Nga Vladimir Tismaneanu
Arthur Koestler (1905-1983) është një romancier dhe gazetar britanik. Lindi në Budapest në një familje me origjinë hebreje, gjermanofolëse Në rininë e tij, pas studimeve universitare në Vjenë (1922-1926) kaloi tre vite në Palestinë, shkon në Berlin, ku punoi si gazetar dhe u bë anëtar i Partisë Komuniste Gjermane (1932-1938). Mori pjesë në Luftën civile të Spanjës, u mor rob nga republikanët, por u lirua në vitin 1937 dhe vendoset në Francë. Pas spastrimeve etnike të BRSS (1938) u largua nga komunizmi dhe themeloi një revistë javore kundra komunizmit dhe kundra fashizmit. Bëhet pjesë e Legjionit të Jashtëm Francez, në vitin 1940, u kap dhe u mbajt në një kamp-burg, por arrin të shpëtojë dhe të mbërrijë në Angli, ku u vendos përfundimisht, ku merr shtetësinë britanike. Vetëvritet së bashku me gruan e tij në vitin 1983 (L.T.)
-Shkrimi botohet për herë të parë në gjuhën shqipe, ekskluzivisht për gazetën 55
Arthur Koestler (1905-1983) kaloi shekullin e XX duke jetuar temperaturën e entuziazmeve doktrinare, joshjen e feve politike dhe shijen e hirit të zgjimit nga këto dehje ideologjike. Për atë mund të thuhet, si edhe për Hans Castorp-in, heroin e Malit Magjik të Thomas Mann-it: placet experiri. U shkëput nga mjedisi e tij i origjinës, klasa e mesme e epërme me origjinë hebreje e Budapestit në fillimin e shekullit, përqafoi revizionizmin sionist, lëvizjen radikale (të kundërt me drejtimet socialiste) kampion i të cilës ishte Zeev (Vladimir) Jabotinsky, u bë gazetar i sukseshëm dhe anëtar klandestin i Kominternit. Ishte bashkëpunëtor i afërt i të famshmit Willy Munzenberg, militanti komunist gjerman (në fund kundërshtar i Stalinit dhe ndoshta i vrarë nga NKVD-OGPU), i martuar me Babette-n, motrën e Margarete Buber-Neumann (me këtë mbijetuese të kampeve komuniste e naziste, Koestler do të mbetej mik deri në fund). U shkëput nga komunizmi më 1938-1939 dhe u bë, në gjurmët e Panait Istratit dhe Boris Souvarine-it, pranë Andre Gide, Manes Sperber, Ante Ciliga dhe Ignazio Silone, një nga rebelët më të njohur. Ndërhyrjet publike të Koestler-it luajtën një rol të qenësishëm në demaskimin e totalitarizmit komunist. Pa ofruar shpjegimin përfundimtar (por mundet ta ofrojë vallë dikush këtë shpjegim?) të misterit të konfesioneve auto-akuzuese të bolshevikëve të vjetër në kohën patologjike të proceseve-shfaqje nga Moska (1936-1938), hipoteza e Koestler-it (“Shërbim i fundit i bërë partisë”) mbetet e vërtetë (të paktën në rastin e Buharin-it). Mjaft e rëndësishme për Maurice Merleau-Ponty, e përdori (në mënyrë të shtrembëruar) në librin e tij Humanisme et terreur. Lucretiu Patrascanu e ka lexuar librin më 1945, duke mos e ditur se ai do të bëhet vetë viktima e angrenazhit terrorist. Ose ndoshta e parandiente që pikërisht kjo gjë shpjegonte refuzimin e tij për të “dëshmuar” se çfarë ishte inskenimi i prillit të vitit 1954.
Ekskurs metafizik, i trajtuar me demonologji si meditim psiko-historik, ishte romani Darkness at Noon, pas Luftës së II Botërore, një best-seller absolut në Europën Perëndimore dhe posaçërisht në Francë. Në një ligjërim që ka hyrë në histori, Andre Malraux, ex-compagnon de route i bërë gaullist, formulonte, në mënyrë solemne, siç njihet stili i tij, alternativa: Molotov apo Koestler?. Nëntitulli i këtij romani mund të ishte, jehona e një eseje të të riut Lukacs, “bolshevizmi si problem moral”. Për Koestler-in, thembra e Akilit të komunizmit është pikërisht mungesa e një sistemi të moralitetit, jezuitizmi i absolutizuar në parimin pseudo-etik. Pranë vëllimeve-dëshmi të Viktor Kravcenko dhe Whittaker Chambers, ishte, për të rimarrë titullin e një libri të fundit të John Fleming, një manifest anti-komunist. Sartre dhe Simone de Beauvoir u përpoqën së pari të moderonin pasionin antikomunist të Koestler-it, duke e bashkuar me grupin e tyre ekzistencialist, anti-borgjez, anti-amerikan dhe ateist programatik, pastaj e sulmuan dhe shpifën. Libri u shit në qindra mijë kopje dhe ishte ajo që quhet një eye-opener për brezat e intelektualëve. Në vitet ‘50, Arthur Koestler ishte gjeneratori i energjisë për Kongresin e Lirisë së Kulturës. Krijoi, nga honoraret e librave të tij (kujtoj përmbledhjen me sprova, dy vëllimet me kujtime, romane si për përvojën e dënimit me vdekje në kohën e Luftës Civile në Spanjë), një fond ndihmash për intelektualët e vendeve të pushtuara nga BRSS. Nga ata që ka përkrahur Koestler, kujtoj Gustaw Herling-Grudzinski-n, Virgil Ierunca-n, Czeslaw Milosz-n. Mik i rinisë i Attila Jozsef-it dhe i Gyula Hay-it nuk mund të asistonte në mënyrë pasive në orgjitë kriminale të stalinizmit. Për Koestler-in, si dhe për Hannah Arendt, Camus, Orwell ose Manes Sperber, nuk ekzistonte një diferencë thelbësore midis bolshevizmit dhe nazizmit si shprehje të të Keqes radikale, midis Dzhugashvili-Stalin si Schickelgruber-Hitler-it. Totalitarizmi, i çfarëdolloj ngjyre, ka qenë mortaja e shekullit të kampeve të përqendrimit.
Kemi tash një biografi të re–do të guxoja ta nxjerr përfundimisht, në kuptim bazal dhe vështirë të tejkalueshme–të autorit të romanit më të njohur politik të kohëve moderne, Darkness at Noon (i njohur me titullin frëngjisht Le Zero et l’infini, përkthyer në rumanisht nga Humanitas), falë Michael Scammell: Koestler: The Literary and Political Odyssey of a Twentieth Century Skeptic, New York, Random House. Autori i një biografie monumentale për Solzhenicinin, Michael Scammell ka punuar për dy dekada për librin e ri, e vetmja biografi e autorizuar nga trashëgimtarët testamentarë të Koestler-it (në dallim nga punimi i bujshëm i David Cesarani para disa vitesh).
Christopher Caldwell, autor i botimit të kohëve të fundit, “Refleksione mbi revolucionet në Evropë: Emigracioni, Islami dhe Perëndimi”, botoi një faqe para-shqyrtim në suplementin me ndikim për librat e botuar, të dielën në New York Times Book Review (27 dhjetor, 2009). Portreti i Arthur Koestler në këtë biografi nuk është domosdoshmërisht si një hije. Personazhi ka qenë, me sa duket, egoman i pashërueshëm, brutal dhe deri i dhunshëm në marrëdhëniet me gratë, depresiv, arrogant, alkoolik, depresiv, me ankth dhe terror të pafund, nga të parrëfyeshmet komplekset e shumta. Ose të paktën kështu duket në kujtimet e bashkëkohësve. Ndoshta. Të tjerët e pasqyrojnë në mënyrë të ndryshme.
Por jo kjo pamje e errët e gjërave është aq e rëndësishme. Përpos kësaj, nuk duhet ngatërruar Koestler me Bertolt Brecht-in, një narcist me dy fytyra duke qenë në gjendje të përulet në mënyrë të neveritshme ndaj tiranit të Kremlinit. Atëherë kur Arthur Koestler denoncoi Terrorin e Madh, Brecht e duartrokiti (mbetet për përshpirtje fraza e tij për të dënuarit në Moskë:“Sa ishin më të pafajshëm, aq më shumë meritonin të zhdukeshin”). Kësisoj, në kujtimet e tij The Invisible Writing, Arthur Koestler bën një çmontim asgjësues të pjesës së Brecht-it Die Massnahme, oda e vërtetë e krimeve të Kominternit në kohën e Revolucionit kinez në dhjetëvjeçarin e tretë. Dhe sot pyes veten si është e mundur që njerëzit inteligjentë, që betohen me admirim për Arthur Koestler, të mbeten të burgosurit e disa ëndrrave absurde majtiste. Gaspar Miklos Tamas, i cili e lexoi kur duhet, i lidhur me aq fije biografike të përvojës heretike të Koestler-it apo Kolakowski-it, dhe që megjithatë vjen sot t’i bëjë elozhe marksizmit si ideologji shpëtimtare. Me sa duket nuk mund të shpëtojmë nga magnetizmi i paradigmave të kaluara. Ose, në rastin e tij, nuk shtrohet as të paktën problemi i pastërtisë biografike…
Si dhe Michael Scammell, besoj në trashëgiminë e Arthur Koestler dhe se ajo i takon mbrojtjes së lirisë në kohën e budallallëkut të ulët. Ishte ndër të fundit që foli me Walter Benjamin. Miku i tij, Otto Katz (Andre Simone) u var pas procesit gjyqësor të Slansky-t. Më të shumtit nga rrethi i tij intim u vetëvranë. Kishte kaluar koha e katakombeve, e idealistëve naivë, e iluministëve revolucionarë, shkruante ai, Europa dhe njerëzimi kishin hyrë në erën e familjes Borgia. Duke ditur se rrezikon të nxirret jashtë jetës publike, nxirë, fyer, mundej madje dhe të likuidohej fizikisht, Koestler u shpreh qartë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa reverenca sallonesh. Paralajmëroi ekspansionizmin sovjetik, ka shkruar ndër të parët për rrezikun e verbërisë kolaboracioniste. Zëri i tij shqetësoi shumë. Ishte një Kasandër e atyre kohëve të çnderimit dhe fanatizmit. Miqtë e demokracisë liberale i detyrohen shumë (rilexoni antologjinë Etika e paharrueshmërisë, Humanitas, 2008, çfarë shkruante Monica Lovinescu për Arthur Koestler). Ishte gjithmonë i motivuar nga një libido politike e papërmbajtur, me një prirje të pashtypshme të lirisë, besoi, njësoj si Nadezhdei Mandelstam, se në orën e totalitarizmit heshtja është krimi kundra njerëzimit. Ja konkluzioni i kronikës së Caldwell: “… nga ajo që ka shkruar, si dhe në jetën personale, është përcaktuar nga ego-ja, jo nga parimet. Subjekti i tij ishte ai vetë. Dhe megjithatë, në një moment kur tmerri i komunizmit sovjetik ishte akoma i padukshëm për aq shumë njerëz irracionalë, ai njeri në pamje të parë pa vetëdije zgjoi ndërgjegjen e Perëndimit”.
Përktheu: Luan Topçiu





