Ditët e fundit të Lef Nosit

“…Në tetorin e
vjetit 1944.
Antarët e
Këshillit të naltë (Regjencës)
mbasi kishte perfundue sundimi
i tyne i 100 ditve, tue pa
se tashma nuk çante kryet për
ta kurrnji shqiptar e lëshuen
Tiranen dhe kerkuen strehim
të përkohshëm në Kuvendin
Françeskan, Mehdi Frashëri, më
duket se u bashkue me ushtritë
gjermane dhe iku, At Anton
Arapi tha se do t’ishte marre
me ikë e me e lanë popullin e
vorfën vetëm, se duhej dekë në
Shqipni. Pregatiti nji strofull diku
ndër male të Dukagjinit. Ndërsa
Lef Nosi, nji zotni i mbajtun
që nuk e kishte shokun ndër
shqiptarë, nuk tundej fare: un
– thonte, nuk i kam keq kurrkuj:
gjithmonë në jetën time kam ba
veç mirë, prandaj as komunistat,
as kurrkush tjetër nuk kanë
pse më kërkojnë llogari, dhe
vazhdonte i qetë tue kontrollue
koleksjonin e fundit të pullave të
postës, e me nji lente të madhe
kqyrte a kishin dalë mirë e kjartë
germat e vulave postare ma të
fundit. Por tue kenë se Kuvendi
Françeskan zakonisht i kishte
dyert e hapuna gjithmonë hinte e
delte gjithkush, At Frano Kiri, që
kish marrë përsipër me i sigurue
jetën e hoq prej andej e e dërgoi
në Kolëgjë, ku përveç At Marin
Sirdanit, At Daniel Gjeçajt, fëmijëve
dhe nja tre katër kujdestarëve
nuk sillej kush tjetër. Aty Lefi ndeji
qetësisht deri që fi lluen kontrollet
e partizanve. Por kur kontrollet u
shpeshtuen së tepërmi Lefi nuk
mund i duroj ma dhe i kërkoi At
Franit që ta dergote te At Antoni:
ata të dy ishin të lidhun me nji miqsi
të madhe njani me tjetrin. At Frani u
perpoq me ia ba te ditun veshtirsitë
e mdha të këtij veprimi, jo vetëm se
të gjitha rrugët kontrolloheshin prej
partizanve, por edhe pse vetë
jeta e malsisë në ate dimën
ishte e padurueshme. Por Lefi
mendonte se atje ndër malsi do
t’ishte ma shumë liri e ma pak
frigë. Pëcjellja e tij ndër malet
e Dukagjinit kje nji aventurë e
tillë që sikur Lefi ta kishte lexue
në ndonji roman do të kishte
bërtitë me vedi: ‘E pamundun!
Fantazia e autorit asht tepër e
ngarkueme’. Tue pa se ai nuk
mund t’i përshtatej në kurrfarë
mënyre jetës parahistorike të
shpellave, e derguen në katundin
Kir me jetue bashkë me nji
frat tjetër edhe ma plak se ai.
Por aty u kuptue prej gjithkuj
se nuk ishte frat: ai i pvetëte
ata me naivitet për orenditë
kishtare se shka ishte ky send
e shka ishte ai tjetër. Prandej,
për me u shpëtue ndjekjeve e
terrorit, simbas kërkesës së tij,
u desht edhe nji herë me kalue
qafa malesh, lugina, lumenj
e fusha deri që e dorzuen te
nji mik i veti në Tiranë. Kaq dij
un prej gojës së At Frano Kirit.
Ndërkaq At Antoni vazhdonte
me jeten e shpellave të Pultit…”.

(At Zef Pllumi, Rrno vetëm për me
tregue, “55”, Tiranë 2006).