Bohemi i poezisë shqipe

Mirko Gashi mbetet poeti më i njohur bohem i poezisë shqipe. Me jetën e tij të veçantë, me poezinë dhe zërin e tij të veçantë, ai konsiderohet edhe si njëri prej poetëve më të mirë të Kosovës. Mbi jetën e tij dhe mbi poezinë e tij janë shkruar shumë artikuj që janë botuar nëpër gazeta, revista letrare dhe nëpër libra të ndryshëm. Studimi më i plotë mbi jetën dhe mbi poezinë e tij i botuar deri më tani lirisht mund të konsiderohet libri me titull “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit”, i autorit Prend Buzhala. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Rozafa” dhe përkon me shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së poetit. Autori i librit tashmë është dëshmuar si kritik letrar, si njohës i mirë i letërsisë shqipe, si autor i disa librave me studime si dhe autor i disa librave monografikë mbi disa prej autorëve të njohur të letërsisë shqipe. Në këtë libër, Buzhala mbështetet në një zbërthim e përgjithësim të shumanshëm të lëndës së trajtuar, duke nxjerrë në pah elemente të ndryshme të poezisë së Gashit. Libri është i ndarë në nëntë kapituj. Në kapitullin e parë “Lexim mitopoetik (Nga gjenitivi i krijimit të kozmosit)” autori e analizon kryesimbolin e Mirko Gashit, ujin, të cilin autori e quan Ideal Poetik, nga i cili ideal rrjedhin edhe kuptimet tjera të poezisë e të poetikës së Mirko Gashit, siç janë raportet mes poezisë, artit e realitetit, miti i krijimit kozmologjik e kozmogjenetik i kënduar në artin e poetit bohem. Kapitulli i dytë “Lexim kontekstual (Kulti i bohemës)” i kushtohet konteksteve kohore kur u krijua kjo poezi, kurse kapitujt “Lexim akvapoetik (Në vorbullën e ujit)”, “Lexim në intermedium (Hapësira eternale e akvapoetikës), “Lexim situacional (Netët e bardha)”, Lexim i subverzionit estetik (Gjarpri i shtëpisë)”, Lexim paradigmatik”, (Arbor vitae)”, “Lexim fenomenologjik (Reinkarnimi im)”, merren me interpretimin e leximit, të cilin autori e quan polimorfizëm të leximit. Në një rast, Buzhala ka shkruar se Mirko Gashi e kishte zërin e vet të veçantë, mënyrën e veçantë të reagimit dhe mënyrën e veçantë të jetesës. Ndërsa diku tjetër, ai ka shkruar se ‘vet jeta me ngjyrime tragjike e Mirko Gashit përbën thelbin e poezisë së tij, thelbin e dilemave tragjike’. Mirko Gashi në rrethet letrare ka qenë i njohur si poet bohem, i cili nuk pajtohej me konventat e shoqërisë, prandaj doemos e bënte jetën e vet të veçantë, ashtu të dëshiruar, të vetëzgjedhur, si artist endacak duke bredhur midis realitetit dhe ëndrrës, midis jetës dhe vdekjes, midis gëzimit dhe vizionit. “Mirko Gashi hyn në radhën e atyre pak poetëve tanë bashkëkohorë, i cili nuk ngarend mbas sasisë, por është i dhënë qenësisht pas krijimit të poezisë dhe me përkushtim e zhvillon dhe e thellon procesin e vet krijues poetik”, ka shkruar për të studiuesi Anton Nikë Berisha. Studimin e tij monografik mbi poetin bohem, Buzhala e përfundon me botimin e disa poezive që poetë të ndryshëm i kanë kushtuar Mirko Gashit.