Çehovi, përkujtimi i një gjeniu

Përvjetori i 150 i lindjes së Çehovit do të përkujtohet me shfaqje teatrale, produksione e transmetime të posaçme televizive, duke e shndërruar këtë vit mbarëçehovian në të gjithë botën
Anton Pavlloviç Çehov lindi më 29 janar të vitit 1860, ndaj ky vit shënon përvjetorin e 150 të ardhjes në jetë të burrit që konsiderohet jo vetëm si dramaturgu më i madh i shekullit të 19-të dhe i fillimit të atij të 20, por edhe si shkrimtari më i suksesshëm i tregimeve të shkurtra, autori gjenial, vëzhguesi skrupuloz, mendjehapuri dhe komunikuesi i madh. Një pjesë e shfaqjeve të para që do të organizohen këtë fillimvit për nder të këtij përvjetori, siç është drama “Tri motrat”, do të shërbejnë për mbledhjen e fondeve për të restauruar vilën e autorit të madh në Jaltë, në të cilën ai u tërhoq për të qëndruar në qetësi kur iu shfaqën problemet me tuberkulozin në vitin 1899. Që nga koha e vdekjes së Çehovit (15 korrik i vitit 1905) reputacioni i tij ka kaluar nëpër faza të ndryshme. Fillimisht ai është konsideruar si një “tregtar i mërzitshëm”, dramat dhe pjesët teatrale të të cilit kanë një fund të paralajmëruar. Nga të tjerë ai është konsideruar si shkrimtari i “komedive”. Nga disa është konsideruar si një shenjtor i pafe (në vitin 1890 ai në “veshjen” e mjekut kreu një udhëtim në zonën e Sakhalinit, në fund të të cilit grumbulloi një material të mjaftueshëm për shumë pjesë dhe tregime).

Sipas një libri të vitit 1997, bazuar në letrat e lëshuara nga arkivi rus, dramaturgu ishte, ndër të tjera, edhe një frekuentues i shtëpive publike, vetëm se jo për arsyen që i frekuentojnë zakonisht meshkujt, por për të folur dhe njohur jetën e prostitutave, me të cilat shumë shpesh zhvillonte takime të gjata, që nuk ishin aspak fizike. A ndikojnë informacione të tilla në mënyrën sesi ne e vlerësojmë artin e tij? Po dhe në fakt duhet të na shtojnë admirimin për të. Tek ai dashuria për të zbuluar botën shkonte paralel me dëshirën për t’i ikur, për t’iu shmangur asaj. Një nga motot e tij ishte: arti duhet që të qartësojë problemet, jo domosdoshmërish të japë kurën për to.

Ai ishte nipi i një bujkrobi, që arriti të blinte lirinë e tij dhe biri i një shitësi ushqimesh. Gjatë javës ishte babai i pamëshirshëm, që i kamxhikonte fëmijët rast e pa rast dhe të dielën shndërrohej në një qenie të përvuajtur dhe mëshirëplotë kur i duhej të kryente rolin e një koristi kishe. Fëmijëria e kaluar me një baba të tillë la gjurmë të mëdha, që shquhen dukshëm në të gjitha veprat e Çehovit.

Ai e ndan jetën e tij në dy periudha të mëdha: periudha gjatë dhe pas goditjeve me kamxhik. Ndër të parat gjëra që ai shkroi në rininë e tij ishte një listë objektivash që do të kishte dashur ta ndiqte, nëse Zoti do t’i kishte falur dhuntitë e një artisti. Ja çfarë shkruan dramaturgu i madh: “Ndër gjërat më të shenjta janë trupi njerëzor, shëndeti, inteligjenca, talenti, dashuria dhe liria nga dhuna, nga gënjeshtrat. Ky është programi që do të doja të ndiqja nëse do të isha një artist i madh”. Çehovi e njihte mirë dhunën dhe gënjeshtrën e donte të kishte të bënte sa më pak me to. Ai ishte shumë i përgjegjshëm si njeri dhe kur i ati dështoi në biznesin e tij dhe e çoi familjen në Moskë, Çehovi bëri ç’ishte e mundur për t’i ndihmuar ata financiarisht e ndërkohë arriti që të mbaronte shkollën, mori një diplomë në Mjekësi, shkruante pa reshtur skeçe dhe tregime të shkurtra për të pasur mundësi më të shumta financiare.

Çehovi ishte një vëzhgues i jashtëzakonshëm, një “makinë” që “skanonte” realitetin e dukshëm dhe të padukshëm të qenies njerëzore. Kishte aftësinë e të depërtuarit nën lëkurën e individëve të ndryshëm e të bëhej njësh për pak kohë me veset, dëshirat, ëndrrat e makthet e tyre. Ai vuri re se njerëzit nuk e kishin shumë të zhvilluar aftësinë e të dëgjuarit të njëri-tjetrit. Në tregimet e tij të shkurtra, për të cilat ishte një mjeshtër i madh, vihen re këto nuanca e ngjyrime, por në pjesët dramatike ato bëhen më të dukshme dhe të prekshme. Sepse, në teatër personazhet shfaqen me të gjithë dimensionet e tyre. Të shumtë janë ata që e krahasojnë Çehovin me Shekspirin, madje që i konsiderojnë të dy njëherazi të mëdhenj e monumentalë për atë që kanë shkruar e thënë për jetët, karakterin e natyrën njerëzore. Shumë regjisorë po përpiqen ndërkohë që të sjellin një version modern të veprave të Çehovit, siç kanë bërë disa regjisorë me dramat dhe komeditë e Shekspirit. Ka disa që janë të mendimit se një gjë e tillë nuk do të kishte sukses, edhe pse Çehovi është i gjithkohshëm dhe vepra e tij do të jetojë për sa kohë do të jetojnë edhe njerëzit. Gjithsesi në Londër disa regjisorë po përpiqen që të eksplorojnë në këtë drejtim. Një iniciativë është ajo e “modernizimit” të “Pulëbardhës” dhe “Kopshtit të qershive”. Me këto realizime synohet edhe restaurimi i vilës së Jaltës. Ajo nuk është një vilë e zakonshme, por një shtëpi që fsheh disa të vërteta për shkrimtarin dhe dramaturgun e madje, nëse shkon aty, ajo të shfaqet shumë mikpritëse fillimisht. Është e pajisur me dy ballkone. Në këtë shtëpi Çehovi qëndroi me motrën që iu përkushtua me një dashuri të veçantë të vëllait, por ndaj të cilës ai jo gjithmonë u tregua i hapur dhe i drejtë. Madje nuk i tha as për planet që kishte për t’u martuar me aktoren Olga Knipper. Distanca e madhe nga Moska ndikoi edhe në mënyrën e të shkruarit të Çehovit, por ai pati mundësinë që të kishte një nga aparatet e parë telefonikë në të gjithë zonën me të cilin komunikonte me kryeqytetin. Ai merrte vazhdimisht telefonata nga Teatri i Artit që e mbante të përditësuar me suksesin e shfaqjeve të dramave të tij më të fundit. Një proverb thotë se “djalli qëndron në detaje”, por Çehov e përgënjeshtron këtë thënie.

Tek ai në detaje gjendet pikërisht antidoti i djallit. Për Çehovin, bota është në kuptimin strikt dhe hiperbolik të fjalës “një vend i jashtëzakonshëm”. Çehovi e dashuronte atë, natyrën njerëzore dhe trupin human. Ai thoshte shpesh se ishte i martuar me mjekësinë dhe sa për letërsinë ajo ishte e dashura e tij e përjetshme. Çehovi vlerësonte se pikërisht përmes trupit të vdekshëm dhe shumë vulnerabël mund të përjetohen gëzimet e rikrijimit. A besonte Çehovi te progresi? Përmes përkushtimit të tij ndaj masave fshatare dhe vajtjes te të burgosurit e kolonisë së Sakhalinit, ai ka bërë shumë më tepër se disa idealistë për ta shndërruar botën në një vend më të mirë, por ai ishte aq i mençur sa për ta kuptuar dallimin mes dëshirës për të bërë mirë dhe rrezikut që mund t’u kanoset njerëzve të tillë nëse nuk arrijnë që të gjejnë një balancë mes dhënies dhe marrjes.

Dihet se pasi përfundoi së shkruari dramën e tij të fundit “Kopshti i qershive”, Çehov konceptoi idenë për një tjetër dramë, por që fatkeqësisht nuk pati mundësinë ta materializonte. Nga ato pak shkrime që kanë mbetur bëhet fjalë për një dramë që do të kishte pasur shumë sukses, por që nuk do t’i shtonte asgjë të rëndësishme madhështisë së arritur tashmë nga dramaturgu, që vazhdon të mbetet ndër më të famshmit e kohërave.