qafë dhe prej tyre ashtu si prej gjithë trupit të saj vinte një aromë e lehtë, turbulluese që nuk e kishtë as nëna, as gjyshja.”[5]
Fëmija ndjen një erë të veçantë, një ndjesi, një kënaqësi shqisore që i reflektohet në shpirt dhe mendje.
Frojd :”Seksualiteti fëminor shërben për arritjen e llojeve të ndryshme të ndjenjës së kënaqësisë, të cilat duke u mbështetur në analogji dhe lidhje ne i përmbledhim nën idenë e kënaqësisë seksuale”.[6] Ndjesia erotike e nuhatjes drithëruese e aromës e ndan nga imazhi i deriatëhershëm i nënës apo lidhjeve të gjakut: gjyshes, tezeve etj.
Pse fëmija provon ndjesi nga gra të rritura në moshë të pjekura seksualisht dhe jo nga Suzana, komshija e babazotit? Është pikërisht ai seksualitet i hershëm i zhvilluar, si pasojë e zhvillimit të parakohshëm të mendjes dhe inteligjencës së tij, të asosacioneve, lidhjeve shkak-pasojë, ky është shpjegimi më afër një logjike të pastër, që po mundohemi ta nxjerrim nga koklavitja sa më shumë.
Në moshën me të cilën përballemi sipas Frojd: “Fëmija ende i papjekur seksualisht duke studiuar në botën e jashtme gjininë femër në pavetëdijen e tij ndihet indiferent nga ky disavantazh. Kështu në këtë fazë të kureshtjes vazhdon argumentimi i Frojd, pra në fazat e para të interesimit seksual, pa lirinë e veprimit fëmija ndjen xhelozi për moshën më të rritur, ambicjen që të ishte si ata dhe të kishte një femër të bukur”.[7]
Ndërsa Frojd tek “ Letër e hapur për dr. m. Fyrst thuhet:
“Interesi mendor i fëmijës për enigmat e seksit dhe dëshira e tij për një njohje seksuale shfaqen në një moshë pabesueshmërisht të hershme”.[8] Pra nga sa kuptojmë fëmija kërkon të kapë (tenton duke i ëndërruar në formë shpërthimi instiktesh) që i vogël një të pakapshme, prandaj ia lejon vetes të barazojë mendësinë duke imagjinuar për femrat e pjekura të bukura, të kolme, më të mëdha se ai në moshë (në mos ia lejon mosha, ia lejon imagjinata, fantazia, ligjet e së cilës nuk mund t’i bëjë askush, asnjë lloj Mbiuni).
Ndjesia e inferioritetit të moshës, e ka spostuar për inerci drejt ndjesisë së ambicjes për të qenë i madh dhe për të ëndërruar për Margeritën (dashuri platonike padyshim).
Autori nuk kursehet të tregojë tek “Dialog me Alain Bosquet”ndikimin e shtëpisë publike, që mendojmë se është një faktor i fuqishëm, i cili ka ndikuar tek seksualiteti i parakohshëm i tij flirtues me nusen e Nazos dhe Margeritën. Nuk dihet dhe nuk kemi të dhëna nëse vetë Kadare ka shkuar afër saj duke ushtruar onanizmin, kështu që ngelemi në këtë sipërfaqe të të shpjeguarit.
Po kështu bëjmë lidhjet analoge se edhe tek “Qyteti pa reklama” i shfaqet simpatia për prostitutat Gjonit, i cili kujton sërishmi shtëpinë publike të Gjirokastrës dhe ëndërrimin për një femër të tillë të përdalë dhe perverse: “Shtëpitë publike, luajtën një rol të pazakontë në shpërthimin e fantazisë së qytetit, e sidomos të fëmijës. [9] Diku tek vepra thuhet se fëmijët aplikonin onanizmin afër mureve të shtëpisë publike.
Ndërsa për femrat e përdala autori shprehet: “Një mashkull mund të dojë gjithë jetën një grua pa shkruar asgjë me vlerë për të e mund të kalojë pak çaste me një tjetër, çaste aspak sublime e të harruara e megjithatë kjo tjetra të ishte e atillë që të hynte në art. “[10] Ndjesitë seksuale hyjnë tek ndjesia ndaj grave të përdala si Luiza Angoni, prostituta, kërshëria e ekspriencës me to, e nevojshme për një artist për të hulumutuar botën, jetën dhe për t’u bërë personazh si gra me histori të veçanta dhe të larmishme, që kanë se çfarë t’i japin letërsisë.
Gjoni s’ka paragjykime në planin personal që të ketë marrëdhënie me një grua prostitutë, që është një grua normale, e cila ka zgjedhur një mënyrë jetese të caktuar pse ka shpërthyer tabutë e shoqërisë. Siç duket duke iu rikthyer heroit tonë të vogël, ëndërrimi për gratë e zhvilluara dhe më të mëdha se ai ka një burim të fortë ëndërrimin për Margeritën. Margerita dhe nusja e Nazos përbëjnë një fantazi të pavetëdijshme fëminore për figurën e femrës.
Xhexhoja:
- I zi se mos shkosh.... (bëhet fjalë për shtëpinë publike të qytetit).
- Pika të rëntë .... - i tha gjyshja-ç’ke me djalin.[11]





