Novruz Shehu zbulon arkivin e Pjetër Arbnorit

ENVER LEPENICA

Botohet letërkëmbimi i Pjetër Arbnorit (1935–2006 ) gjatë 29 vjetve në burgjet komuniste

Poeti, prozatori dhe publicisti i njohur Novruz Shehu është shfaqur këto vitet e fundit edhe si një studiues serioz i jetës shqiptare me vepra tashmë të njohura dhe të vlerësuara si monumenti që i ka ngritur vendlindjes me “Enciklopedinë e Tepelenës” , “Hito Sadik pas një ëndrre”, “Sokrati i shekullit”, “Vajza uragan”, “Musine Kokalari”, vepra në dy vëllime “Histori të bektashizmit shqiptar” dhe tani së fundi epistolarin e Pjetër Arbnorit “Shumë e dashur nanë!”, vepër e cila përmbledh letra të zgjedhura ndërmjet 2000 letrave dhe kartolinave të dërguara nga burgu nga Pjetër Arbnori gjatë 29 vjetve burg që ai vuajti në burgjet komuniste prej vitit 1962 deri më 1989.

* * *



Libri hapet me një poezi emocionuese, që përgatitësi i veprës, zoti Novruz Shehu, i kushton nënës heroinë të Pjetër Arbnorit me idenë se edhe vetë Zoti u lodh duke u marrë me popullin shqiptar, që vuajti nën dhunën komuniste, prandaj në vend të tij Zoti dërgoi nënat shqiptare që të qëndronin dhe të mbanin gjallë bijtë e tyre nëpër burgjet dhe kampet e përqendrimit komunist.

Shumë domethënëse kjo ide. Këto nëna shqiptare i mbajtën gjallë bijtë e tyre jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht, siç thotë zoti Novruz Shehu:



“S’është dielli, është fryma e saj

që shkrin dyshekun në Antarktidën

e akullt të Burrelit

dhe çel një manushaqe

drejt plasës së derës.”



Pas kësaj poezie kushtuar nënave shqiptare kemi portretin e nënës së Pjetër Arbnorit, realizuar prej piktorit Nikolin Luca në vitin 1989. Pra, është nëna ajo që nuk u lodh me të birin 29 vjet burgu, është nëna që e priti, është Gjystina Arbnori, si përfaqësuese e nënave shqiptare që vuajtën nën terrorin komunist dhe që nuk u dhanë asnjëherë, edhe kur bijtë e tyre dënoheshin me vdekje. Një portret që ka vlerën e një libri, dhe jo vetëm nga pamja, por edhe nga vepra. Ja një episod prej heroizmit të saj:

Prokurori kërkon dënimin me vdekje të Pjetër Arbnorit dhe i thotë:

- I pandehur, thuaj fjalën e fundit.

- Dua të flas dy fjalë me nanën.

- Po.

Pjetri:

- Nanë…

Nëna çau mes njerëzve dhe iu afrua sa më afër të birit.

- Urdhëro bir!…

- Shikomë në sy, nanë…

Nana nuk foli dhe e shikonte të birin drejt e në sy.

- Jam ai djalë që më ke edukuar ti, nanë.

- Po, bir!

- Kam një amanet, nanë...

- Po, bir!...

- Unë do të vdes, por kam një amanet…

Nëna hesht.

- Nanë, mos derdh pikë loti, mos ua bëj qejfin kriminelëve të kuq!

- Ti nuk do të vdesësh, bir!

Policët ndërhyjnë dhe nënën e tërheqin zvarrë…

Cila zëmër njerëzore nuk do të derdhte lot përpara kësaj skene? Por jo komunistët e Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, sepse ata nuk janë njerëz!…

Kështu, Pjetër Arbnori hyn në histori duke marrë përmasat e një heroi, por në histori hyjnë edhe nënat shqiptare që i ndoqën bijtë e tyre me trasta në krah. Kaq shumë është folur e shkruar për heronjtë e burgjeve të komunizmit dhe kaq pak folur e shkruar për nënat shqiptare, që i edukuan bijtë të mos pyesnin për jetën e tyre për lirinë e atdheut të tyre.

Dhe ja, zoti Novruz Shehu ka marrë përsipër këtë barrë të rëndë të na paraqes një nënë shqiptare si Gjystina Arbnori, si përfaqësuese ose shëmbëlltyre e vuajtjeve njerëzore. Nuk do të kishte heronj ajo kohë e zezë pa ato nëna heroina, që nuk lëshuan lot përpara kriminelëve të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Pjetër Arbnori nuk do të ishte ai njeri, ai hero që njohim ne sot pa atë nënë heroinë, që e frymëzoi, edukoi dhe e mbajti gjallë.

Por edhe një detaj tjetër, që lexuesi duhet të vërë re gjatë dialogut që nëna zhvillon me birin e saj. Ajo i thotë të birit: “Ti nuk do të vdesësh, bir!…” Zëmra i thotë nënës se i biri nuk do të vdesë. Pra, ai nuk do të vdesë as fizikisht dhe as moralisht, dhe kështu ndodhi në të vërtetë. Por as ajo nuk do të vdesë, do të pres të birin pas 29 vjet burg dhe pastaj do të dorëzoi shpirtin e saj të bukur në krahët e tij.

Libri pasqyron letrat e Pjetër Arbnorit, pra është shkruar për Pjetër Arbnorin, por në fakt ai duket sikur është shkruar për nënën e tij heroinë, këtu qëndron edhe një nga vlerat madhore të këtij libri. Ky libër është një himn që u ngrihet nënave shqiptare, që lindën djem të tillë si Pjetër Arbnori, pa të cilët një komb është i vdekur.



* * *



Siç thotë studiuesi Novruz Shehu në parathënien e librit prej 32 faqesh, “Letrat e Pjetër Arbnorit kanë vlera universale, mesazhe mbarënjerëzore, mendime filozofike mbi jetën, familjen, letërsinë, artin, kulturën etj. Në këtë përmbledhje çdo njeri mund të gjejë burimin e duhur të vlerave që mund ta bëjnë më njeri, më vital, më optimist në stacionin e përkohshëm ku jetojmë.”

Kjo, pra, është sipas Shehut vlera e këtij libri, por unë do të shtoja se ky është libri i parë i këtij lloji në kulturën shqiptare për të parë se cilët ishin ata njerëz që Enver Hoxha, Hysni Kapua dhe Kadri Hazbiu kishin mbyllur në burgjet e errëta dhe i kishin rrethuar në tela me gjemba. Ky është një libër-dokument, që u lihet brezave dhe historisë, ky është një libër që duhet të nxisë gjithë shqiptarët të shkruajnë dhe të dokumentojnë mizoritë e sistemit komunist.

Letrat e Pjetër Arbnorit përshkohen nga fillimi në fund nga dashuria e pakufishme për nënën e dhënë me aq finesë, sa na duket sikur lexojmë dhe jetojmë me të gjitha nënat tona që vuajtën nën diktaturën komuniste. Për 28 vjet rresht letrat dhe kartolinat e Pjetër Arbnorit fillonin me “Shumë e dashuna Nanë…” Ai arriti të jetojë edhe në burg. Ashtu siç thotë Balzaku se gjenitë e mbushin hapësirën e burgut me idetë e tyre, edhe Pjetri lexon, shkruan, mëson gjuhë të huaja dhe përgatit programe politike, i bindur se dikur sistemi komunist do të rrokullisej.

Është kjo arsyeja që në pjesën më ta madhe të letrave ai kërkon fletore katrore, bojë shkrimi, lapsa, pena. Dhe kjo krijimtari i kushtoi atij edhe 10 vjet të tjerë burg.

Interesante dhe me mjaft vlera është pjesa ku zoti Novruz Shehu e vë Pjetër Arbnorin përballë Nelson Mandelës së njohur botërisht. Në faqet e librit del qartë se Mandela nuk mund të krahasohet me Pjetër Arbnorin për nga vuajtja, mjerimi, qëndresa dhe kufizimet që ai pati në burgjet komuniste, çka do të thotë se burgjet e Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut ishin më të zezat dhe më të tmerrshmet në botë, ishin ato burgje dhe tortura që Viktor Hygo përshkruan në “Shën Mërinë e Parisit”, pra në mesjetë.

Studimi i Novruz Shehu përfundon me fjalët: “ Pjetër Arbnori është shën Pjetri i inteligjencës reale shqiptare, i asaj inteligjence që nuk ra në kompromis me politikën kriminale të Enver Hoxhës… Duke lexuar letrat e tij, kuptohet lehtë nga kushdo se ai ishte një personalitet që e meritonte titullin “Mandela i Shqipërisë”.



* * *

Libri Pjetër Arbnori “Shumë e dashuna Nanë” mbyllet me një biografi të shkurtër të Pjetër Arbnorit, duke dhënë edhe 16 veprat e tij të shkruara dhe të botuara.

Si pasthënie e librit shërbejnë dy letra të shkruara dhe të dërguara prej tij. Njëra Shuaip Panaritit, kryetar i Gjykatës së Lartë, Tiranë, dhe tjetra Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia.

Janë ato që nuk duhej t’i dinte nëna, por që bota shqiptare duhet t’i dijë patjetër.



* * *

Autori i këtij shkrimi e ka dëgjuar emrin e Pjetër Arbnorit që në vitin 1980 prej kushëririt tij Zija Lepenica, i cili vuajti 24 vjet në burgjet komuniste për të vetmin faj se ishte vëlla me nënë me Sadik Premten, por e dëgjova përsëri dhe u dashurova me këtë personalitet nga një artikull që lexova në vitin 1991 në gazetën “RD”. Në vitin 1997, kur erdha në Tiranë i ndjekur prej bandave komuniste, u njoha nga afër me të paharruarin Pjetër Arbnori, u bëmë miq, morëm pjesë në hallet dhe problemet e përbashkëta, por mbi të gjitha Pjetër Arbnori kishte hallin e Shqipërisë, e cila sipas moralit të etërve me armë kishte rënë përsëri në dorë të bijve të komunistëve - xhelatë të vendit të tyre. Ruaj prej tij kujtime të paharruara dhe të gjitha veprat e tij të dhuruara me dedikim.

Duke kujtuar Pjetër Arbnorin, Novruz Shehu kujton dhe vlerëson gjithë ata bij të kësaj toke që vuajtën vetëm pse deshën lirinë e vendit tyre.

Dhe ai që kujton të tjerët nuk harrohet as për vete, kështu edhe zoti Novruz Shehu.