Mira Meksi
E kam ende fletën e shkëputur nga një fletore shkollari ku kam shkruar ngutazi një varg tangoje që thotë: Ku ishe ti Zot/ kur vdiq i dashuri im? dhe ku poshtë tij, një mbrëmje fundprilli të vitit 1996, në restorant "Piazza" në Tiranë, Ernesto Sabato pikturoi një lule supernatyraliste. Dhe kështu, e kishte më të lehtë që në librat apo albumet që na dhuroi, të vizatonte një pakogjë si përkushtim, sesa të shkruante fjalë. Qe po atë mbrëmje, në dhomën e verërave të Piazza-s, kur më besoi zëulët arsyen e vërtetë se përse ishte larguar për tërë natën nga vila 31 e ish-bllokut, ku e patëm vendosur: "Nuk desha, në asnjë mënyrë, të pikturoja fantazma diktatorësh!", më tha, "sepse, domosdo, do të më duhej ta bëja". Pastaj më rrëfeu se si kish pasë qenë somnambul gjatë fëmijërisë së tij, ndërsa tani, halucinacionet vizive qenë bërë natyra e tij e dytë dhe, në më të shumtën e rasteve, i diktonin frymëzimet piktorike: "kur nëna më kishte në bark, -më tregoi, vdiq Ernestito-ja, ai Tjetri, vëllai im, në moshën trevjeçare, dhe gjendja shpirtërore e sime ëme ndikoi tek unë, edhe emrin ma vunë Ernesto, për të kujtuar atë Tjetrin...".
Kur flitet për Ernesto Sabato-n, menjëherë të vjen në mendje shkrimtari, dhe mbi të gjitha romancieri; është tamam kështu, pasi Sabato, me të drejtë quhet sot princi i letrave argjentinase, ndërsa romani i tij "Mbi heronjtë dhe Varrezat" është cilësuar si romani më i mirë argjentinas i shekullit XX; të vjen në mendje autori i Tunelit, ku zëri i tij ekspresionist, subjektiv, idengulitës, tragjik dhe lirik, bëhet shumë më i thellë dhe më i plotë; të vjen në mendje njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të sotëm hispanoamerikanë, i cili është jo vetëm shpikësi më i madh i formave, një personalitet që zhvillon një projekt romani tërësor, - njëlloj si Joyce-i, - por edhe një nga zërat më të shqetësuar dhe më personalë. Porse Sabato njihet edhe si një eseist i jashtëzakonshëm, me librat e tij "Njëshi dhe Universi" (1945) apo "Apologjitë dhe mospranimet" (1979), libër me të cilin shpalli edhe ndarjen me letërsinë.
Në tërë veprën e tij, përpos të tjerash, i ka kushtuar shumë faqe përsiatjeve mbi artin dhe artistët; dhe jo vetëm mbi shkrimtarët, poetët dhe filozofët, por sidomos mbi piktorët, lëvizjet, shkollat dhe temat afër teknikës vetë të përdorur nga piktori, dhe zhvillimit të formës. Ajo që nuk dihet nga të gjithë, është ana tjetër e këtij krijuesi të madh: piktura. "Kam një respekt të shenjtë për artin dhe letërsinë, sepse janë të vetmet burime, nëpërmjet të cilave mund të arrihet absolutja e njerëzores", thotë Sabato. "Në ekzistencën time të tollovitur nisa të pikturoja nga ato pakogjërat që i dalin përpara njeriut në fëmijërinë e parë, porse u doktorova në fizikë-matematikë, duke kërkuar një rend platonik në kaosin tim, por pa e lënë shkrimësinë dhe pikturën. Më 1938 mora një bursë për të punuar në Laboratorin Curie, që e drejtonte Irene Joliot- Curie, së cilës i bëra një portret të vogël, sepse kisha simpati për të dhe qe njeri i mirë. Natën, ama, mblidhesha me surrealistët në Select dhe më në fund në Dome".
Një nga librat eseistikë më të njohur të Sabato-s është "Shkrimtari dhe fantazmat e tij", ku ai flet për idengulitjet apo fantazmat që gjallojnë te shkrimtarët e mëdhenj; thuhet se fantazma e vetë Sabato-s është verbëria apo i verbëri - një nga variantet e titullit (pati shumë të tillë) i romanit Mbi heronjtë dhe varrezat qe raport mbi të verbrit; te romani "Tuneli" gjendet një i verbër dhe po ashtu te romani i fundit i Sabato-s "Abaddon shfarosësi" që u botua më 1974. Shikimi kish zënë t‘i përkeqësohej shumë dhe më 1979 mjekët e ndaluan Sabato-n të lexonte dhe të shkruante; shkrimet e pakta të mëvonshme arriti t‘i bënte me vështirësi të mëdha, me anë të kujtesës dixhitale, me një makinë shkrimi. "Që prej atij çasti pata një gëzim shumë të madh, pasi e vetmja gjë që më lejohej të bëja (për nga madhësia) qe piktura", thotë Sabato. "Dhe kështu po e përfundoj jetën time, duke iu kthyer pasionit të fëmijërisë. E nisa me disa portrete ekspresioniste, të cilat përbëjnë edhe pjesën e parë të krijimtarisë sime në pikturë, kur befas nisa të pikturoja gjithçka më dilte nga subkoshienca, duke bërë një lloj pikture që parapëlqej ta quaj supernatyraliste, njëlloj siç e përcaktoi Apollinaire-i pikturën e nuk e mbaj mend të kujt, pasi asnjëherë nuk më është dukur i gjetur termi surrealist që imponoi Breton-i, kur dihet se çdo filozof ka një ide të ndryshme për atë që është "realiteti": për Platonin është një ide e kulluar, për një tjetër është një mollë.
Sido që qenë mistifikimet që u kryen nën shenjën e surrealizmit, kjo qe shumë pozitive në kohërat e hyjnizimit të shkencave dhe arsyes. Në këtë etapë të fundme të pikturës sime, asnjëherë nuk e di se në ç‘drejtim do të shkoj, dhe e lë veten të drejtohet nga instinkti. Ajo që del është një imazh që vjen prej pandërgjegjes, që mban në vetvete dykuptimshmërinë e ëndrrave, të cilat janë përherë të vërteta të thella. Andaj edhe nuk u vendos tituj, por vetëm numra.", vijon Sabato. Në shkrimin e tij Sabato dhe Drita, (botuar në Cuadernos hispanoamericanos, Madrid) Miguel Rubio thotë:" Surrealizmi çliroi te Sabato aftësinë për t‘u endur nëpër shtigjet e koklavitura të ëndrrës dhe çmendurisë, porse përpjekja e tij ekspresioniste shkon përtej kësaj. Ai e dominon këtë nënbotë që ndodhet nën subkoshiencën tonë dhe që nuk i përket as jondërgjegjes kolektive. Në pikturat e tij të para, kjo botë alucinante, e egër, e paeksploruar, që mund ta quanim paraalucinatore, shfaqej vetëm në disa tipare, në disa punime të veçanta.
Ndikimi i tij nga Stuhia e Kokoschka-s, shihet sidomos te portretet (Dostoievski dhe Virginia Woolf); mendërisht e ndien se bëhet fjalë për një pikturë ekspresioniste, porse qashtërsia e vizionit është tepër e mprehtë dhe në të ekziston një lloj vibrimi shpirtëror, - një teoricien holandez e ka përcaktuar ekspresionizmin si "një formë shpirtërore në hapësirë". Karakteri mishtor i pikturave të para "nature morte" me buqeta lulesh apo fruta dhe bokallë, e bënte më tokësor, më pranë nesh Sabato-n, por sapo takohej vështrimi i piktorit, diçka shqetësuese ndodhte: qe njëlloj sikur zgjoheshe dhunshëm në botën mbrëmjesore dhe fantazmore të ndërgjegjes". Piktura e Sabato-s ka filluar të njihet nëpër botë që nga viti 1990, kur nisën të organizoheshin ekspozitat e para në Europë, Paris, Madrid etj., dhe në SHBA; më 1995 u botua edhe Albumi me pjesë të zgjedhura nga vepra e tij: "Sabato, Pintura".
"Hapi vigan në pikturën e Sabato-s", vijon Rubio, "realizohet, nga njëra anë, sepse Sabato nuk e la veten të ndikohej nga shkollat e pikturës, - ndonëse voli më të mirën nga disa prej tyre, - dhe nga ana tjetër, sepse përherë ka përvetësuar dhe përvetëson forma që janë plotësuese për të". Në të vërtetë, Sabato u ndikua në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të thellë prej romanticizmit, ekspresionizmit, surrealizmit dhe artit primitiv, por edhe nga dëshira për t‘u ndarë nga një civilizim dekadent dhe i sëmurë. Porse lirizmi i tij, ankthi ekzistencial, por edhe një ndjenjë e fortë fetare, e bënë që të përvetësonte disa forma të shprehjes shumë pranë ndërgjegjes së tij të artit bashkëkohor. Dhe këto forma shprehjeje s‘janë gjë tjetër veçse disa konfiguracione poetike që gjenden në formalizëm, por edhe në ekspresionizmin abstrakt.
Pikturat e fundit të Sabato-s janë një univers drite; por, siç dihet, drita s‘ka lidhje me ngjyrat, nuk është çështje strukture, nuk ka të bëjë me lëndën e telajos, as me formën, as me penelatat, as me vizatimin; drita vjen prej shpirtit të piktorit; vetëm disa piktorë e kanë këtë dritë, drita tjetër është çështje teknike. "Drita e Sabato-s", thotë Rubio, "është një dritë që vjen së brendshmi, është dritë shpirtërore; në pikturat e tij me maska, apo në "nature morte" të fundit, drita përmbyt gjithçka. Por le të mos gënjehemi, kjo dritë nuk është materiale dhe s‘ka lidhje me shkollën veneciane, është dritë që buron nga vetë piktura, është piktori, është Sabato që është kthyer në lëndë duke shprehur vizionin e tij mbi botën...". Ndërsa në serinë e pikturave "nature morte" mbetet diçka që lidhet me kënaqësinë, ndonëse është me tepër një kënaqësi vizionare dhe mistike, në pikturat me maska, Sabato shfaqet si një tjetër poet: si përshkruesi i llahtarshëm i ferrit brenda nesh.
Në kujtimet e tij mbi epokën surrealiste dhe firmosjen e Manifestit surrealist të Breton-it, Sabato rrëfen edhe një anekdotë që lidhet me termin e përdorur asokohe nga Breton-i: "litokronizëm" dhe që është vetë shpikja e tij, si edhe për dimensionin e katërt në pikturë: " Në numrin e fundit të revistës "Minotauri", para shpërthimit të luftës, Breton-i shkroi një artikull të titulluar "Prirjet e fundit të pikturës surrealiste", thotë Sabato. "Flet për artistët e fundit përfaqësues, mes të cilëve edhe për Oscar Dominguez-in, që operon me një rikthim në automatizëm, prirje, të cilën Breton-i e pat quajtur të rëndësishme në Manifestin surrealist. Pasi flet për "collage-in", "frottage-in" që njiheshin si aktivitete të quajtura "paranoiako-kritike", ai tregon se këta krijues kanë nisur të interesohen për universin e katër dimensioneve, nisur nga koncepti ainshtajnian dhe përmend si të tillë Matta-n dhe Onslow Ford-in. Dominguez-i, vijon ai më pas, i zhvillon kërkimet e tij në fushën e skulpturës që të përftojë sipërfaqe "litokronike".
Dhe kopjon tekstin që e përpunuam së bashku dhe e firmosëm brenda esesë së Breton-it. Këtu dua të ndalem dhe të tregoj se si shpika këtë fjalë në formë shakaje, ashtu, i mbytur në një depresion të thellë siç isha dhe me një humor të zi në majë të gjuhës, por që Breton-i e mori shumë seriozisht, ngase vija prej shkencave fiziko-matematike, dhe që do të thotë "ngrirje, gurëzim i kohës". Ideja e shakasë më erdhi nga puqja e njohur e Venusit të Milo-së me një violinë, skulpturë e Dominguez-it, dhe sugjerova të bëhej ndarja mes tyre me anë të një cohe të hollë dhe elastike prej gome, që pastaj violina të zhvendosej në forma të ndryshme dhe të arrihej ajo që Dominguez-i me zhargonin e tij e quajti "shqetësuese". Qe asokohe, kur Breton-i më foli për Matta-n, të cilin nuk e njihja dhe më shpjegoi për pikturën e tij të lidhur me dimensionin e katërt. Seriozisht i thashë se hapësirë-koha ainshtajniane është një koncept i kulluar dhe nuk mund të pikturohet. Por ai këmbënguli aq shumë, sa të nesërmen shkuam në ateljenë e Matta-s që ishte një djalë i ri, i hajthët dhe shumë simpatik; aty pashë për herë të parë shpikjet e tij të mrekullueshme krijuese, që më vonë e bënë të famshëm dhe që ai ma shpjegoi, ashtu siç e imagjinonte dhe plot entuziazëm, dimensionin e katërt".
Në qershor të këtij viti Ernesto Sabato mbushi 98 vjeç, vazhdon të jetojë në Santos Lugares në Buenos Aires të Argjentinës, vendin plot gjelbërim dhe pemë, ku u vendos që përpara 70 vjetësh, dhe nuk rresht së thëni, njëlloj siç rrëfen në librin e tij testament "Përpara Fundit", se vokacionin për pikturën e ka nga damari mesdhetar, dhe se mund të vdesë zemërlumtur në çdo çast të ditës, që pas vitit 1996, kur arriti të shohë malet e Shqipërisë, vendin e nënës së tij.