Floresha Dado - Si duhet rishkruar “Historia e letërsisë”

Studiuesja dhe akademikja rrok një sërë problemesh teorike për sa i përket diskutimit të vazhdueshëm në rrethet shkencore për një histori të re të letërsisë shqiptare. “Sfida teorike të historiografisë letrare” është libri më i ri i Dados, që i kushtohet këtij diskutimi në 16 kapituj të tij


Kthimi e rikthimi i vëmendjes së rretheve shkencore, por edhe atyre mediatike në vitet e fundit mbi domosdoshmërinë e rishkrimit të “Historisë së letërsisë shqiptare”, ka qenë një nxitje e mjaftueshme për akademiken Floresha Dado që t’i kushtojë një libër të plotë këtij diskutimi. “Sfida teorike të historiografisë letrare”, i cili nuk ka arritur ende në librari, pritet që më së paku të ngacmojë mendimin shkencor për një diskutim produktiv mbi kriteret e shkrimit të një historie të re letrare. Vetë Dado, në parathënien që shpjegon arsyet e një ndërmarrje të tillë, pranon se ky libër, që u mëshon problemeve teorike të studimeve letrare, nuk është një trajtim shterues.

Takimi i parë i librit, botuar nga “Bota shqiptare”, por edhe vetë autores me një panel profesionistësh do t’i takojë promovimit të datës 18 janar në Akademinë e Shkencave. Pse u shkrua ky libër? “Sepse nga shkrimet e botuara, nga debatet jo të pakta që janë zhvilluar gjatë 15 viteve të fundit, u bë e qartë se, krahas dëshirës së mirë për të nxitur hartimin e një vepre themelore mbi zhvillimin historik të letërsisë, u shfaq edhe një lloj amatorizmi në gjykimin e problemeve të historiografisë sonë letrare. Sepse, prirja (e drejtë) për të kritikuar tekste dhe studime historiko-letrare, të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, shpesh humbi ekuilibrin, duke u kthyer në një agresivitet, po aq politik sa edhe praktikat e mëparshme për t’u larguar, kështu, nga problematika e vërtetë shkencore. Sepse ka disa studiues seriozë, historianë të mirëfilltë në Shqipëri, Kosovë dhe arbëreshë të Italisë, që kanë dhënë kontribute të vyera në studime historike, por që punimet, ose veprat e tyre, në atmosferën e paorganizuar të shkencës së sotme, mbeten të veçuara, për të mos thënë të paintegruara në fondin e shkencës mbi letërsinë.

Sepse përvoja ime shumëvjeçare në fushën e ‘Teorisë së letërsisë’, më kishte zbuluar, me kohë, boshllëkun dramatik të formimit shkencor, të shumë diskutuesve e shkruesve të sotëm mbi problemet e studimit letrar. Kisha kuptuar se ‘Teoria e letërsisë’ është baza themelore që formon historianin e letërsisë dhe hap shtigjet e trajtimeve të vërteta shkencore, duke garantuar zgjidhje e rezultate serioze”, shprehet Dado. Por, sipas saj, rishkrimi i historisë së letërsisë nuk mund të bëhet apriori. Për studiuesen, çështja nuk shtrohet se cilët autorë do të hiqen apo do të shtohen, se sa vlera apo pavlera do të vihen në diskutim.

“Së pari ka disa probleme teorike që duhet të zgjidhen mes studiuesve”, thekson Dado, duke dashur që më së pari të sqarohen edhe raportet mes vetë teoricienëve të letërsisë, historianit të letërsisë dhe kritikëve. Sipas saj, “Teoria e letërsisë”, ndonëse e zbatuar vonë në sistemin shqiptar, duhet të jetë parakusht për të kuptuar sistemin letrar. “Nuk mund të bëhet kthesë në studimet tona letrare, pa hyrë në thellësitë e korpusit teorik, që orienton studiuesin drejt njohjes së specifikës së sistemit letrar dhe drejt zotërimit të sistemit të studimit letrar. Në vazhdë të këtij konstatimi, kisha kuptuar se nuk mund të realizohet me sukses rishkrimi i ‘Historisë së letërsisë shqiptare’, jashtë diskutimit dhe zgjidhjes së një varg çështjeve të karakterit metodologjik, si çështjet e kritereve të hartimit, të periodizimit, të metodave të studimit, të kuptimit, të raportit të letërsisë me historinë, të historiografisë letrare me historinë, të historianit të sotëm me trashëgiminë letrare, të raportit midis kuptimit historik dhe evolucionit të strukturave formale të letërsisë etj. Siç do të shihet, në 16 kapituj janë bërë përpjekje për të diskutuar, ose më mirë për të ngacmuar vëmendjen e hartuesve të ‘Historisë së letërsisë’, në çështjet teorike të historishkrimit mbi letërsinë”, thekson Dado.

Teksa diskutohet për probleme të tilla, për raporte që mbeten ende të dyshimta dhe për kritere jo qartësisht të paracaktuara, natyrshëm lind pyetja se kush duhet ta shkruajë këtë histori të re të letërsisë? A ndodhemi ne në një stad të zhvillimit të shkencës së letërsisë që mund të garantojë rishkrimin e “Historisë së letërsisë”, duke përjashtuar fenomenin kohë që kushtëzon qasjen ndaj një vepre letrare, subjektivizmin, por edhe probleme të tjera jashtëletrare. “Në historinë e zhvillimit të shkencave ka momente kthesash të rëndësishme. Mund të themi se ky moment nuk është realizuar akoma në historiografinë tonë letrare, me vepra madhore. Me gjithë kontributet e vlefshme të disa studiuesve e kritikëve, të cilët gjatë viteve të fundit kanë sjellë vizione të reja në interpretimin e letërsisë, për mendimin tonë jemi akoma në fazën e spontanitetit”, thekson studiuesja. Në trajtimin e një sërë çështjesh teorike, teksa ndalet në këtë ndërmarrje, që pas realizimit për të do të mund të quhej një “dëshmi” e plotë e kulturës sonë kombëtare, Dado i mëshon një pune parapërgatitore të historianit të letërsisë, si edhe bashkëveprimit të gjerë të studiuesve të rinj që sot mund të mbartin edhe përvoja europiane me përvojën e studiuesve të vjetër, ndonëse një pjesë ka vuajtur nën presione dhe kufizime ideore.

Sipas Dados, “Historia e letërsisë shqiptare” duhet të realizohet si një ndërmarrje institucionale, përmes aktivizimit të forcave më të kualifikuara nga Shqipëria, Kosova dhe studiuesit arbëreshë. Sigurisht kjo nuk përjashton iniciativat e studiuesve të veçantë (siç ka ndodhur tashmë me Rexhep Qosen, Sabri Hamitin, Ali Xhikun, Robert Elsienë) që të ndërmarrin hartime individuale. Por, kur është fjala për një vepër monumentale, që përfaqëson një komponent të rëndësishëm të kulturës kombëtare, siç është letërsia, angazhimi duhet të jetë më kolektiv. Krijohet kështu mundësia e diskutimit dhe zgjidhjes, në plan teorik, të një varg kriteresh që lidhen me thelbin dhe funksionin e saj. Vepra ime synon të theksojë se rishkrimi i ‘Historisë së letërsisë shqiptare’, nuk është thjesht dëshirë, por punë e specialistëve të letërsisë, e atyre që kanë veç pasionit dhe intuitës interpretuese, formimin e domosdoshëm shkencor, për të kuptuar se studimi historik i një letërsie dallon rrënjësisht nga interpretimi eseistik, apo nga natyra e një shkrimi kritik, ku aspekti subjektiv është më i theksuar”.

Nisur nga një teori përjashtuese e zbatuar deri më sot në letërsinë shqiptare, por edhe nga diskutime të vazhdueshme, është ende e paqartë nëse mund të arrihet në një sistem vlerash të pranueshëm gjerësisht. Sipas akademikes, “Historia e letërsisë shqiptare” mund të shkruhet duke e parë letërsinë tonë si një skemë të madhe vlerash estetike të ndryshueshme; dhe çdo skemë vlerash e veçantë duhet abstraguar dhe nxjerrë nga vetë procesi historik. “‘Historia e letërsisë shqiptare’ për mendimin tonë, duhet të kapërcejë kompleksin e deritanishëm, për të mos u marrë me letërsinë bashkëkohore, nga viti 1945 e deri në fund të shekullit XX (e quajtur ‘realizmi socialist’). Ajo nuk mund të stopojë në ato kufij që ka ardhur në tekstet e fundit. Është ndrojtja për të hyrë në një periudhë me problematikë specifike, apo është paaftësia për të qenë objektivë, të guximshëm për të bërë gjykime jo politike?

Letërsia bashkëkohore ekziston, ajo është tani e gatshme për t’u gjykuar nga studiuesit. Sido që të jetë shkruar ajo është ose zgjidhje e disa problemeve artistike të caktuara, ose deformim i tyre. Do të duhet të zgjidhë përfundimisht dhe me kritere shkencore problemin e gjeografisë së përfshirjes së letërsisë shqiptare, jo vetëm të shkrimtarëve të Kosovës, të arbëreshëve të Italisë, por të të gjithë diasporës shqiptare. Ekuilibri midis aspektit etnik dhe atij estetik, në këtë rast është tepër delikat dhe kërkon një kriter të përcaktuar mirë dhe përfundimtar”.

Një tjetër sfidë që do t’i takojë kësaj ndërmarrje të mëvonshme sipas Dados duhet të jetë zgjidhja përfundimtare dhe me kritere shkencore e problemit të gjeografisë së përfshirjes së letërsisë shqiptare, jo vetëm të shkrimtarëve të Kosovës, të arbëreshëve të Italisë, por të gjithë diasporës shqiptare. “Ekuilibri midis aspektit etnik dhe atij estetik, në këtë rast është tepër delikat dhe kërkon një kriter të përcaktuar mirë”. Të tilla parashtrime teorike dhe argumentimet e tyre janë trajtuar gjerësisht në 16 kapituj të librit, të cilët kërkojnë të tërheqin vëmendjen në një periudhë kur rishikimi i vlerave dhe rishkrimi janë kthyer në çështje mjaft të diskutueshme e të debatueshme.

Related Posts: