Divani dhe poeti

Nga Genciana Abazi Egro

--Në rast se poezitë e tij nuk do të ishin gjymtuar me fjalë të huaja, arabe, turke e perse, Nezimi, do të mund të konsiderohej si Anakreonti i shqiptarëve.
Demetrio Camarda


I vetëpërcaktuar si Saadiu dhe Urfiu i kohës së tij, Nezim Berati i njohur edhe si Ibrahim Nezimi (Frakulla) është një ndër poetët më të polemizuar dhe më të diskutuar të letrave shqipe. Madje polemikat e diskutimet kanë filluar që në të gjallë të poetit. Kjo bëhet qartësisht e ditur nga disa poezi-replikë që Nezimi ka shkruar ndaj bashkëkohësve të tij poetë. Kurse në kohërat e mëpasme këto diskutime ndonëse do të dalin jashtë kontekstit të rivalitetit dhe ambicieve/xhelozive njerëzore, sërish do të mbeten brenda kuadrit të gjykimeve subjektive nga më ekstremet. Në fund të shekullit XIX, Naim Frashëri e rendit Nezim Beratin poetin e dytë të madh shqiptar pas Hasan Zyko Kamberit. Vetëm 40 vjet më vonë, Mati Logoreci reagon ashpër ndaj përpjekjeve për ringjalljen e këtij poeti. Ai e paragjykon aq shumë poetin, sa e quan “një farë Nezimi nga Berati”, kurse poezitë e tij për “dylberat e ashikët” përhapëse të atij “kob poshtërsije e turpnije e at ves ma të ndyetin ndër vese kundra natyre”. Ndërsa Ernest Koliqi më 1962 mendon ndryshe. Ai Nezim Beratin e cilëson “poet të talentuar” me një mentalitet “të çlirët dhe pa paragjykime” në një kohë që, sipas Koliqit, ka qenë “plot me fanatizëm”. Edhe përcaktimet e vlerësimet e dhëna në vitet e mëpasme enden nga një ekstrem në tjetrin duke lartësuar, apo në të kundërtën minimizuar poetin. Kjo ndodh nga që edhe vetë kritikët mund të grupohen gjithashtu në dy grupe ekstreme, në njohës të mirë të veprës së poetit dhe në mosnjohës të saj, apo më saktë në njohës të një numri të kufizuar poezish të botuara sporadikisht në shtyp apo nëpër antologji. Mungesa e botimit integral të veprës së Nezimit ka sjellë dhe një përdorim të çlirët dhe të pangulitur të vetë emrit të poetit. Për herë të parë ky poet përmendet tek Hahni me emrin Nezimi. Në literaturën e botuar në Shqipëri në vitet ‘30 të shekullit të kaluar njihet me emrin Nezim Berati, ndërsa në botimet e bëra në vitet ‘50 Nezim Frakulla. Madje rasti më tipik i këtij përdorimi të “shkujdesur” haset në “Historinë e letërsisë shqipe”, botim i vitit 1959. Në këtë tekst në sythin ku jepet një vështrim i përgjithshëm mbi letërsinë shqipe e cila u shkrua me alfabetin e modeluar sipas alfabeteve të gjuhëve të mëdha të Orientit (arabisht, persisht e turqisht) thuhet “ndër auktorët e parë të sajë shquhen Ibrahim Nezimi i njohur me emrin Nezim Berati (vdekur më 1760) ….”, ndërkohë që kapitulli monografik mbi këtë autor (kap. XII) është emërtuar Nezim Frakulla. Çuditërisht ky përdorim mbetet i kufizuar vetëm në titull, pasi nuk haset asnjëherë në tekst, përgjatë të cilit poeti përmendet vetëm me emrin Nezimi. Kurse poeti vetë në Divanin shqip paraqitet si Nezimi nga Berati. Madje në Divanin turqisht ai qartësisht shprehet se “vatani” i tij është Berati. Ndërsa emrin e vendit të origjinës, Frakull, nuk e hasim asnjëherë në veprën e tij. Këtë fakt e mësojmë nga kronogrami i Fejziut, shkruar pas vdekjes së poetit. Për këto arsye në këtë edicion tekstual kritik të Divanit shqip është përdorur emrin Nezim Berati, duke i qëndruar besnik identifikimit që poeti i ka bërë vetvetes. Nezim Berati në historinë e letërsisë shqipe përfshihet në grupin e autorëve të letërsisë së vjetër, si një ndër përfaqësuesit kryesorë të poetëve shqiptarë që i përkasin konfesionit islam. Në të vërtetë segmenti kohor në të cilin ai jetoi (v. 1760) qe shumë i favorshëm për krijimin e një elitari tipik të provincës që përpiqet të shfrytëzojë maksimalisht të gjithë rrugët drejt integrimit perandorak. Perandoria Osmane, pas më shumë se dy shekuj sundimi kishte arritur që në viset shqiptare, ashtu si në të gjitha hapësirat ballkanike që kishte nën sundim, ritmin e jetës ta përshtaste me orën e Stambollit. Stabilizimi i jetës qytetare solli dhe krijimin e hapësirave për zhvillimin e një jete kulturore të mirëfilltë, me karakter oriental. Në këto kushte elita shqiptare kishte mundësi që të zhvillonte dhe testonte aftësitë e veta jo vetëm në gjuhët e mëdha orientale (arabisht, persisht, turqisht), por të shkruante dhe të krijonte në gjuhën amtare, shqip. Vetëm në këtë mjedis dhe në këtë atmosferë mund të shpjegohen dhe marrin kuptim formimi i mirë intelektual i Nezimit, i filluar në medresenë e Beratit dhe plotësuar në Stamboll, mënyra e tij e të menduarit, si dhe krijimi sipas poetikës së Orientit. Mirëpo ky realitet politik e social ndonëse favorizoi zhvillimin e dëshirave të tij intelektuale, nuk arriti që t’i falë atij një jetë të qetë e pa andralla. Nezimi duke patur një shpirt të trazuar dhe një natyrë rebele e pati të vështirë që të vendosë një marrëdhënie paqësore me ambientin ku jetonte. Dhe në përpjekjet për të qetësuar shpirtin e tij duhen analizuar edhe ecejaket e vazhdueshme Berat-Stamboll dhe rrugët e shumta që ka përshkuar që nga Lindja e Mesme e deri në Hotin (sot Ukrainë). Këto udhëtime ai do t’i vazhdojë deri në fund të jetës, derisa vdes i vetmuar, në burg, në Stamboll, pa gjetur qetësinë e shumëkërkuar të një dashurie vetëpërmbushëse dhe pa kënaqur krenarinë e tij, të vetëdijshme për vlerat që gëzonte. Nezim Berati është poeti i vetëm shqiptar që ka mundur të krijojë me të njëjtën vlerë në katër gjuhë, shqip, turqisht, persisht dhe arabisht. Nuk kemi ende ndonjë të dhënë që të na tregojë se sa të pranishme kanë qenë në qarqet letrare osmane veprat e shkruara prej tij në gjuhët e Orientit. Ndërkohë që është më se e qartë që të shkruarit shqip i një vepre letrare i dha atij famën dhe njohjen. Divani shqip është kryesisht prodhim i viteve kur Nezimi ka jetuar në Berat. Nga poezitë e Divanit mësojmë se poeti vendos të shkruajë shqip në mënyrë të vetëdijshme dhe me një objektiv të qartë. Ai dëshiron të lëvrojë shqipen për ta shpëtuar atë nga presioni i gjuhëve orientale që në këtë kohë ishin gjuhët e administratës dhe kulturës sunduese. Madje ai shkon edhe më tej duke e shtruar çështjen e përdorimit dhe kultivimit të gjuhës shqipe edhe në nivel komunikimi poetik e letrar. Në këtë kontekst ai parashtron edhe çështje të natyrës teorike e letrare. Nezimi është i pari që eksperimentoi hartimin e një Divani në gjuhën shqipe. Ky Divan, ndonëse i pari i këtij lloji në shqip, është vepra themeltare dhe njëkohësisht më e plota e letërsisë së bejtexhinjve. Kjo ka ndodhur jo vetëm për shkak të mjeshtërisë dhe talentit të tij, por edhe sepse poeti ka patur një formim shumë të mirë letrar e kulturor dhe një njohje shumë të plotë mbi poetikën orientale. Nga ana tjetër bërja fjalë për momente të rëndësishme historike dhe përmendja e emrave të personaliteteve që kishin lidhje me to, vendas apo jo vendas, përshkrimi i aktiviteteve të ndryshme sociale, reflektimi i marrëdhënieve intime e njerëzore, janë elementë më se të mjaftueshëm për ta konsideruar këtë vepër një dokument me vlera të veçanta në fushën e historisë dhe të kulturës.


Divani shqip i Nezim Beratit nuk ka qenë një dukuri sporadike

Kurse fakti që poezitë e Divanit janë shkruar në një toskërishte arkaike i japin kësaj vepre edhe vlerën e dokumentit të rëndësishëm gjuhësor për toskërishten e dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XVIII. Divani shqip fillimisht është transmetuar me anë të kopjimit, çka është praktikë normale në mënyrën e përhapjes së veprave në traditën orientale të letrave. Kurse mënyra se si kjo vepër shqip është pritur nga lexuesit e kohës mbetet për t’u shqyrtuar. Megjithatë ajo që dihet tashmë është se Divani shqip i Nezim Beratit nuk ka qenë një dukuri sporadike me një njohje të kufizuar. Edhe pse nuk është përcaktuar qartë natyra dhe thellësia e ndikimit që kanë patur poezitë e tij në autorët e mëpasëm të letrave shqipe, ai ka mundur që të ruajë aktualitetin dhe t’u flasë lexuesve për shekuj të tërë. Këtë e dëshmojnë jo vetëm kopjet e shumta me anë të së cilave ka qarkulluar Divani shqip, njëra prej të cilave ka mbërritur madje deri në Stamboll dhe është përdorur nga Sami Frashëri, por edhe fakti se kopjimi i veprës së Nezim Beratit ka vazhduar deri në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Përveç kësaj, njohja dhe përhapja që kanë gëzuar poezitë e Nezimit mund të dëshmohen edhe me faktin se ato janë përfshirë në çdo antologji-dorëshkrim në gjuhën shqipe, të hartuar gjatë periudhës osmane nga autorë e shkrues anonimë, madje janë kopjuar edhe në blloqet e shënimeve të natyrës djonk. Nga kjo frekuencë e lartë kopjimi, Nezim Berati fare mirë mund të përcaktohet edhe si poeti më i njohur dhe më i përhapur i letërsisë së bejtexhinjve.


Shënime:

Divani: Në poetikën orientale, vepër e një poeti e cila mbledh sipas një sistemi të caktuar poezitë klasike (kaside, gazel, etj).
Saadiu: Poet i njohur pers i shekullit XIII nga Shirazi (Iran).
Urfiu: Poet i njohur pers i fillim shekullit XVI.
Djonk: Manuskripte me hapje vertikale në të cilat kopjohen poezi dhe mbahen shënime të natyrave të ndryshme. Për natyrën dhe përdorimin e tyre shih: Orhan Şaik Gökyay, “Cönkler üzerine”, Folklor ve Etnografya Araştırmaları, 1984: 107-173; Z. V. Togan, “Topkapı Sarayında Dört Cönk”, İslam Tetkikleri Enstitüsü Dergisi, Stamboll, (1954): 73-89; Cemal Kafadar, “Mütereddit bir Mutasavvıf: Üsküplü Asiye Hatun’un Rüya Defteri”, Topkapı Sarayı Müzesi 5 (1992): 168-222.